Ipeshkët, Ohri
Shën Denisi merrte pjesë në koncilin e Sardikës ose Sofias...
Nga Jean-Claude Faveyrial
Vargu i parë i ipeshkëve të Ohrit – Shën Gregori i Madh ngrihet kundër titullit të patriarkut ekumenik –
Shën Denisi është i pari i ipeshkëve të Ohrit që përmend Lekyjeni në librin e tij Oriens christianus. Shën Denisi merrte pjesë në koncilin e Sardikës ose Sofias (v. 346). Ky koncil vendosi që, për të nderuar autoritetin e dhënë nga Jezu Krishti Shën Pjetrit, i duhej drejtuar papës, mëkëmbësit të tij, për të gjitha çështjet dhe hollësitë kryesore midis klerikëve. Shën Denisi, jo vetëm që nënshkruante vetë aktet e koncilit të madh, por gjithashtu, nënshkruante qarkore që ai u drejtonte gjithë kishave në favor të Shën Athanasit të madh të Aleksandrisë. Antoni është ipeshkvi i dytë që e gjejmë në Ohër. Kur arrin në Efes në vitin 449, ai rradhitet në anën e oborrit bizantin, dhe nënshkroi aktet e koncilabulave ose kaçakërisë. Por, më pas, e gjejmë nënshkrimin e tij në fund të letrës drejtuar perandorit Leon nga Sinodi i Epirit. Shën Proteri ishte vrarë në Aleksandri nga ithtarët e Eutikut, dhe, para se të vepronte kundër vrasësve, Leoni deshi të merrte mendimin e ipeshkëve. Me papën në krye, mendimi i njëzëshëm i ipeshkëve ishte që vrasësit e Proterit duhej të ndëshkoheshin. Lauranti duket se ka qënë pasardhësi i drejtpëdrejtë i Antonit. Duke ditur se Shën Gjelasi do të hipte mbi fron në selinë e Shën Pjetrit, Lauranti e njoftoi për ecurinë e letrës së Shën Feliksit, parardhësit të tij. Qarkorja e Shën Feliksit, drejtuar ipeshkëve të Ilirisë, ishte lexuar në Selanik, dhe në të gjitha kishat e tjera të vikariatit apostolik. Duke përfunduar, Lauranti kërkon edhe për vetë atë, edhe për ipeshkvët e tjerë, një përgjigje qetësuese. Përgjigja e papës është e vitit 495. Shën Gjelasi u përgjigjet ipeshkëve ilirë se “po të kishte qënë ai patriark, peshkopi i Kostandinopojës do t’u bindej jo më pak ligjeve kishtare, dhe se duhej të dënohej kur nuk i kryente detyrat e tij apo përhapte një doktrinë të gabuar, siç kishte ndodhur me shumë patriarkë grekë”. “Veç kësaj -shton papa, -sado që Akasi ta mbajë veten për patriark, ai nuk është i tillë”. Për ta bërë kishën e tyre një patriarkat, Bizantinët iu drejtuan Papa Shën Leonit, dhe Shën Leoni e hodhi poshtë kërkesën e Anatolit, të perandorit Marsian dhe të senatit. “Më në fund, -vazhdonte Gjelasi -vetë Anatoli arriti të pranojë se vetëm papa mund të lartësojë ipeshkvë të tjerë në pozitën e patriarkut”.
