Home | Culture | Recension: “Çajanët, matranxhët dhe maxharët ”

Recension: “Çajanët, matranxhët dhe maxharët ”

image
Ndjenja për të ruajtur origjinën shqiptare, pavarësisht dallgëve që sjell fati dhe koha...

 

 

DR.SC. SHEFKI SELAMI – 

 

 

Recension

 

POTI, “ÇAJANËT, MATRANXHËT DHE MAXHARËT (HISTORIA, MIGRIMET DHE ETNOGRAFIA) “, TETOVË, 2017

 

Monografia  me titull “Çajanët, matranxhët dhe maxharët ” hartuar nga dr.sc. Shefki Selami - Poti përfshin 284 faqe tekst sipas standardeve teknike të punimeve të kësaj natyre.  Kjo monografi përveç hyrjes, përfundimit dhe literaturës, ka  IV krerë. Autori që në fillim të punimit ka sqaruar arsyet e trajtimit të kësaj tematike që ka të bëjë me origjinën e fiseve të përmendura, historinë, migrimet dhe vështirësië e tyre në truallin ku jetojnë. Studimi i etnogjenezës së fiseve është i rëndësishëm, aq më tepër kur kemi parasysh faktin se studimet e natyrës së tillë, janë të pakta dhe të vështira për t’u njohur. Dukuri e përgjithshme për të gjithë gjuhët e botës është se toponimet (emrat e vendeve) dhe antroponimet (emrat e njerëzve) janë emra të përveçëm dhe burojnë kryesisht nga emra të përgjithshëm (apelativa), P.sh. nga emri i përgjithshëm zog,-u (emër shpeze) është formuar antroponimi Zog,-u (mbiemër familjar); oikonimi Zogaj (emër fshati mjaft i përhapur). Nga emri lum,-i janë formuar shumë toponime, si Lumë,-a, Lumthi, Lumzi; por edhe emrat vetjakë Lumi, Luma, Lumaj etj. Më i vështirë na del edhe shpjegimi e emrave të fiseve sepse shqiptarët kanë njohur gjatë historisë sundime të ndryshme. Kam përshtypje se në fushën e onomastikës, jemi të prirur që emërvendet (toponimet), t’i shpjegojmë sipas etimologjisë popullore, ndërkaq fare pak i kushtojmë rëndësi asaj shkencore. Në këtë mënyrë shpjegohen edhe shumë etimologji të emrave të fiseve, mbiemrave familjarë apo etnonimeve (emrat e shteteve, kombeve, kombësive, krahinave).  

Lidhur  me strukturën e monografisë, siç ka vënë në dukje autori, ky punim është i ndarë në katër kapituj si vijon: I. Grykë – Çaja, II. Shqiptarët jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë së mbetur dhe lufta për mbijetesë, III. Çajanët – Canët, IV. Tjetërsimi i shqiptarëve. 

Në kreun e parë të monografisë, autori ka vënë në dukje krahinën – bashkinë e Grykë-Çajës, gjegjësisht vendbanimet dhe fiset kryesore që përfshin ajo, jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë së sotme, si katundet Shkiza (Shkinaku), Fshati, Matranxhi, fshati Buzëmadhe,Çaja etj.; katunde këto që i gjenë me emra të njëjtë apo të ngjajshëm andej dhe këndej kufijve të shtetit amë. Sigurisht emërvendet e përmendura janë shumë të vjetra dhe përkojnë me historikun e Shqipërisë etnike (natyrore). Fati i hidhur historik i saj bëri që ajo të ndahet padrejtësisht dhe të kemi derivate emrash sot edhe jashtë shtetit zyrtar shqiptar, pasi gjuha nuk njeh kufij. Autori, përpos që ka dhënë një pasqyrë të përgjithshme për pozitën gjeografike, veçoritë demografike, arsimimin dhe kulturën e banorëve të këtyre fshatrave është përpjekur të shpjegojë edhe etimologjinë e venbanimeve (oikonimeve) dhe të mbiemrave familjar (patronimeve). Atë kryesisht e ka bërë kryesisht sipas etimologjisë popullore, aty-këtu ka zbërthyer edhe ndonjë oikonim me etimologji shkencore. Ka të ngjarë që emri i katundit Çajë të ketë për bazë emrin e përgjithshëm çaj, -i m.-e,-et. (emër bime që shërben për pije).  Siç përmendëm më sipër, trajtimi i temave të tilla onomastike me etimologji shkencore është punë e vështirë dhe e patrajtuar sa duhet. Me theks të veçantë autori ka trajtuar edhe kontributin e shqiptarëve dhe pjesëmarrjen e tyre, si racë fisnike, në luftrat për çlirim dhe pavarësi edhe të popujve fqinj, atij grek e serbë nga Perandoria Osmane, ndihmesë kjo jo e vlerësuar siç duhet nga këta popuj jofalënderues. Është interesant fakti i shpëtimit të Kalasë së Beogradit nga pushtimi turk, gjatë Kryengritjes së Parë Serbe, pikërisht nga Jani Kondo (Kondo Bimbashi) një udhëheqës trim shqiptar në natën e 5 dhe 6 gushtit 1804, që përmend autori, dhe për të cilin sigurisht duhet ta thonë fjalën e fundit historianët tanë. 

