Home | Culture | Dinastia Strauss

Dinastia Strauss

image
Gjatë shekullit të 19-të, familja Shtraus mbretëroi me valsin e saj mbi të gjitha kërcimet e tjera e jo vetëm në Vjenë...

 

 

 

 

 

 

Nga Edlira Dedja 

 

 

 

 

Shumë kompozitorë kanë provuar të kompozojnë valse, por vetëm një emër mbetet simbol i kësaj gjinie dhe ai i takon familjes Shtraus. 

Emri Shtraus, ose më mirë i familjes Strauss do të mbetet përgjithmonë i lidhur me atë që quhet "muzika vjeneze" ose më saktë, me valsin, këtë kërcim të rafinuar e të hijshëm (tre të katërta, si e quajmë ne muzikantët). Më shumë se një familje, ky emër mund të quhet një dinasti e vërtetë, e cila mbretëroi për më shumë se pesëdhjetë vjet në të gjitha oborret mbretërore të Europës, ashtu si mbretëron edhe sot në të gjitha zemrat e qytetarëve të saj.

 

Në Vjenë janë organizuar ballo të shumta ku merrte pjesë arisokracia, shpesh e maskuar me kostumet e kohës, sidomos gjatë shekullit të 18-të. Në këtë periudhë, valsi kishte ende vështirësi të evidentohej si zgjedhje e kësaj shtrese, pasi konsiderohej si një kërcim vulgar dhe i pahijshëm, për arsye se partnerët kërcenin ngjitur me njëri-tjetrin. Do të duhej ende kohë, ndoshta deri në fillimet e shekullit të 19-të e falë Shtrausit, babait të parë të kësaj dinastie, që valsi të bëhej kërcimi kryesor i salloneve, duke marrë kështu emrin e mbretit të kërcimeve.

Gjatë shekullit të 19-të, familja Shtraus mbretëroi me valsin e saj mbi të gjitha kërcimet e tjera e jo vetëm në Vjenë, por në gjithë Europën. 

E sot është krijuar një traditë e bukur, pasi këto vepra interpretohen çdo vit mjeshtërisht në koncertin e famshëm të Vitit të Ri që organizohet në Vjenë, në vëndlindjen e kësaj muzike të mrekullueshme e të papërsëritshme.

 

Pak histori :

Johann Strauss-i, babai, (1804-1049), i cili lindi dhe jetoi (deri sa vdiq në moshën 45 vjeçare) në Vjenë, ishte i pari që i dha format e fisnikërisë këtij kërcimi të ri që quhet «vals». 

Djalë i një familje të thjeshtë hotelierësh, mbetur jetim në moshë shumë të re, ai luajti për vite të tëra si violinist në orkestrën e një birrarie të njohur vieneze që vizitohej nga shumë turistë të huaj (midis të cilëve edhe nga Chopin-i dhe Wagner-i i ri), të cilët mbeteshin të hipnotizuar nga kjo risi që quhej «vals vienez». Gjatë kësaj periudhe, Johann Shtrausi kishte nisur të kompozonte valset e tij, nën shëmbullin e një kompozitor tjetër austriak me emrin Lanner. Por ndryshe nga të tjerët, ai u përpoq të thyente tiraninë e ritmit të masave ¾, duke ndryshuar edhe gjatësinë e frazave muzikore. Krijimet e tij filluan të tingëllonin ndryshe; ato kishin shumë më tepër shkëlqim, pasi orkestrimi i tyre ishte konceptuar në një formë tjetër. Kompozitori i ri kishte futur përdorimin e sinkopeve dhe variacionet ritmike. Kështu, me orkestrën që luante veprat e tij, e cila përbëhej nga njëzet e tetë muzikantë, Shtrausi vizitoi Berlinin e më pas Parisin, ku iu dha mundësia të interpretonte krijimet e tij edhe përpara mbretit Louis-Philippe. Gjatë turneut të tij në Londër, ai ngjalli admirimin e një tjetër kompozitori të njohur, Hektor Berliozit. Por kur u kthye përsëri në Vjenë, Shtrausi konstatoi me pakënaqësi se djali i tij i madh, Johani, për të cilin kishte parashikuar një karrierë në fushën e biznesit, po ndiqte me sukses hapat e tij në muzikë.

