Home | Culture | Gjon Mili

Gjon Mili

image
Gjon Mili u lind  në Korçë  më 1904...

Është lindur në Korçë, më 1904, Gjon Mili, akoma fëmijë 5-vjeçar, bashkë me familjen e tij emigrojnë në Rumani, ku ai kalon adoleshencën e rininë e hershme duke u shkolluar. Më 1917 ndërron jetë i ati, Vasili. Ambiciet dhe joshjet amerikane të asaj kohe, si shumë prej shqiptarëve, si edhe oferta e xhaxhait të tij Koço,  e tërheqin atë në një tjetër emigrim në Boston, më 1923, kur ishte 19 vjeç, për t’iu përkushtuar seriozisht  studimeve universitare në të famshmin  Institut të Teknologjisë Massachusets, dega elektrike (ndriçim).

female nude movement study

Gjatë viteve të studimit ai ka qenë jo vetëm një student shumë i mirë, por edhe një intelektual i ri, i dalluar në rrethet e veprimtarëve shqiptarë të Bostonit, sidomos të Federatës Panshqiptare “Vatra”,  ku ai ka njohur e është miqësuar me shumë prej tyre, veçanërisht me Faik Konicën, i cili ka ushtruar një ndikim të veçantë në formimin e të ardhmen e tij të suksesshme profesionale e artistike. (Gj. Mili-Photographs & Recollection – Boston, 1980, f. 18, Qerim Vrioni: Gjon Mili një dhuratë e Faik Konicës, Online).  Zotëron prirje e shije letrare (shkruan prozë të shkurtër artistike e është për disa kohë anëtar i stafit të gazetës “Dielli” të Shoqërisë  “Vatra”) e muzikore (luan në oboe), të cilat ai i shfaq me anë të disa kontributeve në jetën e atëhershme shoqërore. Por, pasioni i veçantë për fotografinë dhe filmin do të dallonin e përcaktonin të ardhmen e jetës e karrierës gjeniale të tij.

 

            Pas përfundimit të Institutit, kryen një specializim dhe ushtron për rreth 10 vjet profesionin e inxhinierit elektrik në korporatën elektrike “Westinghouse”, ku ai formoi kompaninë me emrin “Mili Company”, kohë gjatë së cilës ai është aktivizuar edhe me ndonjë kumtesë apo artikull në evenimente shkencore mbi ndriçimin, apo në kërkimet teknologjike elektrike, midis të tjerave edhe të një llampe tungstem për fotografimin me ngjyra. (Christian Caujolle, nga Enciclopedia Universalis: Photography, Art History). Që ai ka qenë një student, profesionist dhe studiues i zoti, e tregon edhe fakti që, më 1935 ai mban një kumtesë shkencore në Konferencën e Shoqatës Amerikane të Optikës me titull “Visibility of Signals Through Fog” (Dukshmëria e Sinjaleve Përmes Mjegullës). Kumtesa trajton probleme të sinjaleve të ndriçimit në lundrim në mot të vështirë me shi, dëborë e sidomos me mjegull dhe, propozon përdorimin e ndriçuesve me voltazh të ndryshueshëm për të zvogëluar apo rritur intensitetin e rrezatimit në përputhje me kushtet e motit. Kumtesa është botuar, gjithashtu, në librin JOSA, Vol 25, Art. 8, f, 237-239, 1935. Ndërkaq, ai mëson e praktikon intensivisht, në mënyrë autodidakte, hobin e pasionin e tij, fotografinë, e cila interferon në vëmendjen e admiruesve të saj, sidomos gjatë ekspozitës së parë që Mili çel më 1934 (Wikipedia, Free Enciclopedia, Online). Eksperimentimet e tij fotografike, të bazuara edhe në profesionin e njohuritë e tij mbi ndriçimin, synonin, veç të tjerash, mundësinë e përdorimit gjatë fotografimit të një drite artificiale flash, fluksi dhe shpejtësia e së cilës mund të krijonin vizione më të thella e më të larmishme profesionale e rikrijuese për kombinime e ndryshime konceptuale drejt një fotografie alternative futuriste të paaplikuar më parë.  Duhej të vinte 1938-a, një prej viteve që solli ndryshimin e së ardhmes së tij me dy ngjarje thuajse përcaktuese. Duke paraqitur disa prej fotove të tij të realizuara deri në atë kohë, ai siguroi bashkëpunimin me revistën e re njujorkeze “LIFE”, organ javor mediatik që filloi botimin më 1936, i ilustruar, social e  kulturor me rreth 130 faqe, që do të bëhej më pas shumë i njohur dhe i suksesshëm në të gjithë Amerikën (Christian Caujolle, nga Enciclopedia Universalis: Photography, Art History), falë së cilës ai promovoi për vite të tëra qindra e qindra fotografi, që e bënë të famshëm botërisht. Përmendim bashkëpunimin e ngushtë me shkencëtarin bashkëmoshatar amerikan Herëlld Exherton, gjatë një aktiviteti shkencor mbi ndriçimin në Institutin e  Teknologjisë të Massachusets(MIT), 1937, ku të dy kishin studiuar, i cili i ofroi Gjonit me dashamirësi përdorimin e zbulimeve të tij stroboskopike në kontekstin e impakteve të reja teknologjike e estetike që ato mund të krijonin në fotografi.

