Home | Culture | Epoka kristiane

Epoka kristiane

image
Në letrën e tij shkruar Romakëve (15. 19), Shën Pali thotë se ai kishte predikuar Ungjillin deri në Iliri, por...

 

Nga Jean-Claude Faveyrial

 

Atëkohë u vendos një heshtje e thellë në të gjithë universin, dhe, në mes të kësaj heshtjeje të thellë, lindi Jezu Krishti, paqëtori më i madh i popujve dhe i shpirtërave. Vetë Augusti e ndihmoi, pa e ditur, në vënien në jetë të dekreteve hyjnore. Profetët kishin thënë se Mesia, shpresa e popujve, kishte lindur në Betlehem. Regjistrimi i popullsisë, i urdhëruar nga perandori i madh, e detyroi Jozefin dhe Marien të shkonin atje. Mbretërimi i demonit do të pasohej nga perandoria e Jezu Krishtit dhe e Kishës së tij. Megjithatë, Augusti donte të përjetësonte kujtimin e fitores së tij. Ai e rrethoi me mure të fortë vendin ku ai kishte shtrirë fushimin e tij në Akti, duke ngritur ndërtesa të hijëshme dhe duke ua dhuruar ato një pjesë banorëve të Ambrakisë, dhe të tjerat banorëve të shumë qyteteve epirote që luftërat e mëparëshme i kishin shkatërruar. Në kohën kur Straboni viziton Nikopojën, popullsia e këtij qyteti ishte e shumtë në numër dhe tregëtia e saj lulëzonte. Nipi i vogël i Augustit dhe djali i vogël i Antonit, Germaniani, përfitoi nga çasti kur riparoheshin aty anijet e tyre, për të parë Nikopojën. Ai e vizitoi atë në tërësi, si dhe kampin e të mundurve dhe monumentet e ngritura nga ngadhënjyesi. Dhe kjo ishte për të - thotë Taciti -një ndijim i dyfishtë gëzimi dhe dhimbjeje. Krishtërimi u predikua këtyre anëve nga një prej apostujve më të mëdhenj. Shën Pali na bën me dije se ai vetë kaloi në Nikopojë, në dimër të vitit 64, dhe se dha një pritje në Shën Tite (Letra 3. 12). Në këtë kohë, vetë apostulli kishte predikuar tashmë Ungjillin në Maqedoni, sidomos në Filipe, Selanik dhe në Bereja (Veria). Letra që ai i shkroi nga Roma banorëve të Filipesë, dhe dy letra që ai shkroi nga Korinti banorëve të Selanikut, figurojnë midis librave të Testamentit të Ri.

Ky apostull ishte në Azinë e Vogël, kur një ëngjëll iu shfaq në formën e një plaku, dhe e ftoi të kalonte në Maqedoni pasi tashmë populli ishte i gatshëm të priste lajmin e ri.

Në letrën e tij shkruar Romakëve (15. 19), Shën Pali thotë se ai kishte predikuar Ungjillin deri në Iliri, por nuk dihet nëse ai ka kaluar nëpër Maqedoni apo nëse ka ardhur nga Adriatiku. Pasi u kishte predikuar Ungjillin popujve të Skithisë, Ilirisë dhe të Epirit, Shën Ndreu vdes në Patra. Për ti dhënë rëndësi e për të çoroditur të paditurit, patriarkët e Kostandinopojës ia atribuan këtij apostulli themelimin e qytetit të tyre. Nestori ia atribuoi atij edhe themelimin e selisë në Kiev. Pohime të tilla nuk i qëndrojnë dot kritikës, por është e vërtetë se vëllai i Shën Pjetrit predikoi Ungjillin në Bizanc. Vetëm Grekët e bënë atë të harronte atë çka kishte dëgjuar prej Jezu Krishtit ti thoshte Shën Pjetrit, dhe të bënin Prodromin ose Gjon Pagëzorin e një Foti. Aristarku, i martirizuar në kohën e Neronit, është i pari ipeshkv që ne gjejmë në Selanik. Por, me sa duket, ky qytet nuk duhet të ketë pasur vikarë apostolikë përpara Shën Askolit, të cilin e shohim të pagëzojë perandorin Teodori i Madh. Shën Dimitri ishte martirizuar këtu në kohën e Dioklecianit, në vitin 307. Heliodori, i pari ndër ipeshkvët që e gjejmë në Nikopojë, nënshkroi letrën e shkruar për kishat nga koncili i Sardikës ose Sofias. E njëjta letër ishte nënshkruar, po ashtu, nga Paregori, i pari ipeshkv që e gjejmë në Shkup. Në Shkodër ne nuk gjejmë ipeshkvë para Basit (fundi i shekullit të katërt), dhe Dyrrahu, që duket se ka qënë i drejtuar nga ipeshkvi Apolon, në kohërat apostolike u ngrit në metropoli vetëm në shekullin e pestë. Ipeshkvi Shën Ast, Peregrini, e shumë të tjerë, vuajtën mjaft aty nën Trajanin. I dëbuar nga Roma prej Domicianit, bashkë me filozofët e tjerë grekë, Epikteti u tërhoq në Epir, dhe qëndroi këtu deri sa ishte gjallë ky perandor (v. 90-96). Megjithatë, perandori Adrian e vlerësonte shumë atë. Por Lukiani tallet me një njeri që pagoi tre drahme për llampën që përdorte Epikteti. Blerësi kishte besuar se, duke punuar nën dritën e kësaj llampe, ai merrte nëpërmjet saj dijet e ish zotëruesit të saj. Përveç kësaj, filozofia e Epiktetit ishte ajo e filozofëve idhujtarë. Një i krishterë nuk i jep shumë rëndësi, meqënëse ka në Ungjill dhe në shembujt e shenjtorëve, parimet e mira dhe modelet më të larta.

