Home | Culture | Sllavët, Danubi

Sllavët, Danubi

image
-Asparuhu -khan i Bullgarëve, i vendosi ata në jug të Danubit, në Myzi dhe Thrakë.

 

Nga Jean-Claude Faveyrial

 

 

 

Mënyra se si sllavët u vendosën këtej Danubit – Të prekur nga ajo se si Gjoni IV i ribleu skllevërit e tyre, shumë fise konvertohen – betimet e tyre - organizimi i tyre politik – vendosja e bullgarëve në Myzi – Italianët dhe Grekët

 

 

Nën Maurikun dhe Fokasin, avarët e gjetën më të leverdisëshme të dërgonin sllavët për të shkatërruar Ilirinë për llogari të tyre. Dhe, së fundmi, ata dërguan një numër aq të madh syresh, sa nuk ishte më e mundur, as ti thërrisje pas, e as të ndaje me ta plaçkën e luftës që u merrej Romakëve. Dhe atëhere e gjithë Iliria, por Shqipëria më pak se Maqedonia, Dardania, Myzia dhe Thraka, u përmbyt pëllëmbë për pëllëmbë dhe u mbulua nga një popullsi e re. Po në atë kohë u rrënua edhe Salona (v. 639). E atëhere, më në fund, -thotë Konstantin Porfirogjeneti -të dëbuar nga Hercegovina prej sllavëve, popullsitë romake kaluan një palë në Dalmaci, të tjerët në Durrës (v. 610-640). Autorët pretendojnë se Herakliu ishte bërë shkas që sllavët të vinin në Iliri. Qëllimi i tij ishte të ripopullonte fushat e shkretuara dhe të krijonte një barrierë përkundër Avarëve. Por punët nuk shkuan kështu. Gjithçka që mund të bënte Herakliu ishte të mos përpiqej të ridërgonte ata që nuk mund ti dëbonte më nga Ballkani dhe Pindi. Ka mundësi ti ketë angazhuar, më pas, për të mbrojtur prej Avarëve tokat e braktisura, fshatrat dhe qytetet që ata i kishin në zotërim. Të prekur nga ajo që bënë Papa Gjoni IV dhe Abati Martin, vikari i tij, duke riblerë robërit iliro-romakë që kishin rënë në duart e Sllavëve, të Serbëve dhe Kroatëve, me një fjalë të shumë prej këtyre barbarëve, vetë ata nga ana e tyre kërkuan të bëheshin të krishterë (v. 640). Dhe meqënëse të gjitha këto vende bënin pjesë në vikariatin ilir, domethënë ishin nën varësinë e papës, atëherë Herakliu iu drejtua atij për tu pajisur me priftërinj dhe ipeshkvë. Kjo e vërtetë është edhe më pak e dyshimtë pasi është ruajtur nga një perandor grek, Konstantin Porfirogjeneti.

Sllavët e pagëzuar -shton ky autor -betoheshin me një sakrament që ia kushtonin Shën Pjetrit, se ata do të rronin në paqe e urti me të krishterët e tjerë, dhe si shkëmbim papa iu premtoi atyre mbrojtjen e tij dhe atë të Zotit. Vërejmë se sllavët e emigruar nuk përbënin as ndonjë shtet dhe as ndonjë konfederatë. Ishte një masë e amullt dhe e dobishme si një popullsi bujqish, por e pambrojtur nga pushteti perandorak. Çdo fis udhëhiqej nga një Zhupan, një lloj koxhabashi, dhe ndikimi i tij shtrihej pak a shumë në përpjestim me numrin dhe forcën e fisit. Vidimiri, një nga Zhupanët kryesorë të tyre, në pagëzim kishte marrë emrin e Viatoplokut (Viati-Pelek) “fëmi i shenjtë”, dhe kur vdiq, ai u varros në katedralen e Dioklesë, në Shqipërinë e Epërme. Sllavët ilirikë ishin, në pjesën më të madhe të tyre, të krishterë, dhe autorët grekë dhe veçanërisht Konstantin Porfirogjeneti, i dallojnë ata nga vëllezërit e tyre të mbetur në Moravia, në Galici dhe në Bukovinë, duke i emërtuar si Sllavë të krishterë dhe Sllavë paganë. Shihet, po ashtu, se cilësohen paganë ata të trevave të Hercegovinës, të cilët u pagëzuan shumë më vonë. Duke qenë në thelb bujqër, dhe pasi u mungonte një kryetar i përbashkët, duket se fiset sllave, për një kohë të gjatë, nuk i krijuan telashe të mëdha perandorëve bizantinë. Por nuk ishte kështu me Bullgarët. Dikur ata patën rrethuar Bizantin, të bashkuar me ilirët katolikë, në kohën e perandorit Anastas, në vitet 514 dhe 518. Ata e rrethojnë përsëri atë, të bashkuar me avarët, në vitin 625.

Duke dalë më pas nga tutela e Avarëve, Kuvrati, prijësi apo mbreti i tyre, kërkon miqësinë e Herakliut (v. 640), në të njëjtën kohë kur Amroni mori Egjiptin. Por, më pas, Kuvrati vdes dhe kombi ndahet mes pesë bijëve të tij. Djali i pestë i drejtoi njerëzit e tij për në Itali. Asparuhu, i dyti, vendoset me të tjerët në Myzi (v. 678). Konstantin Pogonati nxiton sakaq nga Kostandinopoja dhe kërkon ti dëbojë prej andej. Por ai mundet në grykëderdhjet e Danubit. Dhe që prej asaj dite, Greko-Bizantinët do të kenë dy armiq kryesorë për të luftuar: -Bullgarët në Europë, dhe Avarët në Azi dhe në Afrikë.

 

 

Shënime:

 

-Foka -perandor i Lindjes (602-610).

-Herakliu -perandor i Lindjes (610-641).

-Konstantin Porfirogjeneti -perandor i Lindjes (913-959), autor i “Administrimi i Perandorisë”, i dhënë pas artit, letërsisë,

ngriti një numër monumentesh e ndërtesash.

-Konstantin Pogoniati -perandor i Lindjes (668-685).

-Asparuhu -khan i Bullgarëve, i vendosi ata në jug të Danubit, në Myzi dhe Thrakë.

 

 

 

 

Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial

 

© Robert Elsie, në Shqip 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00