Home | Culture | Akademia e Shkencave, në agoni!

Akademia e Shkencave, në agoni!

image
Shkenca është pushtet i plotfuqishëm për ta çuar një komb drejt përparimit. Në vitet e demokracisë, puna shkencore është vërtitur ...

 

      

 

Prof. Dr. Ago Nezha

 

 

Akademia e Shkencave, në vitet e “demokracisë” është kthyer në një monument kulture që mbrohet nga shteti. Partia Demokratike gjatë qeverisjes së saj me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2006, kërkoi të reformojë dhe Akademinë e Shkencave, pa pasur asnjë vizion të qartë dhe për rrjedhojë shkatërroi e prishi si bijat e saj, gjithë institucionet kërkimore -shkencore që kishin efektivitet shkencor. Ky fenomen ndodhi edhe me institucionet kërkimore-shkencore të bujqësisë, që ishin tepër rentabël për nga produktiviteti në sistemin e centralizuar, por që kërkonin një reformim të studiuar për t’ju përshtatur ekonomisë së tregut. Dihet që Shqipëria si në të kaluarën, të sotmen dhe në të ardhmen, peshën kryesore të ekonomisë e zë bujqësia. Në Akademinë e Shkencave, nga sektori i Bujqësisë kanë qenë dy kolosë të mendimit shkencor bujqësor, akademik profesor Mentor Përmeti, agronom në profesion dhe gjeniu i gjenetikës Shqiptare profesor Teki Tartari, zooteknik, me dije të përmasave europiane, që kishin krijuar përkatësisht kultivar dhe raca gjenetikisht të pastra autoktone. Ata u ndanë nga jeta dhe sot, Akademia e Shkencave nuk ka asnjë profesor të fushës së bujqësisë, që të përfaqësojë një nga degët kryesore të ekonomisë Shqiptare.

 

Një institucion shkencor i përmasave superiore siç është Akademia e Shkencave, mbahet dhe paguhet nga taksapaguesit shqiptarë jo si muze, apo azil pleqsh, por që të prodhojë e shpërndajë anë e kënd vendit shkencën bashkëkohore. Edhe fshatari që s’është akademik, hedhë farë në atë arë që jep prodhim, ose i shërben pemëtores që jep fruta. Frutat e Akademisë së Shkencave nuk i ka parë prodhimi. Flitet me të madhe në opinionin mediatik se Akademia e Shkencave është e pavarur nga qeveria. Në aspektin akademik, ky institucion merr pavarësinë institucionale, ndërsa për kontributin, efiçencën dhe rolin që luan në zhvillimin dhe transformimin e vendit, ajo jep llogari para qeverisë për aktivitetin që kryen. Akademia e Shkencave nuk është qëllim në vetvete, por një institucion madhor, që koordinon dhe harmonizon gjithë punën kërkimore shkencore të instituteve të vartësisë, për ta bërë sa më rentabël në dobi të prodhimit. “Shkenca vërtit gjithësinë”, thotë Aristoteli. Shkenca është pushtet i plotfuqishëm për ta çuar një komb drejt përparimit. Në vitet e demokracisë, puna shkencore është vërtitur si mullinjtë me erë sa te njëra parti te tjetra, sipas rotacionit të pushtetit. Impenjimi i kryeministrit Rama maksimalisht për të riparuar një institucion të amortizuar nga aktorët e përgjumur dhe qëndrimi i tij radikal, është një ogur i mirë, edhe pse i vonuar. Kam ndjekur me interesim reagimet dhe qëndrimet e disa akademikëve dhe profesorëve të shkencave shoqërore, historike, apo natyrore nëpërmjet medias së shkruar dhe vizive, ku askush prej tyre nuk ka atakuar apo analizuar gjendjen e institucioneve kërkimore-shkencore të bujqësisë. Një fushë kjo prioritare e ekonomisë tonë kombëtare. Duke e parë akademinë në këndvështrimin e bujqësisë, ajo rezulton një pemë pa kokrra. Por analizën time dua ta fokusoj të institucionet kërkimore-shkencore të bujqësisë që kanë fytyrën e dikasterit që i përfaqëson.

