Vendlindja, një regio mirabilissima*
Drejt e në rrjedhën e ujërave të Osumit. I kredhur në pështjellim ujërash të kthjellta...
Vendlindja, një regio mirabilissima*
Nga Flurans Ilia
– etyd i fëmijërisë –
Ndërsa nata rrëzohet dhe Qielli fillon dhe Shpirtit i afrohet, ndër ëndrrat e mia të arratisura vjen Berati… Qyteti im i kapur prej dore me zhgjëndrrën (si të vinte prej Kashtës së Kumtrit, prej një tjetër bote) zbret tatëpjetë rrugës së Kalasë. I dëgjoj shpesh hapat e tij si pentagramë sonatash të pashkruara mbi gjoksin tim të shndërruar në kalldrëm… Kalldrëmi mesjetar i Antipatreas me trokitjet e kuajve të Muzakajve dhe Vrionasve, rend rrugicave të Mangalemit, Kalasë, Goricës dhe Urës mesjetare që përbëjnë arkitekturën post-shpirtërore të shpirtit të qytetarit të ikur përtej mureve dhe kodrave me ullinj të qytetit të vet.
Ose më saktë, jo. Nuk janë hapat e tij. Ai gjithmonë aty ka qenë i palëvizshëm për më tepër se 2450 vjet. Janë hapat e mi vocërrakë teksa me dy feta bukë të lyera me margarinë, pantallonat e shkurtra me dy gjunj të gërvishtur si kutë-e-cingla, me koriçka të mpiksura gjaku nga ndjekja e topit të futbollit në lagjen “22 Tetori” (nuk më kujtohet çfarë feste ka qenë kjo?!), shkoja për në kopshtin parashkollor. Aty buzë rrugës për Kala, teksa fillonte zanafillën e vet e përpjeta. Në krahë të majtë, ndërsa ngjitesha, si në portat e një fillim-kufiri-jetësor metaforik, gojëmadhe dhe e madhërishme qëndronte Porta e Pashait. Pashait asnjëherë dhe askush nuk ia ka njohur emrin. Por Porta me konturet mesjetare e ngritur nga energji skllevërish është aty edhe sot.
Pas tre dekadash më vjen ndër mendje ai moment fëmijërie, ndërsa regjisorja e njohur e filmave për fëmijë, znj. Xhanfize Keko trokiti në portat e kopshtit “Kostandin Leka” në kërkim të personazhit të fundit që do e plotësonte ansamblin e aktorëve-fëmijë për filmin “Tomka dhe shokët e tij” i xhiruar plotësisht në Berat, prodhim i “Kinostudios Shqipëria e Re”. Ishte viti 1976. Fëmijë 5-vjeçar fillova të trashëgoja jetën nëpërmjet syve të kinemasë. Trashëgimi të cilën ndër vite e humba. Por që nuk kam humbur akoma zërat dhe thirrjet e asaj kohe që pastërtisht ende i dëgjoj:
– Hej Guri do vish të bëjmë kala me baltë?! – dëgjohet një zë fëmije përtej sekuencave të filmit. Dhe personazhi i Gurit (unë dora vetë pa brekë) ashtu si me të vërtetë vocërrakët kridheshin në ujërat e lumit Osum, përgjigjet:
– Ehu, unë do lahem!…
Dhe që prej një ledhi të atyshëm : Bëlldummmm… Drejt e në rrjedhën e ujërave të Osumit. I kredhur në pështjellim ujërash të kthjellta. Shpesh herë të turbullta e plot baltë (gjanicë). Të rrjedhshme e të rrezikshme ndërsa shpesh kanë gëlltitur jetë fëmijësh. Të helmuara më vonë nga pesticidet e uzinës së baterive në Poliçan. Në disa vende lumi ishte i shtruara e i hapura nëpër zallishte. Dhe shpesh i vrullshëm pas shkëmbinjve të pllakave përfund zarizanit. Osumit i takonte kryqi i hedhur në çdo 6 janar (dita kur jam i pagëzuar) në ditën e Ujit të Bekuar, ndërsa çunat e Beratit duke u dridhur prej të ftohtit së bashku me kryqin e shndëruar në akull, shpresonin në një të ardhme më të mirë. Plot hije dhe elegancë përposhtë rrapeve dhe parmakëve i gjunjëzuar midis këmbëve të Urës së Goricës teksa për kushedi se sa e sa jetë Osumi vazhdon pelegrinazhin e tij. Të gjitha këto metrazhe të një filmi bardhë e zi prodhim tashmë i “Kinostudios Shqipëria e Vjetër”. Filëm të cilin aq fort do t’dëshiroja ta shihja edhe një herë në sallën e kinemasë së qytetit tim prej ku fantazia edukohej dhe merrte krahë nën fluturime ëndrrash dhe realitetesh fëminore. Por nuk është e thënë. As e shkruar në rrotën e fateve. Në vitin e mbrapshtë 1997 kinemanë e qytetit tim e pushkatuan nën breshëri të çmendur kallashnikovësh skizofrenikë. Muret e saj, gërmadha të turpshme me xhama të thyera ende në këtë gjendje janë edhe sot. Mjafton të shohësh fotografinë e gazetës Lajmëtari i Beratit nr.116 datë 21.11.2005. që të kuptosh se si arti shqiptar frymon nën dihatje azmatike. Mjafton ky fakt që të besoj se Berati ka nevojë më tepër për qytetarë se sa për emra heronjsh donkishoteskë.
