Home | Culture | Rruga e Mëndafshit

Rruga e Mëndafshit

image
Gjatë historisë, Rruga e Mëndafshit ka qenë një aks i privilegjuar i raporteve kulturore, tregëtare dhe politike midis Europës dhe Azisë.

 

Përgatitur nga  Armin Tirana

 

 

Kur në vitin 1950, vit i botimit të veprës “Nomosi i Tokës”, Carl Schmitt ngutej që të deklaronte fundin e jus publicum Europaeum, Republika Popullore e Kinës sapo kishte rilindur nga gërmadhat e luftës civile dhe niste të shfaqej në skenën botërore si vend më së fundi i pavarur pas të ashtuquajturit “shekull i turpërimeve”. Sot ky vend, nëpërmjet forcimit të projektit kolosal të mbiquajtur “One Belt One Road”, synon që të inaugurojë atë që mund të quhet në terma schmittianë një “revolucion hapësinor”, duke shpluhurosur trashëgiminë e segmenteve të lashtë qendro – aziatikë dhe duke fuqizuar rrugët transaziatike të tregëtisë me qëllim që të forcojë ngjitjen e vet në fuqi globale dhe të trondisë Europën e në përgjithësi të gjithë Eurazinë, në një sezon të ri me rritje ekonomike botërore.

Hapja e hapësirave të reja dhe fundi i jus publicum Europaeum

Sipas Carl Schmitt, epoka e dominimit të Perëndimit në skenën ndërkombëtare, domethënë sistemi eurocentrik i ngritur mbi një raport barazitar midis shteteve dhe mbi luftën tradicionale ndërshtetërore (pikërisht jus publicum Europaeum), kapitullon përfundimisht me dështimin e projektit europian dhe krizën e rolit të Europës në botë, e zënë ngushtë midis dy gjigantëve të fuqisë botërore gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara. Një tezë kjo jo e izoluar në panoramën filozofike midis dy luftërave, kur mbështetësit e Kriegsphilosophie theksonin përpjekjen luftarake gjermane kundër fuqive aleate dhe Bashkimit Sovjetik si luftë e qytetërimit perëndimor kur bararizimit, nihilizmit, teknikës.

 

Gjatë konfliktit të dytë botëror ajo që në një front të konfliktit, në Lindje, duket si një luftë shfarosjeje e kryer jashtë jus publicum Europaeum dhe në shkelje të respektimit të justus hostis, në tjetrin, në Perëndim, zhvillohet sipas rregullave të një dueli “kalorsiak” që respekton robërit e luftës dhe popullsitë civile, pa degjeneruar në një “luftë totale”, fara e së cilës, tashmë e inkubuar në Europën e sakatuar nga luftërat fetare qysh nga shekulli i XVI-të, i vishet nga Schmitt dhe nga shkolla revizioniste traditës revolucionare në vend që t’i vishet konflagracionit ndërimperialist dhe ndërkapitalist të shpërthyer me konfliktin e parë botëror.

 

Përfundimisht, në rast se ishte dukur se rezistonte në fazën e parë të Luftës së Dytë 30 vjeçare (konflikti që vepronë në Europë midis 1914 dhe 1945), Jus publicum Europaeum shembet në fazën e dytë me disfatën e Boshtit përballë armatave anglo – amerikane dhe sovjetike, që nuk i aplikojnë Gjermanisë rregullat e një konflikti të rregulluar midis fuqive civile, megjithëse Hitleri kishte zgjedhur ta respektonte një parim të tillë në frontin perëndimor (përjashtim i bërë natyrisht për fatin e rezervuar hebrenjve dhe etnive apo pakicave të tjera, pse jo edhe rezistencës partizane).

 