Më vonë, ishte Lauranti që mbrojti fenë kundër perandorit Anastas, dhe guximin e tij e pagoi me shtatë vjet burg në qelitë e Bizantit. Aty ai edhe u paralizua. Por ndodhi mrekullia, dhe ai u shërua në kishën e Shën Kozmit dhe Shën Damianit ku qe dërguar. Me kthimin e tij në Ohër, Lauranti vdiq aty në moshën 80-vjeçare, në të njëjtin vit me persekutorin e tij (v. 518). Teodoreti duket të jetë ngjitur në selinë e Ohrit gjatë kohës së burgimit të parardhësit të tij. Ka të ngjarë, po ashtu, që ai të jetë ngritur në krye të kësaj selie nga vetë Papa Shën Hormizdasi, pasi në një letër drejtuar Shën Avitit, njërit prej ipeshkëve të Francës, Shën Hormizdasi thotë: -”Kishat e Dardanisë dhe të Ilirisë na kanë kërkuar ipeshkvë, dhe ne i kemi shuguruar atje ku ishte e nevojshme”. Në këtë kohë, Arkipeshkvi i Selanikut kishte kaluar nga ana e heretikëve, dhe kishte humbur të gjithë pushtetin që merrte prej papës. Ja përse Shën Hormizdasi ishte i detyruar ti kalonte drejtpërdrejtë në gjendje pushimi selitë ilire. Në Ohër Teodoreti priti legatët e kërkuar nga perandori Justin. Ashtu si Zoili, ipeshkvi i Skampinit, ai bëri të lexohet në kishë dhe nënshkroi deklaratën e ortodoksisë që do të nënshkruanin në Kostandinopojë 2500 ipeshkvë, priftërinj dhe murgjër. Po ashtu, në kohën e Teodoretit, vikariati apostolik i Ilirisë u nda në dysh: në atë të Selanikut dhe atë të Justinianës (Kystendil), nga papët Shën Agapit dhe Vigjil me kërkesën e Justinianit. Benenati duket se ka qënë pasues i drejtpërdrejtë i Teodoretit. I thirrur në Kostandinopojë për çështjen e tre kapitujve, domethënë për tre shkresa të Ibazit, Teodoretit të Ankirës dhe Teodoretit të Mapsuestit, Benenati duhet të jetë marrë vesh me Papa Vigjilin se nuk duhet ngatërruar një shkresë me autorin e saj. Në koncilin e Kalkedonisë, autorët e lartpërmendur u pranuan si ortodoksë, megjithëse këto vepra të shkruara prej tyre nuk ishin të tilla. Justiniani, me maninë e tij për të dogmatizuar, ngatërronte librat me vetë autorët, dhe nga kjo rrjedhin dhunimet e gjera dhe skandaloze që iu bënë Papa Vigjilit dhe ipeshkëve me urdhër të tij.
Më në fund u mblodh një koncil (v. 553). Tre kapitujt u dënuan, por autorët e tyre u njohën për ortodoksë, siç i kishte njohur koncili i Kalkedonisë. Kateli I, vikari apostolik i Ilirisë së epërme, njihet vetëm nga reskripti i Justinianit (v. 535). Por Gjoni, një nga pasardhësit e tij, luajti një rol të madh në letërkëmbimin e Shën Gregorit të Madh. Zgjedhja e tij ishte miratuar nga perandori Maurik, dhe Shën Gregori i dërgoi atij Paliumin (v. 591). Ligjërimi i primatit ose Patriarkatit të Justinianës-Ohrit ishte kryer nga papa me kërkesën e një perandori të krishterë, dhe është patriarku grek që, në vitin 1767, i kërkon një perandori jo të krishterë suprimimin e po kësaj primatie. Cili nga këto dy akte ishte kanonik apo kundër-kanonik, i krishterë dhe jo i krishterë. Por, një suprimim kundër-kanonik dhe kundër-kristian, a mund të ketë ndonjë vlerë në sytë e të krishterëve: - Shqiptarë, Vllehë, e të tjerë?
