Home | Education | Flaka e dijes, apo flaka e djegies!?

Flaka e dijes, apo flaka e djegies!?

image
E ç’është më e bukura këtë nuk e bën as ndonjë druvar i pashkollë dhe hallexhi dhe as ndonjë fatkeqësi natyrore, por një institucion, i cili supozohet të jetë edukues, i drejtë dhe shembullor, sepse në duart e tyre besohet e ardhmja e Shqipërisë. 
 
 
 

 
 
Nga Reinis Xhelili 

 
 
 


“Flakën e dijes, eja ti ndize përgjithmonë në shkollën Willson”! Sapo pashë në edicionin informativ të darkës lajmin rreth prerjes së pemëve në Liqenin Artificial, në mënyrë ironike më përsëritej pa pushim në mendje kjo frazë e këngës së Greta Koçit kushtuar kolegjit “Willson”. Sa qesharake! Besoj se të gjithë e dinë se për çfarë po flas, por për ata pak që nuk e dinë, ja se ç’ka ndodhur me pak fjalë: U konstatua se në Kodrat e Liqenit Artificial, pranë kompleksit ishin prerë në mënyrë fare të paligjshme rreth 40 pemë disa dhjetra vjeçare, të cilat u gjetën të stivosura në bodrumet e shkollës. Bashkia e konstatoi dhe ka ngritur një padi penale! Gjithmonë, kjo është ajo ç’ka u tha nga televizionet dhe ato përherë e kanë pasur për zemër ekzagjerimin. Por sot nuk është 1 Prilli dhe si pasojë askush nuk mund të sajojë një gënjeshtër të tillë aq të madhe, sa po të dëgjohej në ndonjë vend të Perëndimit, ose edhe të Lindjes do të merrej si anektodë. Kurse në këtë vend sa në Lindje dhe në Perëndim nuk është kështu. Ajo është thjeshtë një ndër ndodhitë e shumta të së përditshmes shqiptare.
 
Pra, ndërsa ne qytetarët, shqetësohemi ndaj masakrave që po i ndodhin Parqeve Kombëtare nëpër të gjithë Republikën e Shqipërisë, e duke ju druajtur faktit nëse do të kemi diçka për t’ia lënë trashëgim fëmijëve tanë nesër, mu nën hundën tonë, në sytë e gjithë miletit masakrohet Liqeni Artificial, që është njëlloj sikur të therësh zemrën e Tiranës. E ç’është më e bukura këtë nuk e bën as ndonjë druvar i pashkollë dhe hallexhi dhe as ndonjë fatkeqësi natyrore, por një institucion, i cili supozohet të jetë edukues, i drejtë dhe shembullor, sepse në duart e tyre besohet e ardhmja e Shqipërisë. Këtë të ardhme, ata e drejtojnë në rrugën e Dreqit dhe jo atë të Zotit. Ata që duhet të të mësonin të ndërtosh, të mësojnë të masakrosh, në vend të punës me nder, përfitimin nga krimi, kështu që mesa duket në këngën që citova në fillim, duket se nuk bëhet fjalë për flakën e dijes, por për flakën e shkatërrimit. Flakë që sot djeg 40 pemë, kurse nesër çdo gjë që gjen përpara.Por këtë herë të paktën, ndryshe nga herë të tjera dikush denjoi ta hidhte një sy ndaj kësaj padrejtësie. Bashkia e Tiranes duket se u merakos dhe nuk bëri qorrin e shurdhin, ashtu si për shumë vitet e kaluara. Shpresojmë që ti shkojë gjer në fund dhe drejtësia, gjithashtu, nëse vërtet është aktive të marrë masa.
 
Duhet bërë dikush shembull, që të tjerët mos të guxojnë, sepse kam frikë se nëse edhe ky rast kalon lehtë me një “më fal” të thjeshtë, ateherë një ditë të bukur do zgjohemi e në vend të pemëve do gjejmë pallate. Mirë që liqenin nuk e kemi më, por në vend të tij një gropë të madhe me ujë të qelbur, por të paktën të mbajmë parkun. Ajo gjasme shkollë nuk e di se me ç’të drejtë dhe ligje ndodhet aty, fakt që përherë më ka vënë në pikëpyetje, por besoj se shteti e ka në dorë të drejtën e marrjes dhe dhënies së licencave, kështu që le ta provojë se nuk e mban kot këtë të drejtë. Mbase po e ekzagjeroj shumë dhe problemi nuk është kaq tragjik, atëherë në rregull, tërhiqem. Le të bëhet si të bëhet! Por besoj se edhe shumë të tjerë si unë janë të ngopur dhe të lodhur nga ky problem. Shumica e parqeve natyrore po dëmtohen dita-ditës. Askush nuk ka ngelur me faj. Justifikimet kanë dalë nga korrupsioni dhe bashkëpunimi i policisë pyjore e deri tek barinjtë e zonave. Lura po shkon drejt shprehjes “na ishte një herë”, kurse Llogoraja po digjet çdo verë dhe lokalet e ndërtimet po shtohen si vemje.
 
Mos ndoshta Serbia, Maqedonia ose Greqia kanë diçka më shumë se ne?! Apo mos ndofta edhe ata i kanë pasur këto probleme, por thjesht kanë përdorur dorën e hekurt në kohën e duhur ndaj të parëve që të tjerët të nxinin mend më mbrapa!? Mjaft më! Të them të drejtën kurrë nuk e kam klasifikuar vetveten si ndonjë ekologjist të flaktë, partizan të mbrojtjes së të drejtave të kafshëve a ku di unë çfarë tjetër! Por besoj se ka ardhur ai moment që reagimi nga ana e opinionit publik është i pashmangshëm! Jemi lodhur me të bërin e rolit të budallait, shurdhit apo memecit, rol që e kemi aktruar për vite me radhë në mënyrë të përkryer që nga prindërit tanë. Vetëm se këta të fundit kanë qenë të detyruar nga rrethanat, kurse ne në këtë shtet demokratik nuk ka se kush të na e ndalojë të drejtën e shprehjes dhe të protestës ndaj padrejtësive. Po shkatërrohet furnizuesi i mushkërive të çdokujt nga ne, gjë që në mënyrë të heshtur e të avashtë nuk është as më pak as më shumë se vrasje! E pra... mjaft më!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0