Uniteti i Europës shkërmoqet, duke pushuar së projektuari influencën e vet mbi botën. Kontestimi, i realizuar jashtë një jus in bello, i ka copëzuar unitetin dhe qëndrueshmërinë, duke prishur unitetin e respublica christiana të lashtë. Kjo e fundit, që ka përfaqësuar nyjen e rendit ndërkombëtar mesjetar europian, nuk ishte gërvishur as nga konfrontimi midis perandorit dhe atit të shenjtë në Mesjetë, të cilët reklamonin midis tyre jo vetëm monopolin e një somma auctoritas, që i përkiste të drejtës së perandorit apo të çdo mbretërie territorialisht autonome, por një rënieje të ndryshme midis auctoritas dhe potestas spiritualis në brendësi të përkatësisë së përbashkët fetare në Perëndimin kristian mesjetar, duke qenë ata pjesë të diversi ordines në brendësi të vetë rendit kristian mesjetar. Luftërat e kryera në kuadër të respublica christiana qenë të krahasueshme me grindje që përfaqësonin aktivizimin e një të «drejte për rezistencë», pa prekur unitetin e rendit të përgjithshëm kristian. Luftëra shfarosjeje në kuptimin e vërtetë të fjalës mund të bëheshin vetëm ndaj popujve jokristianë: diskriminuesja vendimtare tashmë në të drejtën ndërkombëtare të Mesjetës kristiane, sipas Schmitt, është në status-in e ndryshëm të njohur popujve jokristianë, qofshin ato paganë, myslimanë apo hebrenj, që i privonte nga kualifikimi i justus hostis.

 

Ndarja midis botës së re dhe të vjetër e maturuar gjatë epokës moderne kishte inauguruar edhe një pezullim të kufizimit të luftës përtej linjës së Europës: në përfundim të linjës territorial të Botës së Vjetër, që kalonte pak përtej Ushujve Azore, pushonte e drejta europiane dhe, bashkë me të, «vlerësimet juridike, morale dhe politike të njohura përtej saj». Cezarizmi dhe lufta civile e shpërthyer nga Revolucioni Francez do t’i jepnin fund përfundimisht unitetit europian, duke inauguruar një epokë konflikti civil që kulmon në fazën përmbyllëse të Luftës së Dytë 30 vjeçare. Delimitimi hapësinor i një zone lufte ekstraeuropiane për akaparimin e Botës së Re, me fjalë të tjera, kishte shërbyer për të shmangur rrezikun e një lufte të përgjithësuar europiane.

 

Për Schmitt, pushtimi i një bote të re të panjohur në shekullin e XV-të ka përfaqësuar kalimin përcaktues në historinë e së drejtës ndërkombëtare, duke kontribuar në përcaktimin e kufijve të atij «revolucioni hapësinor planetar të botës» dhe të atij «stadi të parë të vetëdijës së re planetare të hapësirës» nga ku nis një «pushtim toke po aq i habitshëm dhe i paprecedent» nga ana e popujve europianë dhe ku shtrirja e të cilit zbehet përballë ndryshimeve të tjera hapësinore me rëndësi globale si pushtimi i Persisë nga ana e Aleksandrit të Madh, krijimi dhe zgjerimi i Perandorisë Romake në shekullin e I-rë A.D. dhe, së fundi, rilindja ekonomike mesjetare e shekullit të XII-të. Faza e pushtimit të territoreve amerikane arrin apogjeun evet në ndërtimin e një bote të re që formësohet progresivisht si «entitet autonom» karshi së drejtës ndërkombëtare eurocentrike. Falë një kalimi të tillë, domethënë hapjes së hapësirave të reja të hapura për pushtimin e lirë, Perëndimi europian ka mundur të realizojë projektimin e tij kolonial në botë gjatë shekujve të XVI – XVIII, duke vendosur premisat për një ndarje kolonialiste në kuptimin e vërtetë të fjalës të botës ekstraeuropiane në sheku;lin e XIX-të. Nga ky eveniment epokal mundi të fillojë të krijohet një ndarje e pastër dhe një hierarkike antropologjike midis kolonizatorëve dhe të kolonizuarve.

 

Rrugë të lashta dhe të reja euraziatike

 

Nëse për Schmitt epoka e artë e dominimit të perëndimit e ka preluding e saj në vitet e hapjes së rrugëve atlantike dhe me projektimin në dete të një fuqie (Anglisë) dikur tokësore, nisja e epokës së re kineze mund të quhet e hapur sot, nga ana e një fuqie gjithmonë tokësore (Kina), me rivitalizimin e segmenteve të lashta të rrigëve të mëndafshit që ndërlidhin të dy ekstremet e Eurazisë. Projekti i Pekinit shkakton realizimin e një rrjeti imponues infrastrukturor që shkon nën emrin “One Belt, One Road” (OBOR), përndryshe e quajtur “Belt and Road Iniziative” (BRI). Komplementare me projektin e rrugëve të reja të mëndafshit është Banka Aziatike e Investimit për Infrastrukturat (AIIB), që ka detyrën e promovimit të zhvillimit të veprave infrastrukturore në Azi dhe bile edhe të favorizojë realizimin e projektit BRI.