 

Institucionet shkencore të bujqësisë pa shkencëtarë

 

Historia e Institucioneve kërkimore- shkencore të bujqësisë, në sistemin e centralizuar, ka qenë e pasur dhe tepër dobiprurëse në shërbim të prodhimit bujqësor e blegtoral. Kjo s’është nostalgji, por një realitet i dëshmuar në dekada. Po të bësh një retrospektivë të së kaluarës të këtyre Institucioneve ballafaqohesh me arritje e fakte suprizuese, që s’kanë të krahasuar me të sotmen.

 

Është një e vërtetë e njohur se institucionet prestigjioze, kërkimore –Shkencore të bujqësisë, kishin arritur të krijonin fizionominë e tyre sektoriale sipas fushave që mbulonin. Mjafton të evidentojmë disa prej tyre që kishin ndikim imponues ndaj rritjes së prodhimit. Në kohën e monizmit, Sektori i Bujqësisë si një sektor bazë i ekonomisë kishte disa Institute kërkimore-Shkencore, ndër kryesorët ishin “Instituti i Kërkimeve Bujqësore Lushnjë”, që mbulonte bimët e arave dhe drejtohej nga shkencëtar të dëgjuar si Koço Dhima, Skënder Gozhita, etj, Instituti i “Misrit e Orizit”, në Shkodër, me shkencëtarë të kalibrit europian si Hysen Laçi dhe Ahmet Osja, që krijuan disa lloje misri me rendimente mbi 100 kv/ha, Instituti i “Tokave dhe Ujrave” që nisi jetën me profesor Aqif Dobullën dhe u mbyll me profesor Sherif Lushaj, Instituti i “Perimeve”, me legjendën e bujqësisë shqiptare, profesor Hysen Çobanin, Instituti i Pemëtarisë, në Vlorë, me profesor Taso Ninin, Hajri Ismailin, Instituti i “Mbrojtjes së Bimëve” në Durrës, me profesor Andon Papingjin. Krahas këtyre ishin dhe Institutet e blegtorisë si ai i “Zooteknisë” drejtuar së fundi nga profesor Kristaq Kume, si dhe i “Kërkimeve Veterinare” ,nga profesor Kristaq Bërxholi, që prodhonte vaksina kundër sëmundjeve, për gjithë vendin, si dhe i”Pyjeve dhe Kullotave”, në Tiranë etj. Nga ky prezantim lakonik, shohim se institutet kërkimore nuk ishin përqendruar në Tiranë, por ishin të shpërndarë e rajonizuar sipas përqendrimeve të kulturave bujqësore, sa më afër prodhimit. Institutet respektive kishin stacione në disa rrethe të vendit që ndiqnin eksperimentimin shkencor në terren. Këto institute arritën të krijojnë varietete dhe raca autoktone me prodhimtari të lartë, që e çuan para prodhimin bujqësor e blegtoral, që në shumë kultura si grurë, misër perime linim prapa disa vende fqinjë, si Greqinë, ish Jugosllavinë e deri Bashkimin Sovjetik. Por ato nuk vepronin spontanisht, për ç’të dilte përpara. Kishin metodika të aprovuara nga Këshilli Shkencor i Ministrisë së Bujqësisë, që në përbërje të këtij forumi ishin korifejtë e bujqësisë Shqiptare, ku në çdo fund viti do raportonin çfarë arritjesh shkencore kishte realizuar Instituti dhe çfarë teknologjish të reja rekomandonin të futeshin në prodhim. Institucionet kërkimore-shkencore kishin një staf shumë të kualifikuar dhe një infrastrukturë laboratorike bashkëkohore. Punimet shkencore që prodhonin institucionet shkencore të bujqësisë i publikonin në organet qendrore të shtypit bujqësor ose në buletinet e specializuar të sektorit përkatës. Përgjegjësia para prodhimit, ishte maksimale. Mjafton të sjell një shembull jo shumë të këndshëm në vështrimin social. Një agronom frutikulture në Ndërmarrjen Bujqësore të Vlorës, Haki Isufi, që kishte studiuar në Francë, bëri një krasitje të rëndë të masivit të ullirit prej 1000 rrënjësh. Ky operacion u trajtua si sabotim në ekonomi dhe u dënua specialisti me burg nga organet e drejtësisë. Por kur u trajtua në këshillin shkencor të Ministrisë, ky u gjykua se ishte një veprim shkencor për të rigjeneruar ullinjtë e vjetër e të degraduar dhe ai doli i pafajshëm. Ndërsa në vitet e demokracisë ndodhin marrëzira nga më të ndryshmet dhe s’përgjigjet askush para ligjit. Në tregun bujqësor Shqiptar kanë hyrë fara, fidanë e pesticide të skaduara, ku fermerët i blejnë të pacertifikuara dhe shumë fidanë dalin shterpë. Rastet janë të shumta siç ka ndodhur me farën e misrit në Peqin që misri për kokërr, doli foragjer, shumë fidanë të hardhive dhe ullirit nuk lidhin fruta, e shumë episode të tilla. Por si dje që s’njihesh ky fenomen dhe sot, që ka marrë përmasa galopante, ka një institucion të Ministrisë së Bujqësisë, që quhet “Enti Kombëtar i Farave e Fidanave”, me një organik prej 25 specialistësh që është përgjegjës për të kontrolluar hyrjen në vendin tonë nga tregu i jashtëm i tërë materialit gjenetik, si dhe farnave, fidanëve, plehrave kimike dhe pesticideve. Fermerët dhe konsumatorët ndeshen me shumë prodhime që janë të deformuara gjenetikisht, ku pjepri ngjan si kungull, domatja, trangulli, e gjithë perimet që kultivohen në sera stimulohen me hormone dhe në darkë i shohim të bardha dhe në mëngjes gdhihen të kuqe, apo në ngjyrën variatore. Ky fenomen ndodh jo vetëm në perime por edhe me kafshët për majmëri si në gjedhë dhe shpend, që arrijnë shtesën në peshë nëpërmjet vaksinave hormonale. E gjithë kjo situatë që kalon Bujqësia Shqiptare, është me pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve dhe askush nuk ndalet ta trajtoj qoftë në median e shkruar si dhe atë vizive. Është e kuptueshme që gjuhëtarët, historianët dhe sociologët do flasin për fushën e tyre dhe janë në të drejtën profesionale, por nuk e kuptoj që edhe profesorët e ekonomisë, nuk atakojnë sektorin e bujqësisë që është jetik për të prodhuar një ushqim të shëndetshëm, që është nevojë në përditshmërinë e njerëzimit. Shumëllojshmëria e sëmundjeve që janë në rritje, po prekin dhe moshat e reja, dukuri që nuk janë aspak të rastësishme, ato janë rrjedhojë e të kequshqyerit dhe ndotjes së mjedisit.

