Despacito (Ngadalë) !
Despacito (Ngadalë) “Ti, ti je magneti dhe unë jam metali Të avitem dhe po sajoj një plan...
Nga Elvi Sidheri
Despacito
“Ngadalë” arrihet suksesi me shumë shpejtësi
Nis me fjalën kuptimplotë “Ngadalë” ky nëntitull për shkak të faktit se vetë fjala “Despacito” vjen nga një etimologji e këtillë, duke nënkuptuar diçka të ngadaltë, por tejet magnetike, joshëse, ndjellëse, karaibike, tropikale, të përbërë, mishëruar e farkëtuar me diellin, djersën, jodin, valët e oqeanit dhe lëkurat e rreshkura nën rrezet që pjekin plazhet portorikane, aty ku Daddy Yankee dhe Luis Fonsi mblidhen së toku dhe vendosin t’i dhurojnë botës së tërë një himn të radhës nga krijueshmëria sensuale e ritmeve latinoamerikane.
Të gjithë jemi rritur e kemi vallëzuar nën tingujt e Macarena-s dikur (megjithë atë kërcimin e habitshëm përkatës), e Lambadas braziliane të Kaoma dhe Sambas luzofone (fjalët e të cilës autorit të këtij artikulli i patën mbetur mister thuajse jetësor, gjer në njohjen e gjuhës portugeze, kur “Chorando se foi quem um dia só me fez chorar” arrita më në fund ta kuptoj se domethënë “Iku duke qarë me dënesë ai që veç të qaj më kish bërë dikur”) apo edhe me hitet e Enrique Iglesias si “Bailamos” e kolegun e tij spanjoll Alvaro Soler me “El mismo sol” e “Sofia” këto dy-tre verat e fundit, si dhe një pafundësi këngëtarësh të tjerë latinë, meshkuj e femra.
Gjithaq edhe Jennifer Lopez apo Shakira, dy yjet femërore më të njohura latine (J.Lo është gjithashtu portorikane me origjinë, si edhe ish burri i saj Mark Anthony dhe Ricky Martin), do pranuar që këndojnë më këndshëm në spanjisht sesa në anglishten e imponuar dhe impostuar nga shijet metropolitane të Star System amerikan anglofon, ndër të tjera Shakira në version hispanik kolumbian para Erës së Re të transformimit të saj sipas kërkesave amerikane angolofone, ishte një vajzë e bukur latine, brune (në US e do nevoja të bëhen bionde si “Barbie Doll” yjet e muzikës dhe kinemasë domosdo), mjaft “e kolme” në format trupore dhe me një stil të kënduari shpesh edhe roketar.
Motivet hispanike, braziliane, apo edhe përçapjet italiane në spanjisht si legjendarët Righeira në vitet 80 me “Vamos e la playa”, na kanë shoqëruar ngaherë në verën e vapët e jo vetëm.
Faktikisht, ato na shtyjnë nga njëra stinë e ngrohtë në tjetrën, dhe ndërsa i dëgjojmë në dimër, ngrohemi nga ndjesitë e nxehta që na përçojnë duke na e ngjallur thuajse të prekshëm zhegun e verës, kripën e valëve që na bëhet sikur na e ledhatojnë fytyrën mes njërit tingull latin dhe tjetrit.
Ku është veçantia e Despacito pra, për të mos e zgjatur shumë me dukurinë e pakundërshtueshme dhe të papërballueshme e të parivalizueshme të këngëve ritmike latino-amerikane në stinën e verës?
Despacito është sigurisht një këngë tipike latine, hispanike, ku ndërthuren tërë karakteristikat dalluese dhe shenjuese e origjinale të muzikës së atyre anëve aq “të nxehta” jo vetëm sa i përket motit e klimës.
