Home | Culture | Principata Diokleate

Principata Diokleate

image
- Tyrana - Tyrkana, fortesë në Epirin e Ri; - Avlona - Vlora.

 

 

Nga Jean-Claude Faveyrial

 

Shkatërrime në Shqipëri nga Vandalët dhe Visigotët – shqiptarët lënë ushtrinë greke – këshilli i luftës në Durrës - kështjella të ndërtuara apo të riparuara në Shqipëri – Principata Diokleate – Iliria e shkretuar nga Sllavët dhe Avarët - Këndvështrimi i Pukëvilit mbi kështjellat dhe ligjet e Justinianit

 

Në vitin 475, Xhenseriku, mbret i Vandalëve, duke ditur se do ti dërgohej një përfaqësi, nxiton ta parandalojë këtë, dhe dërgoi flotën e tij të plaçkiste qytetet e Siçilisë, të Italisë dhe të Epirit, midis tjerash edhe Nikopojën. Kur ambasadori grek, ankohet për këtë duke e quajtur si një akt armiqësie, Xhenseriku ia ktheu: -”Në atë kohë unë kisha të drejtën të veproja si armik. Tashmë ju më bëni propozime për paqen dhe unë jam gati ti dëgjoj ato”. Më 459, Teodoriku, mbret i Ostrogotëve, vjen në Shqipëri me të gjithë kombin e tij, dhe kërkon të vendoset këtu. Tashmë ai ishte zot i Durrësit në kohën kur e shkëmbeu këtë ngulim me një më të mirë, të cilin perandori Zenon ia ofroi në Myzi. Meqë Pelagonia (Manastiri) nuk pranoi tu jepte atyre ushqime për të shkuar në Shqipëri, ata e marrin me sulm dhe e djegin atë. Pak më herët, në të njëjtën mënyrë, ata kishin marrë dhe shkatërruar Gradskon (Stobin e lashtë). Për tu hakmarrë ndaj Bizantinëve të cilët u ndeshën me të për Italinë, Tolida, mbret i Ostrogotëve, dërgoi 300 barka me urdhërin për të plaçkitur brigjet e Greqisë. Ata zbritën -thotë Lë Bo -në ishullin e Korfuzit, e plaçkitën atë, dhe kapërcyen në kontinent (v. 551). Nikopoja, Onhezmi, dhe qytete të tjera deri në Dodonë, ndjenë mbi kurriz të gjithë tërbimin e Gotëve. Meqë po niseshin, ata shkatërruan të gjithë bregdetin shqiptar dhe zunë anije të shumta që sillnin ushqime në Salona, ku i pritnin ushtritë e Gjonit dhe të Nerseut (libri 48, k. 4).

Po i njëjti autor na bën me dije edhe se, i pakënaqur nga Gjepidët, Justiniani iu dha Lombardëve vendbanime në Panoni dhe në Norik, madje hodhi shuma të mëdha parash që të shkonin e të vendoseshin në afërsi të Gjepidëve, matanë Danubit. Por të gjitha këto shpërblime nuk i penguan barbarët të rrënonin Dalmacinë dhe Ilirinë deri në Durrës. Emri i aleatit iu dha edhe më shumë guxim. Nëse ndodhte që të burgosurit iu shpëtonin nga duart, ata e quanin të drejtën e tyre për ti kërkuar përsëri ata.

“Madje është vënë re -thotë Prokopi (libri 3, k. 33 dhe 34), -të kthehen në tokat tona për të rimarrë skllevërit e tyre nga shtëpitë, dhe duke i shkëputur nga krahët e prindërve të tyre”.

Prokopi, po ashtu, na bën të ditur (Lufta e Gotëve, libri 3, k.11) se një pjesë e trupave shqiptare braktisi ushtritë greke, duke i marrë Italinë Totilës. Ata nxorrën si arsye se nuk paguheshin, se në mungesë të tyre Hunët kishin sulmuar befasishëm vendin e tyre, dhe se u kishin rrëmbyer gratë dhe fëmijët (v. 541). Një këshill lufte u mblodh në Durrës midis Belisarit dhe gjeneralëvë të tjerë, të dërguar në ndihmë të Romës që u rrethua nga Totila (v. 548).

“Pak kohë më vonë -shton Prokopi (Lufta e Gotëve, libri 3, k. 39), -Sllavët u dyndën në të gjithë Ilirinë deri në Durrës, duke kryer të gjitha llojet e mizorive, vrasjeve, grabitjeve, dhe zhdukën një pjesë të banorëve. Ata morrën madje edhe disa kështjella që deri atëhere vlerësoheshin si të papushtueshme dhe përshkuan të gjithë vendin. Gjeneralët e ngarkuar për të mbrojtur Ilirinë kishin mbledhur 15 mijë burra dhe, megjithatë, e ndoqën armikun veç nga larg”.

Nëse do të gjykosh përafërsisht shkatërrimet e kryera nga barbarët në Shqipëri në kohën e Justinianit, mjafton të hedhësh një vështrim në numrin e fortesave të cilat, Prokopi na thotë, se janë ngritur nga e para apo janë riparuar nga ky perandor. Prokopi, panegjerist dhe bashkëkohës i Justinianit, numëron tridhjetedy të ndërtuara nga e para dhe njëzetegjashtë të riparuara, në Epirin e ri apo Shqipërinë qendrore.

Në Epirin e Vjetër, po ky autor llogarit dymbëdhjetë të tilla, të ndërtuara nga e para, dhe njëzetekatër të riparuara. Epiri i ri kishte kryeqytet Durrësin, ndërsa ai i Vjetri si qytet kryesor Nikopojën. Po përse Justiniani ndërtoi ose riparoi kaq shumë fortesa gjithandej, dhe as nuk ndreqi, as nuk ngriti në Prevalitani?

