Home | Culture | - Dinastia maqedonase -

- Dinastia maqedonase -

image
 " Ata u vendosen në Pind nën emrin Maqedonas dhe u shtrinë deri në Ematia. "

 

Nga Jean-Claude Faveyrial

 

 

 

-”Mbretëria e Maqedonisë -thonë Puarson dhe Cayx në Saktësim i historisë së lashtë, f. 331 -ia detyron origjinën e saj një kolonie Pellazgësh të dëbuar nga Histiokotida prej Kadmenëve, rreth vitit 1302 para Kr. Ata u vendosen në Pind nën emrin Maqedonas dhe u shtrinë deri në Ematia”. Të dëbuar gjithashtu nga Grekët, një palë nga Thesalia, të tjerë nga Fokia, të tjerë më tej nga Peloponezi, pesëmbëdhjetë fise të tjera, vijnë me rradhë duke iu bashkangjitur të parit. Por duket se ata në fillim kanë jetuar të pavarur, dhe se krijuan një mbretëri të drejtuar nga Karani, vetëm në vitin 796 para Krishtit. Ajo duhet të ketë qënë një mbretëri e re si gjithë të tjerat. Shtrirja e saj nuk ishte gjithherët e njëjtë.

Eskili tek Lutëset shkruan për vendin e Pellazgëve, se kishin për kufij Strimonin (Struma) dhe Argosin, gjë që tregon -sipas Niburit -se poeti grek përfshinte gjithashtu edhe Maqedoninë, në vendin e quajtur Pellazgjia. Në sytë e vetë Grekëve, Maqedonasit nuk ishin grekë. Shpeshherë Demosteni i cilësonte ata si barbarë, domethënë të huaj, dhe po ashtu, përpara tij Homeri na rrëfen se ata rendën në ndihmë të Trojës së rrethuar nga Grekët.

Nga ana e tij, Justini na siguron se Maqedonasit ishin Pellazgë, dhe Straboni thotë se ata kishin të njëjtën veshje, flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat zakone me Epirotët. Më së fundi, ne kuptojmë prej komplotit ushtarak, ku ishin implikuar gjeneralët dhe oficerët maqedonas, Parmenioni, Filota, dhe të tjerë, -komplotin e të cilëve Kuint-Kyrs na e ka ruajtur me hollësi -se Maqedonasit nuk flisnin greqisht dhe se, për tu marrë vesh, ishte i nevojshëm një përkthyes.

Është e vërtetë se në kohën e Arkelaut (413 para Kr.), u vendosën marrëdhënie politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, dhe, për më tepër, një i ri maqedonas shkonte në shkollat e Athinës për të përmbushur studimet e kryera në Maqedoni me mësues privat. Aristoteli ishte një nga ata. Por gjithashtu, vërejmë se Grekët nuk i donin ata, dhe se, me vdekjen e Aleksandrit të Madh, vetë Aristoteli u detyrua të kërkonte strehë në Eube, ku vdiq në vitin 322 para Kr. Mbretërit e parë të Maqedonisë i kishin selitë e tyre në Egea (Edesë ose Vodina). Por, Filipit II iu duk më e përshtatëshme të qëndronte në Pela. Nga Karani deri tek Aleksandri i Madh, Euzebi llogarit 24 mbretër, Velei Paterkuli numëron 17, kurse Justini 12 të tillë.

Por historia nuk ka ruajtur në kujtesë ngjarjet që kanë ndodhur nën mbretërimin e pjesës më të madhe të tyre:

Megjithatë, ajo na thotë se, -nën mbretërimin e Amintas I, i vdekur 500 vjet para Kr., Maqedonia u pushtua nga Persët dhe iu nënshtrua aleancës me ta, -se Kserksi stërviti Aleksandrin e I, gjatë ekspeditën e tij në Greqi (v. 480), -se Perdika II u lidh me Spartanët kundër Athinasve (v. 423), -se oborri i Arkelaut ishte strehë për grekët e përndjekur në vendin e tyre, si Euripidi për shembull, -dhe se, më pas, Lakedemonët me Brasidën, Tebanët me Pelopidën, me ndërhyrjet e tyre shtuan trazirat, teatër i të cilave ishte Maqedonia.