Pa hyrë akoma te analiza në gjuhën shqipe të fjalëve të kësaj kënge (një perlë më vete edhe ato... siç do të keni rastin të shihni me sytë tuaj në fund të këtij thellimi), fakti është që kjo këngë, qysh në ideimin e saj dhe sidomos në video e interpretim, është e përkryer për qëllimin e sendërtimit të saj.
E nisim nga këndvështrimi mashkullor pikësëpari (meqënëse autori që po shkruan është i kësaj gjinie).
Protagonistja e videos është një bukuroshe bombë (pak të thuash...!!!) portorikane, ose më saktë, një vajzë tejet tërheqëse me forma trupore që fqinjët tanë tej-adriatikas italianë do ta cilësonin thjesht si “mozzafiato” (që ta merr frymën tërësisht) e quajtur Zuleyka Rivera, e cila ndër të tjera, është as më pak e as më tepër se Miss Universi 2006!
Nuk kanë zgjedhur “cualquiera chica” (këdo vajzë qoftë) që kalonte rastësisht në udhëzat e rrugicat e San Juan, kryeqytetit të Puerto Rico-s këta dy djemtë e këqinj, Daddy Yankee dhe Luis Fonsi.
Jo, aspak!
Ata kanë shkuar e kanë marrë thjesht më të mirën e të mirave, majën më të lartë, pikun e bukurisë jo vetëm puertorriqueña (portorikane), por edhe latinoamerikane në përgjithësi, duke depërtuar pandalshëm në imagjinatën kolektive të mbarë planetit për gjithçka që lidhet e ndërlidhet me nocionin e hijeshisë dhe sensualitetit më të skajshëm që ka njohur ndonjëherë përfytyrimi njerëzor këto vite.
Më pas, nuk mund të mungonte (po mendojmë për anën dhe shijen femërore kësaj radhe) edhe protagonisti mashkull, pra konkretisht këngëtari, Luis Fonsi, ai latinomarikani tipik, i pashëm, muskuloz, brun i nxirë si duhet nga dielli karaibik, dhe me zërin e pamungueshëm tepër tërheqës.
Daddy Yankee i njohur edhe më parë me Reggaeton-in e tij burimor portorikan (Gasolina e vitit 2005 që ne shqiptarët nuk kemi munguar ta marrim “hua” me “Kcejna mbi tavolina” nëse keni arritur ta vini re të nderuar lexues këtë “ngjashmëri” mes versionit tonë dhe këngës origjinale me sukses planetar), përbën pjesën e duhur në dimensionin e kësaj kënge, që tërheq edhe simpatizuesit e Reggaeton-it, që nuk janë të pakët në ditët e sotme, si edhe po ashtu edhe ata që priren më shumë nga R&B apo Hip Hop.
Më pas, nuk kanë si të mungojnë edhe zonat “malfamate” (të kequshqyera” siç do të thoshin sërish miqtë tanë italianë) të San Juan-it, që ndonëse shfaqin mangësi të shumta për mirëqenien jetësore të banorëve të tyre vendas, doza të larta kriminaliteti dhe qarkullimi substancash të paligjshme, ndërkaq për syrin, shijen, oreksin dhe preferencat e turistëve të panumërt, përbëjnë “Gralin e shenjtë” të turizmit karaibik dhe specifikisht latinoamerikan e hispanik.
Në veçanti “Despacito” është xhiruar në një zonë famëkeqe (gjer para publikimit të kësaj kënge) të quajtur “La Perla” në “Viejo San Juan” (pjesën e vjetër të San Juan-it).
Përfshirë edhe Paseo Marino Canto de Gansos (Lungomarja e kësaj zone praktikisht, e quajtur “Kënga e Rosave”) me bregdetin e saj magjepsës, shtëpitë piktoreske, shumëngjyrëshe krejt në kontrast njëra me tjetrën.
Si dhe mbi të gjitha klubi i vallëzimit tashmë legjendar “La Factoría”, i ndodhur në qendër të Viejo San Juan-it.
Jo më kot, i vlerësuar si një nga 50 baret më të mira në botë!