Papa Eleuteri, që mbajti mbajti selinë papnore nga viti 177 deri në 186, ishte nga Nikopoja. Atij iu kërkua nga një mbret i Anglisë të bëhej i krishterë. Për atë dhe gjithashtu për parardhësit e tij, Shën Ireneu, arkipeshkv i Lionit na jep këtë dëshmi:

-Prej këtyre Papëve na është ruajtur tradita dhe predikimi apostolik. Duket qartë se besimi i madh fetar i këtyre ipeshkëve është i njëjtë me atë të apostujve, dhe se na është përcjellë prej tyre me të gjithë pastërtinë e tij. Nikopoja u rimëkëmb nga perandori Julian rreth vitit 361 pas Kr. Pallatet e saj - thotë Mamert -u shembën një kohë nga të gjitha anët, portikët e saj nuk kishin më çati, ujësjellësit nuk sillnin më ujë, dhe lojrat e tyre publike, të krijuara nga Augusti, e të hedhura poshtë nga të krishterët, nuk tërhiqnin më njeri aty. Nikopoja ishte pushtuar dhe plaçkitur nga Xhenseriku, në vitin 475. Ambasadori grek iu ankua atij duke e cilësuar si një akt armiqësie, dhe Xhenseriku u përgjigj:

-”Kisha të drejtë të veproja atëhere si armik. Tashmë, ju më propozoni paqen, unë jam gati të mirëkuptohem me ju”.

Nikopoja u rrënua, gjithashtu, edhe nga mbreti i Gotëve, Totila, në vitin 542. Flitet se qyteti u shkatërrua edhe nga ardhacakët bullgarë të vitit 933. Kedreni shkruan se, vetëm duke qënë të detyruar të linin Bullgarinë, ithtarët e një farë Mikeli gjetën aty strehë. Qyteti u mor nga Dolioni më 1040, -shton Kedreni. Shkatërrimi i Nikopojës, pra, ishte ose vepër e kohës, ose e Grekëve. Nikopoja, për një kohë të gjatë, ishte metropolia e gjithë Epirit. Roli që luajtën ipeshkvët e saj ishte nga më të nderuarit. Ne gjejmë Heliodorin në koncilin e Sardikës, Donatin në atë të Efesit, Atikun në atë të Kalkedonisë. Eugjeni jetoi nën perandorin Zenon, Alkizoni nën Anastasin, Danieli nën Leon Dijetarin. Kur në shekullin e 12-të, Nikopoja ishte shkretuar, qoftë për shkak të Saraçenëve të Kartagjenës, qoftë prej shkaqesh të tjera, të drejtat e saj të metropolit i kaluan në fillim Naupaktit (Lepanto), në vijim Artës, e më tej Janinës.

Por çfarë ndryshimi midis ipeshkëve të Janinës dhe atyre të Nikopojës. Për të mos u kthyer më në këtë qytet, le të themi më së fundi se, në vitin 1792, një konsull i Francës, M. dë Lasal, u vra atje nga një ushtar i kapedan Lepeniotit, dhe se, në vitin 1798, një trupë prej 280 francezësh u zhduk në këto rrënoja të vjetra, pasi luftoi aty shumë ditë kundër forcave 20 herë më të mëdha të Ali Tepelenës.

Ata që mbijetuan -thotë Pukëvili -u dërguan në Janinë, të ngarkuar me kokat e shokëve të tyre, të cilat ua kishin rrjepur për së gjalli.

Nga goja e tyre, Pukëvili mësoi vuajtjet e pësuara gjatë robërisë në Shtatë Kullat e Kostandinopojës. Por, sa mizorisht e kanë pësuar Suljotët dhe Prevezasit tradhëtinë e tyre ndaj francezëve.

 

 

Shënime:

 

-Nikopoja -qytet në Epirin e vjetër, Preveza e sotme.

-gjendja e dyfishtë e Germanianit -Duke qënë nipi i Augustit dhe i biri i Antonit, duhej të përjetonte ngadhënjimin e

të parit dhe humbjen e të dytit, në betejën e njohur të Aktit.

-Bereja -Veria e sotme, qytet mbi gjirin e Selanikut, në jug të Edesës.

-Patra -qytet në bregun veriperëndimor të Peloponezit.

-Serdika -qytet i vjetër, në Sofjen e sotme.

-Trajani (98-117 e.s), Domiciani (81-96), Adriani (117-138), Juliani (361-363) -perandorë romakë.

-Epikteti -filozof stoik i shekullit I, lindur në Frigji.

-Lukiani -shkrimtar i lindur në Siri (125-192).

-Kedreni -autor bizantin me Përmbledhje historish për mesjetën.

-Totila -mbreti i Ostrogotëve (541-552).

-Xhenseriku (428-477) -mbreti i parë i Vandalëve që u instaluan në Afrikën Veriore.

-Efes -në veriperëndim të Azisë së Vogël; -Kalkedonia -në Azinë e Vogël.

-Zenoni (474-491), Anastasi (491-518), Leon Dijetari (866-912) -perandorë romakë të Lindjes (Perandorisë Bizantine).

 

 

Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial

 

 

© Robert Elsie, në Shqip

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00