Home | Culture | Pellazgët...

Pellazgët...

image
”Në disa treva të Greqisë, aq më tepër në Epir, gjenden gjurmë të mbizotërimit dhe të qytetërimit të Pellazgëve. Dyzetepesë qytete ofrojnë rrënojat e ndërtimeve pellazgjike...

 

 

 

 

Origjina e Shqiptarëve - Pellazgët, ngulimet e tyre të herëshme - ndërtimet e tyre.

 

Në përgjithësi është pranuar se Shqiptarët i përkasin racës pellazgjike -thotë historiani Kantu (vëll. 1, fq. 544). Pellazgët ishin shumë të lashtë për Grekët, më të lashtët, të cilët përbënin një racë mitike, si Titanët dhe Ciklopët. Por, historia e tyre na është përcjellë veçse nga pushtuesit e tyre, ndërkohë që ata vetë ishin tepër të paqytetëruar për të na lënë njoftime tepër të sakta. Gjithashtu, shfaqen në traditat klasike, si një sfond i errët që i humbet vështrimit. Nuk është, pra, e çuditshme që autorët grekë i përshkruajnë ata si barbarë.

 

“Por -përgjigjet Kantu -faktet dëshmojnë se Pellazgët sollën në Greqi, jo vetëm disa arte, por një sistem të tërë besimi, artesh dhe gërmash. Ajo ishte një racë po aq sa bujare, edhe e pafat. Gjuha e tyre, më e ngjashme me latinishten se sa me greqishten, u ruajt në dialektin eolian dhe në atë epirot, që helenët i cilësonin si barbare”.

 

Nga vitet 1900 para Krishtit, Pellazgët zinin të gjithë vendin nga Orno deri në Bosfor. Gjithandej ata ngritën fortesa të shumta nën emrin e Larisës në Thesali dhe në Greqi, e të Tursit në Itali. Perënditë e tyre kryesore qenë Dodona në Epir, Kabiret në Samotrakë, Eleuzia në Atikë. Po ashtu, nën pluhurin e legjendave, -shton Kantu (vëll. 1, fq. 548) -shfaqen mirësitë që ata mbartën me vete. Dhe në faqet e maleve të Pindit, Olimpit, Helikonit, -qendërzime të Pellazgëve, -Grekët arritën të krijojnë religjionin, filozofinë, muzikën, poezinë. Në brigjet e Penesë Apoloni kulloste kopetë dhe Orfeu zbuste kafshët e egra. Në Beoti Amfioni ngriti qytetet nën tingujt e lirës së tij, domethënë, ai përpunonte artet e bukura për të përhapur qytetërimin. Mbretëritë e Argosit dhe të Sikionit, më të lashtat e Greqisë, u themeluan nga Pellazgët. Dinastitë e Tebës, Thesalisë, Arkadisë, Tirintit, Mikenës, të Likozurit-qytetit më të moçëm të Greqisë, po ashtu janë pellazge. Vijnë Helenët. Nuk u mjaftuan që i mundën Pellazgët, por kërkonin edhe ti poshtëronin. Duke qënë luftëtarë, ata hodhën përbuzjen mbi këtë racë bujqish dhe punëdashësish, madje i dëbuan edhe nga Thesalia, ku ata punonin prej dy shekujsh e gjysëm. Çfarë u bë atëhere me këtë popull fatkeq? Një palë u tërhoqën në Arkadi, në Kretë, në Epir, në Itali, dhe Siçili. Por të gjithë nuk mund të merrnin arratinë. Ata që mbetën u shndërruan në shërbëtorë. Si rrjedhojë, shumë shpejt, në çdo shtet të Greqisë, llogariten dhjetë herë më shumë skllevër se sa qytetarë. Në Atikë kishte 350 mijë të tillë, në Korint 450 mijë, në Egjinë 460 mijë, dhe -sipas Ateneut -Arkadia kishte 300 mijë. Të gjitha ato shtete të Greqisë -vazhdon Kantu -kishin gjithsej 20 milionë të tillë (vëll. 2, fq. 186).

