Filozofët paganë – ndarja e perandorisë romake
-Diokleciani -perandor romak ((284-305), me origjinë ilire nga Salona, reformator vendosi tetrarkinë, ndau perandorinë
Nga Jean-Claude Faveyrial
Shën Gaji, Shën Donati dhe Shën Askoli – filozofët paganë – ndarja e perandorisë romake
Shqipëria e jugut (Epiri) i pati dhënë një papë Kishës Katolike. Shqipëria veriore i dha një tjetër. Ne dëshirojmë të flasim për Shën Gajin, nipin e perandorit Dioklecian, që për 12 vjet (283-296) mbuloi drejtimin e selisë së Shën Pjetrit. Një Shqiptar, pra, gjendej në krye të Kishës, në të njëjtën kohë kur xhaxhai i tij ishte në krye të perandorisë. Tashmë, fakti që nipi i perandorit Dioklecian ishte papë, dhe se gruaja e tij Priska dhe e bija e tij Valeria ishin të krishtera, dëshmon bindshëm se numri i të krishterëve duhet të ketë qënë i madh në oborrin e tij, dhe se ai vetë pak rëndësi do ti ketë kushtuar paganizmit. Por, duke mos qeverisur dot vetëm, ai u rrethua nga njerëz që e detyruan të përndiqte kristianizmin. Ky ishte shkaku fillestar i gabimeve që e bënë të urryer kujtimin e tij. Midis tjerash, thuhet se ai shpresonte të bënte për vete Galerin, duke e martuar me Suzanën, mbesën e Papa Gajit. Por, meqë pati bërë betimin e virgjërisë me duart e papës, xhaxhait të saj, Suzana refuzoi dorën e Galerit. Dhe kjo solli si rrjedhojë urrejtjen e skëterrëshme kundër të krishterëve që dallojmë tek Galeri. Valeria, e bija e Dioklecianit, u detyrua atëhere të martohej me Galerin dhe të hiqte dorë nga kristianizmi. Por sa fatmjerë ishte ajo pas kësaj! Të arratisura për një kohë të gjatë, dhe të kërkuara më kot prej Dioklecianit, Valeria dhe Priska përfunduan të fshehura në Selanik. Por Licini, duke zbuluar strofkën e tyre, i detyroi të hidheshin në det. A e kish parashikuar se, ai vetë bashkë me të birin e tij, do të vriteshin po aty, më pas, nga Konstandini i Madh?
Dy filozofë të Epirit, Prisku dhe Hifikli, luajtën një rol të madh në oborrin e Julianit. Në kohën e Valentinianit, Prisku u akuzua për magji. Por doli i pafajshëm dhe u dërgua përsëri në Epir, ku vdiq nga dhimbja prej lajmit se tempulli i Eleuzisë, ku idhujtaria ishte e mbrojtur si në një fortesë, ishte përmbysur nga Alariku (v. 396). Hifikli, filozofi tjetër i Epirit, por filozof cinik, kishte qënë, gjithashtu, mik i afërt me Julian Apostatin. I ngarkuar prej Epirotëve të shkonte në oborrin e Valentinianit për ti bërë lëvdata guvernatorit Probi, ai e teproi kaq shumë, saqë Valentiniani e pyeti nëse lëvdatat e tij ishin vërtet të sinqerta. “Madhëri, -iu përgjigj Hifikli -midis zhvatjeve që na bëjnë të rënkojmë, lëvdata që Probi shkëput prej nesh, është ajo që na kushton më pak”.
Duke mësuar më pas, se të gjithë Epirotët e shquar që ai kishte njohur, ishin vrarë ose më tepër kishin kërkuar strehë përtej detit, Valentinianit i hipi një zemërim i madh, pasojën e të cilit Probi do ta kishte ndjerë patjetër, nëse Valentiniani nuk do kish vdekur nga një tërbim edhe më i madh (v. 375). Në momentin kur, prej filozofisë së tyre të vjetëruar, Prisku dhe Hifikli nderonin në Epir paganizmin që po jepte shpirt, Donati, ipeshkvi i Evorit, nderonte atje kristianizmin në sajë të virtyteve të tij të pashembullta. Autorët thonë se kryheshin shumë mrekulli në varrin e tij. Donati rrojti deri në kohën e perandorit Teodos. Nuk dihen as koha e as hollësitë e vdekjes së tij të mirësishme. Në po atë periudhë, kur Shën Donati e bënte shembull Epirin me virtytet e tij, Shën Askoli lartësonte të gjithë Ilirinë me të tijat. Shën Askoli ishte me origjinë nga Kapadokia dhe mik i veçantë i Shën Bazilit të Madh. Duke patur frikë se mos ngjitej në fronin episkopal, ai u arratis në Akai. Aty ai ishte murg kur u zgjodh për selinë e Selanikut. Një zgjedhje e tillë ishte mëse e pranueshme për Papa Shën Damazin, aq sa ai i besoi atij dhjetë krahinat që krijonin në atë kohë vikariatin e Ilirisë dhe që përfshinte, ndër të tjera, të gjithë Shqipërinë.