Por, me ardhjen e Filipit II (v. 359), punët e Maqedonisë morën një drejtim tjetër. I dërguar peng në Tebë nga Pelopida, Filipi i shpëtoi mbikqyrjes së rojeve të tij, dhe u arratis në Maqedoni. Perdika, parardhësi i tij, kishte humbur jetën në një betejë kundër Bardhylit plak, mbretit të Ilirisë. Filipi nisi hakmarrjen për vdekjen e tij, dhe i caktoi një tribut Agit, mbretit të Peonëve. Më vonë, do të shihet të mbartet lufta në vijimësi, deri në Bosfor dhe deri në Danub. Por, ajo çka ai dëshiron fillimisht, është tu rimarrë Grekëve Amfipojën, Potidën, dhe brigjet që ata ia kishin rrëmbyer Maqedonisë. Meqë Demosteni iu shit mbretit te Persëve, Filipi vuri përballë tij Eskinin, e ndërsa këta dy oratorë argëtonin Grekët, Filipi sulmonte. Grekët iu drejtuan dy herë atij që të respektonte territoret e kushtuara zotit të tyre Apolon, dhe secilën herë ai e kreu misionin e tij në një mënyrë që, pasi i kishte mundur si njërën palë dhe tjetrën, e gjeti veten zot të Greqisë. Më kot, atëhere, Athinasit dhe Tebanët morrën armët. Filipi i dërrmoi ata në Keronea, ku Demosteni, frikacak jo më pak se llafazan, ishte i pari ndër ata që ia mbathën (v. 338).

Duke vënë re atëhere se shpirti grek kishte nevojë për pakëz ngushëllim, Filipi u propozoi atyre një ekspeditë kundër mbretit të Persisë, dhe Grekëve iu duk i admirueshëm ky projekt që i jepte fund rrënimit të çështjeve të tyre. Por Filipi u vra në mes të përgatitjeve të tij (v. 336). Filipi vdiq, dhe Grekët besuan se ishin të lirë. Por rrënojat e Tebës, ku Aleksandri nuk kurseu veçse shtëpinë e Pindarit, i bëri ata të kuptojnë shumë shpejt se vetëm sa kishin ndërruar padronin. Me hir a me pahir, ata ishin të detyruar ti nënshtroheshin vullnetit të Aleksandrit, dhe të përmbushnin gjithçka që ai do kërkonte prej tyre. Përsa i përket vetë Aleksandrit, -fitimtar në Granika (v. 334), fitimtar në Isus (v. 333), fitimtar në Arbela (v. 331), -ai i shtyu fitoret e tij në veri deri në Baktriani, në jug deri në Indi, dhe vdiq në Babiloni (v. 323), në moshën 32 -vjeçare.

Mjafton ti hedhësh vështrimin gjendjes shpirtërore në Greqi, për të kuptuar se populli kishte nevojë për një udhëheqës. Filipi dhe Aleksandri u kishin hequr të drejtën municipale të luftërave vetjake, dhe e kishin zëvendësuar gjendjen e luftërave të parreshtura me një gjendje rregulli dhe paqeje. Kjo ishte një mirësi e paçmueshme. Por, as Athinasit, as Spartanët, as Tebanët, nuk arritën ta kuptonin dot. Me vdekjen e Aleksandrit, ata ngritën krye, dhe u shtypën nga Antipatri në Kranon (v. 322). Dhe pikërisht në atë kohë, dy sherrxhinjtë e Greqisë, Demosteni dhe Hiperidi, vdiqën - Demosteni në Kalauri dhe Hiperidi në Egjinë. Sa elozhe janë ngritur, çfarë lëvdatash thurën Grekët e kësaj epoke të shquar! Vetë Demosteni na thotë se kush qenë ata, dhe se sa vlenin.

Në kapitullin e nëntë të Filipikës së tretë të tij, po Demosteni vetë u thotë Grekëve nga lartësia e tribunës:

-”Njëherë e një kohë ishte diçka e rëndë për tu pajtuar me korruptimin, dhe fajtori ndëshkohej me rreptësinë më të madhe; atëkohë nuk mund ti blenin rastet e volitëshme as oratorët dhe as gjeneralët; atëhere nuk shitej as mirëkuptimi që duhej të sundonte midis Grekëve, as mosbesimi që duhej shprehur ndaj tiranëve dhe barbarëve. Në ditët tona, e gjithë kjo shitet si në ankand. E kanë zili atë që e merr, e qeshin atë që e pohon, falet ai që është zhytur në të”. Dhe diku tjetër në kapitullin12, po ky gojëtar thotë: -”Ndërkohë që grekët e tjerë nuk janë në pozita më të mira se ju vetë, a duhet që qortimet tona të bien vetëm mbi ju?”.

