Klubi letrar "Metafora" feston Ditën Botërore të Poezisë
Profesori Xhelal Zejneli në referatin e tij që paraqiti për Ditën ndërkombëtare të poezisë tha se, që nga koha homerike e këndej, poezia e mirëfilltë ka pasur një qëllim të vetëm – t’i këndojë të bukurës. ,,Aedët parahomerikë, edhe kur u thurnin vargje heronjve të Trojës, në qendër kishin të bukurën. Po kështu edhe homeridët e ishullit Hios. Himne bukurie krijuan sidomos lirikët e lashtë grekë – Arkiloku, Alkeu, Pindari dhe poetesha e dashurisë, Safo, të cilën Platoni e quajti muza e dhjetë. Shtigjet e tyre poetike i ndoqën edhe poetët aleksandrinë.
Me rastin 21 marsit - Ditës botërore të poezisë, Klubi letrar "Metafora” i themeluar nga Shoqata për kulturë "Tradita” nga Tetova organizoi Manifestimin letrar ndërkombëtar ,,Shtigje poetike”. Ky manifestim tuboi në Tetovë poetë, artistë dhe shumë personalitete nga jeta kulturore, nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe nga Maqedonia.
Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë "Tradita”, Selam Sulejmani. "Kam kënaqësinë e veçantë, t’Ju uroj mirëseardhje në shënimin e Ditës botërore të poezisë, në kuadër të së cilës Klubi letrar "Metafora” (i themeluar nga Shoqata për kulturë ,,Tradita”), organizon Manifestimin letrar ndërkombëtar "Shtigje poetike”. Thonë se fjalia e parë në çdo fjalim është gjithmonë më e vështira, andaj, unë duke dashur të mos përballem me fjalinë e parë, do të theksoj para Jush disa mendime që të tjerët i kanë thënë për poezinë, që është në përpjekje për ta rithënë vetveten. Ajo lind nga shpirtra që shohin atje ku jo të gjithë shohin, dhe duke kapërcyer kohëra, epoka e sisteme shoqërore, bëhet pasuri e çmuar e njerëzimit. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në gjuhën amtare të racës njerëzore, poezia ka forcë, dhe nuk e dimë se ku do të na shpijë me forcën e saj rrënimtare. Ata që e lexojnë me pasion thonë se është dehje e esëllt, ata që e shkruajnë dëshmojnë se poezia nuk krijohet nga lotët dhe afektet. Për këto dhe qindra arsye të tjera, jemi tubuar sonte këtu ta shënojmë Ditën botërore të poezisë, t’i shprehim nderimin tonë asaj për mundësinë që na ofron për ta plotësuar tërë atë që është e këndshme në urtësi dhe që është e kapshme në dëshira. T’i shprehim nderim poezisë, nga që e meriton në kohën tonë dhe në të gjitha kohët, për të vërtetën e saj për të ndikuar në zgjuarsinë dhe mendjet e njerëzve. Në ditën e saj me përmasa botërore, besoj nuk do ta teproja nëse them se poezia është e domosdoshme në këtë botë moderne, në të cilën ne jemi të pllakosur nga frika dhe trazimi”, tha Selam Sulejmani.
Ai, po ashtu tha se, letërsia është e vjetër po aq sa të folurit. ,,Ajo u rrit nga nevoja e njeriut për të dhe nuk ka ndryshuar, pos për t’u bërë edhe më e nevojshme. Ajo shoqërohet me bukurinë, një bashkim suprem dhe si e tillë refuzon ta shkurorëzojë artin nga jeta dhe dashurinë nga perceptimi. Ta shijosh poezinë që i takon një gjuhe tjetër, do të thotë të shijosh mirëkuptimin e atij populli që i takon ajo gjuhë, një mirëkuptim që nuk e marrim dot ndryshe. Ky model ndërkomunikimi është i dobishëm jo vetëm për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive, etnive etj. Këto vlera universale mbeten kryefjala e rrugëtimit artistik të Klubit letrar ,,Metafora”, i cili veprimtarinë e tij do ta zhvillojë mbi bazën bashkëpunimit dhe diversitetit kulturor” u shpreh mes tjerash kryetari i Shoqatës për kulturë ,,Tradita”, Selam Sulejmani.