 

Gjatë historisë, Rruga e Mëndafshit ka qenë një aks i privilegjuar i raporteve kulturore, tregëtare dhe politike midis Europës dhe Azisë. Përpara shfaqjes së predominimit europian 5 shekuj më parë, zemra e Eurazisë ishte pikërisht Kina, e cila mbante dominimin e ekonomisë botërore dhe e ushtronte nëpërmjet Rrugës së Mendafshit, duke filluar nga Dinastia Han (206 B.C. – 220 A.D.). Ky rrjet lidhjesh të çrregullta midis dy brigjeve të kontinentit e bënte Eurazinë një zonë unitare nga pikëpamja e vitalitetit ekonomik e kulturor. Por qysh më parë, qysh nga epoka Helene, historia e Euriopës dhe e Azisë është ndërthurur fuqishëm.

 

Midis viteve 130 B.C. dhe 300 A.D., Rruga e Mëndafshit artikulohej përgjatë dy linjave, njëra detare, tjetra tokësore, duke ndërlidhur Perandorinë Kineze me Indinë, Perandorinë Kushana, Mbretërinë e Parthëve dhe Perandorinë Romake. Linja e parë drejtuese, ajo detare, fillonte nga Porti i Kantonit, kalonte nëpër Istmin e Krasë dhe më pas, pas ndalimeve të Podukës dhe Mizerisit në Indi, arrinte Barbarikonin në Pakistanin aktual, për të dalë më pas në Detin e Kuq deri në Berenice dhe Aleksandri. Një degëzim i dytë midis Barbarikonit, duke kaluar nëpër Gjirin Persik, arrinte në burimet e Nilit dhe Eufratit, për t’u ringritur përgjatë rrjedhës së tyre drejt Ktesifontit, kryqytet i Perandorisë Persiane, dhe Seleusisë. Nga këtu, ashtu si në Aleksandri dhe Berenice apo në Tiro dhe Petra, mallrat aziatike dhe kineze shpërndaheshin në të gjithë botën e njohur. Dega tokësore e Rrugës së Mëndafshit nisej nga Kina, në veçanti nga Çanangu e Luojangu, dhe kalonte Portin e Xhadës (që bashkonte Kinën me Azinë Qendrore), pasi ka kaluar nëpër shkretëtirën e Taklamakanit, arrinte përgjatë disa korridorëve në Turkestan, deri në Buhara, dhe, nga këtu, arrinte në Seleusi dhe Ktesifont.

 

Përgjatë segmenteve të rrugëve të mëndafshit u prodhua një sinkretizëm kulturor në kuptimin e vërtetë të fjalës, siç duket qartë në artin e Gandharës, midis Pakistanit dhe Afganistanit aktual, midis shekullit të I-rë B.C. dhe të IV – V A.D. Stili i artit budist të Gandharës dallohet për një repertor që bashkon prurje greke e romake me ato tipike të kulturës së stepave: pamjet e Budës kanë veshje greko – helene dhe qëndrime karakteristike të artit mesdhetar, përkrah elementëve tipikë të ikonografisë indiane budiste (llapat e veshëve të zgjatura apo gjestet e duarve) ose që, nëpërmjet referimit të kalit, kujtojnë nënshtresën nomadike të kulturës së Gandharës.

 

Me pushtimin islamik e rajoneve lindore të Perandorisë Bizantine dhe rënien kontekstuale të Perandorisë Sasanide perse, ana perëndimore e Rrugës së Mëndafshit u fut dhe u bë pjesë e qarqeve tregëtare myslimane, që përtej rajoneve që qenë pjesë e Perandorisë Bizantine (Egjipti, Siria, Afrika Veriore), gllabëruan makro – rajonin mesapotamo – iranik. Ky i fundit e lidhi drejtpërsëdrejti Europën me linjat drejtuese tregëtare qendroaziatike. Nëse në kohërat e bizantinëve dijet gjeografike kishin ngecur në zonën persiane, me pushtimin mysliman e gjithë zona e Lindjes së Mesme futet në brendësinë e një rrjeti tregëtar unitar që arrin deri në anët ekstreme lindore, në Sind, në kufijtë me Indinë dhe më tej. Oqeani Indian bëhet një basen i gjerë tregëtar, më i madhi në botë të paktën deri në ardhjen e portugezëve, i dominuar nga tregëtarët myslimane, persianë e hebrenj dhe i hapur ndaj tregëtive e kontaketve midis Indisë, Kinës, Gadishullit Arabik, Afrikës dhe Europës.