Pasi u emërua drejtor i Ballove të oborrit e më pas shef i muzikës së Regjimentit të Parë të Gardës Civile të Vjenës, Shtrausi I (babai) kompozoi Marshin e famshëm të Radetzky-t, për të festuar fitoren e gjeneralit me të njëjtin emër mbi kryengritësit italianë, në 1848. Por krijimi i kësaj vepre i kushtoi sulme shumë të dhunshme nga qarqet republikane. Kështu, një vit më vonë vdiq nga ethet e skarlatinës. Funerali i tij ishte madhështor dhe u shoqërua nga turma të mëdha njerëzish në Vienë.

Në veprat që la pas, ku numërohen mbi njëqind e pesëdhjetë valse, njëzet e tetë galope, katërmbëdhjetë polka, nëntëmbëdhjetë marshe e tridhjetë e pesë kuadrilje, (më i njohuri ndër ta është valsi «Jehonat e Loreley-t»), thuhet se shumë prej tyre i atribohen gabimisht djalit të tij të madh, Johanit II.

 

Johann II (i biri)

 

Nëse i referohemi librit të Alain Duault, « JOHANN STRAUSS, ati, biri dhe shpirti i Valsit» për të mësuar pak më shumë rreth historisë së kësaj familjeje, kuptojmë se ajo përmbledh një shekull të tërë histori (babai lindi më 1804, Johani II vdiq në 1899), e pikerisht atë pjesë që ne e quajmë periudhë romantike, pasi u shqua nga një zhvillim i jashtëzakonshëm i mjeteve shprehëse të shkrimit orkestral, duke i dhënë kështu një stimul të mëtejshëm gjinisë së valsit.

 

Ky libër mund të konsiderohet si një një test i vogël analitik që edhe pse nuk paraqet një interes të vërtetë kronologjik mbi jetën dhe krijimtarinë e kësaj familjeje, mund të ngjallë kureshtjen për mënyrën se si bëhet paralelizmi midis Vjenës së fundshekullit të kaluar, së cilës i jepen ngjyrat e një parfumi të zbehtë perandorak, jashtëzakonisht të rafinuar e sensual – dhe puritanizmit të fasadave të një Perandorie tjetër, siç ishte Anglia e asaj kohe, ku korseja e veshjeve dhe e kostumeve mashkullore dukej sikur pëllciste nga vallëzimi sublim i muzikës së Shtrausit (babë e bir): këtij valsi aq djallëzor me ritëm «tre të katërta». 

Libri gjurmon historinë e kësaj epoke dhe evolucionin e saj nën penën e gjenisë së kësaj dinastie, prej së cilës lindën kryevepra si: «Danubi Blu» (1866), «Valsi i Perandorit», i cili mund të konsiderohet nga ana tjetër edhe si një manifest i vërtetë estetik i Vjenës Perandorake të Frac Jozefit dhe gruas së tij, "Sissi".

Autori zhytet në aventurat e një dinastie të pasur me episode e ngjarje, tërësisht e denjë për libretin e operetës « La Chauve Souris » (një nga veprat më të rëndësishme të Johann Straus, birit, përfunduar në vitin 1874) : Babai është një violinist i çuditshëm e aventurier, sa gjenial aq edhe i shfrenuar në qejfet e tij, deri aty sa të tradhëtojë hapur bashkëshorten legjitime, Anën, nënën e Johanit të ri, Jozefit dhe Eduardit (që të tre kompozitorë), me një fshatare të pagdhendur të quajtur Emili, nga e cila pati po ashtu, 3 fëmijë të tjerë. 

Një moment tjetër që duhet cituar nga libri është edhe përshkrimi i situatës së krijimit të një prej veprave më të rëndësishme të Johann Strauss-it, atit të dinastisë. Duke dashur të festojë pajtimin me familjen e tij, menjëherë pas kthimit të Marshallit të famshëm nga Italia, baba Johann-i kompozoi Marshin e famshëm të Radetzky-t, muzika e të cilit tingëllon edhe sot si një ringjallje e frymës së asaj epoke. Por fatkeqësisht, pak kohë pas krijimit të kësaj kryevepre, në shtatorin e vitit 1849, Johann-i vdes në mjerim e i turpëruar larg familjes, në krahët e Emilsë …. e kur ishte vetëm 45 vjeç.

E gjithë kjo histori episodesh, me ulje-ngritjet e prapaskenat e saj, sa të lavdishme aq edhe të zakonshme e banale, është transformuar në partiturën e jetës së një dinastie të lavdishme, të cilën e ndjekim me aq kureshtje e padurim çdo 1 janar - dikush drejtpërsëdrejti e dikush nëpërmjet transmetimit me Mondovision. Kjo partiturë, që me kalimin e kohës është veshur me petkun e magjishëm të fisnikërisë vjeneze, është kthyer sot në një ritual, madje mund të quhet edhe një meshë masive klasike, ku marrin pjesë miliona njerëz nga të pesë kontinentet... Ditët e sotme, muzika e Johann-it At e bir përfaqëson majën më të lartë të valsit simfonik, muzikën e mrekullueshme, aq të dlirë që sot ka njohur moshën e saj të artë.