 

Disa filologë pretendojnë se Pellazgët flisnin greqisht. Por, gjuha shqipe që ekziston ende dhe që, pak a shumë e pastër, është në mënyrë të pakundërshtueshme një e folme pellazgjishte, -ajo vetë dëshmon se sa pellazgjishtja ndryshon prej greqishtes. Veç kësaj, Herodoti, i cili shtron po këtë pyetje, në një periudhë kur shumë bërthama të Pellazgëve ende ekzistonin, pohon se ata flisnin një gjuhë barbare, dhe shton se vetë Athinasit, duke u bërë Helenë, ndryshojnë gjuhën (Herodoti, libri 1, k. 57 e 58).

Më së fundi, mësojmë nga Justini se Maqedonasit ishin një racë pellazgjike. Nga Kuint-Kyrs dhe Plutarku ne shohim gjithashtu se, midis greqishtes dhe maqedonishtes, ekzistonte një ndryshim i tillë sa që, duke kuptuar njërën prej këtyre dy gjuhëve, nuk mund të kuptoje edhe gjuhën tjetër. Dhe në fund, Straboni na tregon se për nga gjuha, zakonet, veshjet, dhe mjaft cilësi të tjera, dukej se Maqedonasit dhe Epirotët ishin i njëjti popull. Straboni thotë edhe se, ende në kohën e tij, shumë njerëz i thërrisnin Epirit me emrin Pellazgji.

Pra, nuk është momenti për të dyshuar se Shqiptarët janë Pellazgë, dhe se gjuha e tyre është ajo e ruajtura më mirë prej të folmeve pellazgjike. Çfarë kishin bërë Pellazgët në Greqi, që të trajtoheshin prej Grekëve në këtë mënyrë siç vihet re? Është kjo ajo që ne nuk njohim. Autorët mendojnë se begatia dhe rehatia do t’i kenë çuar drejt zvetënimit.

Asokohe Zoti kishte nxjerrë Grekët, popull nga më barbarët dhe më mizorët, pasi ata ishin më të varfërit dhe më lakmitarët për pasuritë e Pellazgëve, të arritura me punë duke hapur tokë në një vend të virgjër.Padyshim që Pellazgët bënë qëndresë. Atëhere do të ketë pasur një luftë midis Pellazgëve dhe Grekëve, një luftë sa të frikëshme, aq edhe të gjatë në kohë. Të zhveshur më në fund nga gjithçka, të parët qenë, ose u bënë, skllevër (hilotët) dhe u katandisën të punojnë fushat e tyre për llogari të pushtuesve, -ose iu hypën barkave dhe shkuan të kërkojnë strehim diku tjetër, -ose, ka më shumë të ngjarë, ata gjetën strehë në malet e larta tek shqiponjat.

 

Me këtë shpjegohet ngulimi i Pellazgëve në Shqipëri dhe në kreshtat e Pindit. Prej andej ata ishin të pasulmueshëm, prej andej ata vetë do të kenë marrë emrin, ose të tjerët do t’ua kenë dhënë emrin Shqiptar. Sa për monumentet ciklopike, nuk ka kurrfarë dyshimi se gjithçka është vepër e Pellazgëve. Gurët e tyre tepër të mëdhenj janë të gjithë të prerë në formë poliedrike të çrregullt. Ata lidhen me njëri-tjetrin pa kurrfarë çimentoje. Këto mure mbahen nga vetë masa e tyre dhe nga përsosmëria me të cilën të gjitha pikat lidhëse përkojnë me njëra- tjetrën. Dhe mbi këto mure ciklopike Grekët, Romakët, dhe të tjerë, kanë ngritur më vonë ngrehinat e tyre. Të tillë gjenden të shumtë në numër, jo vetëm në Greqi, Thesali, Epir, Itali, Sardenjë apo në Siçili, por edhe në Azinë e Vogël, në Spanjë, në Francën jugore, Maqedoni dhe Thrakë.

