Home | Education | Intelekti shterp

Intelekti shterp

image
Prandaj, duhet gjetur mënyra e arsyes, mendjes së kthjellët, vizionit, largpamësisë, pa marrë parasysh pasojat dhe gjendjen utilitare të atyre që udhëheqin me shoqërinë me mendimin imponues subjektiv drejt cakut të dëshiruar, të realitetit autoritar.
  




Genc Xërxa

 
 
 


Të gjitha shoqëritë tentojnë dhe anojnë të arrijnë tek e vërteta duke i ruajtur me xhelozi vlerat e normat me të cilat identifikohen, dhe përparësitë apo karakteristikat e mirëfillta e të dobishme që e përfaqësojnë një shoqëri apo një popull. Mungesa e guximit që të ndiqet dhe forcohet kjo rrugë e njëtrajtshme, mund të sjell tek shoqëria një trasim tjetër, të panjohur në krahasim me atë që e ka shoqëruar në periudha apo kohë të caktuara. Ai bëhet pre e rrethanave të reja duke “u endur’ apo tentuar të përshtatet me rrethana që vijnë (duke goditur, shlyer, sfiduar të kaluarën e traditën si diçka e tejkaluar dhe e pavlerë).
 
Pse mos të mundohemi që këto vlera, këto norma të modifikohen në një masë të caktuar duke ruajtur thelbin, sublimen dhe duke iu përshtatur rrethanave - në vend të zëvendësimit të tyre në mënyrë radikale me novitete të cilat ende nuk janë testuar e nuk kanë treguar rezultate.
 
Kur shtohet ndikimi i madh teknologjik në individin se si i ka formësuar jetën apo stilet - si frymë imponuese globale e depërtuar dhe e importuar pa vetëdije – ky strukturim vlerash është shkatërrues dhe me ndikim në transformimin social, kulturor, komunikues, medial etj. tek secila shoqëri.
 
Nëse këto “të hyra” merren si shabllone apo kallëpe pa ndonjë negociim të brendshëm social e kulturor, atëherë ndikimi i injektuar dhe i pavetëdijshëm i “ligjeve” e kodeve të reja bëhet pjesë e jetës dhe e përditshmërisë. Në krahasim me stabilitetin social të dikurshëm, këto me vete bartin ndikime të mëdha në relacione të ndryshme mes individëve dhe konjukturave përbërëse të strukturës shoqërore.
 
Agjendat ditore janë më ndryshe sot, si rezultat i dinamizmit, jetës individuale dhe marrjes së obligimeve të shumta. Ato synime individuale e kanë tjetërsuar jetën në krahasim me të kaluarën, kur profilet jetësore s’kanë dalluar mes veti. Ato kanë pas rrjedhje më të ngadaltë dhe aspiratat kanë qenë më të përgjithësuara brenda kontekstit social (dhe në numër më të kufizuar në krahasim me të sotmen).
 
Agjendat sot janë të shumta, të larmishme dhe detyrimet apo obligimet individuale karshi jetës janë enorme apo në rritje e sipër në vetavansim dhe vetrealizim. Impakti në këtë lloj jete sot e ka edhe çmimin e vet me plot strese, ndikime socio-psikologjike dhje desocializim, për shkak të mungesës së kontaktit, kohës së lirë dhe shoqërisë.
 
Pra, mospërmbushja e elementeve themelore humane; mungesa në emocionin dashamirës, miqësor, mikpritës, shoqërues, komunikues (jo virtual) etj., krijon dehumanizmin e njeriut dhe krijimin e një qenie të ftohtë roboteknike pa ndjenja e të “kënaqur” me vetveten. Atij i krijohen kushte apo baza të forta si pjesë përbërëse e programeve të projektuara, botëve virtuale - qofshin ato komunikuese, konsumuese (në formë arti, teknologjie, mediale etj.) - duke anashkaluar gjithmonë objektivizmin përball subjektives, mendimin kritik karshi pikëpamjeve virtuale “objektive”.
 
Duke mos qenë pjesë e realitetit ekzistues, mbetet i strehuar “në ëndrra” apo realitete që imponojnë këto objekte teknologjike. Siç Herbert Marcuse e përmend tek “Njeriu njedimensional”, individit si impiant apo çip i strukturuar, i vihen vizionet, vetëdija, ndërgjegjja e strukturuar, opinioni apo konstrukti kognjitiv, që për qëllim e kanë të krijimin e një numri sa më të madh të individëve të tillë, të cilët s’janë tjetër pos jofrymorë e të një ushtrie të teledirigjuar në projekte të cilat elitat politike apo pushtetet e forta i projektojnë me qëllim të krijimit të njëmendësisë (mendimit të dëshiruar, asnjëherë duke ofruar pikëpamjet tjera që do ishin kontradiktore me ata të cilët gjeneruan, projektuan apo udhëheqin dhe zbatojnë rendin social, kulturor, politik e ekonomik).
 
Ku e gjejnë veten në këto ujëra të turbullta intelektualet e sodit?
 
Shumica e tyre janë pa guxim dhe u shërbejnë rrjedhave të projektuara programore, duke mos nxitur debate kritike për të mirën e shoqërisë së tyre. Duke u bërë pre apo pjesë e platformave të ndryshme politike, propaganduese, dogmatike - kinse në emër të vlerave dhe normave të mirëfillta moderne që avancojnë shoqërinë – ata gjejnë forma të ndryshme të hyjnë në bërthamën sociale sikur “ushejza që qëllim kanë të thithin gjak sa më të ri.”
 
Kjo formë e intelektit joprodhues të vlerave nuk është largpamëse, vigjilente, sfiduese apo testuese në pohime të reja dhe nuk ka për qëllim të ndjekë të vërtetën - të dobishmen për shoqërinë në emër të përndritjes mendore dhe vetafirmimit veror, ballafaqimin me probleme që rrethanat e reja, kërkimin e zgjidhjes... Ajo gjithmonë është në shërbim të ideologjive, politikës, autoriteteve, e asnjëherë në shërbim të thirrjeve të arsyeshmërisë intelektuale që shoqëria pret prej tyre.
 
Ky është intelekti eunuk, sikurse anomalitë gjenetike që ndikojnë në moskrijimin e predispozitave për riprodhim natyral biologjik. Ky lloj intelekti nuk është aspak afirmativ, koherent, testues apo riprodhues, por shterp sikurse eunukët në haremet e perandorëve, mes femrave të bukura ku prezenca e tyre është formale.
 
Shoqëria jonë është duke gatuar këtë lloji intelekti i cili dita-ditës me shterpësinë dhe servilitetin autoritativ dëshmon impotencën dhe formën eunuke të mendësisë intelektuale. Tani ekzistojnë devijime të mëdha në këtë rrugë të afirmuar vlerash dhe epilogu i tyre është jo shpresëdhënës për të ardhmen e afërt. Prandaj, duhet gjetur mënyra e arsyes, mendjes së kthjellët, vizionit, largpamësisë, pa marrë parasysh pasojat dhe gjendjen utilitare të atyre që udhëheqin me shoqërinë me mendimin imponues subjektiv drejt cakut të dëshiruar, të realitetit autoritar.
  

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0