 

Libri trajton edhe fenomenin Johann-i II, djalin e madh të familjes Strauss, i cili afirmohet nëpërmjet krijimeve të tij të mrekullueshme që në moshën 19 vjeçare, duke u bërë po aq i njohur sa i ati. Madje karriera e tij merr një ngritje të tillë, sa që shumë shpejt kurorëzohet me emrin e Perandorit të ri të Valsit. Njohja e tij me publikun e gjërë dhe momenti që i dha shtytjen vendimtare karrjerës, duke i mundësuar konkurim me emrin e të atit, u bë falë një koncerti të vitit 1844 në një Kazino të Vjenës me emrin Dommayer. Autori i librit shkruan se Strausi i ri prezantoi për herë të parë në këtë koncert kompozimet e tij, duke luajtur vetë e duke drejtuar njëkohësisht orkestrën, me një pasion të jashtëzakonshëm dhe me një ritëm të papërmbajtshëm. 

Rivaliteti mes Atit dhe Birit tashmë ishte bërë i njohur, pasi Anna, nëna e Strauss-it të ri kërkonte me çdo kusht të hakmerrej ndaj bashkëshortit të saj të pabesë nëpërmjet karrieres së djalit të saj të talentuar. Ajo e mbështeti violinistin e ri, e inkurajoi dhe e stimuloi me të gjitha fuqitë e saj. E kjo garë e tendosur midis të dyve, do ta rrëzonte përfundimisht Johann-in e I, atin e dinastisë dhe babin e Straussit të ri.

Autori i librit na shoqëron me tregimin e tij, si duke ndjekur ritmin e muzikës së një valsi, që herë gjallërohet e herë e dobësohet. Nëpërmjet muzikalitetit të fjalës së tij, të krijohet përshtypja se edhe ti bëhesh pjesë e këtij vallëzimi që instiktivisht të tërheq në mënyrë progresive të vallëzosh së bashku me të, ashtu si edhe me ritmet e Johanit të ri që shpejt i kushtohet tërësisht kompozimit. Ai thellohet më tej në këtë krijimtari dhe e zhvillon, duke krijuar kështu zhanrin e valsit simfonik, i cili i jep trajta madhështore kësaj gjinie orkestrale.

 

Nga ana tjetër, Strauss-i i ri e bind vëllain e tij Jozefin, një inxhinier të pasionuar me profesionin që ushtron, ta lërë mënjanë vokacionin e tij dhe të marrë përsipër drejtimin e orkestrës Strauss, që do të thotë turnetë, koncertet si dhe kompozimet e reja (Jozef Straussi ka lënë pas mbi 283 partitura, por talenti i vërtetë i tij është përpunimi i veprave tashmë të shkruara). Mbingarkesat, duhani, alkooli, pagjumësia si dhe jeta plot tension ... i shkurton jetën Jozefit, i cili vdes tragjikisht gjatë një koncerti në Varshavë, në moshën 43 vjeçare.

 
 
Vëllai xheloz – Eduardi ose « Bukuroshi vjenez »
 
Karriera muzikore e Eduard Strauss-it është bërë e njohur për konkurrencën me dy vëllezërit e tij më të mëdhenj. Si dirigjent i muzikës vallzuese por jo si krijues që la gjurmë në fondin e artë të saj, popullariteti i tij është lënë në hije në krahasim me atë të dy vëllezërve të tij. 
Edhe 100 pas vdekjes (2016), Eduard Shtrausi do të kujtohej si i biri i Johan Straussit të parë, si vëllai i Johan Straussit të dytë e si babai i Johan Straussit të tretë : pra, si pinjoll i familjes më të famshme të valsit vjenez. Duke qënë koshient për mungesën e talentit krijues, Eduardi zgjodhi stilin e tij dhe u specializua në krijimin e polkës të shpejtë, njohur me emrin "polka-schnell". Nga ana tjetër, ai trashëgoi emrin e «Edit të bukur» për shkak të pamjes tërheqëse.
 
