Arsimi i lartë, Kina kërkon bashkëpunim me BE
Akademikët dhe funksionarët që morën pjesë në dialogun e lartë BE- Kinë në Bruksel para disa javësh, thanë se Kina dhe shtetet e BE-së kanë kaluar nga faza e lehtësimit të shkëmbimit të studentëve në diskutimin për korporata në nivel institucional dhe krijimin e platformave kërkimore të përbashkëta që do përfshijnë partnerë dhe nga jashtë Kinës dhe BE-së.
Në furinë e takimeve të fundit ndërkombëtare të funksionarëve të arsimit dhe liderëve të universiteteve, është vënë re se Kina po thellon marrëdhëniet e saj të arsimit të lartë me Europën. Një marrëdhënie më e thellë do të ndihmojë për të kuptuar menaxhimin dhe qeverisjen e universiteteve publike për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar.
Akademikët dhe funksionarët që morën pjesë në dialogun e lartë BE- Kinë në Bruksel para disa javësh, thanë se Kina dhe shtetet e BE-së kanë kaluar nga faza e lehtësimit të shkëmbimit të studentëve në diskutimin për korporata në nivel institucional dhe krijimin e platformave kërkimore të përbashkëta që do përfshijnë partnerë dhe nga jashtë Kinës dhe BE-së.
Jianmin Li, kreu i zyrës së Arsimit dhe Kulturës i Misionit të Kinës në BE në Bruksel, ka thënë se përveç shkëmbimit të studentëve Kina do më shumë “shkëmbim arsimor dhe bashkëpunim institucional”.
Sipas medias zyrtare kineze, një nga qëllimet e takimit në Bruksel ishte të siguronte “sugjerime politikash dhe të rriste konkurrencën” mes dy sistemeve të arsimit.
“Nuk është thjesht që të dyja palët të marrin më shumë studentë të huaj. Është më shumë për të krijuar një arkitekturë globale për bashkëpunim”, ka thënë Michael Gaebel, kreu i njësisë së politikave të arsimit të lartë në Shoqatën e Universiteteve Europiane, ose EUA për University World News.
“Veçanërisht për krerët e universiteteve të Kinës, diskutimi është zhvendosur në çështjen e qeverisjes së universiteteve që mund të ndikojë partneritetet e arsimit të lartë dhe rregullat financiare që i përcaktojnë ato”, thotë Gaebel.
Yang Xinyu, zv/sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bursave të Studimit të Kinës, është shprehur: “Neve na intereson modeli europian i universiteteve për të lehtësuar mobilitetin e rritur tashmë dhe për të kuptuar si mund të punojnë bashkë universitetet”. Ajo ka thënë se kjo është e rëndësishme duke qenë se bashkëpunimi dhe shkëmbimi me Europën ka qenë më i madh në nivel universiteti krahasuar me atë me Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunimi priret të jetë mes profesorëve.
Ndryshimi i mendësisë së BE-së
EUA, bashkë me Shoqatën e Bashkëpunimit Akademik dhe Këshillin e Bursave të Kinës, organizuan takimin e parë të Platformës së Arsimit të lartë për bashkëpunim dhe shkëmbim BE –Kinë (HEPCE) në Bruksel më 25 prill, që mblodhi drejtuesit e universiteteve, të cilët diskutuan për politikën e dialogut ndërmjet BE-Kinë.
Aktiviteti mblodhi 200 delegatë dhe 80 përfaqësues universitetesh, mes të cilëve komisionerja e BE-së për Arsimin, Androulla Vassiliou dhe zv/ministri i Arsimit i Kinës, Du Yubo. Përfaqësuesit thanë se ishte e dukshme që politikëbërësit e BE-së dhe shumë drejtues akademikë e kishin kapërcyer mendësinë që e shihte Kinën thjesht si një burim studentësh që paguanin tarifat e shkollimit dhe tendencën për ta parë atë si një konkurrent dhe jo si një partner në kërkimin shkencor. Vetëm pak vite më parë “ishte shumë e vështirë të bindje zv/rektorët europianë që Azia nuk ishte thjesht një burim studentësh taksapagues. Askush në BE nuk mund të injorojë faktin që Kina është bërë një faktor i rëndësishëm botëror për kërkimin dhe që pesha po i rritet”, është shprehur Gaebel. Në katër-pesë vitet e fundit, institucionet e secilës palë po shohin më tepër jashtë vetes dhe janë bërë më ndërkombëtarë, si pasojë janë bërë më të aftë të ngrenë bashkëpunime më të thella ndërkombëtare, sipas Gaebel, duke vënë në dukje kontradiktën që universitetet publike janë themeluar për qëllime kombëtare dhe financohen me paratë e shtetit.
