Shkrimtari Fatos Kongoli nderohet me titullin Doktor "Honoris Causa"
Ata vlerësuan kontributin e çmuar të shkrimtarit Fatos Kongoli gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë letrare dhe jehonën e veprës së tij, tanimë e botuar në shumë gjuhë të ndryshme të botës. Titulli iu dorëzua shkrimtarit nga rektori i Universitetit "Ismail Qemali", prof. Roland Zisi.
Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli nderohet me titullin Doktor "Honoris Causa" nga Universiteti "Ismail Qemali" - Vlorë.
Fjala e prof. Ermir Xhindit në ceremoninë e dhënies së titullit Dr. Honoris Causa shkrimtarit Fatos Kongoli në Universitetin “Ismail Qemali” - Vlorë
Miq të pranishëm,
Të respektuar kolegë,
kam nderin, e me shumë përgjegjësinë, që në emrin Tuaj të paraqes e të shpjegoj vlerën e Fatos Kongolit si personalitet i kulturës shqiptare, të dëshmoj kuptimin e punës së tij, që, po ngutem ta them qysh në krye, është ai i një Akti të pashembullt moral të kryer me mjetet e letërsisë, Akti i Rizbulimit e i Çlirimit të shpirtit të burrave e grave shqiptare, i Pajtimit të botëve e kohëve të ndryshme e shpesh të kundërta ku rrojmë pas diktaturës, si rrallëherë prej kohësh, në shqip.
Natyrisht, që në lartësinë e Aktit përligjet edhe Arti.
Pos kësaj, tash në emër të asaj që përfaqëson Fatos Kongoli e ku një ndër të përfaqësuarit ndihem, modestisht, edhe unë, më duhet të falënderoj njerëzit që patën bindjen morale, ndjeshmërinë e kthjelltësinë e gjykimit, për të sjellë Kongolin në kohën e duhur, në vendin e duhur, atje ku nevoja për të është më e madhe, e ku jam i bindur se mund të lexohet më mirë se kudo gjetkë, në Vlorë pra, kështu të shpreh mirënjohjen për rektorin, prof. Zisin, trupën e SA-së të Universitetit “Ismail Qemali” dhe, posaçërisht, botuesin e mikun e afërt të shkrimtarit, z. Toçi, këtë shembull të mecenatizmit bujar.
Fatos Kongoli lindi në Elbasan, më 1944. Ka studiuar për matematikë, por gjithë jetën ka ushtruar letërsinë. Ka shkruar e botuar kryesisht prozë, në dy periudha historike, kulturore, ideologjike, etike e estetike, me ndikim të pashmangshëm në veprën e tij.
Gjatë një periudhe të parë, që nis në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar dhe përfundoi më 1990, në prag të pluralizmit politik në Shqipëri, Fatos Kongoli shkroi nën kushtëzimin e standardeve ideo-stilistike të realizmit socialist. Botoi, më 1972, vëllimin me tregime “Shqetësime të ngjashme”, më 1978 përmbledhjen “Tregime” dhe më 1982 përmbledhjen “Të fejuarit”. Ngadalë, por me siguri, ai krijoi një identitet artistik të vetin, të cilin e shënjoi në mënyrë vendimtare botimi më 1985 i romanit “Ne të tre”, fillimi i një faze të re, të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme krijuese të Fatos Kongolit, shkrimin e romanit.
Më 1990, Kongoli botoi romanin e vet të dytë, “Karuseli”, me të cilin e tejkalonte ndjeshmërinë, deri-diku, melodramatike të romanit “Ne të tre” dhe ku shfaqej me kërkesa të qarta në instancën strukturore e tematike, jashtë patosit ideologjik e moral emfatik, karakteristik për kohën.
Megjithatë, pavarësisht suksesit relativ pas botimit të romaneve, librat e Fatos Kongolit përbënin ngjarje periferike për letërsinë shqipe përpara viteve ’90.