Në këtë manifestim mori pjesë edhe Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Maqedonisë, z. Behixhudin Shehabi, i cili në fjalën e tij të rastit tha se poezia bashkon, ndërton ura në mes njerëzve me bindje dhe përkatësi të ndryshme dhe e forcon diversitetin. ,,Së pari, dua t’ju uroj Ditën botërore të poezisë, 21 Marsin. Së dyti, t’ju uroj për iniciativën tuaj për të shënuar një ditë dhe një festë kaq sublime në vetvete. Ky manifestim letrar ndërkombëtar, i emëruar ,,Shtigjet poetike” dhe i organizuar nga Klubi letrar ,,Metafora”, jam i bindur se do të arrijë qëllimin për të shënuar këtë ditë të fjalës së shkruar në mënyrën më të mirë. Do të thotë, të përdorë fjalën, vargjet e strofat për të përhapur dashuri, paqe dhe gëzim për këdo që i dëgjon. Aq më tepër, kur kemi parasysh periudhën e mbushur aktualisht me turbullira në shoqërinë dhe vendin tonë, vetëm fjala mund të ,,zbresë në tokë” disa mendje të çoroditura. Poezia bashkon, ndërton ura në mes njerëzve me bindje dhe përkatësi të ndryshme, forcon diversitetin. Përgëzime për Shoqatën për kulturë ,,Tradita”, për veprimtarinë e saj fisnike për ta ngritur në piedestalin më të lartë fuqinë e poezisë, dhe uroj që në të ardhmen të ketë një bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, si shumë shoqata simotra nga Maqedonia. Faleminderit që më dhatë mundësinë t’ju drejtohem pjesëmarrësve dhe të jem pjesë e një ngjarjeje kulturore, ku do të shprehen ndjenjat më të thella njerëzore dhe ku do të dalin thirrje dhe porosi për të sunduar paqja, toleranca ndërnjerëzore, ndërkulturore dhe ndërkombëtare, mes të gjithë popujve të botës”, theksoi z. Behixhudin Shehabi.
Presidentja e Qendrës PEN nga Republika e Shqipërisë, znj. Entela Kasi vlerësoi organizimin e manifestimit dhe u shpreh se ndjehem e privilegjuar që në Ditën ndërkombëtare të poezisë, të jem në Tetovë, për t’u takuar me miq e për të lexuar shqip në ditën e poezisë. ,,Çështjet e krijimit janë të pashpjegueshme, muza është mistike. Por është fakt se secili poet pavarësisht kohës, vendit apo origjinës, në cepat e errët apo të tronditur të botës, nga jugu në veri të saj, nga lindja në perëndim, ka krijuar gjuhën e nënës, në atë që nga studiuesit e gjuhës përcaktohet si gjuha amtare, apo Gjuha e amës. Sigurisht që, si autore në gjuhën shqipe, të lexuarit e një poezie në gjuhën tonë, në Tetovë, mes krijuesish e miqsh, më jep një ndjesi tjetër, më kthen tek rrënjët, tek identiteti, tek historia, tek mbijetesa, tek fuqia dhe pesha e identitetit, jo vetëm gjuhësor, por historik, i të gjithëve ne në një botë të tronditur, me kriza të njëpasnjëshme, ku ende edhe sot në shekullin e XXI, gjuhës shqipe e kulturës shqiptare i duhet të përballet me të gjithë ata inkuizitorë të saj, në një rajon përgjithmonë delikat. Në statusin e presidentes së Qendrës PEN të Shqipërisë, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për ftesën tuaj, pasi sot në këtë ditë, falë organizatorëve të Klubit letrat ,,Metafora”, mu mundësua të jem në Tetovë, në këtë ditë botërore të poezisë”, deklaroi znj. Entela Kasi.
