Amaneti i Prof. Dr. Abdulla Mehmetit
Akademiku, Prof. Dr. Abdulla Mehmeti thekson se ne duhet ta ruajmë gjuhën tonë, kulturën, traditat dhe lidhjen e gjakut mes shqiptarëve kudo që janë, në Atdhe e në mërgim...
Nga Prof. Dr. Abdulla Mehmeti *
"Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë e një qëllim…”
Ta ruajmë gjuhën tonë, kulturën, traditat dhe lidhjen e gjakut mes shqiptarëve kudo që janë, në Atdhe e në mërgim;
Ta besojmë Zotin, secili sipas traditës fetare të trashëguar nga të parët, por të mos harrojmë se në këto fe, islame, katolike, ortodokse dhe besime të tjera, ka edhe dhjetëra kombe e miliona besimtarë që nuk janë të gjakut tonë, prandaj nuk mund t’i kemi të gjithë vëllezër vetëm për shkak të bindjeve fetare;
Ta duam Shqipërinë të gjithë, ta ndihmojmë e përkrahim në çdo formë e me çdo çmim, edhe kur nuk jemi shtetas të saj, se atë e kemi Atdhe të vetëm, se tjetër mëmë me lidhje gjaku nuk kemi, ndërsa shtete të tjera mund të krijojmë sa të na imponojnë rrethanat historike.
Republika e Shqipërisë
Udhëheqësit e Republikës së Shqipërisë ta duan dhe forcojnë shtetin; ta ndihmojnë çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit, si detyrim kombëtar e historik; ta udhëheqin e orientojnë politikën shtetërore në frymën e vlerave demokratike perëndimore, pa u luhatur mes interesave gjeostrategjike që krijohen dhe shuhen në rrjedhat e historisë.
Drejtuesit e Shqipërisë, ta ruajnë shtetin, institucionet e tij dhe interesat e qytetarëve, duke mos lejuar me asnjë çmim shembjen e shtetit ligjor, degradimin moral, korrupsionin, nepotizmin, kontrabandën, shitjen e interesave shtetërore, interesave kombëtare dhe të interesave të aleatëve të natyrshëm të kombit dhe shtetit; ta ruajnë tërësinë territoriale dhe integritetin e vendit; ta rritin prestigjin e vendin dhe ta forcojnë ndikimin në strukturat e integrimeve euroatlantike.
Republika e Kosovës
Udhëheqësit e Kosovës, me liri të krijuar me sakrificën dhe gjakun e shumë gjeneratave të martirizuara, ta ruajnë dhe forcojë shtetin dhe pavarësinë e tij; të krijojnë miq e përkrahës kudo që u mundësojnë kushtet, duke pasur përherë obligim të shenjtë mbrojtjen e tërësisë tokësore, integritetin territorial, sovranitetin e shtetit dhe ruajtjen e pasurisë shtetërore; të mos bëhen pre e bandave kriminale të krijuara dhe instaluara në pushtet nga armiqtë më të përbetuar të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Drejtuesit e Republikës së Kosovës duhet ta kenë preokupim të përhershëm ruajtjen e identitetit, gjuhën, kulturën, vlerat historike, traditat dhe veçoritë kombëtare, zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor, si dhe sigurinë e shqiptarëve, si në Kosovë edhe në krahinat e mbetura jashtë territorit aktual të saj, në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak, duke pasur për synim strategjik afatgjatë integrimin sa më të shpejtë, të plotë dhe të natyrshëm të tyre në hapësirën etnike shqiptare.
Shqiptarët në Maqedoni
Shqiptarët në Maqedoni duhet ta rikthejnë besimin e humbur në fuqinë e tyre vepruese, në potencialin ekonomik dhe intelektual për ndryshimin e fatit të tyre. Në shtetin ku aktualisht jetojnë, ata janë autoktonë, janë në numër të konsiderueshëm dhe kanë vazhdimësi në traditën e formimit të këtij shteti të përbashkët me të tjerët. Shqiptarët në Maqedoni përbëjnë afër gjysmën e popullsisë së këtij vendi dhe jetojnë në trojet e veta etnike, të cilat përbëjnë më tepër se gjysmën e territorit të këtij shteti, prandaj nuk kanë nevojë për imponim të zgjidhjeve të tjera nga jashtë, të panatyrshme dhe të padobishme për interesin e tyre aktual. Në Maqedoni, shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës të denjë, të ditur e strategë, të cilët mund t’i çojnë përpara proceset politike në vend, pa pasur nevojë t’i acarojnë marrëdhëniet mes popullit të tyre me popujt tjerë dhe grupet etnike në vend, as me shtetet fqinje, me të cilat i lidh një vazhdimësi territoriale shumë më e vogël se me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, të cilat së bashku duhet të krijojnë struktura rajonale funksionale në interes të zhvillimit të përbashkët ekonomik dhe në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe jo vetëm.
