Private apo publike?
Epërsia e mirarsimimit konstatohet edhe në kushtet e krizës globale. Edhe në vendet ku kriza ka arritur në nivelet më të larta të rënies së rritjes ekonomike dhe rritjes së papunësisë, sërish është vërtetuar një lidhje e fortë midis shkallës së arsimimit dhe papunësisë.
Arben Malaj
Arsim publik apo privat, shërbim shëndetësor publik apo privat, financim buxhetor apo privat, financim të institucioneve arsimore dhe shëndetësore nga buxheti apo kuponë financiarë bazuar në kostot për një nxënës apo një të sëmurë, që u shpërndahen individëve dhe ata përzgjedhin vetë se ku do të shkojnë, në shkolla publike apo private, në spital publik apo privat?!
Ky debat përfshin shumë fusha, por një vend të rëndësishëm, bazuar edhe në realitetin tonë, ka arsimi dhe shëndetësia. Debati merr vlerë nisur edhe nga fakti që jemi në hapat e parë të zhvillimit të sektorit privat në këto fusha, cilësia e tij ka efekte të konsiderueshme në ekonominë e vendit tonë, ndaj zhvillimi cilësor i sektorit privat në arsim dhe shëndetësi duhet të jetë pjesë e reformave dhe strategjive kombëtare.
Rritja e cilësisë së arsimimit dhe shëndetit përbëjnë sot prioritetet kryesore në politikat e zhvillimit të të gjitha vendeve. Kjo vërtetohet më mirë në qoftë se do të bëhet një krahasim i kujdesshëm i vendeve që kanë pasuri natyrore dhe historisë së zhvillimi të tyre, me vendet që kanë përcaktuar prioritete kombëtare cilësinë e arsimimit dhe shëndetit dhe ndryshimet radikale në zhvillimin e tyre. Krahasimi do të vërtetojë avantazhin e vendeve që zhvillimin e tyre nuk e kanë pritur nga pasuritë natyrore, por nga cilësia e kapitalit njerëzor, nga rritja e cilësisë së arsimimit të popujve të tyre.
Shumë nga vendet më të zhvilluara, sidomos shumë nga vendet që kanë dalë nga prapambetje të trashëguara historike, kanë bërë reforma të thella në zhvillimin e tyre, pikërisht sepse kanë hartuar dhe implementuar reforma të qarta në mirarsimimin e popujve të tyre. Ata kanë investuar në përmirësimin e të gjitha hallkave dhe fazave të këtij procesi. Një vend të rëndësishëm ka pasur investimi/financimi publik për krijimin e teknokratëve të arsimuar në shkollat më të mira në botë, duke krijuar ekipet promotore të ndryshimeve “radikale”.
Krijimi i këtyre ekipeve ka krijuar premisat pozitive për të implementuar reforma të suksesshme në arsim, shëndetësi dhe në rritjen e konkurrencës së sektorëve realë të ekonomisë, deri në ndryshime të strukturës së tyre ekonomike, duke u orientuar nga krijimi i avantazheve specifike në konkurrencën globale. Disa vende në Azi dhe Amerikën Latine janë shembuj konkretë të modeleve të suksesshme.
Epërsia e mirarsimimit konstatohet edhe në kushtet e krizës globale. Edhe në vendet ku kriza ka arritur në nivelet më të larta të rënies së rritjes ekonomike dhe rritjes së papunësisë, sërish është vërtetuar një lidhje e fortë midis shkallës së arsimimit dhe papunësisë. Sa më e lartë shkalla e arsimimit, aq më e madhe mundësia e punësimit të tyre. Këto studime tregojnë se papunësia është më e madhe tek individët me shkallë arsimimi më të ulët, duke argumentuar dobishmërinë e investimeve publike dhe private në mirarsimim.
Në këtë këndvështrim, reformat me efekt më të mirë në vendin tonë janë reformat në arsim dhe shëndetësi, reformat që vënë në qendër të tyre një cilësi të re të arsimimit dhe të shëndetit, reforma që rrisin mundësitë si për institucionet publike, edhe për ato private, duke e nxitur konkurrencën, por edhe bashkëpunimin midis tyre.
Duke pranuar se rritja e cilësisë së arsimimit dhe shëndetit sjell përfitime publike, ka interes publik diskutimi se si mund ta arrijmë atë.
