Mrekullia e atdhetarisë estetike
Një artist kërkon të bëjë vepra e, shpeshherë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, ai ia del të shndërrohet në një llambë që e ndriçon atmosferën historike të kombit të vet. Por ç’është atdhetaria për një artist?
Nga Shpëtim Kelmendi
Atdhetaria estetike. Po, ky është një term vërtetë i gjetur. Pyetja është: a janë artistët atdhetarë? Historia botërore e artit na bën me dije se është pak të thuhet se artistët janë atdhetarë. Pra, janë, kjo është e sigurtë, e edhe në rastin kur ata as që janë të vetëdijshëm për këtë. Një artist nuk thotë: unë jam atdhetar, e prej këtu duhet të bëj vepra në shërbim të kombit tim. Një artist kërkon të bëjë vepra e, shpeshherë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, ai ia del të shndërrohet në një llambë që e ndriçon atmosferën historike të kombit të vet. Por ç’është atdhetaria për një artist? Në të shumtën e rasteve nuk është parullë, slogan, protestë sociale, revolucion masash, pjesëmarrje në luftë, miting apo fjalim i ndezur përpara turmave. Sigurisht, as kjo nuk mund të përjashtohet, sepse kemi jo pak prej tyre që janë vënë në krye të lëvizjeve të mëdha shoqërore, të cilat kanë transformuar shoqërinë dhe mendësinë e saj. Artistët nuk mjaftohen gjithashtu as me krijimin e veprave që lartësojnë dashurinë për atdheun. Është bukur kur krijohen këto vlera, sepse e madhërojnë identitetin e tyre. Përshembull, piktura që titullohet me sa mbaj mend “Pushkatimi i 3 majit” i Francisko Gojës, është një revoltë e madhërishme kombëtare, por ama në të njejtën kohë është edhe një britmë rrënqethëse mbarënjerëzore. Po kështu mund të thuhet edhe për “Guerrnikën” e Pikasos. Por, mandej një gjë është e sigurtë: të gjithë pyesim se nga ç’vend është piktori. Këtu padyshim kemi të bëjmë me atdhetari, por ama atdhetari estetike, gjë që e zgjeron jashtëzakonisht shumë perimetrin e një ndikimi mbarëkombëtar. Pothuaj e tërë vepra e V. Hygo është atdhetare, sepse mund të lexohet si thirrje për një Francë ndryshe. Kjo është e qartë. Po, përveç kësaj, vepra e tij duhet lexuar edhe si tekst shumë i mirë që të kënaq shijet estetike. Njëkohësisht, Hygo na përshkruan kulturën franceze, a thua se përpiqet të na thotë: “Ja Franca ime!”. Po ashtu mund të përmendim tablonë “Liria mbi barrikadë” të Delakrua, vepër drejpërdrejt atdhetare, sigurisht, por që mesazhet i përcjell me metoda të kthjellta estetike. “Don Kishoti i Mançës” duhet konsideruar për spanjollët një vepër shumë atdhetare, sepse ngjarjet janë vendosur në mjedise spanjolle. Me këtë rast Servantes na ofron edhe larminë e harlisur të kulturës spanjolle, duke u thënë të tjerëve: “Ja, kjo është Spanja!”. Edhe “Uliksin” e Xhojs e shoh thelbësisht si një përmendore kushtuar Dublinit, pavarësisht asaj që të tjerët mund të kuptojnë me veprën e tij. E vërtetë që përroi i tij psiqik rrjedh brënda vetëm një dite, por ama të një dite e pafundme dhe përtejkohore, mbi të gjitha irlandeze. Pavarësisht se britma e tij “Ja Irlanda!” që është e qartë për lexuesin e mirë, mund të lexohet edhe si “Ja njeriu!”, por Irlanda vjen e para. Në një nivel tjetër gjykimi, mendoj se çdo vepër e madhe është domosdoshmërisht dhe pashmangshmërisht patriotizëm estetik. Lui David është piktor i oborrit të Napoleon Bonapartit të cilin një pjesë e francezëve mund ta quajë diktator, luftënxitës, pushtues, etj, por ama vepra e piktorit që realizon në telajo kurorëzimin e tij mund të konsiderohet vepër atdhetare prej francezëve jo thjesht për faktin se pasqyron momente historike por sidomos pse është realizuar mjeshtërisht. Për rusët, Tolstoj është një atdhetar i madh, çka se ai vetë nuk kishte nevojë të bërtiste nëpër sheshe: “Rroftë Rusia”, etj. Është vepra e tij që e oshëtin me tërë forcën vitalitetin kulturor dhe shpirtëror të popullit rus. Mjafton “Lufta dhe Paqja” për të na bindur për këtë. Edhe poezia imazhiniste e Esenin këtë na thotë, sa herë që përshkruan mështeknat dhe peisazhet ruse.