 

Ndërsa në vetë shekujt e ekspansionit islamik është në zhvillim “rilindja karoline”, që megjithatë pothuajse e harron dijen greke, në Orient Kalifati Abasit (e më pas ai Fatimit) bëhet trashëgimtar i traditës greke. Gjatë gjithë harkut të perandorisë një kulturë e pasur dhe e artikuluar filozofike (nga Magrebi në Kazakistan), falë kontakteve konstante me botën indiane dhe kineze, rizbulon vlerën e klasikëve grekë, duke ua riinterpretuar domethënien dhe shpesh duke u integruar trashëgiminë e një sinteze të re greko – arabe që do të jetë themelore për historinë kulturore të botës. Me pak fjalë, pa Rrugën e Mëndafshit, “Kanuni i Mjekësisë” i Avicenës thjesht nuk do të ekzistonte.

Rruga kineze për një globalizim të shekullit të XXI-të

Projekti kinez i një Rruge Mëndafshi të re, për të përdorur një shprehje të dashur për Arno Mayer, është krahasuar me Planin Marshall e promovuar nga Shtetet e Bashkuara në përfundim të Luftës së Dytë 30 vjeçare. Plani amerikan i rindërtimit, përveçse nuk është i krahasueshëm në terma financiarë me këtë kinez, shënoi integrimin subaltern në tregun botëror kapitalist të Europës dhe të vendeve që aderonin. Diferencat midis të dy projekteve janë të dukshëm, si në planin ideologjik, ashtu edhe në atë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mbi të gjitha, nëse Plani Marshall shkaktonte faktikisht fillimin e Luftës së Ftohtë, projekti kinez “One Belt, One Road”, në të kundërt, shërben për të shmangur rreziku që një Luftë e Ftohtë e re, e nxitur ndoshta nga një luftë tregëtare, të shpërthejë midis Kinës dhe aleatëve të saj nga njëra anë dhe Shteteve të Bashkuara e Europës nga ana tjetër.

 

Në radhë të dytë, Kina nuk propozon as që zbatojë asnjë influencë ideologjike mbi vendet e thirrura që të jenë pjesë e projektit të saj, as të zbatojë ndonjë lloj hegjemonie. Qëllimi kryesor, nëse ka një të tillë, është mbi masën e orientimeve të formuluara në Konferencën e Bandungut (1955), të promovojë një zhvillim të përbashkët të Azisë, Europës e Afrikës, duke propozuar një alternativë ndaj tregut perëndimor. Projekti BRI ka funksionin e inkurajimit të një forme globalizimi euraziatik që integron më shumë vendet dhe zonat ekonomike e kontinentit me qëllim që t’i forcojë raportet paqësore e bashkëpunimin, përveçse të favorizojë zhvillimin ekonomik e pranuar, duke u vendosur në qendër të këtyre Kina si çerniera e një blloku të pavarur tregëtar dhe i mbështetur mbi juanin.

 

Nëse qëllimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë dhe është akoma sot ai i pengimit të një ngritjeje përfundimtare të Kinës në rangun e fuqisë botërore, duke i kundërvënë asaj aleanca ekonomike të lidhura për ta përjashtuar vendin aziatik apo duke lëshuar kundër saj aparatin ushtarak më të fuqishëm të botës (nëpërmjet strategjisë të “Pivot”), strategjia e Kinës është ajo e hapjes ndaj Europës dhe vendeve të përfshira në projektin BRI. Krijimi i GATT-it në 1947, që premtonte të tejkalonte bilateralizmin e ngurtë në atë kohë në forvë dhe të promovonte multilateralizmin, kishte pikërisht qëllimin e kundërvënies vendeve socialiste një bllok ekonomik të drejtuar nga Perëndimi dhe nga Shtetet e Bashkuara. Siç është e njohur, GATT-i është pararendësja e ËTO-së, e lindur në 1995 dhe në të cilën Kina është pranuar vetëm në 2001, pas 15 vjet negociatash. Deri në një datë të tillë, Shtetet e Bashkuara mund të ishin në gjendje të realizonin një shantazh ekonomik të mrekullueshëm në dëm të Kinës, duke kërcënuar bllokimin e importimeve të saj.

