Poqurkat e shkreta
Sistemin të cilin na e kanë imponuar në dhjetë vjetët e shkuar -- ky i mungesës së shpresës se gjërat mund të ndryshojnë pa ardhur dikush prej së jashtmi me i zgjidh, i ka bërë njerëzit inertë, joinventivë, oportunistë... Është koha për t’u zgjuar, përfundimisht...
Flaka Surroi
Çka nuk na ra të dëgjonim gjatë javës që e lëmë pas – arsyetimet patetike, hiç burrnore, se përse nuk duhej dhënë dorëheqjen kryeuttarani, rektor Ibrahim Gashi; për pritjen 15-vjeçare për ta arrestuar Oliver Ivanoviqin, dhe bash në kohën kur ky kandidohet për kryetar Mitrovice; për atë se si bash tash, mbas fitores së AKR-së në Mitrovicë, flitet për ndërrimin e statusit të “Trepçës”; se pse kosovarëve të pasinqertë u duhen tre vjet për ta bërë një reformë zgjedhore që në kushte normale nuk do të duhej të merrte më shumë se një ditë; se përse bashkësitë fetare ofendohen kur zhurmën të cilën e shkaktojnë ezani e kambanat quhet “ndotje e ambientit” dhe pse poqurkat, kjo “shpikje” origjinale e zëvendëskryeministrit Bukoshi, shndërrohen në sinonimin e lëmoshës, me të cilin duhet të ngihet populli të cilin e “shferrin” kolltukxhinjtë.
Universitet pa dinjitet
Trishtuese pamjet e rrahjeve dhe të dhunës së përdorur nga policia kundër protestuesve që kërkonin dorëheqjen e rektorit Gashi, për shkak të mashtrimit. Trishtuese për shkak se është hera e tretë në pak vjet që autonomia e Universitetit cenohet me futjen e njësive speciale në oborrin e Rektoratit, kur kjo është e ndaluar madje me ligj. Dhe kjo bëhet me ftesën e udhëheqësve që janë emëruar politikisht për ta politizuar të vetmin institucion të vërtetë arsimor që ka pasur Kosova dhe për të cilin brezi i prindërve tanë, e besa edhe brezi i mesëm pas tyre, ka derdhur gjak e ka hëngër burg.
Patetike arsyetimet e rektorit mashtrues – se ai nuk ka arsye të japë dorëheqje dhe se ai është aty për ta shpëtuar Universitetin. Edhe më patetike përpjekjet e bashkëmendimtarëve të tij për ta amnistuar duke u thirrur në alamet shkencëtarë të cilëve u ka ndodhur e njëjta gjë (teksa e dëgjoja prorektorin Bexheti, frikohesha mos pahiri po e përmend farë Ajnshtajni, që ka qenë ajni si Filan Fisteku) apo duke kërkuar që gazetarët “zhbirues” të merreshin me tema të tjera, sepse kjo tashmë “është e absorbuar”.
Ky argumentim tregon se sa poshtë ka rënë katundi. Po të kishin fytyrë, të gjithë do të jepnin dorëheqje kolektivisht, dhe do të hapnin rrugë për pastrimin e UP-së nga diletantët, mashtruesit, tyxharët, reketashat, hajnat, rrencat, etj., etj. Po natyrisht se fytyrë nuk kanë, se po ta kishin nuk ishin marrë me mashtrime po me punë. E nuk kanë fytyrë, për shkak se po ta kishin, iu kishte ardhur marre t’i shikonin fëmijët e tyre në sy.
Por për fat të keq, dinjitetin këtij Universiteti ia kanë humbur edhe vetë studentët. Se për të pasur korrupsion diku, duhet pasur të korruptuar, por edhe korruptues. E nëse dikush çohet edhe thotë se notat po shiten, atëherë është se dikush po i blen ato. Nuk po dua të besoj se shumica absolute e studentëve është e korruptuar, për shkak se nuk shihen duke protestuar. Dua të besoj se shumica e tyre kanë rënë në kllapi për shkak se sistemin të cilin na e kanë imponuar në dhjetë vjetët e shkuar -- ky i mungesës së shpresës se gjërat mund të ndryshojnë pa ardhur dikush prej së jashtmi me i zgjidh, i ka bërë inert. I ka bërë joinventivë. I ka bërë oportunistë. I ka bërë të padenjë për një të ardhme më të mirë seç e kanë të tashmen. Sepse nuk do të vijë askush prej së jashtmi me e zgjidh problemin në UP. Dhe nëse presioni ndaj mashtruesve nuk do të rritet, edhe ky episod do të kalojë, dhe edhe ky rektor, njësoj si ai i kaluari do t’ia blejë vetes një shpërblim me paratë e taksapaguesve.
