Home | Culture | Koncilet e mbajtura në Iliri

Koncilet e mbajtura në Iliri

image
-Justiniana (Bederiana) -qytet në Dardani, në lindje të Shkupit.

 

 Nga Jean-Claude Faveyrial

 

-Përpjekja e patriark Atikut mbi Ilirinë – Përgjigjia e Teodosit II drejtuar Honorit - tridhjetepesë vjet të skizmave - përgjigje e ipeshkëve ilirë - Koncilet e mbajtura në Iliri.

 

 

Meqë Bizanti kishte rrëmbyer krahinat që Teodosi i kishte dhënë më të voglit të fëmijëve të tij, Atiku, peshkopi i këtij qyteti, nuk vonoi të nxirrte një dekret perandorak për të kaluar në tribunalin e tij gjykimet e çështjeve madhore në Iliri (v. 421). Ende prift i thjeshtë, po ky Atik kishte kontribuar më shumë se çdokush tjetër për të çuar në ekzil Shën Krisostomin, me anë të intrigave, shpifjeve dhe dëshmive të rreme të tij. Përvehtësues i selisë së Kostandinopojës, nuk është për tu çuditur që Atiku ndërmorri edhe uzurpimin e pushtetit të papës në Iliri. Megjithatë, papa kërkoi të drejtën e tij. Ai iu drejtua me një letër perandorit Honor i cili, nga ana e tij, i shkroi Teodosit II:

“Nën perandorët kristianë -i thotë, midis tjerash, Honori -kisha romane nuk duhet të humbasë atë çka nuk e humbi nën perandorët paganë”.

Atëhere, në një letër që ne e kemi ende, Teodosi i përgjigjet xhaxhait të tij se ai kishte dhënë urdhërat, dhe se asnjë ndryshim nuk do të bëhej në shtetin e moçëm për çështjet kishtare. Papa Siksti u shkroi ipeshkëve të Ilirisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Dardanisë dhe Greqisë, të mbledhur në Selanik (v. 435), se, në vend të Rufit që kish vdekur pak kohë më parë, ai ia kalonte juridiksionin e tij ipeshkvit Anastas. Prej kësaj letre kuptohet se ndryshimi i një vikari nuk sillte asnjë ndryshim në çështjet kishtare.

“Me pëlqimin e Anastasit çdo metropolit do të bënte shugurimet në krahinat e tij. Por, përpara se të paraqitej një kandidat para vikarit apostolik, atij duhet ti kontrolloheshin me kujdes cilësitë dhe të metat e tij. Më së fundi, të gjitha problemet kryesore në lidhje me çështjet fetare do ti raportoheshin vikarit apostolik”.

Në këtë periudhë nuk vërehet të ketë pasur ndryshime në Shqipëri dhe në pjesën tjetër të Ilirisë. Por, në Kostandinopojë ne shohim patriarkun Akas të nisë një skizmë 35-vjeçare. Ipeshkvët e Ilirisë, jo vetëm që nuk morën pjesë në asnjërin krah, megjithë ndonjë nxitje që u bëhej atyre nga Kostandinopoja, por, për më tepër, i shohim të shfaqin hapur besnikërinë e tyre ndaj selisë apostolike. Domethënë, për bindjen e tyre ndaj pushtetit që ajo mori nga Jezu Krishti me anë të figurës së Shën Pjetrit. Duke iu përgjigjur Papa Shën Gjelasit, ata thonë se kanë shmangur molepsjen kutërbuese të Akasit, të Pjetër Mongesë dhe të idhtarëve të tyre, dhe se ata do të mbeten të nënshtruar paprekshmërisht ndaj selisë së Shën Pjetrit, dhe se do të ruajnë të pacënuar besimin ortodoks, predikues i të cilit është Shën Gjelasi. Lauranti i Ohrit njofton, gjithashtu, papën se letrat e parardhësit të tij kundër Akasit dhe ithtarëve të tij, ishin lexuar në kishën e Selanikut dhe në të gjitha kishat e krahinës.