Mjedis miqësor
Yang është shprehur se, krahasuar me të shkuarën, universitetet e Kinës kanë krijuar një “mjedis më miqësor” për bashkëpunim dhe shkëmbim. “Shërbimet janë përmirësuar ndjeshëm – politikat e qeverisë po e mbështesin ndryshimin”.
BE, nga ana e saj, ka interes të promovojë arsimin e lartë të stilit europian në Kinë.
“Përshtypja ime është që BE do të eksportojë disa nga instrumentet e reformës së Bolonjës, si kornizat e kualifikimeve dhe njohjen e periudhave të studimit në Kinë”, ka thënë Drejtori i Academic Cooperation Association, Bernd Wächter.
Jianmin Li është shprehur në dhjetor mbi këtë çështje se, procesi i Bolonjës i intereson Kinës. “Është interesante që në zonën e arsimit, BE nuk ka fuqi legjislative dhe punon për të krijuar marrëdhënie me universitetet. Megjithatë, procesi i Bolonjës ka qenë shumë i suksesshëm. Ai e ka bërë Europën shumë më të fortë dhe e lejon të konkurrojë me Kanadanë dhe Amerikën”. Interesimi i Kinës për Bolonjën dhe modele të tjera të arsimit të lartë si mënyra për të përforcuar anën konkurruese të shtetit, ka të bëjë me politikën e gjerë të Kinës për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë dhe reduktimin e pabarazive mes universiteteve midis pjesës së pasur lindore të shtetit dhe asaj të varfër në Perëndim.
Tani interesimi i Kinës për bashkëpunim ka të bëjë me “përmirësimin e sistemit dhe si të përdorë arsimin e lartë si një motor për zhvillim ekonomik. Nuk është vetëm për tabelat e renditjes dhe performancën, por dhe për përbërjen sociale dhe mënyrën e zhvillimit të saj”, ka thënë Gaebel.
Modelet e ndryshme të universiteteve
Takime si ky i HEPCE ishin “një mënyrë e mirë për të bashkuar politikat e vendimmarrjes dhe universitetet”, ka thënë Gaebel. “Ne jemi në gjendje t’u flasim politikëbërësve dhe t’u japim udhëzim se si mund të zhvillohet kjo politikë”. Roger Woods, zv/rektor i Universitetit të Nottingham-it, i cili ndoqi punimet e HEPCE, është shprehur: “Një gjë që Kina po merr nga Europa me bashkëpunimet e ndryshme është një gamë modelesh (të arsimit të lartë).
“Kina ka interes për modelin britanik, amerikan, por dhe për atë europian”, thotë Woods, duke shtuar se Pekini donte të kthente “të diplomuarit që do përshtaten në një ekonomi të transformuar”. Sipas planit10-vjeçar të “inovacionit të shoqërisë”, Kina po synon të përmirësojë cilësinë dhe numrin e të diplomuarve, ndërkohë që ajo kalon nga një vend manifakturues në një ekonomi të dijes.
“Përveç progresit të vet, Kina ende po mëson nga Europa rreth modeleve më të mira të qeverisjes së universiteteve”, ka thënë Wächter. “Duke i parë sistemet e arsimit të lartë si një e tërë, është sigurisht një ide e mirë”. Por disa thonë që Kina po thellon qasjen e saj me zhvillimin e arsimit të lartë më shumë sesa po e ndryshon atë dhe që oferta e saj për universitete kërkimore botërore modeluar sipas atyre në SHBA do të vazhdojë.
“Ka një zhvendosje drejt Europës, por nuk është një braktisje e menjëhershme e politikave më të hershme”, është shprehur Gaebel.
Dhe nuk është vetëm për zhvillimin kombëtar. Kina ka ende plane ambicioze për të qenë një qendër ndërkombëtare e arsimit të lartë.
Du Yubo, zv/ministri i Arsimit i Kinës, ka thënë në Bruksel që shteti i tij po kërkon të tërheqë më shumë studentë të huaj. Deri në 2020 do ketë përafërsisht 500 000 studentë ndërkombëtarë në Kinë, duke e bërë vendin “destinacionin më të madh aziatik për studentët e huaj”. Aktualisht, në Kinë studiojnë afërsisht 35 mijë studentë nga shtetet e BE-së. Du ka bërë të ditur që në pesë vitet e ardhshme Kina do ofrojë 30 000 bursa për studentët dhe kërkuesit europianë.
Comments (0 posted)
Post your comment