 

Institucionet kërkimore-shkencore të bujqësisë u prekën nga Vendimi i Këshillit të Ministrave të Qeverisjes së Partisë Demokratike të vitit 2006, ku u shkrinë dhe u grumbulluan “refuxho” në disa institucione të emërtuara “Qendra të Transferimit të Teknologjive”. Këto ishin struktura paralele me drejtoritë e Bujqësisë në Qarqe. Ironia e kësaj reforme ishte që krijohen organizma që s’kanë funksione, se kur s’prodhohet shkencë, çfarë teknologjie do transferosh në prodhim?!. Këto institucione parazitë që vegjetojnë me parat e taksapaguesve shqiptar kanë degjeneruar në kampe pushimi. Emërtimet e stafit në këto institucione të ashtuquajtura shkencore bëhen nga partia që ka në juridiksion dikasterin e bujqësisë. Kjo praktik e deri tanishme, ka bërë që këto institucione të mbushen me militant kryesisht të LSI-së, me drejtues të pa aftë dhe në shumë raste edhe jashtë profesionit. Është e pabesueshme, por ja që ka ndodhur, që disa drejtor bujqësie të vendosur nga LSI-ja, të jenë oficerë, apo mjekë, në një kohë që specialistët e bujqësisë janë me dhjetëra e qindra pa punë edhe me grada e tituj shkencor. Kjo është një situatë sa komike aq dhe dramatike, që duhet të ndryshojë me urgjencë, me qeverinë e re.