Shqiptarët në kontekst rajonal
Të gjithë shqiptarët në Gadishullin Ilirik duhet të krijojnë lidhje intensive, dinamike dhe dobiprurëse, duke e forcuar bashkëpunimin mes vete dhe me vëllezërit e tyre në vendet të tjera, sidomos me shqiptarët në Turqi, Greqi dhe Itali, të cilët përbëjnë etnitete të fuqishme në ato vende, me potenciale të mëdha ekonomike, si edhe me mërgatën shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian. Shqiptarët në këto vende janë pjesë e pandarë e kombit shqiptar dhe mbështetës të fuqishëm të vëllezërve të tyre në çdo rrethanë.
Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Shqiptarët e Maqedonisë duhet të kujdesen vazhdimisht për ruajtjen e lidhjeve të tyre kulturore, ekonomike dhe politike me komunitetet shqiptare në vendet tjera.
Shqiptarët në Mal të Zi
Shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e pandarë e kombit shqiptar, të cilët kanë potencial ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, ta përparojnë statusin e tyre juridik-kushtetues dhe ta rritin ndikimin politik e ekonomik në Republikën e Malit të Zi, i cili si shtet, tradicionalisht është sa i popullit malazez edhe i popullit shqiptar në Mal të Zi.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës
Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet ta ri aktualizojnë vazhdimisht çështjen e tyre para organizmave ndërkombëtarë; ta ruajnë dhe forcojnë identitetin e tyre kombëtar, kulturor dhe gjuhësor; t’i forcojnë lidhjet me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë; si dhe të mos lejojnë zbrazjen e trojeve të veta etnike nga elementi shqiptar, për të krijuar alibi për sundimin e përhershëm dhe asimilimin e tyre, deri në krijimin e kushteve optimale për një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për Luginën e Preshevës.
Shqiptarët në Greqi
Çështja e shqiptarëve në Greqi, në një nga vendet fqinje të Shqipërisë, duhet të trajtohet si çështje e përbashkët, Çështja e Çamërisë dhe Çështja e arvanitasve, të cilët janë autoktonë në këtë vend, përbëjnë numër të konsiderueshëm të popullsisë dhe kanë potencial të gjithmbarshëm për integrimin e tyre të natyrshëm në procesin e zhvillimit të kombit shqiptar si tërësi, qoftë përmes strukturave euroatlantike, qoftë përmes formave të tjera moderne integruese.
Shqiptarët në Turqi
Shqiptarët në Turqi përbëjnë një potencial të madh kombëtar dhe ekonomik, si për shtetin ku ata jetojnë edhe për kombin shqiptar të cilit i takojnë, me identitet, histori, kulturë dhe tradita. Shqiptarët në Turqi paraqesin një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik dhe strategjik edhe për kombin shqiptar, duke pasur parasysh pozitën e vendit të tyre mes tri kontinenteve, fuqinë ekonomike dhe ushtarake të shtetit ku ata janë faktor me rëndësi dhe strukturat integruese të këtij vendi në nivele ndërkombëtare. Por, jo gjithçka që vjen nga aleati i natyrshëm i kombit shqiptar, Republika e Turqisë, përherë është e dobishme për interesin e përgjithshëm të shqiptarëve në rajon, sidomos duhet të kihen parasysh ndikimet e rrymave fetare, të cilat depërtojnë përmes këtij shteti, nën ndikimin e politikës ruse dhe satelitëve të saj në mesin e disa shteteve arabe, sidomos të qeverisë së sotme të Iranit.
Arbëreshët e Italisë
Shqiptarët e Italisë janë pjesa më vitale dhe potenciali më i madh i shqiptarëve jashtë shtetit amë, si nga niveli intelektual, zhvillimi i traditave shtetërore, sidomos diplomacia dhe ruajtja e raporteve të shqiptarëve me Selinë e Shenjtë, e cila përbën qendër të rëndësishme në krijimin e politikave globale në botën e sotme. Arbëreshëve të Italisë duhet t’u jepet më tepër hapësirë dhe mundësi edhe për drejtimin e institucioneve të shtetit shqiptar, sidomos në sferën e arsimit, ekonomisë, strukturave të sigurimit të shtetit dhe diplomacisë.
