DeepL
DeepL është lançuar në një gamë të limituar gjuhësh, anglisht, italisht, spanjisht, frëngjisht, gjermanisht, holandisht dhe në gjuhën polake
DeepL, përkthyesi i ri automatik, i prezantuar më 29 Gusht, i cili sfidon (në pjesën më të madhe edhe i mund) platformat më të përhapura dhe të përdorura.
Së pari Google Translate, më pas Bing Translate dhe Facebook. Sipas Gereon Fahling, administrator i deleguar i shoqërisë me bazë në Këln, DeepL është në gjendje “të kalojë” nga një gjuhë në një tjetër, duke shmangur gabimet në përkthim. Nuk është më një përkthim fjalë për fjalë, shpesh pa gramatikë, por një punë e përpiktë, si të ishte realizuar nga një profesionist i vërtetë.
“Objektivi ynë është kapërcimi i barrierave gjuhësore për të afruar kulturat mes tyre. Në testet krahasuese mes DeepL dhe platformave konkurrente, rezultatet tona dëshmojnë që është zgjedhur tre herë më shpesh DeepL”, thanë burime të kompanisë.
Shoqëria nuk është e re në studimin e gjuhësisë. I njëjti grup kërkuesish ka zhvilluar Linguee, një ndër motorët më të rëndësishëm të kërkimit për përkthimin, i përhapur në të gjithë botën.
Me një fuqi llogaritjeje prej 1.000.000 fjalësh të përkthyera në më pak se një sekondë, DeepL shfrytëzon Deep Learning dhe rrjetet nervore. Ky është një model matematikor i përbërë nga “neurone” artificiale, që mund të përdoren në zhvillimin e software.
“Për të stërvitur rrjetën tonë nervore të përkthimit kemi ndërtuar në Islandë një superkompjuter në gjendje të kryejë më shumë se 500.000.000.000.000 operacione në sekondë”, shpjegojnë teknikët. Rezultati është një përkthim “thuajse njerëzor”.
DeepL është lançuar në një gamë të limituar gjuhësh, vetëm shtatë të disponueshme: anglisht, italisht, spanjisht, frëngjisht, gjermanisht, holandisht dhe në gjuhën polake – për një total prej 42 kombinimesh. Nëse për momentin nuk e frikëson gjigantin e Mountain View, në vitet e ardhshme DeepL mund të bëhet një konkurrent i frikshëm.
“Rrjetet nervore po stërviten për t’u bërë mjeshtre në gjuhë të tjera”, thonë burime të shoqërisë. Gjuha kineze, japoneze dhe rusishtja do të jenë gjuhët e ardhshme të kësaj platforme. / Corriere della Sera
Comments (0 posted)
Post your comment