Në kapitullin e katërmbëdhjetë të Filipikës së katërt të tij, Demosteni iu përplas në fytyrë këto fjalë Athinasve:

-”Sa herë që jepet rasti për të vepruar keni qënë të shitur, dhe në vend të bëni që pesha e zemërimit tuaj të bjerë mbi ata që iu tradhëtuan, ju nuk mendoni tjetër, veçse të shijoni kënaqësinë që sjell rehatia dhe plogështia”.

Aleksandri kishte vdekur, dhe Antipatri në fillim e Polisperkoni më pas, qeverisën Maqedoninë në emër të Arrhideut -vëllait të tij, dhe në emër të Argosit -birit të tij të lindur pas vdekjes. Por, më pas, Kasandri hypi në fron dhe vrau të mirënjohurën Olimpia. Dhe që prej asaj kohe, Maqedonia kaloi me rradhë, nën zgjedhën e një mbreti të Epirit-Pirro, të një mbreti të Trakës-Lisimak, të një princi të dinastisë së Lagëve-Ptoleme Keranit, dhe të shumë komandantëve ushtarakë: Meleagri, Antipatri, Sosteni, deri sa Antigon Gonati shtiu në dorë kurorën (v. 278), të cilën familja e tij e ruajti deri në pushtimin romak (v. 169). Në kohën e Gonatit, nga viti 281 deri në 278, të ndarë në trupa të shumtë, Keltët danubianë pushtuan Maqedoninë, Greqinë dhe Trakën. Në Greqi ata plaçkitën tempullin e Delfit, në Maqedoni varret e mbretërve, ndërsa në Trakë ata rrethuan Bizancin. Të thirrur më pas prej Trakës në Azi nga Nikomedi, mbreti i Bitinisë, ata morën në Frigji, si shpërblim për shërbimet që i bënë Nikomedit, provincën e Galatisë, krahinë prej së cilës, herët a vonë, do të shohim të ngrihet perandoria Otomane.

 

 

 

Shënime:

 

-Histioki (Hestiotia) -krahinë në Thesali.

-Foki (Fokidë) -krahinë në jug të Thesalisë.

-Karani -mbreti i parë i Maqedonisë, i përmendur nga Justini.

-Strimon -lumë i Thrakisë dhe krahinë e qytet po aty, në verilindje të Kalkidikisë.

-Argos -emër i vjetër i Thesalisë, dhe qytet i Amfilokisë.

-Demosteni -politikan dhe orator i Athinës (384-322), i njohur për “Filipikat”.

-Kuint-Kyrs (Quinte-Church) -historian latin i shekullit I p.e.s., autor i “Jeta e Aleksandrit”.

-Euzebi i Çezaresë -(265-340 p.e.s.).

-Velleius Paterculus -historian latin (19 p.e.s.-31 e.s.), autor i “Histori”, përmbledhje e historisë së përgjithëshme.

-Agi -mbret i paonëve, i përmendur nga Diodori në lidhje me luftën e Filipit II kundër Paionisë.

-Amfilopoja (Amfipoja) dhe Potida -qytete në Maqedoninë e jugut, në bregun e Kalkidikisë dhe jug të Filipisë.

-Eskini -orator athinas (390-314 p.e.s.), rival i Demostenit.

-Keronea -qytet në Beoti ku Filipi mundi athinasit dhe tebanët.

-Granika -breg në Azinë e Vogël ku Aleksandri mundi Darin III të persëve.

-Isus -në Kiliki, Azi e Vogël; -Arbela -kryeqendër e Asirisë; -Baktrianë -në Azinë e vjetër në veri të Afganistanit.

-Hiperidi -orator dhe politikan athinas, bashkëkohës i Demostenit.

-Kalauri -ishull në Greqi, mbi bregun e Argolidës.

 

 

Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial

 

© Robert Elsie, në Shqip

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0