Por edhe plumbat e kallashnikovëve mbaruan një ditë. Dhe ajo çka ngeli ishte (është) përsëri imazhi i Beratit. Në lindje përherë mali i Tomorrit. Në perëndim përherë mali i Shpiragut. Midis të dyve – Kalaja. Nga ballkoni i ish-shtëpisë time në qendër të qytetit prej katit të pestë, përherë ky imazh më ka pas shoqëruar nën historinë e legjendës e cila thotë :
Na ishte njëherë një djalë i fortë e shtat’lartë që quhej Tomorr. Në dashuri ra me vajzën më lozanjare të quajtur Kala. Me atë i dashuruar ishte edhe një tjetër djalë i bukur shtat’shtruar i quajtur Shpirag. Të dy për një dashuri të vetme e të përjetshme ranë në dyluftim. Tomorri e nxori shpatën dhe trupin i preu Shpiragut që edhe sot po ta sodisësh i ndarë në vija-vija është. Tjetri topuzin shtriu tej nëpër erë dhe trupin e Tomorrit gropa-gropa e bëri. Edhe sot i tillë ka mbetur. Kalaja (Ah lozanjarja ! E bukura !) duke i parë djemtë në dyluftim filloi të qajë për plagët e tyre dhe lotët e saj formuan lumin Osum!
E kam si tashti mu përpara syve në imazh të pashlyeshëm krejt qytetin prej së larti. Jo nga poshtë. Por pikërisht prej së larti. Mbi kodrën në zemër të qytetit. Të veshur me pisha. Dhe mbuluar me shkëmbinj ku kryeneçësisht i kacavjerrur midis qiellit dhe tokës, jetës dhe vdekjes, për të parën herë mësova se ç’shije kanë buzët e vajzave të ndrojtura të qytetit tim?! Se ç’shije kanë vargjet e para kur ende nuk di se si duhet t’i shkruash ato?! Atje në majë. Në rrethina të mureve të kështjellës. Shumë afër dhe pothuajse jashtë saj…
… Jashtë saj. Në rrjedhën e lëvizshme të rrugëve në South Boston ndërsa në orët e para të mëngjesit autobusin e linjës pres. Bën ftohtë. Një i ftohtë qenësor me kafshime gradësh nën zero. Dhe mundohem të mblidhem fort pas palltos time. Dhe nuk gjej të ngrohtë.
– Në çfarë ore duhet të kalojë autobusi i ardhshëm i linjës ? – pyes një vajzë përbri.
– Unë nuk di, – përgjigjet ajo me një anglishte të kafshuar.
– Ti je e huaj këtu ? – e pyes.
– Po, jam gjermane nga Berlini, – më thotë. – Ti di se ku është Berlini?
– Natyrisht, – i përgjigjem. – Unë jam nga Berati. Nuk besoj se e ke dëgjuar ndonjëherë. Qytet shumë më i vjetër se Berlini. Qytet shumë më pak i njohur se Berlini…
Berlin – Berat – Boston ngjasojnë dhe aspak nuk ngjajnë me njëri-tjetrin. E përbashkët është veç shkronja e parë. Por ajo që vjen më pas refuzon ta mbyllë vetveten tek B-ja. Dhe nuk e di për dreq se çfarë lidhje kanë të gjitha këto. Veçse ajo çka ndër mendje më rrihte dhe zhvishte përgjatë krejt udhëtimit tim të mëtejshëm, i maste dhe kontrollonte impulset e zemrës time, më ekspozonte krejt lakuriq (si atëherë fëmijë pa brekë, i pavetëdijshëm drejt e në rrjedhë të lumit të qytetit tim) ishin vargjet e poetit Beqë Cufaj prej Gjermanie që e trembi të ftohtin e këtij mëngjesi nën rrjedhën përgjatë venave të vërtetësisë poetike:
Atdheu
(Dialog i imagjinuar i cili do të fillonte aty edhe ku mbaron)
Për ty Atdhe shumë njerëz thonë se të kanë
At e Dhé. Për ty shumë të dijshëm
e padijshëm lot derdhin. Ti e ke fuqinë
të gjitha t´i kesh. Trolli yt është i lashtë, qielli
i pambërrishëm, njerëzit pos Zotit e teje askujt
s´i takojnë. Edhe zogjtë, lumenjtë, fushat, gurët, detërat,
dhembjet, fëmijët, ëndrrat… Pushtuesit, poetët,
të dashuruarit, të tradhtuarit, trutharët!… Të gjitha
tuat janë… Edhe jeta edhe vdekja. Vetëm diç s´kam të qartë
Atdhe,
I kujt je Ti?
Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti?
Boston, nëntor 2005
* regio mirabilissima – shprehje latine që mund të përkthehet në shqip “një vend shumë i veçant a shumë i çuditshëm” ose “një vend i mrekullueshëm”; forma e parë i përket latinishtes klasike, kurse e dyta latinishtes mesjetare.
Comments (0 posted)
Post your comment