Home | Culture | Iliria nën Anastasin, Justinin dhe Justinianin

Iliria nën Anastasin, Justinin dhe Justinianin

image
Justini -perandor i Lindjes (518-527), lindi në Bederiana (Justiniana Prima) në Dardani...

 

 

Nga Jean-Claude Faveyrial

 

 

-Iliria nën Anastasin, Justinin dhe Justinianin –

Pritja e legatëve të Papa Shën Hormizdasit në Aulonë, në Skampin, në Ohër – shkresa 131 e Justinit.

 

Ne kemi parë se Perandori Dioklecian ishte nga Dioklea, për rrjedhojë Shqiptar. Perandori Anastas, po ashtu. Ai lindi në Dyrrah, në vitin 430. Prindërit e tij ishin të varfër, por ai vetë nuk dukej të ishte pa vlera. Më 491 ai u ngjit në fron nga perandorja Ariadna. Më parë ai duket se ka qënë zemërndjeshëm por, pasi u bë perandor, u soll njëlloj si të tjerët, domethënë si njeri i pafè. Qysh në fillim, -thotë Lë Bo (libri 3, k.11) -në kurriz të bashkatdhetarëve të tij, ai ngriti rreth Dyrrahut një mur mbrojtës të trefishtë, pastaj ai i detyroi provincat të jepnin në para atë çka deri tani e kishin dhënë në natyrë, për mbajtjen e trupave, në të të cilat shfaqej një rrëmujë e paanë. Më vonë, Justiniani rivendosi mënyrën e vjetër të vjeljes së taksave. Atë e akuzojnë, gjithashtu, se i ka vënë zjarrin edhe vetë akteve origjinale të Koncilit të Kalkedonisë. Por a iu dha mundësia atij që ta bënte këtë? Dy lloj çështjesh arritën të vendoseshin në këtë koncil: -çështja e besimit dhe çështja e disiplinës. Patriarkët e Kostandinopojës pranuan vendimin e së parës, por ambicia e tyre i shtyu ta refuzojnë të dytën, dhe të mos pranonin kufij mbi të. I mërzitur nga grindjet e tyre -edhe me papën, edhe me patriarkun e Aleksandrisë, -i lodhur gjithashtu nga kotësitë e përditshme, Anastasi dërgoi të merreshin aktet e koncilit dhe i flaku në zjarr. Duke ditur nga njëra anë se arkipeshkvi i Selanikut duhej të qeveriste në emër të papës Maqedoninë, Shqipërinë, Greqinë dhe Dakinë, e nga ana tjetër, duke parë se patriarkët e Kostandinopojës kishin arritur ta korruptonin atë, -ipeshkvët e Maqedonisë dhe Shqipërisë u bashkuan rreth 40 vetë, dhe, në një koncil krahinor, ata hodhën poshtë njëzëri juridiksionin e paligjshëm të Doroteut. Meqë Alizoni, Arkipeshkvi i Nikopojës, kishte vdekur në Kostandinopojë, ipeshkvët e krahinës caktuan një tjetër në vend të tij me miratimin e papës. Doroteu i tërbuar nxiti guvernatorët të përndiqnin ipeshkvët. I njoftuar për intrigat e tij, Papa Shën Hormizdas i shkroi në vitin 517:

-”Nuk është Gjoni i Nikopojës, por jeni ju vetë që shkelni me këmbë zakonet e vjetra. Si legat i selisë eprore, ju keni padyshim juridiksionin mbi Ilirinë perëndimore, por me çfarë të drejte ju pretendoni të ruani privilegjet prej atyre, urdhëresat e të cilëve ju sot nuk i respektoni? Si guxoni ju të kërkoni një bindje ndaj një feje kur ju vetë nuk e kini? Respektoni si duhet Zotin, dhe do të merrni me lehtësi atë çka njerëzve u takon të marrin”.