Shembujt që mund të merren nga arti botëror janë të pafundëm. Në vijim mendoj se, nëse ne ndodhemi përpara një vepre arti si, pikturë, skulpturë, libër, arkitekturë, partiturë, etj. dhe ndjehemi të goditur nga fuqia e tyre artistike, do të donim saora të merrnim vesh se nga ka qenë filan artist. Çasti kur ne përmendim kombësinë e tij, sendërton atdhetarinë estetike të autorit. Pra, mjafton që artisti të realizojë një vepër të madhe, çfarëdo qoftë ajo, dhe çilembyll sytë ai shndërrohet në një atdhetar estetik.
Edhe në vendin tonë nuk kanë munguar artistët që kanë dëshmuar atdhetari estetike. Nuk flas për ata poetë, piktorë apo muzikantë që me vdekjen kanë mbetur thjesht atdhetarë, po për artistë të vërtetë që atdhetarinë e tyre e kanë shprehur me mjete artistike. Pjetër Bogdani ëshë një atdhetar i vërtetë estetik, sepse vepra e tij rron dhe lexohet ende. Sibilat janë dëshmi e pashlyeshme. Them se në kohën që i shkruante ato, ai burrë gjendej në të njejtin nivel vetëdijeje estetike me poetë të kombeve tjera. Edhe Çeta e Profetëve është gjithashtu shprehje e atdhetarisë estetike, sepse është një vepër jetëgjatë që do të na shoqërojë nëpër kohëra, sepse është një pasaporta jonë historike. Po ashtu edhe shkrimtarët e tjerë të letërsisë së vjetër janë atdhetarë estetikë, pavarësisht faktit nëse kanë shkruar apo jo drejtpërdrejt për atdheun. Në këtë rast ajo që atdheu trashëgon është vepra. I madhi Jeronim De Rada është një atdhetar thellësisht estetik. Sepse ai jo vetëm që shkruan për botën shqiptare, por edhe shkruan mrekullisht bukur nga ana artistike. Nuk besoj se kemi një artist të tillë që i ndërthur kaq hijshëm të dy kriteret. Nëse ka një tjetër artist që i afrohet për nga shkrirja harmonike e këtyre dy elementeve, ai është padyshim At Gjergj Fishta me “Lahuta e Malcis”. Me këtë rast vlen të përmendim edhe Ernest Koliqin me tregimet e tij ende sot të mrekullueshme, Migjenin me poezitë dhe prozat e shkurtëra, Lasgush Poradecin, Martin Camajn me poezinë e edhe prozën, Ali Asllani me këngët e tij të dashurisë kushtuar vashës shqiptare, mund të përmendim Frederik Rreshpjen, Azem Shkrelin, etj. Nën pikëpamje të tjera vlerësimi, mund të themi se të gjithë autorët shqiptarë që na lanë një vepër të cilën mund ta lexojmë ende sot, janë atdhetarë të vërtetë estetikë. Edhe në rastet kur nuk i kanë mëshuar atdhetarisë si qëllim më vete, ata janë kanë dalë të na përcjellin vepra që e madhërojnë gjeninë e racës shqiptare.
Por, ajo që më ka bërë vërtetë përshtypje kohët e fundit janë dy vargje të Lasgush Poradecit dhe tre të Frederik Rreshpjes. Të para nën dritën e argumentit që po trajtojmë, më janë dukur si të shkruara nga e njejta dorë. Kjo më ka bërë të besoj se të mëdhenjtë tanë janë të ngjashëm, sepse e kundrojnë botën shqiptare nga e njejta lartësi dhe me të njejtën vatër ndjeshmërie.
Lasgushi thotë: “Duke nisur udhëtimin mespërmes në Shqipëri/ Drini plak e i përrallshëm po buron prej Shën Naumi”. Madhështore! Shqipërinë e Lasgushit nuk e ndan më dysh as Vjosa, as Shkumbini e as Erzeni, por Drini, Drini plak e i përrallshëm! Kjo është forma më e shkëlqyer dhe më elegante e atdhetarisë estetike. Mesazhi duket i tërthortë, por njëkohësisht shumë i qartë.
Frederik Rreshpja thotë: “Nga dyert e legjendave del Basio/ Samurai i tankave/ Dhe mban vesh Eposin e Kreshnikëve”. E mahnitshme! Një formë jashtëzakonisht elegante, e ambël dhe e butë e atdhetarisë estetike. Basio është i madh, sepse është mjeshtri i tankave, por, megjithatë, ai, Basio, mahnitet nga Eposi Shqiptar i Kreshnikëve!
Po!, ndoshta këto pesë vargje që paraqitëm janë shkruar vërtetë nga e njejta dorë, nga dora e artistit të vërtetë shqiptar i cili na thotë me krenari: Ja, kjo është Shqipëria!
Comments (0 posted)
Post your comment