Home | Culture | Katër stinët e fshatit

Katër stinët e fshatit

image
Bora e mbulonte fshatin solemnisht dhe sillte një qetësi që më pëlqente shumë...

 

 

 

 

Nga Daut Dauti

 

 

 

Ky është një përshkrim i shkurtër i stinëve dhe atmosferës që sillnin ato në fshatin tim (Kokaj), me theks të veçantë ndaj dimrit. Natyrisht, siq më ka mbetur në kujtesën e fëmijërisë dhe mund të jetë i ngjashëm me kujtesat tuaja. Pra, tregimi është për fshatarë, siq jam unë. Ju, që e mbani veten për qytetarë, mos e lexoni se nuk ka asgjë për ju në te.

 

Në pranverë fshati mbushej me aroma të këndshme të luleve dhe gjelbërimit që dominonin në tokë dhe ajër. Kjo stinë i aktivizonte të gjitha gjallesat. Më së shumti vëreheshin lëvizjet e njerëzve që nxitonin me punët e sapo filluara. Natyra mbushej edhe me zëra të njerëzve. Gëzimi që sillte pranvera ishte gjithkah.

 

Stina e verës vinte e shkonte shpejt. Dielli përcëllues piqte shumicën e pemëve kurse njerëzve ua regjte lëkurën e pjesëve të pambuluara të trupit. Gjatë punës së vështirë që bënin fshatarët ditëve të nxehta, në fytyrat e tyre, rrudhat dukeshin si kanale që rregullonin derdhjen e djerësve që u rridhnin vragë. Në vapën e madhe të mesditës gëzhitma e gjinkallave e bënte ditën edhe më të padurueshme. Mbrëmja sillte freski, kurse terri, lojën me xixëllonja.

 

Vera më dukej se e kishte për detyrë të bënte çmos në mënyrë që ta bënte vjeshtën më të begatshme dhe më të bukur. Në këtë kohë natyra merrte pamje të mrekullueshme dhe ngadalësonte ritmin e saj. Gjelbërimi që dominonte, tashti i lëshonte udhë ngjyrave të ndryshme që i mbulonin fushat, arat dhe malin.

 

Me rënien e gjetheve të para njerëzit shpejtonin më shumë se stinëve tjera. Ata vëreheshin gjithkund duke nxituar. Në ara, në mal, rrugëve të fshatit, rrugëve që qonin në fshatrat tjera dhe në qytet... Lëviznin gjithkah, shpejt dhe shpesh. Dukeshin aq shumë të zënë me punë sa që rrallë shiheshin duke folur me njëri tjetrin. Diku kah fundi i kësaj stine të gjithë drunjtë, pa përjashtim, mbeteshin pa gjethe dhe e humbnin pamjen e bukur që kishin. U humbte edhe krenaria.

 

Më së keqi dukeshin një varg i plepave që verës ofronin hije dhe hijeshi në të dy anët e rrugës që qonte te varrezat e fshatit dhe pastaj vazhdonte të lëshohej në drejtim të mullirit. Trupat e gjatë të plepave, tashti të zhveshur lakuriq, dukeshin si njerëz të turpëruar para vdekjes. Nga mungesa e gjetheve të drunjëve tjerë, rruga zgjerohej dhe bëhej e frikshme. Nuk kishte më gjelbërim për t’ia mbrojtur anët. Në mendjen time, me këtë pamje, sidomos për shkak që qonte në drejtim të varrezave, kjo ishte rruga e vdekjes.

 

Para zhveshjes së natyrës vinte një qetësi brengosëse. Pastaj, lajmërohej një erë e lehtë që dukej se frynte nga të gjitha anët dhe e cila me vete sillte rigat e shiut të ftoftë që shpeshtoheshin me kalimin e ditëve. Më vonë, nga veriu i fshatit, aty në mes të dy kodrave dhe mbi varrezat, fillonte të kërcënohej era me fërshëllimë që sillte frikën e dimrit.

 

Pas erës vinte bora. Njerëzit i frikoheshin dimrit. Unë nuk e kuptoja burimin e kësaj frike dhe arsyen e saj. Bora e mbulonte fshatin solemnisht dhe sillte një qetësi që më pëlqente shumë. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer krahasimi i dimrit me vdekjen. Ndoshta për arsye se nuk më pëlqen vdekja e natyrës dhe e njeriut. Ndoshta nuk ekziston vdekja që na imponohet me përceptim të këtillë. Ndoshta ... Megjithatë, dimri për mua, që nga atëherë e deri sot, më ka pëlqyer. Edhe kjo stinë sillte begatinë e saj. Dimri i fuste brenda, i bënte bashkë, apo së paku, i afronte njerëzit mes veti, njerëzit me të mirat e natyrës dhe me shtazët. Në kohën kur unë isha fëmijë, njerëzit dhe shtazët, së bashku me të mirat e natyrës, në të shumtën e rasteve, dimrit jetonin nën një kulm. Afroheshin dhe i akomodonin nevojat e njëri tjetrit deri sa të zgjohej natyra nga gjumi dhe të fillonte sërish cikli i jetës.

