Home | Culture | Ese për baltën

Ese për baltën

image
 Me gjurmën e baltës lëshohet sinjali i komunikimit ndërkohor...

 

 

Nga Agim Janina *

 

 Balta rri e pret. Ka mijëra e mijëra dhe mijëra vjet të tjerë pranë njeriut, gati e  njesuar me të. Është thelbi i tokës dhe i jetës. Pa të nuk do të kishte asgjë. Asgjë. E çuditshme prania e saj. E shtrirë kudo, ka marë pamjen e tokës. Mban gjithçka: oqeane e dete, lumenj e liqene, kodra e livadhe, male e fusha. Pra gjithçka. Por mbi të gjitha mban njerëzit.. 

 Balta na shoqëron e mbulon në ikjen e fundme. Bashkëudhëtarja në këtë e atë jetë. Nga lindje, në vdekje e akoma me tutje Është jorgani më i madh, jo për një njeri, por për gjithë njerëzimin. Askush nuk i shpëton, askush nuk i largohet. Është aty e na pret në pafundësi e përjetësi...

 Nga balta ishte vepra e parë që prodhoi qenia njerëzore, njeriu i shpellave. Një vepër e thjeshtë, një poçe uji dhe aq. Një shpikje marramëndëse, e mahnitshme, kur mendon se çdo të ishte zhvillimi i botës pa të. Të hash në një pjatë balte. Kush e di se sa do të jetë mrekulluar njeriu në atë kohë të largët. Për formë i dha trupin e femrës, lakimin dhe përkuljen e linjave të saj, format e plota e ngritjet dhe uljet, rrumbullakësinë dhe linjat e pafundme, joshjen dhe hamngjitjen që të josh e tërheq. 

 Njeriu i lashtë doli nga shpella dhe filloi gjuetinë. Shputat e këmbëve nën tokën e lagur u zhytën thellë në baltë. Ai nuk e vuri re dhe kaloi tutje në kërkim të gjahut. Pak më tutje pa gjurmë të ndryshme dhe kuptoi gjuhën e tyre. Balta dha sinjalet e para të kuptimit të natyrës dhe të llojeve të kafshëve.

 Vetëm një gjurmë dhe njeriu kuptoi se kush kishte kaluar para tij në shtegun e ngushtë. Dhe kur u kthye përsëri pranë lumit, po në të njëjtin shteg, pasi kishte kaluar dimri i gjatë dalloi në tokë gjurmët e këmbëve të tij. Ishin ngurtësuar. U habit dhe u gëzua, sepse ndjeu vetveten, gjurmën e tij të pavdekshme. 

 Gjurmët e baltës të ngurtësuara do t’i përcillen brezave në shekuj si një dëshmi e një rituali të lashtë. Ato gjurmë kanë qenë inçizimet e para artistike, shenja antopometrike, dëshmojnë qenien njerëzore, jetën në tokë. Ngurtësimi dhe heshtja janë simbole të vetë jetës. Japin çastin fatlum kur njeriu në baltë la një pjesë të vetvetes, peshën e hijes, e cila me largimin në kohë afron qenien njerëzore. Gjurmët vijnë të gjalla, jo vetëm thjesht si shenja antropometrike, fotografi e radiografi, formë a tasel, origjinale a  të pavërteta, dukje a iluzion, lajm a kronikë, stampë a hije, gjurmë e vdekur apo e gjallë, negativ a kopje, imazh dhe pamje e së kaluarës, shprehje e saj. Më shumë ende, krijon personalitet të barabartë me vetë jetën, njeriun, qenien e tij. 

 E mahnitshme është gjetja në tokë në formë të ngurtësuar e një gjurme të hershme prej balte të shputës së këmbës së një njeriu apo qoftë të një kafshe. Ky është një akt i madh, sepse është e barasvlefshëm me një firmë, vulë, pullë, shenjë të kthyer në simbole shprehëse, aq i fuqishëm sa një kryq apo shenjë kozmike, është si të jesh në një kryqëzim e të gjesh udhën, ku duhet të shkosh, është portret që shpreh me forcën e një klithme personalitetin e kohërave, ku eci njeriu me hapin e tij të rëndë. 

 Kjo gjurmë e thjeshtë balte do ta ndjekë njerëzimin në udhëtimin e tij të pafundmë duke dëshmuar me forcë atë çka ai është. Si një libër historie mbartet një histori, e barsvlefshme me historinë e zhvillimit njerëzor. Në të ndihet fërgëllima e ecjes, pesha dhe shqetësimi, drama e gjuetisë, ndjekja e kafshës, pritja e gjatë... 

 Me gjurmën e baltës lëshohet sinjali i komunikimit ndërkohor. Një shenjë e thjeshtë në tokë dhe çdokush orientohet, shikon qartë praninë, mospëlqimin, ndarjen e territorit. Është shenja e parë rrugore, sinjal i qartë dhe i dukshëm, shprehës dhe kërcënues, prania e dikujt tjetër, tregon ndarjen dhe veçimin, pronësinë dhe pushtetin. Gjurma e baltës shpreh qenësishëm praninë, identitetin.

 Nga balta tokë mbin lulja, del pema, ushqehen kafshët, njerëzit. Gjithçka. Gjithçka. Mbi të mbahet dhe ngrihet mirëqenia e gjithë njerëzimit, jeta jonë, historia, e tashmja e shkuara dhe e ardhmja.