Në kreun e dytë është trajtuar gjendja e shqiptarëve jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë dhe lufta e tyre për mbijetesë. Në mënyrë të veçantë janë tipizuar virtytet e këtij populli të stërlashtë e të varfër, vështirësitë jetësore të tyre. Autori në mënyrë të veçantë ka dhënë një pasqyrë të përgjithshme të fiseve shqiptare, si Hoti, Shala, Kelmendi, Krasniqi, Gashi, Bytyçi, Kuçi, Thaçi, Berisha, Morina, Shkreli, Shoshi, Elshani etj., pavarësisht trojeve ku jetojnë ata sot, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanovcë e Medvegjë) për të treguar një etnogjenezë të përbashkët iliro-shqiptare. Një ndërlidhje edhe më të lashtë të fiseve të sotme shqiptare me ato pellazge e ilire, sipas autorit, përmendin edhe dijetarët e mëdhenj të antikitetit, si Homeri, Straboni, Herodoti, Apiani, Demosteni etj. Në vazhdim është trajtuar edhe kaptina që flet për masakrat serbe mbi popullatën e pafajshme shqiptare në prag të pavarësisë shqiptare më 1912 dhe të rënët e krahinës së Grykë-Çajës në këtë luftë. 

Në kreun në vazhdim, atë të tretin, autori ka trajtuar fshatin Luboten (Butinë), duke na ofruar të dhëna që nga Deferët osmanë të shekullit XV. Aty përmenden numri i shtëpive dhe familjeve shqiptare dhe orvatjet e fundit sllave për t’i bastarduar emrat e fiseve dhe mbiemrat familjar, dhe për t’ua shtuar atyre prapashtesën sllave –ov, dhe -ci si p.sh. nga Demat (Demovci), nga Nezi (Nezovci), Mala (Malovci), Salia (Saliovci), Sefa (Sefovi), Tefa (Tefovi) etj.  Përpos Defterëve osmanë, për të shpjeguar historinë e gërshetuar përplot peripeci të fshatarit të këtyre anëve, autori është bazuar edhe me rrëfimet burimore e të gjalla të pleqve të kësaj ane. Dokumenet arkivore mbi pronat e një fisi besnik e me histori të bujshme të këtyre anëve, fisit Çajan, janë treguesi më i qartë që nxjerrin në shesh marifetllëqet e pista të shtetit që ka uzurpuar në mënyrë të padrejtë, tokën e fshatarëve vendës e të ngratë që mezi po siguronin ekzistencën. Një retrospektivë e tillë historike për jetën e fshatarit zemërgjerë e fisnik të këtyre anëve, shpjegon më së miri historinë e gërshetuar përplot peripeci të të githë shqiptarëve. Amblema e fisit Çajan në fshatin Butinë (Luboten) është një tregues tjetër i qartë që ndërlidhet me periudhën ilire dhe në të cilën janë gërshetuar veprimtaria kryesore e fshatarëve – blegtoria, ndjena bujare e fisnike e fshatarit të atëhershëm për ta kultivuar atë, si dhe trimëria e guximi për t’i dalur zot kësaj pasurie e pse jo edhe atdheut sipas nevojës.  Pra, koka e dashit dhe dy shpatat simbolizojnë kultivimin e blegtorisë dhe mbrojtjen e pasurisë.  Në vazhdim të monografisë, ngjajshëm është shpjeguar edhe fati i fiseve Maxhare, Matranxhe etj., si dhe shpërngulja e tyre nga një vend në tjetrin. Vlen të përmenden edhe shpërnguljet, migracionet dhe asimilimi si dukuri e papëlqyeshme për shqiptarët. Autori s’ka lënë pa përmendur edhe veshjen, këngët fëmijërore dhe ato të lindjes të fshatarëve të këtyre anëve, si pjesë që pasuron mbarë  folklorit tonë.  

Ndjenja për të ruajtur origjinën shqiptare, pavarësisht dallgëve që sjell fati dhe koha,  trajtohet në kreun e IV. Aty rëfehet se si një pjesë e madhe e popullatës malaziase deri në shekullin e XX, nuk e kanë mohuar origjinën e tyre shqiptare. Në vazhdim jepen të dhëna edhe për gjenden e fshatrave ortodoks shqiptarë në Maqedoni; flitet për origjinën shqiptare të goranëve dhe torbeshëve, për elementin ilir të popullit boshnjak etj. Autori është orvatur të thellojë njohuritë e tij duke analizuar  edhe të dhëna të tjera të popujve në Europë që kanë lidhje me etnogjenezën iliro-shqiptare. Ai flet mbi disa shkrime të vet autorëve belgë të shekullit XII që kanë përmendur mbetërit me origjinë dardane të Belgjikës. Monografia përmbyllet me thëniet e njohura nga studiuesit me famë botërore për shqiptarët - lashtësinë e këtij populli të përvuajtur tej mase. 

Nga ajo që u përmend më sipër mund të pohojmë se monografia “Çajanët, Matranxhët dhe Maxharët” e autorit dr.sc.Shefki Selami-Poti është rezultat i punës kërkimore disavjeçare. Pikëpamjet e veta i shpreh në mënyrë të sistemuar dhe të argumentuar falë analizës së materialit burimor që ka grumbulluar në terren dhe atyre të shkruara nëpër arkive të ndryshme. Veprën e përshkon një lëndë e bollshme e venbanimeve dhe fiseve të përmendura, që ka vlerë edhe si lëndë e grumbulluar, por edhe sepse është përshkruar shpesh me nivel të kënaqshëm shkencor. Shpresojmë se punimi për risitë që sjell në natyrën e këtyre monografive, do të ngjallë interes në qarqet e studiuesve të ndryshëm dhe do të shërbejë si model për hulumtime të mëtejme në fushën e toponimisë, patronimisë, etnonimisë dhe historisë. 

 

 

 

 

 

Tetovë, më 21 nëntor 2018                                                              Prof.dr. Izmit Durmishi 

 

                                                                                 

  

 

 

 

 

 

 

 

  

 

 

 

 

 

 

 

 

  

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

                     

            

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0