 

Që nga momentet e para kur më është krijuar zhvillimi i vetëdijes, më ka impresionuar fuqia dhe pamja e dimrit, i cili me komandë të pathyeshme ushtron pushtet të pakufishëm ndaj natyrës dhe njeriut. Nën komandën e tij pushojnë lëvizjet në tokë e në qiell. Ndoshta për këtë arsye njerëzit duhet të mendojnë më seriozisht për lidhjet me natyrën, për veprimet dhe për pasojat e jetës dhe vdekjes.

 

Gjatë dimrit dita agonte e zymtë dhe dukej sikur që përtonte të ndahej nga nata. Rrallë dëgjoheshin zërat e njerëzve në mëngjes. Më shpesh dëgjoheshin lehjet e qenve. Të lehurat e qenve lajmëroheshin pas këndimeve të venitura të gjelave që dilnin nga hapësirat e mbyllura. Edhe qentë e bënin lehjen sikur me marrëveshje. Së pari lehte ndonjë babahov i madh e plak që lëshonte zë nga fyti apo nga thellësia barkut si ndonjë këngëtar i penzionuar e që më parë ka kënduar në opera monotone. Këto lehje më shumë dukeshin si ndonjë dëshirë e qenve që t’i trishtonin ata që kishin mbetur jashtë gjatë natës. Pas pak pasonin lehjet tjera ku më në fund dëgjoheshin ata më të vegjlit me zë të hollë dhe që nuk ndaleshin gjatë tërë ditës nëse nuk dëgjonin zërin qortues të zotëve të tyre.

 

Jashtë shtëpive, lëvizje të rregullt bënte vetëm tymi që dilte nga oxhaqet dhe merrte rrugën përpjetë por zhdukej menjëherë pasi që përzihej me ngjyrën e hirtë të qiellit. Jeta jashtë shtëpisë fillonte me daljen e njerëzve për të hapur rrugën nga shtëpia në sokak dhe deri te fqiu i parë e pastaj një grup i madh mund të shihej duke e qelë rrugën kryesore të fshatit. Atëherë binte shumë borë.

 

Edhe dimri sillte aromën e vet. Pamja e fshatit në këtë stinë për mua ishte më shumë se mbresëlënëse. Prandaj, kjo pamje qëndron prore në mendjen time. E kam ndje veten mirë, madje jam ngazëllyer, kur kam zbuluar mënyrën e mrekullueshme të përshkrimit të dimrit që e bënë Jack London në tregimet e tija. Fuqia e egër e dimrit dhe pamja e natyrës së fshatit tim të mbuluar me shtresa të trasha bore gjendet në këto tregime të shkruara me elokuencë dhe pedanteri të pashoqe të këtij shkrimtari të madh. Shumë aspekte dimërore të fshatit tim dhe jetës së njerëzve gjatë acarit, apo qetësisë dimërore, gjenden në përshkrimet e dimrit që Jack London i bënë në Northland Tales, veçanërisht në tregimet siç janë: White Silence, To Build a Fire, Love of Life, etj.

 

Dimri në fshat më pëlqente edhe për faktin që njerëzit mblidheshin së bashku nëpër oda. Tashti puna ia lëshonte radhën llafeve. Me këtë rast fillonin bisedat, shpaloseshin tregimet, ngjalleshin përrallat dhe kthehej dinamika e lojërave të ndryshme të burrave. Gjatë pushimeve dimërore të shkollës unë gjeja mënyrën që edhe këtë kohë ta kaloja në fshat. Dita zakonisht kalonte me skijime apo rrëshqitje me saja që i bënim vetë me duart tona dhe me dijen e mjetet që kishim. Me rënien e muzgut detyroheshim të ktheheshim nëpër shtëpi. Pranë oxhakut i ternim dorëzat dhe çorapet e leshta që lageshin më së shumti. Shtyheshim për hapësirë që na nevojitej për t’i nxehur duart dhe këmbët që na i skuqte acari. Dikur vinte koha e darkës, e cila mua gjithmonë më dukej se vonohej tej mase. Vinte tërvesa dhe shtrohej buka. Sa herë i kujtoj këto momente, ndjejë shijen dhe aromën e pestilit, hoshafit ...

 

Për mua, pjesa më e preferuar e natës ishte ajo e pasdarkës kur fillonte muhabeti. Para se të nisnin bisedat serioze disa nga djemtë e shtëpisë sillnin tepsia të mbushura me pemë që zakonisht ishin dardha, molla dhe arra. Oda kurrë nuk mbetej nën dhjetë burra por numri nga njëherë shkonte dy fish ose tre fish më lartë. Varej nga mysafirët.