Duke qenë i sëmurë në Selanik, Teodosi i Madh e thërret Askolin dhe e pyet nëse ishte arian apo katolik. Katolik, -u përgjigj Askoli -dhe, falë Zotit, e gjithë Iliria ka ruajtur të paprekur besimin e Nikesë, pavarësisht ndonjë intrige që u përdor për ta shtyrë atë drejt humbjes së këtij besimi. I kënaqur pamasë nga kjo përgjigje dhe nga ky takim, Teodosi lejoi pagëzimin, dhe, i shëruar pas pak ditësh, shpalli besimin cunctos populos, ku iu ndalohej heretikëve të merrnin emrin e katolikëve (v. 380). Një vit më parë (v. 379), u realizua ndarja midis perandorëve Gracian dhe Teodos. Për këtë duhet besuar Le Bo (lib. 20, k. 44), se Graciani i la Teodosit Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa Selaniku do të bëhej kryeqyteti i Ilirisë lindore. Dhe në Epir u tërhoq Alariku, pasi kishte plaçkitur Greqinë në vitin 396. Ai qëndroi aty fillimisht tre vjet, dhe, më pas (v. 405), kaloi dimrin në të, duke pritur të vinte Stilikoni e ta ndihmonte për të pushtuar Ilirinë. Por, meqë Stilikonin e kishin vrarë, ai kaloi në Itali, dhe atje plaçkiti Romën (v. 410).
Përpara se të vdiste, Konstandini i Madh e pati ndarë perandorinë tepër të madhe të Romës, midis tre bijve dhe dy nipërve të tij. Pjesa e Dalmatit përbëhej nga Maqedonia dhe Shqipëria në qendër, në jug nga Greqia dhe ishujt, në lindje nga Thraka, dhe në veri nga Dakia. Me trupat dhe burimet e një shteti të tillë, Dalmati mund të ndalte barbarët e veriut, dhe kjo ishte pikërisht ajo çka dëshironte Kostandini. Por ai u vra prej fraksionit greko-arian, dhe përherë, që prej asaj kohe, kufiri i vendit mbeti i hapur ndaj sulmeve barbare. Të bashkuara sërish me në krye Teodosin e Madh, të gjitha krahinat e perandorisë u ndanë përfundimisht midis dy bijve të tij: Arkadit dhe Honorit. Rodopet në jug, Eski (Iskra, lumë i Sofjes) në veri, shërbyen si kufij për dy perandoritë. Maqedonia dhe Shqipëria, Greqia dhe Dakia (bullgaro-serbe) i përkisnin perandorisë së Perëndimit. Duke mos patur guxim t’ia hiqte këto krahina oborrit të Milanos, ku kishte selinë Honori, oborri i Bizantit i la ato të shkatërroheshin nga Alariku, prijësi i Gotëve (v. 396). Stilikoni vrapoi në ndihmë të tyre. Gotët u shtypën në Epir kur, për të shpëtuar Alarikun, Bizanti e shpalli atë komandant të ushtrisë. Të sulmoje atëhere atë ishte si të fusje në një luftë vëllavrasëse të dy perandoritë. Stilikoni parapëlqeu të kalonte përsëri në Itali. Që prej asaj kohe, dhe pa asnjë të drejtë, Shqipëria dhe Maqedonia, Greqia dhe Dakia, iu aneksuan perandorisë së Lindjes (v. 405).
Shënime:
-Diokleciani -perandor romak ((284-305), me origjinë ilire nga Salona, reformator vendosi tetrarkinë, ndau perandorinë
në dy dioqeza. U shoqëruan në perandori nga Maksimiani dhe dy çezarë (Konstanc Klori dhe Galeri).
-Galeri -perandor romak (293-311), dhëndrri i Dioklecianit.
-Julian Apostati -perandor romak (361-363), nipi i Konstantinit, u shkëput nga kristianizmi dhe iu kushtua paganizmit.
-Valentiniani I-perandor romak (364-375), me origjinë ilire nga Panonia, u shoqërua nga Valensi.
-Valentiniani II -perandor romak (371-392), i biri i Valentianit I.
-Valensi -perandor romak (364-378), shoqëroi vëllain e tij Valentinian I në krye të perandorisë, duke mbuluar pjesën
lindore.
-Alariku -mbret i Vizigotëve (395-410).
-Evori -qytet në Epir.
-Kapadokia -në Azinë e Vogël, qendra e perandorisë hitite, një prej vatrave të para të kristianizmit.
-Akai -provincë në veri të Peloponezit.
-Nikè -qytet në Azinë e Vogël (Anatoli), por edhe qytet në Lokridë në gjirin e Korinthit, si dhe qytet në Maqedoni.
-Graciani -perandor romak (375-383), lindi në Sirmium, i biri i Valentinianit I.
Teodosi (I Madh) -perandor romak (379-395), ndau perandorinë romake mes bijve të tij: Honorit (perandor i Perëndimit
(395-423) i thyer nga barbarët), dhe Arkadit (perandor i Lindjes (395-408).
-Rodope -male në Thrakë.
-Eski (Iskra) -lumë që buron nga Rodopet.
Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial
© Robert Elsie, në Shqip
Comments (0 posted)
Post your comment