Home | Culture | Intelektualët dhe politika

Intelektualët dhe politika

image
Filozofia, mendimi, dija, shkenca gjithnjë kanë qenë pranë politikës, qoftë duke e studiuar atë, qoftë duke e ndihmuar të kryejë rolin e saj, por edhe duke qenë pjesë aktive nëpërmjet intelektualëve. Ka pasur gjatë gjithë historisë diskutime mbi këtë marrëdhënie. 

 

 

 

 

 

Politikanët e mirë nuk duhet të jenë  domosdoshmërisht  intelektualë, por ata duhet të kenë jetë intelektuale. Ata, thotë profesor Gutting,  duhet të kenë aftësi dhe interes të lexojnë artikuj që botohen në media të tilla si Scientific American, The New York Review of Books.

 

Filozofia, mendimi, dija, shkenca gjithnjë kanë qenë pranë politikës, qoftë duke e studiuar atë, qoftë duke e ndihmuar të kryejë rolin e saj, por edhe duke qenë pjesë aktive nëpërmjet intelektualëve. Ka pasur gjatë gjithë historisë diskutime mbi këtë marrëdhënie. Shumë mendimtarë dhe filozofë kanë diskutuar mbi intelektualët dhe mbi politikën, mbi politikanët intelektualë dhe nevojën që ka politika për këtë kategori.

 

Profesori i filozofisë në Universitetin Notre Dame në SHBA, Gary Gutting është një ndër zërat më të thekshëm sot që shkruan mbi këtë marrëdhënie. Ai niset nga çfarë ndodh aktualisht në politikën në SHBA, nga mënyra sesi bëhet politika dhe nga niveli intelektual i anëtarëve të kongresit, senatit dhe organizmave të tjerë politikë atje.

 

Pyetja themelore nga nis ky diskutim është çfarë është një intelektual?

 

Për profesor Gutting thotë se në përgjithësi, një intelektual është dikush që i përkushtohet seriozisht asaj që mund të quhet “jeta e mendjes”. Intelektuali nuk e ndjek të menduarin instrumentalisht, nuk e bën atë për qëllime praktike, por thjesht hir të njohjes, dijes dhe të  kuptuarit.  Në ditët e sotme, thotë profesor Gutting,  universitetet janë vendet më të natyrshme të intelektualëve,  ndonëse edhe në to korporatizmi dhe karrierizmi janë shndërruar në një kërcënim shumë të madh.  Intelektualët na tregojnë neve gjërat të cilat ne kemi nevojë t’i njohim:  si funksionon natyra dhe shoqëria, çfarë ndodhi në të kaluarën tonë, si të analizojmë konceptet, si të vlerësojmë artin dhe letërsinë etj. Ata na bëjnë të mundur komunikimin me mendjet e mëdha të së shkuarës. Ky komunikim apo ky bashkëbisedim mundet të mos na çojë në një burim të përhershëm dijeje, siç mund të mund të mendojnë disa, por ai së paku na jep një qëndrim kritik për të vlerësuar kufijtë e hamendësimeve tona kulturore sot.  Në veprën e tij të madhe e të papërsëritshme “Republika”, Platoni  flet për një shtet të drejtuar nga intelektualët  që kombinojnë njohuritë teorike me aftësinë praktike për t’i zbatuar në probleme konkrete, për t’iu dhënë zgjidhje atyre. Në fakt, në realitet askush nuk ka ekspertizë teorike në shumë fusha, askush nuk është i specializuar thellësisht në shumë lami.

 

Gjithashtu nuk ka ndonjë lidhje të fortë  midis të pasurit të një njohurie të tillë  dhe të qenit i aftë për ta përdorur atë për të zgjidhur probleme komplekse sociale dhe politike. Ajo çka është më e rëndësishme, njohuritë tona teorike janë shpesh mjaft të kufizuara, kështu që edhe këshilla e ekspertit  më të aftë mund të jetë me vlerë të vogël praktike.