 

Mrekullohesha nga mënyra se si flisnin pleqtë, nga tema që e shtjellonin, nga fjalët që përdornin dhe nga mënyra se si i shpjegonin ngjarjet. Më të vjetrit flisnin më bukur se të rinjtë. Fjalët që përdornin ata ishin të rralla. Mënyra se si i thoshin fjalët linte përshtypje. Kishin peshë dhe zinin vend që më nuk mund t’i lëvizte kush. Ata nuk flisnin sa për të folur apo për të thëne diçka shpejt e drejtpërdrejt. Jo. Ata e konsideronin të folmen sikur të ishte art. Kishin kujdes të madh për mënyrën e përdorimit të fjalëve dhe paraqitjen e brendisë së tyre. Ekzistonte një varg i panumërt i fjalëve dhe fjalive të tyre që nuk kuptoheshin pa i analizuar. Kishte diçka shekspiriane në të folmen e tyre. Idiomat dhe alegoritë e tyre nuk kuptoheshin dhe nuk mësoheshin pa kaluar një kohë të gjatë ulur para tyre. Kjo mënyrë e të folurit me siguri kishte mbërri deri këtu pa u ndryshuar me shekuj.

 

Kjo formë e të folurit ka ekzistuar deri vonë edhe te anglezët. Sërish jam mrekulluar kur dekada më vonë e kam hasur po këtë stil gjuhe, por në mënyrë të shkruar, që përdoret edhe sot në shkrimet e sidomos në aktvendimet e gjykatësve të lartë anglez. Gjuha e këtyre gjykatësve është shumë e ngjashme me atë të pleqve tanë të dikurshëm.

 

Secili nga burrat e fshatit kishte tregimet e veta. Aty kishte nga ata që kishin marrë pjesë apo që ishin dëshmitarë okularë të kësaj apo asaj ndodhie të luftës së fundit por kishte edhe nga ata që vakitë e tyre nuk i kishin nga fushëbetejat. Më së shumti më intrigonte ai plaku që rrinte gjithmonë në të majtë të oxhakut. Ai ulej këmbëkryq, pinte duhan pa ia nda me një qelibar me trup argjendi. Mbante kokën ulur, shpesh e prekte plisin, sikur që dëshironte të sigurohej se ende e ka në kokë dhe lëvizte para e mbrapa sikur të ishte ulur në ato karriget e filmave amerikanë që zakonisht shihen të vendosura në verandat e shtëpive dhe që për këmbë kanë dy gjysmë harqe që mundësojnë luhatjen. Kur fliste, zakonisht kur një gjë e tillë i kërkohej me lutje, apo kur i parashtrohej ndonjë pyetje, plaku ndalte lëvizjet, drejtohej dhe fillonte t’i shikonte ngadalë të gjithë të pranishmit sikur që donte t’i numëronte apo inspektonte për ndonjë vlerë. Ata që në këto momente ishin duke bërë ndonjë shërbim, që ishin duke lëvizur ulur apo ata që hynin e dilnin nga dera, ndalnin veprimet e tyre dhe në odë, brenda pak sekondave, pllakoste një qetësi vdekjeje. Kjo ishte mënyra se si ai e ‘nënshtronte’ audiencën’ e tij.

 

Plaku e mbante në mend “zamanin e Turkisë” dhe kishte qenë “asker i sulltanit”. Shërbimi i tij në ushtrinë e perandorisë nuk kishte zgjatur shumë. Edhe plaku Sh. kishte shumë tregime. Tregimi më interesant i tij ishte për Cepelinin. Duhej të ishte viti 1916 apo 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore, kur në këto anë kishte kaluar ky lloj i fluturakes gjigante që kishin gjermanët. “Kryet e kishte mbi kodër të Garës kurse bishti për pak nuk e prekte kodrën e Sukës” – thoshte Sh. Kjo distancë e vijës ajrore mund të ishte së paku 3 kilometra. Natyrisht që nuk ishte aq i madh Cepelini por askush nuk merrte guximin t’i thoshte mixhës se nuk i kishte të sakta përmasat. E kishte pa me sytë e vet ai. Në raste të këtilla, kur dikush dilte nga kufijtë e së vërtetës, dhe nëse dikush dëshironte të reagonte, duhej që këtë ta bënte me kujdes. Burrit nuk i thuhej se po gënjente. Kishte forma tjera me të cilat duhej detyruar rrëfyesin që ta korrigjonte pasaktësinë e ndonjë vlerësim që kishte dhënë.

 

E tërë kjo sot duket si diçka që nuk ka ekzistuar. Është sikur një film që është bërë duke u bazuar në një ngjarje të largët gjysëmshekullore. Duket si një parahistori që ruhet me besninkëri në mendjen time.

 

Druaj që në fshat më nuk ndërrohen stinët.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00