 

Apelimi në organizata ndërkombëtare të tipit të mbyllur i përket traditës amerikane, ashtu si tendenca periodike ndaj izolacionizmit dhe proteksionizmit. Kjo e fundit në mënyrë të veçantë i paraprin me të paktën disa shekuj zgjedhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në garën e mbylljes autarkike të viteve ’20, Smoot – Hawley Act i vitit 1930 do kontribuonte në inaugurimin e fazës proteksioniste, duke ashpërsuar tensionet komerciale botërore dhe Depresionin e Madh. Vetëm në pasLuftën e Dytë Botërore Shtetet e Bashkuara do të kalonin nga një politikë e shkëmbimit të lirë e frymëzuar nga “reciprociteti”, i së cilës qe përkrahëse e zjarrtë edhe Partia Republikane. Ronald Reagan qe një mbështetës i bindur i tregëtisë së lirë, ndërsa Bushi baba avancoi NAFTA-n (marrëveshjen e tregëtisë së lirë midis Meksikës, Kanadasë, dhe Shteteve të Bashkuara), që do të miratohej nga administrate Clinton. Me epokën e Bush të ri mosbesimi ndaj tregëtisë së lirë fillon që të rritet, për t’u përqafuar më pas edhe nga Obama. Tradita proteksioniste është vazhduar në fakt në ditët tona me projekte TTIP dhe TPP që janë (ose, më mirë, ishin) të drejtuara qartë nga përjashtimi dhe nga bojkotimi i Kinës. Zona të tilla të tregëtisë së lirë vihen në diskutim nga administrata Trump në favor të një qasjeje të ndryshme agresive të mbështetur mbi një bilateralizëm të rinovuar dhe mbi një proteksionizëm të ngurtë ekonomik që kërcënon vetë përkatësinë e Shteteve të Bashkuara në Organizatën Botërore të Tregëtisë.

 

Vendosja nga ana amerikane e barrierave doganore ndaj mallrave kineze, që duket në rrugë pozitive zbatimi, e justifikuar nga qëllimi i riekuilibrimit të pasivit në bilancin e pagesave, në perspektivë nuk ka sesi të mos shpërthejë në një luftë tregëtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara me pasoja të paparashikueshme ndaj rregullimeve globale. Një qasje e tillë, veçanërisht e rrezikshme pse kërcënon ekulibrat tregëtarë e politikë botërorë, është veç të tjerash e privuar nga justifikimi ndaj Kinës, nga momenti që kjo e fundit ka zbatuar gjatë viteve të fundit një reform ekonomike të thellë, duke kaluar nga përqëndrimi ndaj eksporteve (10% e PBB-së në 2008) në rolin e blerësit të instancës së fundit (sufiçiti kinez në 2017 është i barabartë me 1.3 % të PBB-së), duke stimular fuqimisht veç të tjerash kërkesën e brendshme nëpërmjet rivlerësimit të rrogave (tashmë në nivel europian ose më të lartë). Për më të tepër, sufiçiti tashmë i ridimensionuar kinez riekuilibrohet në pjesën më të madhe të nga flukset e kapitaleve kineze drejt Shteteve të Bashkuara.

 

Një rruge kineze të globalizimit, e mbështetur mbi multilateralizmin në vend të bilateralizmit dhe proteksionizmit, që hap Europën dhe Eurazinë ndaj tregut kinez nëpërmjet segmenteve tranaziatike të rrugëve të mëndafshit, Shtetet e Bashkuara kanë tentuar që t’i kundërvënë një politike mbylljeje tregëtare dhe kërcënimin e ashpërsimit të masave ekonomike proteksioniste nga pasojat e të cilave e gjithë bota (jo vetëm Europa dhe Kina) duhet të shikojë me dyshim dhe duke zbatuar kundërmasat e duhura. Këto të fundit nuk ka sesi të mos kalojnë nëpër një rishikim të raporteve me Uashingtonin dhe, ndërkohë, nga një hapje më e madhe ndaj Kinës, ndaj “Beijing Consensus” dhe projektit të saj për lançimin e globalizimit nëpërmjet bashkëpunimit multilateral.

(nga Geopoliticus)/ bota.al

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0