 

-”Në disa treva të Greqisë, aq më tepër në Epir, gjenden gjurmë të mbizotërimit dhe të qytetërimit të Pellazgëve. Dyzetepesë qytete ofrojnë rrënojat e ndërtimeve pellazgjike. Në pjesën më të madhe, ky ndërtim është pa përzierje; vetëm në disa ku ndërtesa helene është e një epoke të mëvonëshme. Midis këtyre qyteteve përmenden: Dodona, Efiri, Ambrazia, Elateu, Pandozia, Buketi, etj.”-

 

(Saktësim i historisë së lashtë, nga Poirson dhe Cayx, fq. 195).

Në fjalorin e tyre të historisë, Dezobri dhe Bashële thonë:

-”Gjithçka dëshmon në Thesali, -vendqëndrimin e Pellazgëve -majat në shpatet lindore të Pindit janë të rrethuara nga muret e tyre masive, dhe fusha e Peneut që me sa duket ka qënë e kultivuar së pari prej tyre, dhe që quhet nga Homeri Argosi pellazgjik. Larisa zë qendrën e një pellgu të pasur, ku ende ndeshen fragmente të xhadeve dhe digat, më të herëshme në kohë se Helenët. Treva më qendrore dhe më pjellore e vendit ka mbajtur emrin Pellazgjiotidë” (art. Pellazgët).

 

Shënime:

-Samotraka -ishull në verilindje të detit Egje, ndër vendbanimet e herëshme të Pellazgëve.

-Atika -krahinë në Greqi me Athinën kryeqendër.

-Pindi -male që ndajnë Epirin me Thesalinë, banohej së lashti nga talarët dhe etikët (fise molose) sipas Strabonit.

-Thesalia dhe Beotia -krahina: -e para në lindje të Epirit dhe në kufi me Maqedoninë e lashtë, laget nga Egjeu

veriperëndimor. -e dyta, në jug të Thesalisë.

-Olimpi dhe Helikoni - i pari, mal në veri të Thesalisë, dhe i dyti mal në Beoti kushtuar Muzave.

-Peneu -lumë në Thesali.

-Amfioni -perëndi e lashtë, bir i Zeusit.

-Apoloni -perëndi e dritës dhe e arteve, -Orfeu -biri i Apollonit, aed i njohur për lirën.

-Argos dhe Sikion -qytete në Argolidë, krahinë lindore në Peloponez.

-Mikena -qytet i lashtë në Argolidë, me qytetërimin e saj të njohur, dhe Tirinti -kryeqendër e Argolidës.

-Arkadia -krahinë në Peloponez.

-Teba -qytet në Beoti.

-Likosuri -duhet të jetë në Azinë e Vogël, (nga Likët e Homerit dhe Likia e Justinit)

-Ateneu -shkrimtar i viteve 200 p.e.s, nga Egjypti, autor i “Gostia e dijetarëve” ku ka pasazhe të marrëdhënieve

shoqërore-ekonomike tek ilirët.

-Herodoti -(484-425 p.e.s), nga Halikarnasi, i konsideruar babai i historisë, autor i “Historia” ku jep të dhëna për

pellazgët, dhe përmend ilirët.

-Justini -historian latin i shekullit II e.s., në përmbledhjen e “Historia e përbotëshme e Trog Pompeut” jep të dhëna për

ilirët e jugut dhe maqedonët.

-Plutarku -historian dhe filozof nga Beotia (rreth 46-120 e.s.), autor i “Jetë paralele”.

-Straboni -gjeograf dhe historian nga Ponti (63 -20 e.s), autor i “Gjeografia”.

-Dodona, Efiri, Ambrazia (Ambrakia-Arta), Elatea -qytete dhe qendra në Epir.

-Pandozia -qytet në Thesproti, -Buketi -qytet në krahinën e Kasiopisë në Epir.

 

"Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial / Robert Elsie

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00