Home | Culture | Manastiri...

Manastiri...

image
Manastiri, “qytet i konsujve”, qytet i alfabetit, qytet i kulturës ...

 

 

 

 

 

 

 

Kongresi i Manastirit, Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjendja gjatë zhvillimit te letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigor Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare te fesë myslimane, katolike, ortodoksë, dhe protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja i cili përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.

Dom Ndre Mjeda, i thuri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë :

 Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,

Gjuha shqipe m’shungullon,

Përmbi erë, qi nep zymbŷli,

pa ‘da zemrën ma ngushëllon.

Gegë e toskë, malësi, jallia,

jan nji komb, m’u ‘da s’duron,

fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,

e nji gjuhë t’gjith na bashkon.

 Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme Bashkimi i Kombit si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore.

Ndërkohë çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe. Babë Dudë Karbunara (1842-1917) i lindur në Berat, bashkëpunonte ngushtë me Kostandin Kristoforidhin. Babë Karbunara shumë herë filloi gjatë kremtimit të meshës të lexonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe kështu i filluan kërcënimet e para nga eprorët klerikë ortodoksë dhe më 1895, fanatikët i dogjën të tërë shtëpinë. Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani vraponte me librat shqip në gji dhe me pushkën në krah fshat më fshat në Shqipërinë e jugut për përhapjen e shkollës shqipe dhe kishën shqiptare. Veprimtaria e Atë Stath Melanit ra në sy të autoriteteve turke. Tri herë turku ia dogji shtëpinë dhe librat shqip, por Atë Melani nuk pyeti. Më 24 Dhjetor 1917 Atë Stathit i kishin zënë pritë banda e kusarëve të Josif Suropullos, të cilët e vranë duke i prerë kokën Atë Stath Melanit.

Petro Nini Luarasi (1865-1911) është një nga atdhetarët e shquar që punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Qe drejtor i shkollës së djemve në Korçë. Petro Nini Luarasi shkonte fshati në fshat për përhapjen e gjuhës shqipe. Më 20 shtator 1892, peshkopi i Kosturit Fillateri nxori një lajmërim me titull “Mallkimi i shkronjave shqipe”. Më 1909, qeveria turke mbylli të gjitha shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjitha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptarë u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të shkolluar.

Shuma të vogla por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të shkolluar të gjuhës shqipe. Për të bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri Kongresin e Elbasanit, nga data 20 deri 27 gusht të 1909. Në këtë Kongres tetëditor, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet “Shkolla Normale në Elbasan” një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj. Njerëz të mësuar në Universitetet e huaja Evropiane u gjetën dhe u caktuan për të formuar trupin pedagogjik.

Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar “Përparimi” u caktua si qendra financiare, që do të administronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe preokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, “Përmbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para”. Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi. Vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me emrin e tij. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909, me 143 nxënës.

Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe. Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit me kryetarin e tyre Ferit pashën, të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlorë atdhetarët e ndershëm arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët e ndershëm që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Gjërat po shkonin keq më keq.

Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perëndimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njerëz të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të Qeverisë së Xhonturqëve në Stamboll shoqërinë Mahfeli me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, Qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare “Mahfeti” me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me germa arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7000 protestues ngritën zërin kundër përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 vetë dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me germa arabe, të dërguara nga Stambolli.

Telegrame të shumta nga shoqëritë, shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. Në Shkodër, një grup myslimanësh u bënë gati të organizonin një manifestim në përkrahje të shkronjave arabe. Mirëpo ndërruan mëndje kur 60000 katolikë dhe myslimanë të ndershëm shqiptarë, nga Malësia e Madhe, organizuan ditë më parë një manifestim madhështor në përkrahje të shkronjave latine. Protesta të ngjashme u organizuan në Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Frashër, Konicë etj. Por turqit nuk deshën t’ia dinin. Atëherë në mars të 1910 u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe protestat kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë Turke.