Shqiptarët në Kroaci
Shqiptarët në Kroaci përbëjnë një komunitet të kombinuar, me elemente vendëse, të cilët veten e ndjejnë si pasardhës të ilirëve, arbëreshët e Zarës dhe shqiptarët e ngulitur në këtë shtet gjatë periudhës së ish federatë jugosllave, kur shumë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Malit i Zi dhe Lugina e Preshevës gjetën punë dhe siguri në Kroaci, ku ngritën edhe bizneset e tyre gjatë kësaj periudhe, por edhe kontribuuan fuqishëm në pavarësimin e këtij shteti. Ky komunitet ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme nga Shqipëria dhe Kosova, sidomos nëse merren parasysh lidhjet miqësore tradicionale të këtij vendi me shqiptarët. Potenciali i shqiptarëve në Kroaci duhet të shfrytëzohet nga bota akademike shqiptare, duke pasur parasysh traditën më të gjatë arsimore she shkencore të këtij vendi, ku një pjesë e rëndësishme e saj kanë qenë edhe shqiptarët në Kroaci, veçanërisht shqiptarët e Zarës, nga kanë dalë së paku tre akademikë me famë botërore.
Shqiptarët në Amerikë
Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë pjesën më vitale ekonomike dhe elementin me ndikim më të fuqishëm në vendimmarrjen ndërkombëtare, duke pasur parasysh lidhjet tradicionale të këtij shteti në raport me shqiptarët, e dëshmuar përgjatë historisë si aleati më besnik dhe më me ndikim në ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare të shqiptarëve, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku është mbrojtur interesi i tyre kombëtar.
Shqiptarët në Evropë
Shqiptarët në shtetet e Evropës janë në numër të madh, kanë potencial të konsiderueshëm ekonomik dhe ndikim në politikat e shteteve ku ata jetojnë, punojnë dhe veprojnë, prandaj, kjo pjesë e pandarë e kombit shqiptar duhet të jetë përherë e lidhur reciprokisht me pjesën tjetër të kombit shqiptar në Atdhe, ku ata duhet ta shtrijnë ndikimin e tyre, sidomos përmes investimeve në përtëritjen ekonomike të vendit. Por edhe drejtuesit dhe institucionet e shteteve shqiptare duhet ta rritin ndikimin e vet, përmes institucioneve të shtetit, përfaqësive diplomatike, institucioneve kulturore, arsimore, shkencore, informative dhe formave të tjera, për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare të kësaj pjese të kombit shqiptar, sidomos të gjeneratave të reja të cilat natyrshëm shfaqin tendenca të integrimit të plotë në shoqëritë vendëse ku ata jetojnë dhe lehtë mund t’i nënshtrohen procesit të asimilimit.
Porosi të shenjta
Duhet të jetë preokupim i përhershëm i shteteve shqiptare dhe i të gjithë shqiptarëve, të krijojnë sa më tepër institucione të përbashkëta ekonomike, financiare, kulturore, arsimore, shkencore, shëndetësore, informative dhe të tjera, aty ku ekzistojnë mundësitë optimale, pa marrë parasysh ndarjet administrative në shumë shtete, të cilat do të reflektojnë në ngritjen e përgjithshme ekonomike, politike dhe kulturore të kombit shqiptar, në shekullin e ri dhe më pastaj.
Shtetet shqiptare duhet ta kenë detyrim të përhershëm edhe sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë shqiptarëve në rast të kërcënimeve nga jashtë dhe të rrezikimit të qenies së tyre, qoftë përmes strukturave të veta të sigurisë kombëtare, qoftë përmes strukturave të sigurisë globale.
Por, edhe secili që e ndjen veten shqiptar ka detyrime ndaj kombit dhe Atdheut. Çdo çast të jetës suaj pyetni veten: Çfarë bëra sot për kombin tim dhe për Atdheun? Asnjëherë nuk është e mjaftueshme të vetëkënaqeni me vepra të vogla, me ndihma humanitare, me një zgjatje dore vëllezërve të gjakut, me një gjest ose vepër pak të rëndësishme. Kombit dhe Atdheut ende i duhen përpjekje dhe sakrifica të mëdha, që të mbijetojmë në botën e sotme të konkurrencës së egër dhe në proceset e globalizmit.
Shkup, 1 Janar 2017
* (Autori është Kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup)
Comments (0 posted)
Post your comment