EULEX-i në aksion
Paratë e taksapaguesve evropianë i shpenzon misioni më i madh i sundimit të ligjit në kontinent. Dhe po vazhdon të merret me krime të luftës. Dhe, siç tashmë e pata thënë – këto janë krime që duhet ndjekur gjithsesi, porse këto nuk parashkruhen kurrë. Druajtja është që për shkak të përqendrimit në to, do të na ikin kriminelët e sotëm, ata që na kanë shtrirë përtokë me hajninë dhe vrasjet e tyre. Sidoqoftë, kësaj radhe arrestimi ndodhi në veri, dhe i ndodhi një figure politike serbe. Një figure që me vite të tëra është konsideruar nga të huajt si “i moderuari” i veriut. Tash, sipas fletarrestimit, Oliver Ivanoviq, i ashtuquajturi Ola, dyshohet për urdhërdhënie që të vriten shqiptarët gjatë dhe pas luftës ashtu që të realizohet spastrimi etnik në Mitrovicë.
Këto akuza nuk janë shfaqur sot – kanë qenë në qarkullim qëmoti. Pra, pos që xhandarmëria franceze kishte vendosur të mos ia komplikonte vetes jetën në vitin 2000, dhe e kishte liruar nga burgu, pse askush nuk ka ndërmarrë asgjë deri më sot. E posaçërisht kur ky tash kandidohet për kryetar komune të Mitrovicës. Tash teori konspiracioni janë plot – një është se EULEX-i me këtë veprim i hap rrugë kandidatit të Vuçiqit të ecë përpara dhe ta fitojë pushtetin në veri; e dyta është se me këtë veprim EULEX-i do t’i qetësojë shqiptarët për shkak të procesit që po zhvillohet ndaj Grupit të Drenicës. E treta është që ky veprim i EULEX-it është veprim autonom që nuk lidhet për politikën. Cilën teori do ta zgjidhnit? Unë po e kam vështirë të besoj se veprimi është vërtet autonom dhe se nuk ka prapavijë politike, cilado qoftë ajo.
Fitorja e kërpudhës
Me hedhjen e “Trepçës” në rend të ditës së Qeverisë së Kosovës dhe kërkesën që ajo të shndërrohet në ndërmarrje publike dhe t’i hiqet nga kontrolli i AKP-së, disi m’u forcua dyshimi, i cili më kishte lindur më 1 dhjetor, se zgjedhja e kandidatit të AKR-së për kryetar komune të Mitrovicës ka qenë disi si fitore e kurdisur. Si atëherë ashtu edhe këtë herë e kam vështirë të besoj se partia e cila e ka kontrolluar Komunën dhe që i pati fituar zgjedhjet aq bindshëm sa herë kishte garuar, përnjëherë e humbi fuqinë, për shkak të reagimit qytetar. Dhe kjo situatë nuk do të duhej krahasuar me Prishtinën, që është rrëfim më vete.
Tash, ardhja e një njeriu që partia e tij e reklamon si biznesmen të kërpudhave, që paralajmëron ardhjen e investuesit të shampinjonëve, që ka nevojë për tokë publike ku do të ndërtojë fabrikë, qysh tash tregon për një plan “zhvillimi ekonomik” që do të synojë pronën publike..., në partneritet privat..., publiko-privat, privat-privat, privat-publik..., s’po di ta definoj.
“Trepça”, në çastin kur bëhet ndërmarrje publike, do ta ketë Qeverinë aksionare të vetme. Njësoj sikur në rastin e PTK-së. Pra, Bordin do ta ketë edhe më të politizuar. Se çfarë do të vendoset për “zhvillimin” e “Trepçës”, do të na mbetet të shohim muajt në vijim. Dhe më pas, do të shohim se çfarë vlere të zhvlerësuar do të ketë kur të vendoset që 75% të aksioneve do të duhej të dilnin në shitje...
E pjesa më e madhe e “Trepçës” është vendosur në Mitrovicë – aty ku është vështirë të dihet se çfarë është pronë publike e çfarë jo. Dhe në këto rrethana, edhe më e çuditshme më bëhet fitorja e kandidatit të AKR-së në Mitrovicë, me njerëzit e ish-pushtetit komunal në hije.