Institucionet publike apo private në fushën e arsimit, shëndetësisë, menaxhimit të investimeve të mëdha publike, apo disa shërbime të konceptuara “publike” ( Certifikatat, patentat, hipotekat, administrimi i taksave etj.) duhet të shikohen jo si konkurrente që synojnë të “mundin” njëra-tjetrën, por si mundësi reale për të ndikuar pozitivisht në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe uljes së kostove të përfituesve.
Cenimi i cilësisë së arsimimit dhe shëndetit nga mungesa e reformave dhe politikave që e përmirësojnë cilësinë e tyre, mungesa e lirisë akademike dhe autonomisë financiare në institucionet arsimore dhe shëndetësore publike krijojnë pasoja negative për përfituesit e tyre, për nxënësit, studentët, të sëmurët, familjarët e tyre dhe deri te taksapaguesit.
Më shumë vlerë ka diskutimi se si rritet cilësia e arsimimit dhe shëndetit, pavarësisht se kush e ofron shërbimin, sektori publik apo sektori privat, sesa diskutimet apo debatet “mbi epërsitë” absolute të njërës formë ndaj tjetrës.
Edhe testimet ndërkombëtare për cilësinë e arsimit parauniversitar, edhe renditja ndërkombëtare 2012 e universiteteve tona, edhe studimi i Bankës Botërore mbi cilësinë e diplomave universitare e mundësitë për punësim, të cilat përfshijnë si institucionet publike edhe ato private, janë të mjaftueshme për të qartësuar se reformat janë të cunguara dhe se sfidat janë të vështira. Ne kemi harxhuar shumë fonde buxhetore dhe nga donatorët për të reformuar dhe modernizuar arsimin dhe shëndetësinë, por rezultatet mbeten zhgënjyese.
Nuk kemi arritur që për këto prioritete kombëtare të kemi hartuar, miratuar edhe implementuar reforma afatgjata. Ndryshimet e shpeshta në drejtimin e institucioneve që duhet të drejtojnë këto reforma kanë pasur efekte negative. Strategjitë kombëtare janë ndryshuar shpesh, reforma të nisura janë ndërprerë, ato nuk janë parë si vazhdim i një prioriteti kombëtar, por si një fillim nga e para. Kjo ka ndodhur jo vetëm kur ka pasur rotacione politike, por edhe kur brenda së njëjtës maxhorancë kanë ndryshuar drejtuesit e institucioneve politikëbërëse.
Sot, për fat të mirë, ka tregues globalë të institucioneve ndërkombëtare për cilësinë e arsimit dhe shëndetit, të cilat duhet të ndihmojnë për të matur efektivitetin e reformave dhe për të identifikuar pikat e dobëta.
Tregues të rëndësishëm të kostove të arsimimit, të nivelit të borxhit me të cilin arsimohen studentët, të përqindjeve të punësimit të studentëve të tyre duhet të jenë të detyrueshme për institucionet arsimore publike dhe private.
Avantazhet mund të fitohen jo vetëm nga statusi i organizimit të tyre, por nga tregues konkretë të përfitimeve reale të studentëve. Ndryshimi i statusit në jofitimprurëse nuk është thelbi i ndryshimit të krijimit e drejtimit të institucioneve private. Bordet e besimit, procedurat përzgjedhëse të stafeve akademike, kredibiliteti i botimeve shkencore dhe transparenca maksimale e treguesve financiarë kanë efekte më të mëdha. Ndaj, një fokus më i mirë i politikëbërësve dhe drejtuesve të institucioneve publike dhe private në arsim dhe shëndetësi për elementet thelbësore të reformave që na sigurojnë cilësi të rritur të arsimimit dhe kujdesit shëndetësor mund të jetë më i dobishëm. Jo rastësisht reformat e suksesshme nuk janë përcaktuar nga modele financimi apo madhësia e shpenzimeve publike për arsimin, por nga objektiva të qarta të faktorëve me ndikim shumë më përcaktues në cilësinë e tyre, siç është edukatori në sistemin parashkollor, mësuesi në sistemin parauniversitar dhe pedagogu apo drejtuesi shkencor në universitet dhe qendrat kërkimore-shkencore.
Comments (0 posted)
Post your comment