Gjatë një periudhe të dytë krijuese, që nis në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe vijon edhe sot, Kongoli ka shkruar e botuar në kushtet e lirisë, i kushtëzuar në mënyrë të natyrshme prej logjikës së procesit krijues artistik, zhvillimit vetjak, prej marrëdhënieve të reja të krijuara me publikun lexues, me kritikën letrare, mekanizmat e tregut, me opinionin në përgjithësi. Përkundër çoroditjes e hutimit, në shumë raste edhe ndërprerjes, që pësoi aktiviteti krijues i mjaft autorëve të tjerë të realizmit socialist, fatlumturisht, me sa duket, ndërrimi i kontekstit historik ndërhyri në kohën e duhur në procesin krijues të Kongolit, atëherë kur vepra e tij po forconte instancën psiko-morale, vëzhgimin e proceseve të brendshme ende të paeksploruara të “njeriut të ri”, fond potencial i pashtershëm, më vonë, i krizave të rënda ekzistenciale individuale e shoqërore, një lloj disidence e butë, e natyrshme deri në biologjizëm.
Prej vitit 1991 e në vijim, veprimtaria krijuese e Fatos Kongolit paraqitet si mishërim i një dukurie editoriale me një funksion të komunikimit publik, me të vërtetë të mahnitshëm, të pakrahasueshëm në letërsinë shqipe, pasojë e rindërtimit tërësor mbi përsiatjen e pjekur e të kryer kohë më parë, të cilin ja se si e shpjegon vetë ai:
“Sa më shumë bija në kontakt me letërsinë e vërtetë, aq më tepër tërhiqesha të mos publikoja tregimet e shkruara në shtyp. Kur nisa të lexoja letërsi bashkëkohore, kuptova se ato që shkruaja ishin gjëra pa vlerë dhe thellë brenda meje unë isha i prirë ndaj asaj letërsie. Por, ajo ishte një letërsi që nuk mund të shkruhej në ato kohë edhe pse ishte një letërsi e dhimbjes njerëzore. Dhimbja njerëzore ishte e pranishme kudo atë kohë, por unë nuk mund të shkruaja… Dhe u ndjeva i lirë të shkruaja në ’90-n, në atë vit kur nis edhe pjesa më rëndësishme e krijimtarisë sime që vazhdon edhe sot”.
Dhe ja ç’thotë Kongoli për domethënien e re që mori veprimtaria e tij krijuese:
“… për mua filloi një fazë e re në krijimtarinë time, ku unë fillova të shkruaj pa atë që e quaj autocensurë… Pasi nuk ishte vetëm censura ajo që na pengonte në ato vite, por edhe autocensura, kur vetë ti si autor u shmangeshe disa gjërave, për të cilat ishe i sigurt se nuk do të pranoheshin”.
Përjashto Ismail Kadarenë, është e vështirë të gjendet ndonjë autor tjetër shqiptar pas viteve ’90, me një skedë kaq të pasur botimesh, ribotimesh, përkthimesh, vlerësimesh të marra në Shqipëri dhe jashtë saj, të shndërruar në objekt të vëmendjes dhe të kureshtjes së masmedias dhe të opinionit publik në tërësi, sa Fatos Kongoli.
Botoi një pas një romanet e mrekullueshëm të ciklit “Burgjet e kujtesës”: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003). Botoi më 2005 romanin “Te porta e shën Pjetrit”, më 2007 romanin “Jetë në një kuti shkrepësesh” dhe përmbledhjen “Në pritje të Nostradamusit”, më 2009 romanin “Bolero në vilën e pleqve”, më 2010 shënimet autobiografike “Iluzione në sirtar”, më 2011 romanin “Si-do-re-la”, më 2013 botoi romanin “Njeriu me fat”, dhe më 2015 romanin “Gjemia e mbytur”.