 Balta shtresohet e fundoset nën tokë. Shktrihet e hyn gjithnjë e më thellë, ftohet e shndërrohet. Duke u ngurtësuar kthehet në gur, bëhet e ashpër, merr ngjyrë e kthehet në mermer e atëhere pret daltën e skulptorit për ta gdhendur. Gjurmët aty janë më të thella, më të forta. Format bëhen më shprehëse, ndihet dridhjet e brendshme, lëvrimi i hovshëm i gjakut nën damarët e poret e lëkurës, nxjerrja e fakturave, duke ndjekur ligamentet e lidhjet kockore, penjzat e indet e hollë, ndjeshmëria e thellë e lëkurës, që arrin kulmin në nudot rredh të cilave format sillen sipas një flladi rrethues që të bën të të mbesi fryma. 

 Fillohet me goditjet e ashpra të daltave të mëdha, e dalngadalë që zbulohen format, goditjet bëhen me të buta, duke ia lenë vendin përplasjeve të ngulta e delikate, ofshamave të shpirtit në çdo goditje e shkon deri në përkëdheljet e pëllëmbëve të ashpra të artistit, ku i gjithë trupi njësohet e bëhet një si në mish e gjak...

 

Balta kthehet në dru dhe atëhere format janë tjetër gjë. Dalta ngulet thellë, e ashpër arrin deri në palcë të trungut dhe ai stoik nuk jepet, qëndron rreziston, ulëret e nuk do të nënshtrohet. Por dora godet më fort, dalta ngulet mprehtazi e si brisk pret cifla e ashkëla, që fluturojnë përreth artistit, e pasi bëjnë disa rrotullame, bien përdhe nën këmbët e skulptorit, që godet e godet pa pushim. Ja iu afrua ballit, buzëve. Pa të ndalim pak. Kujdes. Godit ngadalë, forma zbulohet ngadalë, lehtazi e lehtazi duhet lëmuar përkëdhelur...

 Por balta nuk ndalej. Ajo u rilind. Mori forma dhe si ra në duar njerëzish, u rrit, u burrërua, mori trajta madhështore, tejet të mëdha. U bë tullë, me të cilën u ndërtua shtëpia, u gdhendën librat e parë dhe mrekullisht dolën format e bukura të artit. Sa me lehtësi e dashuri që jepej, çfarë nuk bëhej me të... U lye me bojë të nxjera nga gjaku i kafshëve, lëngu i bimëve apo lëkura e pemëve dhe zbukurimi shkoi larg shumë larg. U bënë statuetat e parë, u shënjtëruan. Kështu balta mori për herë të parë shenjtërinë e artit, shenjtëri që e gëzon edhe sot.

 Duart ngrihen ngadalë, hapen e marin një shukë balte. Në pëllëmbë ndihet ftohtësia e njomështia. E shtrëngon disa herë. Kështu i çon një sinjal dhe pret. Balta përgjigjet.... Lag dorën dhe nën rrotullimin e baltës krijohet forma, ngrihet e ulet nën ritmin tënd është tërësisht e jotja.

Prekja e baltës me mollëzat e gishtrinjve, shtrëngimi, shtypja, ngjeshja dhe vendosja mbi vepër, ngjeshja përsëri, lëmimi, kalimi i gishtrinjve apo stekave në heqje dhe kalim në nxjerrjen e volumeve dhe zbulimi i formave – ky është rituali i krijimit, një ritual sa i lashtë edhe i tanishëm, që vjen nga mugëtirat e kohëve, kur në shpellë pranë zjarrit u poq poçja e parë dhe kur lindi arti i skulpturës.

Balta është dashuri, pasion. Prekja e saj është sensuale. Diçka le e diçka merr në prekjen e mollzave. Nga ky takim lind shkëndia e artit, formëzohet vepra e ardhshme...

 Balta është si femra që nuk jepet kollaj. Duhet ta marrësh me të mirë, ta përkëdhelësh, ta lash e zbutësh me ujë, t’i kalosh pëllëmbën e dorës dhe gishtrinjtë me ngadalë e butësi. Po nuk e lave ajo ngurtësohet, bëhet si plakë e keqe me rrudha shumë, humbet freskinë e brishtësinë. Dhe pasi ta kesh përkëdhelur gjatë e t’i kesh dhënë nxehtësinë e ngrohtësinë, që është ngrohtësia e shpirtit e zemrës së artistit... atëhere nënshtrohet, bëhet njësh me të.... e atëhere vjen një çast e zbutet, jepet, dorëzohet plotësisht dhe merr formën që i kërkon, bashkëpunon me ty. Në se i hedh shumë ujë ajo shpërfytyrohet, del nga vetja ndrydhet paqësisht e humbet nëpërmjet gishtrinjve, nuk merr asnjë formë, shkon deri në harrim...

 Kjo është balta, e heshtur, plot energji e forcë, e gatshme e tekanjoze, e sertë dhe e butë, e shtruar dhe e ngurtë, kjo varet në duart e kujt bie. Në se di, atëhere do të krijosh mrekullinë, veprën e artit, derdhjen e shpirtit artistik, formave, plastikës, emocionin dhe qenien tënde... 

 

 

 

 

* Studiues Arti

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00