 

Ky apokalips që ndodhi me institucionet kërkimore-shkencore të bujqësisë, nuk ka ndodhur në asnjë vend të lindjes. Ata, i kanë ruajtur e përsosur institucionet kërkimore-shkencore duke i përshtatur me nevojat e ekonomisë së tregut. Ky proces duhet të ndodhte edhe në vendin tonë.

 

Moratoriumi i Medias Bujqësore

 

Ministria e Bujqësisë pasi shkriu Institucionet Kërkimore Shkencore , shkriu dhe Drejtorinë e Informacionit Agroushqimor dhe mbylli dhe dy mediat tradicionale të shkruara të bujqësisë, Revistën “Bujqësia Shqiptare” dhe “Buletinin e kërkimeve shkencore”. Drejtoria e Informacionit Bujqësor, kishte një bibliotekë shumë të pasur me botime bujqësore vendi dhe të huaja që u vinte në ndihmë specialistëve të bujqësisë dhe fermerëve me literaturë bashkëkohore. Njëkohësisht kjo drejtori botonte broshura të përvojës së përparuar si dhe broshura tekniko-shkencore, flet palosje, albume, gazetën Agrobiznesi, e botime të tjera të vogla. Kishte grupin e filmit Bujqësor që përgatiste, kronika, emisione dhe filma shkencor për bujqësinë. Revista “Bujqësia Shqiptare” ishte unikale në gjithë vendin. Është krijuar në 1 Tetor të vitit 1921, e emërtuar me emrin naimjan “Bagëti e Bujqësi”, që evoluoi me emra të tjerë sipas rendeve ekonomiko-shoqërore. Ajo, mbijetoi dhe gjatë luftës së dytë botërore dhe u desh të vinte në pushtet Partia Demokratike, për ta fshirë nga kujtesa një revistë 96 vjeçare. Kjo revistë lindi si nevojë e një kërkese të disa specialistëve Shkodranë që i shkruanin Ministrit të kohës të Bujqësisë, që i drejtoheshin me këto fjalë: “Kemi shumë fletore politike, por s’kemi asnjë fletore bujqësore”... Për analogji po të heqësh një paralele e njëjta situatë është edhe sot. Ndërsa “Buletini i Shkencave Bujqësore” kishte parë dritën e botimit në vitin 1962. Me gjithë kërkesat që kanë pasur fermerët për revistën bujqësore pasi informoheshin për teknologjitë e reja vendase dhe të huaja dhe komuniteti i shkencëtarëve dhe profesoriatit të bujqësisë për Buletinin e Shkencave, ende edhe sot, qëndrojnë të mbyllura në “Moratoriumin e Ministrisë së Bujqësisë” këto dy organe të vetme por të domosdoshme për sektorin e bujqësisë. Sektori i bujqësisë është i braktisur nga çdo lloj informacioni pasi media e shkruar dhe ajo vizive nuk e ka në axhendën e saj. Një e keqe unike që është manifestuar gjatë këtyre viteve të qeverisjes pluraliste, është se kryeministrat dhe ministrat e radhës preferojnë këshilltarë adoleshentë, që ti urdhërojnë, por jo të mësojnë prej tyre. Mendimtari i madh Sami Frashëri na mëson se: “Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”.

 

Edhe politikanët edhe gazetarët ulen tre herë në ditë në tavolinë për të ngrënë, por kurrë nuk ju shkon ndër mënd dhe nuk duan të dinë se nga vijnë dhe si prodhohen të mirat materiale që mbushin tavolinat. Shqipëria do ndryshoi dhe përparoi, vetëm atëhere kur politika, shteti dhe shoqëria ta kuptoj: “Se nuk mund të ketë Shqipëri të pasur, me fshat të varfër”.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00