 

Një njeri me përvojë, jo ekspert i informuar, vëren profesor Gutting, mund të ketë një sens më të mirë mbi këta kufij sesa ekspertët që janë të zhytur thellë në këto disiplina.  Është kjo arsyeja pse në Amerikë ka një mosbesim ndaj intelektualëve. Intelektualët në përgjithësi  shihen si të papërshtatshëm për të drejtuar në politikë. Kjo megjithatë nuk mbështet anti intelektualizmin apo  idenë anti-intelektualiste që i pranon, toleron apo edhe i duartroket kandidatët, politikanët që përçmojnë “jetën e mendjes’ apo janë të paftë të bashkëpunojnë, hyjnë në marrëdhënie serioze me intelektualët.

 

Politikanët e mirë nuk duhet të jenë me domosdo intelektualë, por ata duhet të kenë jetë intelektuale. Ata, thotë profesor Gutting, duhet të kenë aftësi dhe interes t ë lexojnë artikuj që botohen në media të tilla si Scientific American, The New York Review of Books. Gjithashtu, ata duhet të lexojnë rubrikat e shkencës, kulturës, faqet e editorialeve të gazetave të mëdha kombëtare si edhe librat që diskutohen në këta artikuj.  Gjithnjë thuhet se ajo për të cilën kanë nevojë politikanët dhe liderët politikë është arsyeja, mirëkuptimi dhe jo teoritë.

 

Por idetë që rroken me këtë mirëkuptim dhe arsyet të cilat funksionojnë në jetët e përditshme të njerëzve janë të papërdorshme në mjaft raste problemesh komplekse të shoqërisë. Për shembull, është e arsyeshme që pagesat që qeveria bën për të papunët  duhet të çojnë në më shumë vende pune, sepse ata që marrin këto pagesa do t’i shpenzojnë këto para duke rritur kësisoj kërkesën. Kjo rritje e kërkesës do të bëjë që sipërmarrësit të punësojnë më shumë njerëz. Por është po ashtu e arsyeshme që, në qoftë se njerëzit marrin para kur nuk punojnë, atëherë ata do të kenë më pak shtysa për të punuar, gjë që do të rrisë papunësinë. Këtu ka një grackë që kërkon të gjendet sasia parave që paguhen për papunësinë, në mënyrë që të gjendet një balancë mes stimulimit të kërkesës dhe dekurajimit të papunësisë. Kjo është pika kur politikanët duhet të flasin dhe dëgjojnë ekonomistët.

 

Të dish të flasësh me ekonomistët dhe me ekspertët e tjerë është një aftësi thelbësore që duhet ta ketë lideri i mirë politik. Kjo kërkon nga ana tjetër një kuptim të mirë dhe bazik të mënyrës sesi ekspertët e fushave të ndryshme mendojnë dhe të asaj se çfarë ata mund të ofrojnë për të zgjidhur një problem të caktuar. Në njëfarë mënyre, liderët dhe politikanët duhet të jenë konsumatorë inteligjentë të opinioneve të ekspertëve.

 

Profesor Gutting thotë se kjo nuk është një utopi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur gjithnjë të gjejnë mënyrën që në politikë, në senat, në kongres, në administratën e lartë të ketë njerëz të tillë që angazhohen në jetë intelektuale, që dinë të dëgjojnë ekspertët, që dinë të kuptojnë mënyrën se si funksionon mendja e një eksperti, sesi shkenca, arti, mendimi dhe filozofia u japin përgjigje problemeve të shoqërisë.

 

Edhe në Europë, gjithashtu është gjetur një mekanizëm që e bën të mundur këtë gjë. Kohët e fundit si pasojë e krizës shoqërore dhe ekonomike që po endet  në shumë vende, po dalin politikanë që jo vetëm nuk kanë një raport me intelektualët dhe angazhimin intelektual, por kanë neveri për ta. Në Shqipëri kjo është një plagë e rëndë, që vit pas viti bëhet më e madhe. Parlamenti shqiptar apo edhe zyra të tjera të larta të shtetit janë mishërim i bjerrjes intelektuale.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0