Gjithçka ishte në paqe në kishat e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Greqisë, dhe të Dakisë, në kohën kur skizma e Akasit dhe herezia e Eutikut shpërthyen në Lindje. Dhe, ashtu si besimi mbeti i paprekur, administrimi i të gjithë kishave mbeti deri në perandorin Justinian, ai që kishte qënë gjithmonë, domethënë, në duart e një vikari apostolik. Por më vonë, Justiniani kërkoi, dhe u lejua nga Papa Shën Agapit (v. 535) dhe nga Vigjili (v. 545), që vikariati apostolik i Selanikut të ndahej midis ipeshkëve të Selanikut dhe Justinianës. Megjithatë, Justiniana, rrënojat e të cilës shihen pranë Kystendilit, u shkatërrua nga Avarët. Atëhere u desh të tërhiqej në Ohër vikaria apostolike e Ilirisë së Epërme, dhe aty mbeti deri në vitin 1767, kur intrigat fanariote ia dolën në krye ta heqin atë nëpërmjet një perandori otoman. Sa i përket vikariatit të Selanikut, ai tashmë ishte hequr që në vitin 735 nga perandori grek Leon Izauriani. Ky perandor, ikonoklast vetë, kishte ngritur një patriark ikonoklast në selinë e Kostandinopojës, dhe, për ta shpërblyer atë për apostazinë e tij, ai i dhuroi vikariatin e Selanikut, që i ishte hequr papës, si dhe ipeshkvitë e tjera që i ishin hequr Patriarkut të Antiokisë.

Përpara se të ecim më tej, le të themi disa fjalë për koncilet kryesore të mbajtura në Iliri. Ai që mblodhi perandori Valentinian në vitin 375, dhe ku u gjendën ipeshkvët e Ilirisë, meriton të përmendet në mënyrë të veçantë. Të molepsur nga arianizmi, lindorët nuk donin aspak të pranonin Trininë e shenjtë. Sipas tyre, aq sa ka tek Perëndia persona aq ka dhe entitete: tre persona e si rrjedhim tre Perëndi. Siç shihet, ky ishte një rikthim në paganizëm. Ipeshkvët e Ilirisë e dënuan këtë herezi dhe e shoqëruan dekretin e tyre dogmatik me një letër drejtuar ipeshkëve të Azisë së Vogël dhe të Frigjisë. Vetë Valentiniani, i cili atëkohë ishte në Iliri, bashkëshoqëronte njërin dhe tjetrën me një reskript perandorak, ku ai këmbëngul për atë që, t’i jepej Perëndisë ajo çka i takon Perëndisë, dhe Çezarit ajo çka i takon Çezarit. Valensit i duhej të përkrahte vëllanë e tij. Ai pëlqeu të mbështeste arianizmin dhe t’ua diktonte atë Gotëve, të cilin Hunët e çuan përtej Danubit. Të porsa arianizuar, Gotët do të bëhen katastrofa e perandorisë, dhe aty për aty, ata do të djegin Valensin në një kasolle në afërsi të Adrianopojës (v. 378).

Tre sinodet e tjera, që historia thotë se u mbajtën në Iliri, në vitet 415, 516, dhe në 550, nuk ofrojnë ndonjë gjë të veçantë. I pari është në lidhje me Perigenin, ipeshkv i Korintit, të cilin nuk e pranonin aspak ipeshkv në Patra, -i dyti për herezinë eutikiane, -dhe e treta për dhunimet e ushtruara nga Justiniani kundrejt Papa Vigjilit dhe Benenatit, primat i Ilirisë, në lidhje me tre kapitujt. Vetë ipeshkvët ilirë ishin të mendimit se nuk duhej ngatërruar një autor me shkrimet e tij, dhe, me fjalë të tjera, mund të jenë shkruar gjëra të gabuara dhe të jenë tërhequr më pas, dallim që perandori grek nuk e bëri dhe nuk e pranoi. Prej kësaj rrjedhin dhunimet e urryeshme kundër papa Vigjilit dhe pjesës tjetër të ipeshkëve ortodoksë.

 

 

 

Shënime:

 

-Eutiku -herezist bizantin (378-454), sajoi doktrinën monofiziste, të dënuar nga koncili i Kalkedonisë.

-Akasi -(471-489), patriark i Kostandinopojës, skizmatik, i mbrojtur nga perandori.

-Justiniana (Bederiana) -qytet në Dardani, në lindje të Shkupit.

-Leon Izauriani -perandor i Bizantit (717-741).





Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial


 

© Robert Elsie, në Shqip

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0