Veprat e tij janë përkthyer e botuar në frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht, polonisht, greqisht, sllovakisht, serbisht, bullgarisht etj., kanë marrë vëmendjen e hulumtimit akademik, të kritikës sistematike vendase e të huaj, të kritikës publicistike në kolanat letrare të periodikëve më të mëdhenj të Perëndimit (Le Monde, Gazette L’Express, Le Figaro, Le Soir, Le Temps, Le Magazine Littéraire, Suddeutche Zeitung, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Liberation, The Independent, The Guardian, World Literature Today, La Stampa etj.), tekstet e tij janë shpesh në qendër të komentit empirik të masmedias, autori është vlerësuar me çmimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare, më 1995 fitoi Çmimin e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë “Libri më i mirë në prozë” me romanin “Kufoma” (1995), çmim të cilin e fitoi sërish në vitin 2000 me romanin “Dragoi i fildishtë” dhe më 2002 me romanin “Ëndrra e Damokleut”. Me këtë të fundit fitoi po më 2002 Konkursin Ndërkombëtar “Balkanika”. Çmimi “Penda e Artë”, çmimi letrar më i lartë në Shqipëri iu dha më 2004; në vitin 2005 u vlerësua me çmimin “Shkrimtari i vitit” nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Fitoi më 2006 me romanin “Lëkura e Qenit”, çmimin “Libri i muajit qershor” në Gjermani. Më 2007 iu dha çmimi “Shkrimtarë në përkthim” (Writers in Translation from “International PEN Foundation”, English PEN) për romanin “I humburi” (The Loser). Fatos Kongoli është tri herë fitues i çmimit “Penda e Argjendtë” me tri romane të ciklit “Burgjet e kujtesës”: “Kufoma” (1994), “Dragoi i Fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001).
Sot, vepra e Fatos Kongolit, mund të përkufizohet si një unitet sistemik, që nisi të tharmohej në heshtje gjatë realizmit socialist, për t’u kryer plotësisht gjatë viteve ’90 e në vijim. Letërsia e tij shënon një të ashtuquajtur fazë të njësimit të prirjeve strukturore në prozën bashkëkohore shqipe, e shprehur si kërkim në fushën e narracionit, në zbatime të poetikës moderniste, në këqyrje të thella individuale, në shpalimin e thelbin identitar të njeriut, të problematikës së ekzistencës së tij në kapërcyellin mes diktaturës e lirisë. Zhanri ku materializohen më shumë këto dukuri është romani, terren i parapëlqyer i konvencionalitetit modern.
Mbi çfarë shpjegohet vlera e veprës së Fatos Kongolit?
Më së shumti, kjo është çështje e mënyrës se si është lexuar Kongoli, por si autor, i vetëdijshëm apo jo, ai ka zbatuar një program, më qartë se çdo autor tjetër dhe jashtë çdo inercie mendore e shprehësie me realizmin socialist: të ndjekë fijet e procesit shoqëror në Shqipëri gjatë viteve ’90 e këtej në gjenezën e tij psikomorale, të ndërtojë një sistem letrar vetjak, rreptësisht të strukturuar mbi një lloj të ri të realizmit, një realizëm urban apo “i kushteve të të jetuarit”, atipik për traditën tonë letrare.
Duke mbetur laikë e liçenciozë deri në herezi, në tekstet e tij është ekzorcizuar Faji, Mëkati i Etërve dhe çdo ideologji absurde e luftës së klasave që armatos urrejtjen për Tjetrin: tekstet e Kongolit nuk shpallin fajtorë e nuk dënojnë kënd. Ato shpjegojnë qetësisht misterin e ndërlikuar e madhështor të ekzistencës, mnemonizojnë me dhimbje e me përdëllim jetët e tretura në harrim, vijnë si meshë për shpirtrat e humbur të së shkuarës në diktaturë, meshë ku jemi të ftuar të gjithë, të munduarit e mundonjësit, për të marrë shëlbim.
Nën këtë dritë, Fatos Kongoli është autoriteti qendror i letërsisë shqipe dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare këto kohë, me ndikim të padyshimtë në një shoqëri që vijon të vetasgjësohet duke ushqyer fondamentalizmin ideologjik, historik e kulturor të së shkuarës. Vepra e tij është mësim mbi kurajën morale, shpresë për të përparuar nëpërmjet pendesës.
Të nderuar kolegë,
duke nderuar z. Kongoli, ne bëjmë një shërbim për Artin, Lirinë e Dinjitetin e Njeriut!
Ju faleminderit!
@ Klosi News
Comments (0 posted)
Post your comment