Në librin e Alain Duault, « JOHANN STRAUSS, ati, biri dhe shpirti i Valsit», përmendet edhe Eduardi, vëllai i vogël i familjes Strauss, i cili shfaq një xhelozi të sëmurë e të pakontrollueshme ndaj gjenisë së vëllait më të madh, Johanit, që megjithatë, i beson drejtimin e orkestrës Strauss pas vdekjes së Jozefit. (Është pikërisht koha kur Johanni vendos të martohet me këngëtaren e famshme Henrietta Trefftz e cila e frymëzoi për faqet më të bukura të krijimtarisë së tij : valset e mëdha sinfonike "Danubi blu", "Jeta e artistit", "Tregimet e pyllit vjenez », "Të duash, të pish e të këndosh », "Valsin e Perandorit », etj.)
 
Më i riu i vëllezërve Strauss, Eduardi lindi në Vienë në mars të vitit1835. Shkollimi i tij ishte mjaft solid e për këtë arsye, fillimisht vendosi ti kushtohej karrierës diplomatike. Por meqënëse kontakti me vëllezërit e tij më të mëdhenj ishte i vazhdueshëm e muzika e tyre argëtuese kishte një ndikim të madh tek ai, Eduardi vendosi ta braktisë vokacionin e parë e të ndjekë të njëjtën rrugë si ata, të bëhej kompozitor. Kështu, Johanni i besoi drejtimin e orkestrës së tij e për herë të parë, Eduardi u shfaq në publik në prill të vitit 1862. Shumë shpejt, pamja e tij tërheqëse dhe finesa e jashtëzakonshme në podiumin e dirigjentit i dhanë nofkën e "Edit të bukur" të Vienës, duke e transformuar në prototipin e fëmijës së përkëdhelur të kapitalit austriak. Gjithnjë i ngrohtë e i sjellshëm me ata që e rrethonin, ai prezantonte në çdo koncert veprat e tij, duke qënë i vetëdijshëm për nivelin e tyre të dobët si dhe për talentin e tij që linte për të dëshiruar, në krahasim me gjeninë e dy vëllezërit më të mëdhenj. Megjithatë, në vitin 1901, në kohën kur shpërndau orkestrën Strauss, disa vjet pas vdekjes së Johanit II, ai numëronte rreth treqind vepra, pjesa më e madhe e të cilave ishin polka. Në vitin 1907, Eduardi dogji shumë partitura e midis tyre mbi 100 vepra të Johanit që kishin mbetur dorëshkrime, ende të pabotuara. Këto fakte i përmënd në kujtimet e tij, të cilat nisi ti hedhë në letër pas largimit nga skena, një burim i rëndësishëm informacioni si për të, ashtu edhe për anëtarët e tjerë të familjes. Më pas, Eduardi emërohet drejtor i Ballove të oborrit, ashtu si dhe babai e vëllai i tij i madh, Johani e pas disa turneve në Gjermani dhe Amerikë, ai tërhiqet për rreth 15 vjet nga jeta publike, deri sa mbyll sytë në dhjetor të vitit 1916. 
Duhet përmëndur po ashtu se nga martesa e tij me Maria Klenkhart, Eduardi pati dy djem, Johann Strauss-in III dhe Josef Eduard Strauss-in. Djali i tij i madh, Johann Strauss III, siguroi vazhdimësinë e reputacionit muzikor të familjes Strauss gjatë shekullit të 20-të.
 
Shumë episode të tjera mbushin faqet e këtij libri tërheqës mbi dinastinë e kësaj familje, si p.sh. vdekja tragjike e Henriettes, gruas së Johannit si dhe martesat e tjera të tij, pak a shumë të lumtura. Por një nga faktet më mbresëlënëse është hakmarrja e tmerrshme e Eduardit ndaj të vëllait, me djegien e mbi 100 veprave, ende të pabotuara pas vdekjes së tij.
Autori e konsideron familjen Strauss si një klan vëllazëror ku ndërthuren pasionet dhe konfliktet personale të një qyteti si Vjena, në të cilin vite më pas Frojdi do të furmulonte teorinë mbi funksionimin, shkaqet, pasojat dhe simptomat e patologjive të ndryshme në psikikën e njeriut …
 
Nga kjo pikëpamje, historia bëhët edhe më interesante, sepse nën ritmin e Valsit, kësaj morie tingujsh të frymëzuat nga shpirti njerëzor, dyshimet e njeriut mbi impulset e pakuptueshme të psikikës së tij shndërrohen në një mori notash e ritm
 
esh të magjishme që krijojnë harmoninë sublime të universit të tij.
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00