Home | Education | Arsim publik apo privat?

Arsim publik apo privat?

image
Revolucioni në arsim, si në çdo fushë tjetër, ka kosto të madhe politike dhe njerëzore dhe nuk mund të bëhet nga njerëz, të cilët, jo për faj të tyre, e kanë të lidhur ekzistencën me një rrogë shteti dhe me një rreth shoqëror që shpesh nuk i mirëkupton.

 

 

 

Nga Eustrat Zhupa* 

 

 

 

 

Prej disa kohësh dëgjojmë se qeveria shqiptare ka vendosur të financojë edhe bizneset arsimore private. Kjo trumbetohet si një arritje e madhe politike, por në fakt është çudia shqiptare e radhës. Destinacioni i fondeve publike rrjedh natyrshëm dhe qartë nga përkufizimi i universitetit publik si një “institucion arsimor i financuar me taksat e qytetarëve”. Pikë. Këtu qëndron ndryshimi historik dhe ligjor midis një institucioni arsimor publik dhe një institucioni ose biznesi arsimor privat. Për të shkuar pak përtej një përkufizimi formal, qeveria mund të marrë përsipër të financojë ato aktivitete private që janë plotësuese, pra për shërbime me karakter publik, të cilat, për arsye të ndryshme, shteti nuk është në gjendje t’i ofrojë nëpërmjet institucioneve publike. Në rastin e universiteteve, nëse shteti financon aktivitete private të arsimit të lartë, është njësoj si të pranosh se shpura e institucioneve publike të arsimit të lartë vegjeton dhe është larg rolit dhe rëndësisë shoqërore që duhet të ketë. Më në veçanti, mund të konsiderohet si detyrim moral dhe politik, që shteti të mbështesë një aktivitet arsimor privat, i cili nderon Shqipërinë në botë. Të gjithëve do na bëhej qejfi dhe do ndiheshim krenarë nëse një universitet shqiptar, privat ose publik, bën një emër të mirë në shkencë, kulturë ose art. Kjo është ajo që do na pëlqente, por e vërteta e hidhur është se deri tani kemi dalë në faqet e gazetave të huaja vetëm për ndonjë diplomë të shitur.

Ky realitet i hidhur e shmang për një kohë të gjatë nevojën e diskutimit mbi destinacionin e fondeve publike. “Matrapazët” e arsimit, por edhe ato institucione arsimore private që punojnë me përgjegjësi, duhet t’i tregojnë vlerat e tyre në nivel ndërkombëtar dhe të bëhen konkurrues në një treg më të gjerë. Në rast të kundërt, sado lule të mbjellin në kopshtet e tyre dhe sado pastër që ta mbajnë ambientin përreth, nuk mund të jenë të besueshëm dhe janë të destinuar të dështojnë. Bota njeh edhe raste kur fondet publike destinohen në universitete private. Japonia është një nga vendet e zhvilluara ku shteti financon edhe universitetet private. Nuk dua të lodh lexuesin me detajet e këtyre financimeve, por sinqerisht e kam shumë të vështirë të heq një drejtëz paralele midis ndërgjegjësimit dhe kulturës japoneze në qeverisje, si edhe në gjithë fushat e tjera, dhe mënyrës së qeverisjes në Shqipëri. Për ata që kanë dyshime, kujtoj se një deputet japonez piu ujë pranë zonës së Fukushimës për të treguar se nuk ka rrezik për banorët. Po me qeveritarët tanë çfarë ndodh? Ata deklarojnë se plazhi i Durrësit është më i pastri në botë në një kohë që vetë notojnë në detin e Dhërmiut.

E pra, simpatizantët e këtyre ligjeve, që nuk bëhen për interesa publike, por për interesa private të njerëzve të caktuar, duhet të lexojnë siç duhet realitetin dhe të mendohen mirë para se të propozojnë ligje për arsimin. Këto ligje të pamenduara, të pakonsultuara dhe të shkruara brenda një nate për t’i bërë qejfin njërit ose tjetrit pushtetar, do kenë pasoja negative të paimagjinueshme në arsimin e lartë. Është e pranueshme edhe teza se konkurrenca në arsim, si në çdo fushë tjetër, mund të ketë efekt pozitiv në rritjen e cilësisë. Teoricienët e kësaj rryme harrojnë, me dashje apo pa dashje, se teza e konkurrencës vlen vetëm nëse kushtet fillestare janë pak a shumë të njëjta. Kjo është larg të vërtetës në rastin e universiteteve në Shqipëri.

Nga njëra anë, institucionet private të arsimit të lartë nuk kanë asnjë pengesë ligjore për punësimet, tipologjinë e shpenzimeve, etj. Në përgjithësi privati nuk ka pengesat administrative që kanë institucionet publike të arsimit të lartë, që i nënshtrohen me ligj një kornize kufizuese në lidhje me punësimet, shpenzimet, blerjen e pajisjeve dhe shumë detaje të tjera, që mund të jenë të tepërta për lexuesin. Ky ndryshim cilësor, i nxjerr zbuluar tezat e rritjes së cilësisë si rrjedhim i konkurrencës. Konkurrenca midis privatit dhe publikut nuk është e "ndershme", dhe si e tillë nuk mund të jetë një argument bindës. Diskutimi për financimin na çon natyrshëm në një tjetër temë të “nxehtë”, akreditimi i universiteteve. Të gjithë flasin për këtë, por askush nuk i informon njerëzit se si do bëhet ky akreditim. Është pak vështirë të besosh se ky proces mund të realizohet me strukturën aktuale. Mjafton të hedhim një sy në përbërjen e stafit të disa universiteteve për të kuptuar se ata që kanë pasur si detyrë të kontrollojnë dhe të akreditojnë universitetet tashmë janë të punësuar në këto universitete. Për të mos përmendur pastaj “profesorë të shquar” që mund të jenë pjesë të stafeve akademike njëkohësisht në 5-6 universitete publike dhe private.

Megjithëse këto fakte nuk bëhen publike, nuk është vështirë të kuptosh se ku janë rrënjët e këtij monopolizimi të arsimit të lartë. Pikërisht kjo është situata aktuale dhe për këtë realitet duhen propozime konkrete, jo deklarata të përgjithshme. Nga këto jemi lodhur. Një akreditim i vërtetë duhet dhe mund të realizohet vetëm nëpërmjet institucioneve të pavarura, ndërkombëtarisht të besueshme dhe larg konfliktit të ngushtë të interesit. Revolucioni në arsim, si në çdo fushë tjetër, ka kosto të madhe politike dhe njerëzore dhe nuk mund të bëhet nga njerëz, të cilët, jo për faj të tyre, e kanë të lidhur ekzistencën me një rrogë shteti dhe me një rreth shoqëror që shpesh nuk i mirëkupton. Tani, më shumë se kurrë, në prag zgjedhjesh politike, njerëzve u duhen ofruar alternativa të qarta dhe të prera. Atyre u duhet ringjallur shpresa nëpërmjet një distancimi radikal me ato çudira që kanë parë deri tani në arsimin shqiptar. 

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Universiteti i Ohrit, Maqedoni 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0