Dita e Verës
Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticellit...
Nga Faik Konica
Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare «Verore», u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S'e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.
Ç'është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t'anë, kur s'kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit' e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t'ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t'anë ndiejin një detyrë t'u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit' e Verës.
Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtme të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t'rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t'këputin degë të gjelbra dhe do t'i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t'odave.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të racës s'onë. Nuk i bëjën dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.
* * *
Veroret – simbol i Pranverës
Veroret, simboli i pranverës, krahas hijeshisë dhe thjeshtësisë së tyre, përcjellin dhe urimet për shëndet të mirë gjatë të gjithë vitit. Ky rit bazohet në legjenda të trashëguara brez pas brezi.
Më 1 Mars, në fshatrat e krahinës së Korçës, fëmijëve dhe beqarëve djem e vajza u jepej një si rreth dore a varëse, e bërë me fill të tjerrur të kuq e të bardhë. Fijet e ndërthurura të bardha e të kuqe janë simboli i pranverës, te quajtura verore ose verëzat. Për korçarët ngjyrat e para të pranverës janë e bardha, e kuqja dhe e e gjelbërta.
Prej kohërave shumë të lashta shqiptarët e presin 1 Marsin të stolisur me ngjyrat e verores.
Dielli i kuq që po agon shkëlqen mbi dëborën e marsit – një pamje të tillë mund të shohë çdokush në veroren bardhë e kuqe. Në pranverë dielli do të ngrohë tokën, ndërsa gjatë verës rrezet e tij, shkëlqimin e tyre të artë, do t’ia japin grurit që po piqet. Për këtë ka menduar dikur bujku, duke futur veroren në brezin e tij të kuq në mëngjesin e herët të 1 Marsit. Kurse në të njëjtën kohë gjyshet kanë bekuar nipat të rrisin të bardhë me faqe të kuqe si verorja, të cilën ua kanë lidhur duarve të tyre. Vajzat e rritura e vënë veroren në gji, ndërsa beqarët e lidhin në noçkën dorës e ose të këmbës që t’u sjellë ajo forcë burrërore. Edhe zonja e shtëpisë shpejton në mëngjesin e 1 Marsit t’u lidhë verore kafshëve shtëpiake dhe pemëve të bahçes, qe të japin fruta gjatë vitit. Dikur gratë u kanë lidhur verore dhe sendeve më të rëndësishme shtëpiake – tezgjahut për shembull.
Sipas traditës veroret punohen nga gruaja më e moshuar e familjes. Dikur para se të afrohej 1 Marsi, gratë dilnin në fushë dhe mblidhnin copëza leshi, të mbetura nga kopetë delesh në shkurret qysh para dimrit. Prej këtij leshi bënin veroret. Një pjesë prej tij e ngjyrosnin në të kuqe – me bojëra natyrale. Pastaj ndërthurnin penjtë e bardhe dhe të kuq deri sa të bëhej fija dyngjyrëshe e verores, e cila është kryesorja. Ndërsa ndjenja estetike dhe fantazia e çdo gruaje si dhe besimet popullore i kanë bërë grat qe t’i shtojnë verores diçka tjetër – një rruazë bojë qielli, qe të ruajë vajzat dhe fëmijët nga syri i keq; një monedhë të vogël – për pasuri, një thelpi hudhër, për të dëbuar forcat e liga, kështu qe çdo verore të ketë pamjen e vet origjinale dhe të mbajë “magjinë” e vet. Fillimisht verorja mbahej si nuskë – të ruante nga forcat e liga dhe të tërhiqte forcat e mira. Por dalëngadalë besimet dhe simbolet e vjetra janë harruar. Në kohën tonë veroret lidhen me urimet për shëndet dhe mirëqenie.
Por para se të lidhnin veroret dikur gratë bënin një rit tjetër të rëndësishëm. Qysh para agimit ato mbulonin gardhat e oborrit dhe ballkonet e shtëpisë me sixhade, qilima dhe mbulesa të kuqe. Sipas besimeve popullore, Plaka Marta (siç quhet në folklor muaji mars), kur sheh këtë pamje i behet qejf dhe vë buzën në gaz. Kurse buzëqeshja e saj është vet dielli pranveror. Kur Plaka Marta është buzëqeshur pranvera është e ngrohtë dhe me diell, ndërsa kur zemërohet sjell dëborë dhe furtuna. Në përfytyrimet popullore Plaka Marta është motër e 11 vëllezërve, pra, të 11 muajve të tjerë. Vetëm në krahinat malore besohet se ajo është një vajzë e re. Sipas përfytyrimit të përgjithshëm ajo është një plakë kapriçioze, e cila herë-herë e vë buzën në gaz, herë-herë zemërohet. Prandaj edhe moti në mars ndryshohet aq shpejt.
Ka dhe një traditë tjetër, qe më 1 Mars të ndizen zjarre në të hapur. Dhe deri sa kërcejnë rreth zjarrit fëmijët këndojnë një këngë rituale, me të cilën premtojnë ta ngrohin Plakën Marta tani, në pranverën e hershme, ndërsa kundër kësaj – dielli i marsit të ngrohë pastaj njerëzit dhe tokën. Sipas zakonit fëmijët si dhe të moshuarit kapërcejnë zjarrin dhe besohet se kjo do t’u sjellë atyre shëndet gjatë tërë vitit. Zjarri, pëlhurat e kuqe në gardhat dhe veroret janë lidhur në një mesazh të përbashkët ritual për shëndet dhe mirëqenie.
Comments (0 posted)
Post your comment