Kalkulimet
Të hijes po janë këta që po mblidhen e po diskutojnë për të tretin vit me radhë se si duhet ndryshuar Ligjin e zgjedhjeve. Një gjë, që po të kishte vullnet politik do të duhej të ndryshonte për jo më tepër se një orë, hajde një ditë, me një jurist të mirë dhe një lektor të mirë, që mos me lënë ambiguitete të cilat mandej interpretohen qysh kujt i konvenon.
Ende janë duke e tjerrë punën e zgjedhjeve, ndërkohë që turli teorish, nëse do ta rrëzojnë Qeverinë, e të shkojmë në zgjedhje të parakohshme; apo nëse do të kalojë reforma, e më pas kryetarja do t’i shpallë zgjedhjet që duhet të mbahen brenda afatit 4-6 muaj nga dita kur i shpall, si të parakohshme, pra të jashtëzakonshme, me afat më të shkurtër fushate; apo nëse do të pritet sërish dhjetori për zgjedhje të rregullta... Gjasat janë që zgjedhjet të jenë të parakohshme, por jo aq të parakohshme sa për të koinciduar me zgjedhjet e Serbisë. Evropa nuk do të lejojë që procesi t’i bëhet lëmsh – Ashton do të jetë e interesuar ta ketë së paku Thaçin aty që ta festojë ditëlindjen me të, para se ta dorëzojë mandatin gjatë të cilit do të krenohet se e ka pasur Kosovën suksesin më të madhin.
Ndërkohë uttaranat e Kuvendit e qitën në rend dite një ligj të nevojshëm prej kohësh – atë për mbrojtjen nga ndotja e ambientit me zhurmë. Dhe kërciti kiameti pse u kërkua kontrollimi i zhurmës që e shkaktojnë ezanët dhe kambanat – erdhën akuzat se thirrjet për t’i realizuar ritet fetare nuk mund të konsiderohen ndotje. Dhe në fakt ato nuk janë ndotje – ndotje është zhurma të cilën e bëjnë ato thirrje. Bashkësitë fetare janë shumë të vetëdijshme, e këtë nuk kemi çka ta elaborojmë gjatë, se edhe ezani edhe kambana janë nga koha kur nuk ka pasur mënyrë tjetër për t’i thirrur besimtarët që t’i kryejnë ritet. Njësoj ashtu siç i janë shtuar mikrofonat dhe altoparlantët në përcjellje të teknologjisë, ashtu edhe duhet t’i përshtaten nevojës që kanë të gjithë njerëzit të mbrohen nga zhurma e panevojshme. Askush nuk po thotë ndalini thirrjet, veç po thotë përmbajuni standardeve evropiane, dhe uljani zërin, se nuk keni pse ta trembni kë... fundja, ai që u përmbahet riteve, nuk ka nevojë që ta thërrasin hiç, se në mos pastë sahat, një telefon me orë e ka.
Mbetjet
Sikurse i kanë anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët pos që shkruajnë porosi gjatë mbledhjeve të Qeverisë (se laptopat që i kanë përpara kurrë s’kanë punuar, e nuk mund t’i përdorin), kanë kohë edhe me u marrë me programe humoristike. Dorën në zemër, kësaj radhe do t’ia pranoj zëvendëskryeministrit Bukoshi se ma ka qitur gazin kur i përmendi poqurkat..., porse ajo që më lë më së shumti përshtypje ishte ironia që e përcolli fjalinë që ia tha Pacollit: “Ju thatë se gjithë ky prodhimi i kërpudhave është i dedikuar për eksport. A jet edhe diçka për neve me i hanger do poqurka t’mira, se bëhet diskriminim pastaj”...
Mbase nuk ka pasur fjali më simbolike sesa kjo për të përshkruar gjendjen në të cilën jeton populli i Kosovës – i cili kur ia hanë të gjitha kërpudhat, duhet të kënaqet me atë që mbetet, me poqurkat; të kënaqet me faktin se po mund ta mbijetojë edhe hajninë e edhe mjerimin në të cilin e kanë katandisur, përderisa ajo shtresë e vogël e njerëzve bëhet me krejt pasurinë të ndërtuar me vite pune të rëndë.
E se keqes duket se i është bashkuar edhe moti, i cili nuk lejon të bjerë shi, dhe nëse asgjë tjetër të na shtohen poqurkat. Mbase për shkak se edhe moti e ka kuptuar se Kosovës i vyen ndryshimi për të ecur përpara.
Koha Ditore
Comments (0 posted)
Post your comment