Ja me pak fjalë. Lukari, në historinë e tij të Raguzës, na bën të ditur se një nga Gotët e parë të vendosur në Dalmaci, kishte pushtuar Prevalitaninë dhe kishte bërë Shkodrën kryeqytet të saj. I martuar me motrën e Istokut, babait të Justinianit, i kërkon më vonë Justinianit, nipit të tij, titullin e mbretit, por perandori i dha atij vetëm titullin e kontit, dhe me këtë emër përkufizoheshin guvernatorët e Prevalitanisë prej kronikanëve grekë. Dy Kanzhit i duken këto hollësira krejt të mundshme. Menjëherë sapo Visigotët dhe Ostrogotët pushtuan Dalmacinë dhe Shqipërinë e epërme, vendosën aty guvernatorët e kombit të tyre, dhe i mbajtën këto vende deri në vitin 535. Është e vërtetë se në këtë periudhë të fundit Perandoria e Poshtëme rimorri zotërimin e Dalmacisë, por populli mbeti aty. Vetëm garnizonet e Gotëve të Italisë u dëbuan.

Diku tjetër kemi thënë se, me afrimin e barbarëve, ipeshkvët e Shqipërisë së Poshtme shpërngulën për në Korfuz reliket e Shën Donatit. Dhe ja tani mënxyrat që e bënë të nevojshëm një veprim të tillë, dhe që shpërndanë kudo llahtarinë e njëjtë me shkatërrimin e dyzet qyteteve të Dalmacisë nga Khahami i Avarëve (v. 598). Është çasti kur Justiniani shpërndau trupat e tij, në Itali kundër Gotëve, në Lindje kundër Persëve, dhe që, duke i gjetur të hapur kufijtë e Savës dhe të Danubit, Sllavët pushtuan Ilirinë me trupat e tyre. Tashmë, kur u shfaqën Avarët, trupat e tyre mbulonin edhe vendet nga Deti i Zi deri në Adriatik, nga Danubi deri në kepin Matapan. Për Avarët ishte çështje hakmarrjeje për ambasadorët e masakruar nga sllavët, por për perandorin Tiber ky ishte një rast i volitshëm për të spastruar Ilirinë. Me pëlqimin e Bajanit dhe të Tiberit, 15 mijë kalorës avarë u sulën mbi fushimet e Sllavëve dhe i plaçkitën (v. 581). Deri tani sllavët e kishin plaçkitur Ilirinë për hesap të tyre, ndërsa tash e mbrapa do ta plaçkisnin edhe për llogari të Avarëve. Vetë Avarët plaçkisin dyzet qytete në Dalmaci. Sllavët bënë prè gjithë të tjerët. Shqipëria qendrore nuk u kursye. Ajo ndjeu mbi kurriz gjëmën e të gjithë luftërave që paraprinë ngritjen dhe rënien e Perandorisë së Poshtme -thotë Pukëvili. Qytetet u shkatërruan dhe u ringritën shumë herë. Justiniani rindërtoi Tyranën, Aulonën, Musionin. Ai, po ashtu, fortifikoi shtegun e portave Kaudavikune për të ndaluar sulmet e barbarëve. Por, me kështjellat e Justinianit ngjau njëlloj si me ligjet e tij. Moria e ligjeve dhe e kështjellave nuk mund ta mbanin më në këmbë këtë kollos të ronitur nga vjetërsia (Pukëvil, Udhëtime, vëll.1, fq. 373).

 

 

Shënime:

 

-Stobi -Gradsko e sotme, qytet në qendër të Maqedonisë në buzë të Vardarit.

-Tolida -duket se është gabim shtypi, pasi bëhet fjalë për Totilën mbretin e ostrogotëve.

-Onhezmi -qytet i lashtë në Sarandën e sotme.

-Salona -kryeqendër në Dalmacinë ilire (Solini i sotëm), përballë ishujve me Bratin, Farin e Isën.

-Gjoni dhe Nerseti -duhet të jetë fjala për Gjon Troglitën dhe Belisarin, gjeneralin e famshëm, si dhe eunukun

Nerset, të cilët ishin mbështetësit e sundimit të Justinianit.

-Gjepidët (gepedët) -popullsi gjermanike e vendosur në Daki në kohën e Justinianit.

-Lombardët -popullsi gjermanike e vendosur në Elbë, Oder dhe në Italinë e veriut me Pavian kryeqendër.

-Norik -krahinë e banuar nga fisi iliroverior i norikëve, në veriperëndim të Panonisë (afërsisht në Austrinë e sotme).

-Panonia -provincë ilire e banuar nga panonët, në verilindje të Dalmacisë, në Hungarinë e sotme.

-”ushtri greke” -duhet pasur parasysh se me ushtri greke autori nënkupton ushtritë perandorake (bizantine) dhe jo si

koncept identifikues për grekët si kombësi.

-Khaham -Kagani ose Hagani, titull mbreti tek Avarët.

-Bajani -prijësi i Avarëve.

-Tiberi -perandor i Lindjes (574-582).

-Musion - Museoni, qytet dhe fortesë në Maqedoni, megjithëse këtu autori duhet ta ketë fjalën për ndonjë fortesë në

Shqipërinë e mesme afërsisht në Muzakinë e vjetër.

-Tyrana -Tyrkana, fortesë në Epirin e Ri; -Avlona -Vlora.

-grykat kandavikune -grykat e maleve midis Elbasanit dhe Ohrit, në malet Kandave.



Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial

 

© Robert Elsie, në Shqip 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00