Gazeta atdhetare “Shkreptima” e Kajros botoi një memorandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipërisë. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për ‘’lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin: “E gjithë bota e qytetëruar dhe veçanërisht qeveria e perandorisë Otomane le ta dijë mirë se t ë gjithë shqiptarët, gegë e toskë, të krishterë e myslimanë, nuk do ta pushojnë luftën për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri”.

Edhe në këtë luftë, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, nga armiqtë e afërm dhe të largët, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe përgatiti breza të rinj atdhedashës. Megjithëse ky zhvillim kulturor ishte përfytyruar si jo i dhunshëm, shpejt ai u kthye në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlora, do nxitonin hapat për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912 në Vlorë. Pas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytete historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga sllavët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptar u therën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ato familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u nënshtruan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.

* * *

 Delegatet e Kongresit te Manastirit

  1.Mid'hat Frashëri (Lumo Skëndo) delegate i Klubit të Selanikut dhe i Klubit të Janinës; kryetar i zgjedhur i Kongresit; dreqtonjës i së përkohëshmes s’ënë dhe i gazetës Lirija.

 2. Patër Gjergj Fishta, delegat’ i Shoqërisë Bashkimi në Shkodër; auktor i Lahut’ e Malcis, Anzat e Parnasit dhe të tjera libra e vjersha; dreqtonjës i një shkolle shqipe në Shkodër.

 3. Imzot Nikoll Kaçorri, delegat i Durrësit dhe ndihmës i arqipeshkvit të këtij qyteti.

 4. Dom Ndre Mjeda delegat i shoqërisë Agimi në Shkodër, kryetar i kësaj shoqërije dhe autor i librave shkollore të kësaj shoqërije; vjershëtor.

 5. Gjergj D.Qiriazi Manastiri, delegat i Manastirit, nënëkryetar i Kongresit dhe autor i Hristomathi.

 6. Fehim bej Zavalani, delegat’ i Manastirit, kryetar i Klubit të Manastirit.

 7. Dimitri Mole, delegat’ i Filibesë.

 8. Nyzhet Vrioni, delegat i Beratit.

 9. Rok Berisha Gjakova, delegat i Shkupit.

 10. Bajo Topulli Gjirokastra, delegat i Gjirokastrës, luftëtar i lirisë.

 11. Thoma Abrami, delegat’ i Korçës, dreqtonjës i së përkohsishmes Besa që ka dalë në Kairo.

 12. Sotir Peci Dardha Korça, delegat i shqiptarëve në Amerikë dhe të Bukureshtit, drejtor i gazetës 

Kombi në Boston.

 13. Luigji Gurakuqi Shkodra, delegat i këtij qyteti; autor dhe vjershëtor nën pseudonimin Lek Gruda.

 14. Shahin Kolonja, delegat i Kolonjës; drejtor i gazetës Drita që dilte në Sofje; deputet i Korçës.

 15. Ahil Eftim Korça, delegat i Kostancës.

 16. Adham Shkaba Statobërdha, delegat i Sofjes.

 17. Dimitri Buda Elbasani, delegat i këtij qyteti.

 18. Matea Logoreci Shkodra, delegat i shoqërisë Agimi i këtij qyteti.

 19. Azis, delegat i Starovës,, Berat.

 20. Shevqet Frashëri, delegat i Korçës,.

 21. Simeon Shuteriqi Elbasani, delegat i këtij qyteti dhe shkronjës i klubit t’Elbasanit.

 22. Leonidha Naçi nga Korça, delegat’ i Vlorës.

 23. Zejnel Glina, delegat i Leskovikut, Kolonjë.

 24. Sami Pojani, delegat i Korçës, dretonjës i gazetës Korça.

 25. Refik Toptani, delegat i Tiranës.

 26. Mihal Grameno, delegat i Korçës, luftëtar i lirisë auktori dhe vjershëtor’ i Vdekja e Piros dhe 

Mallkim i gjuhës shqipe.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00