 No photo description available.

Kjo përputhje e ky kombinim konceptual e praktik, mbi tiparet shkencore e artistike novatore të dritës stroboskopike, hapi një epokë të re në historinë e fotografisë, suksesi i realizimit të së cilës i takon, pa dyshim, sa Exhertonit shkencëtar, aq edhe Milit artist.

 

Gjatë aktivitetit të pareshtur shumëvjeçar për revistën “LIFE”, si edhe për media të tjera, Gjon Mili jo vetëm që përmbushi detyrimet e tij sistematike prej fotoreporteri (në këto vite revista “LIFE” dhe fotografi kishin filluar rrugën e tyre të lavdisë. – Andrew Vysokov, Online) por, njëheresh, ai realizoi parimet e konceptet e tij krijuese artistike të bazuara mbi prirjet, talentin e mbrujtjen e tij shpirtërore, mbi kultivimin e perfeksionimin krijues të aftësive të tij profesionale, mbi përvojën e eksperimentimin shkencor e estetik, mbi elementët e brendisë të pashtershme humane, si dhe të pamjes së jashtme intriguese të objekteve e fenomeneve statike apo dinamike. Ai do të thoshte më vonë se kishte qenë me shumë fat që jetonte në kohë të tilla-kohë të ndryshimit, eksperimenteve dhe zhvillimeve të reja në fushën e fotografisë.

Image result for gjon mili photos

Është e padiskutueshme që efektet fantastike të përdorimit të dritës stroboskopike dhe shpejtësisë diferenciale të ekspozimit i japin fotografive të tij një veçori të re tipike e të dallueshme prej autorëve të tjerë të asaj kohe. Jo më pak fuqi e harmoni prevalente, në shumicën e punimeve të tij fotografike, përbëjnë, padyshim, thuajse të gjithë komponentët dhe detajet  e tjerë kompozicionalë të brendisë apo formës realizuese të një vepre të mirëfilltë arti, madje të një arti grafik avangardist. Tharmi shpirtëror artistik; ideja e imazhi i saktësuar në mënyrë perfekte për foton që ai do të krijonte; ashtu si edhe, dendur, spontaniteti,  këndvështrimi dhe vendosja e saktë e kamerës kundrejt objektit; fiksimi i momentit deçiziv të lëvizjes së objektit apo të “ndaljes” së kohës; psikologjia e nginjur me gjendje të caktuar shpirtërore e personazhit apo personazheve qendrore, të vendosura në qerthullin intrigues të disa lloj dritash e rrezatimesh fantastike të kombinuara  përballë, përkitazi dhe kundër njëherësh; madje edhe “ndriçimet e  errësirës” i bëjnë fotot e tij trille imagjinative të admirueshme artistikisht, të cilat, sikur pohojnë profecinë se “fotografia filloi të bëhej një armike e pikturës xheloze”.

 

Opusi artistik fotografik i Gjon Milit është aq i pasur dhe i vlerë, sa në çdo kohë, ai ka mbetur në epiqendër të vëmendjes së kritikës pozitive. Në vitin 1934 Gjon Mili ka çelur ekspozitën e tij të parë me fotot e fazës amatore të krijimtarisë së deriatëhershme. Më 1937, filloi karriera profesionale e Milit, kur fotot e tij me “stop lëvizje” të tenistit kampion Bobby Riggs u botuan në revistën LIFE. Më 1942 realizon foton e një predhe 37 mm pas daljes nga tyta e armës, foto e cila u quajt shpikja e shekullit dhe, po gjatë këtij viti hapi ekspozitën vetjake “Valltarët në lëvizje” në Muzeum e Artit Modern të Nju Jorkut. 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00