Duket në shikim të parë si një “pub” tradicional. Pak stola, shumë gjindje dhe pijet e zakonshme lumë. Por, pamja e parë e këtij klubi fsheh në sfond një pjesë të pasme që i shmanget syve të publikut. Aty futemi në një tjetër dimension si kemi kaluar nëpër një portë të ngushtë: gjendemi befas në një hapësirë më të ndriçuar e të qetë ku serviren edhe verëra të ndryshme.
Ka edhe një zonë të tretë ky klub, të menduar dhe përkushtuar për ata që duan të vallëzojnë. Aty dëgjohet dhe kërcehet “Cumbia” dhe “Salsa” papushim dhe nata mbyllet diku rreth orës 4 të mëngjesit. Por ka edhe një zonë për “Jazz”, “Blues” apo “Bossanova”. Publiku në këtë ambient shijon një hapësirë më të gjerë për t’u ulur dhe për ta shijuar muzikën më shtendosshëm.
E kotë të shtohet ajo që tanimë dihet botërisht, se shpërthimi i kësaj kënge, koinçidoi edhe më shpërthimin me rritje mbi 45% të turizmin në Puerto Rico-n e goditur nga kriza ekonomike dhe falimenti shtetëror (të cilit 3 milionë e gjysmë banorët e ishullit i shpëtuan jo vetëm prej Despacito-s, por edhe falë përkatësisë së ngatërruar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Shtet i Asociuar me këtë superfuqi).
Despacito pra, është më shumë se një këngë, pak a shumë siç pretendojnë edhe tifozët katalanë se FC. Barcelona është “Mes que un club” (Më shumë se një klub).
Kjo këngë është esenca dhe fragranca e aroma më e përzgjedhur e Puerto Rico-s, ishull muzike, ajri të ngrohtë e të lagësht, oqeani, kolonizimi të hershëm (qysh nga vetë Kolombi), gjurmësh spanjolle, italiane, korsikane e padyshim vendase indios e afrikane.
Despacito është porsi një parfum me esencën më të mirëfiltruar të trëndafilave më aromatikë, nga ato që ledhatojnë e i shtojnë magjepsje dhe unicitet një gruaje të bukur dhe qafës, gjinjve e trupit të saj.
Kështu është kjo këngë.
Gjë kjo, e dëshmueshme fare lehtë edhe nga shqipërimi i pak prej fjalëve që i dëgjojmë disa herë në ditë në lokal, makinë, rrugëve apo kudoqoftë të kënduara nga Luis Fonsi në këtë këngë.
E thjesht duke e menduar pulsi po më përshpejtohet...
Despacito (Ngadalë)
Dua të ta përthith aromën e qafës tënde me ngadalë
Lërmë të të pëshpëris diçka në veshin tënd
Që kur të mos jesh me mua ta mbash mend
Despacito (Ngadalë)
Dua të të zhvesh mes puthjesh me ngadalë
T’i shkarravis muret e labirinteve të tua
Dhe krejt trupin tënd ta shndërroj në një dorëshkrim
Flokët e tua dua t’i shoh tek vallëzojnë
Ritmi yt unë të jem
Gojës time që t’ia mësosh
Gjithë vendet e tua të preferuara
Lërmë t’i përshkoj krejt zonat e tua më të rrezikshme
Gjersa të të shkaktoj plot gërthitje
E vet mbiemrin tënd ta kesh harruar
Despacito (Ngadalë)
Do ta bëjmë në një plazh në Puerto Rico
Derisa valët të bërtasin ‘Oh ç’Bekim’
E të të vendos vulën time”.
Komentet e mëtejshme bëhen të tepërta pra!
E këtu nuk përfshihet monologjet “pikante” të kënduara nga Daddy Yankee, sepse përndryshe atmosfera do të bëhej edhe më përvëluese seç është sidoqoftë edhe me kaq shpjegime.
Comments (0 posted)
Post your comment