Sipas gjithë gjasave, arkipeshkvi primat i Justinianës e shpërnguli vendqëndrimin e tij në Ohër, qysh në vitet e para të shekullit të shtatë. Pasi, në këtë kohë, Maqedonia, Shqipëria e poshtme, Prevalitania ose Shqipëria e epërme, ishin plaçkitur nga Avarët dhe Sllavët. I vetmi pas Kostandinopojës që nuk ra në duart e barbarëve, ishte Selaniku. Vetë Epiri mund të plaçkitej nga dita në ditë. Ja përse u dërguan në Korfuz reliket e Shën Donatit. Shumë ipeshkvë gjetën strehë asokohe në Korfuz e gjetkë. Megjithëse më pas, iu dha një juridiksion mbi kishat që i kishin mikpritur ata, Shën Gregori i Madh, vendosi që ata thjesht të kishin të drejtën e strehimit, në pritje për t’u kthyer në vendet e tyre. Ekzistojnë ende letrat e Papa Shën Gregorit drejtuar ipeshkëve të Shqipërisë në lidhje me shumë çështje, e, midis tjerash, për një ligj të perandorit Maurik që ua ndalonte ushtarëve të bëheshin murgjër. Shën Gregori i porosit legatët e tij, Euzebin e Selanikut dhe Gjonin e Justinianës, metropolitët Urbitin e Durrësit, Andrenë e Nikopojës, dhe të tjerët, që të mos pranonin as në manastire, e as në administratën kishtare, punonjës civilë dhe ushtarakë për të cilët nuk jepen të dhëna. Por nga më të shënuarat dhe më të spikaturat e letrave të tij, janë ato që i përkasin titullit të ekumenikut që mori peshkopi i Kostandinopojës. Qysh prej vitit 451, këta peshkopë nuk rreshtën për asnjë çast së shkeluri mbi të drejtat e ipeshkëve dhe patriarkëve të tjerë.
Më së fundi, donin që ata vetë të zinin vendin që Jezu Krishti ia kishte caktuar papës, në personin e Shën Pjetrit. Deri në atë kohë ata kishin shkelur herë me njërin e herë me tjetrin, tashmë ata lakmonin të zëvendësonin gjithçka. Prej kësaj buron ajo çka Shën Gregori u shkruan patriarkëve të Aleksandrisë dhe të Antiokisë, duke u thënë: -”Mos i jepni askujt një titull të gjithësishëm pasi, duke ia dhënë atë njërit, janë zhvlerësuar të tjerët dhe, nëse arrihet deri këtu, -thotë më tej Shën Gregori -ai që emërohet në këtë mënyrë do të bjerë në gabim, ashtu siç ka ndodhur me shumë peshkopë të Kostandinopojës, dhe të gjithë do të rrëzohen bashkë me të”.
Në një nga letrat drejtuar primatit të Ilirisë, Gjonit të Justinianës, Shën Gregori kërkon që ky titull të mos i njihej as arkipeshkvit të Kostandinopojës, as kujtdo tjetër qoftë: -”Dhe kjo -thotë ai, -pasi titulli i patriarkut ekumenik, ose i patriarkut të gjithësishëm, përjashton ekzistencën e çdo patriarku tjetër. Si do të kishte patriarkë në Aleksandri, Jeruzalem, Antioki e gjetkë, nëse ky i Kostandinopojës është patriark i krejt botës”. Ky pretendim i Gjonit Agjëruesit, për të qenë i vetmi patriark në botë, ishte frut i një ambicjeje dhe i një hipokrizie djallëzore. Për këtë arsye, vetë Shën Gregori i shkruan atij: -”Ajo që më çudit është se në fillim duket se ju i jeni larguar ipeshkvisë, ndërsa sot duket se e kërkoni atë për shkak të ambicjes. Ju e shpallnit të padenjë emrin e ipeshkvit dhe tashmë doni që ta mbani vetëm ju!” (v. 595). Në këtë epokë, Muhameti, udhëheqës i muslimanizmit, ishte tashmë 26 vjeç. Shën Gregori, në shumë letra të tij drejtuar perandorit Maurik dhe të tjerëve, shihet të nxisë një ndëshkim të pashembullt për peshkopët dhe për perandorët bizantinas. Si të parët dhe të dytët, të gjithë kishin kërkuar perfas et nefas të bënin Kostandinopojën kryeqytet të botës së krishterë. Por, shumë shpejt, do të shohim se Zoti do ta bëjë atë kryeqytet të botës muslimane.
Shënime:
-Ankira (edhe Angora) -emër i lashtë i Ankarasë, në Azinë e Vogël, Galati.
-Mauriku -perandor i Lindjes (582-602).
-peshkop dhe ipeshk -kemi përdorur dy emërtesa për të dalluar ata që vareshin nga kisha e lindjes dhe ata që vareshin
nga selia apostolike (papati i Romës).
Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial
© Robert Elsie, në Shqip
Comments (0 posted)
Post your comment