Ndërsa profesori universitar Salajdin Saliu, në referatin e tij që paraqiti para pjesëmarrësve në këtë manifestim tha se poezia konsiderohet si ,,pranvera e shpirtit". ,,Poeti është ëndërrimtari që flet me gjuhën e harruar. Fjalët e tij janë prej fryme. Ai shkruan kur Hyji flet brenda tij. Me gënjeshtra thotë të vërtetat më të trishta të tokës, të ferrit dhe qiellit. Dhe zogjtë e tij fluturojnë në qiellin e së nesërmes. Poezia është lulja e së keqes, e ushqyer nga nektari dhe ambrozi i gjuhës. Është zëri që vjen nga thellësitë e kohës dhe jehon në kohën që s’ka ardhur. Është thirrje e të ikurve, shumëfishuar nga goja e një foshnje. Është syri që zbulon të padukshmen. Është klithje në humnerë. Është asgjëja dhe gjithçkaja për të cilën kemi nevojë. Është e adhuruara pa interes, sipas botëshikimit kantian. Është fryma që triumfon mbi shpatën. Poezia është edhe ,,pamundësia për çfarëdo aktualizimi", sikurse thotë Emil Sjorani, kurse poeti ,,që jeton nëpërmjet vdekjes” është ,,Helderlini i arratisur në Greqi iluzore”, që ,,dashurinë e formëson nëpërmjet dehjes dhe irealitetit", pa mundur që t'i ik vetvetes, obsesioneve dhe ekstazava të tij të pashërueshme”, nënvizoi mes tjerash profesori Salajdin Saliu.
Profesori Xhelal Zejneli në referatin e tij që paraqiti për Ditën ndërkombëtare të poezisë tha se, që nga koha homerike e këndej, poezia e mirëfilltë ka pasur një qëllim të vetëm – t’i këndojë të bukurës. ,,Aedët parahomerikë, edhe kur u thurnin vargje heronjve të Trojës, në qendër kishin të bukurën. Po kështu edhe homeridët e ishullit Hios. Himne bukurie krijuan sidomos lirikët e lashtë grekë – Arkiloku, Alkeu, Pindari dhe poetesha e dashurisë, Safo, të cilën Platoni e quajti muza e dhjetë. Shtigjet e tyre poetike i ndoqën edhe poetët aleksandrinë. Në himne, ode, ditirambe, epitafe, epigrame, idile, elegji, letrarët e antikitetit shprehën ëndrrën e njeriut për drejtësi, luftën kundër tiranisë së hyjnive të Olimpit, luftën kundër padrejtësive. Ata thurnin vargje, vetëm kishin pranë muzat – Polihimninë, Eratën apo Euterpën. Qysh në lashtësi, krijimet letrare do të studiohen edhe nga pikëpamja letrare teorike. Studimet pararendëse në këtë lëmë, Aristoteli i përmblodh në veprën "Poetika” të tij, duke vënë kështu themelet e shkencës për letërsinë. E ndoqi poeti latin, mik i Virgjilit - Horaci, i cili për natyrën e poezisë do të flasë te "Letra Pizonëve”. Në këtë varg studimesh poetike në shekullin XVII, bën pjesë edhe Nikolla Bualo me Artin poetik të tij”, theksoi Xhelal Zejneli.
Profesoresha Luljeta Isaku, e përshëndeti organizimin e kësaj veprimtari letrare dhe njëherazi evokoi kujtime nga krijimtaria e shkrimtarit të njohur Murat Isaku. Ajo, para auditorit recitoi vargjet e poezisë ,,Shporrje e ditëve”.
"Dola t'u them ditëve t'shporren nga dritaret /që frymë të marr deri ku ka zemër /nga qe dua një mur të ngre përreth shpirtit / ku nuk do t'më shkelin fjalët”.
Poetët pjesëmarrës, si: Shaip Emërllahu-drejtor i Festivalit ndërkombëtarë të poezisë "Ditët e Naimit”, Entela Kasi- presidente e Qendrës PEN në Tiranë, Bujar Plloshtani –poet, Salajdin Salihu-poet dhe profesor në Fakultetin Filologjik të UT-së, Xhelal Zejneli, publicist dhe profesor në Gjimnazin e Tetovës, Vjollcë Berisha, poete dhe profesoreshë në Fakultetin Filologjik të UT-së, Xhemazije Rizvani, krijuese dhe profesoreshë në Kolegjin ,,Wilson” në Tetovë, si dhe nxënës e studentë ekselentë, në këtë manifestim letrar recituan poezi të në gjuhë të ndryshme të krijuesve shqiptarë dhe të huaj. Në Manifestimin letrar ndërkombëtar ,,Shtigje poetike”, që u organizua nga Klubi letrar ,,Metafora”, përveç poetëve, morën pjesë edhe shumë personalitete të tjera të jetës akademike, intelektuale, politike dhe shoqërore.
Tetovë, 21 mars 2017
@ Klosi News
Comments (0 posted)
Post your comment