Urim për Krishtlindjet
"Në këtë ditë feste është momenti për të dëshmuar virtytet dhe vlerat tona më të spikatura si njerëz, si popull"...
Presidenti shqiptar, Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi, dërguar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastas Janullatosit dhe Arqipeshkvit të Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita, ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes.
"Në këtë ditë të shenjtë, kur çdo besimtar i devotshëm i krishterë ripërjeton lindjen e një bote të re të besimit dhe të mbizotërimit të mirësisë, dashurisë e mirëkuptimit, me rastin e Krishtlindjes,
Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta! Nëpërmjet Jush, u përcjell të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë kudo ndodhen urimin që drita e shpresës të ndriçojë jetët e tyre përgjithnjë, paqja e shpirtit t’i shoqërojë çdo çast dhe që besimi tek triumfi i mirësisë, vëllazërisë, tolerancës, ndihmesës dhe solidaritetit human t’i udhëheqë në rrugëtimin drejt lumturisë e begatisë familjare dhe njerëzore", thuhej në mesazhin e urimit.
Comments (0 posted)
Post your comment