Një vit më vonë (518), Justini u ngjit në fronin e Kostandinopojës dhe solli një varg ndryshimesh në të. Me inortodoksinë e tyre, dy parardhësit e tij, Zenoni dhe Anastasi, e kishin turbulluar kishën e shtetin jo më pak sesa pesë apo gjashtë patriarkë për arsye të ambicjes së tyre. Për të qetësuar njërën dhe tjetrin, Justini iu drejtua Papa Shën Hormizdasit. Legatët e papës, të thirrur nga Justini, përshkuan Shqipërinë dhe kudo u pritën si të dërguar të Zotit. Në Aulonë pritja që iu bë atyre ishte e mahnitëshme, dhe entusiazmi i përgjithshëm. Diçka krejt tjetër ishte në Skampin (Elbasan) dhe në Lyhnid (Ohër). Në Skampin ipeshkvi Troi doli para tyre bashkë me klerikët dhe popullin e tij. Burrat dhe gratë mbanin qirinj. Ushtarët mbanin kryqe. Troi nënshkroi më pas deklaratën e ortodoksisë, të dërguar nga Roma, dhe predikoi për popullin e mbledhur në kishën e Shën Pjetrit.

“Është e vështirë -thanë legatët, duke i shkruar Papës, - të gjesh një popull me kaq përkushtim, kaq lotë, kaq gëzim”.

Në Lyhnid pritja ishte e ngjashme me atë të Skampinit. Formulari i papës u lexua më pas në kishë dhe u nënshkrua nga ipeshkvi Teodoret. Në Kostandinopojë ai u nënshkrua nga më tepër se dymijë ipeshkvë, priftërinj dhe murgjër. Pastaj u fshinë nga diptikët emrat e gjashtë patriarkëve: Akasi, Praviti, Timoteu, Eufemi, Makedoni dhe Timoteu, të cilët kishin turbulluar kishën. Duke shoqëruar në fillim në perandori xhaxhain e tij Justinin, pastaj duke u bërë vetë perandor, Justiniani shndërroi në qytet të shkallës së parë fshatin Taurezi, ku ai kishte lindur. Me urdhër të tij, ai u rrethua nga mure të fortë, u zbukurua me portikë, dhe u ndërtuan në të kisha të hijëshme (shih Prokopin). Si e kreu këtë punë, Justiniani i kërkoi -siç thuhet -Papa Shën Agapitit që vikariati i Selanikut të ndahej më dysh në favor të Justinianës, atdheut të tij. Shën Agapiti i mirëpriti dëshirat e Justinianit, dhe këtij perandori i dërgoi reskriptin në Katili (v. 535). Vigjili ripohoi veprën e parardhësit të tij, siç del nga shkresa 131 (v. 545), ku vetë perandori thotë pë të:

“Arkipeshkvi fatlum i Justinianës së parë, atdheut tonë, do të ketë nën proteksionin e tij Dakinë Mesdhetare, Dakinë buzë lumenjve, Prevalitaninë, Dardaninë, Myzinë e epërme, dhe Panoninë. Ai do të shugurojë ipeshkvët e krahinave të lartpërmendura, do të jetë i shuguruar nga këshilli i tij, dhe, në hapësirën e juridiksionit të tij, ai do të jetë në vend të selisë së Romës, gjithçka në përputhje me atë që ka përcaktuar i shenjti Shën–Papa Vigjili”.

 

 

Shënime:

 

-Anastasi -perandor i Lindjes (491-518), nga Durrësi, mbrojti monofizizmin.

-Justini -perandor i Lindjes (518-527), lindi në Bederiana (Justiniana Prima) në Dardani.

-Justiniani I -perandor i Lindjes (527-565), lindi në Tauris në Dardani, pranë Shkupit, hartues i kodeve juridike dhe

konstruktor i shumë qyteteve dhe fortesave në Ballkan.

-Prevalitania -një nga ndarjet e Ilirisë në Perandorinë Romake që përfshinte trevat nga veriu i lumit Mat

(Ardaksani i lashtë) deri në Drina (Drinosi i lashtë) në Bosnjë, me Shkodrën kryeqendër, me kufij lindor Myzinë,

në jug me Epirin e Ri dhe në veri me Dalmacinë.

-Prokopi -historian i shquar bizantin (shekulli V-VI) i kohës së Justinianit, autori i “Mbi ndërtimet”, “Historia e luftërave”,

“Historia e fshehtë”. Përshkruan veçanërisht ndërtimet në Iliri.

 

 

Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial

 

© Robert Elsie, në Shqip

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0