Këmbana bie… për shkollat profesionale
Por një gjë është e sigurt: sa më tepër praktikë të ketë gjatë kohës së arsimit, aq më të mëdha janë shanset për të gjetur një punë.
Nga Frank Hantke*
Më shumë se 60% e të rinjve shqiptarë duan të ikin nga vendi i tyre një orë e më parë. Në mes atyre që duan të ikin ka plot që kanë diploma universitare në xhep. Ikin në kërkim të punës. Ka pasur periudha në Shqipëri, kur rritja ekonomike ka arritur nivelin 6% – 7%. Por, këto ishin zhvillime afatshkurtra në disa sektorë, si industria e ndërtimit, dhe jo dëshmi e një ekonomie të strukturuar e modernizuar. Në vitet e fundit rritja ekonomike është luhatur mes 0 % dhe 3 %, çka do të thotë që vendi është në vështirësi.
Për të arritur të paktën të dhënat më të ulëta të ekonomisë së BE-së nevojiten norma të qëndrueshme të rritjes prej 6% ose më shumë. Por, strukturalisht, deri tani ekonomia ka ndryshuar shumë pak. Kjo vlen veçanërisht për sektorin e prodhimit, ndërkohë që është zgjeruar vetëm sektori i konsumit. Por një ekonomi, e cila në thelb bazohet vetëm te shërbimi dhe konsumi nuk mund të konsiderohet si e shëndetshme dhe e qëndrueshme. Potencialet për prodhim janë ende të pashfrytëzuara. Kjo vlen për bujqësinë, energjinë, industrinë, zejtarinë, si dhe sektorin e turizmit. Përse ka kaq pak investime, pse shkojnë dëm kaq shumë programe ndihme dhe mekanizma financimi?
Arsimi universitar shpesh nuk të çon gjëkundi
Pavarësisht deficiteve serioze politike dhe administrative, bie në sy fakti që një brez i tërë i të rinjve është i paarsimuar ose i arsimuar në mënyrë të gabuar ose, të paktën, jo me një qëllim të qartë. Orientimi i njëanshëm i politikës së arsimit drejt zgjerimit sasior të ofertës së arsimit të lartë ka çuar më tepër në përkeqësim të situatës. Kjo ka ndodhur për dy arsye: së pari, sot kudo mungojnë jo-akademikë të arsimuar si zanatçinj, punëtorë në sektorin e industrisë, personel mirëmbajtjeje. Nga ana tjetër, të rinjtë e shohin veten pothuajse të detyruar të kenë një diplomë pa marrë parasysh nëse ajo do t‘u nevojitet. Brezi i prindërve të sotëm, përfshirë këtu dhe politikanët e tyre, kanë krijuar një iluzion mbi arsimin dhe të ardhmen, i cili nxit pasigurinë ose largimin e fëmijëve të tyre nga vendi.
“Plani B” për të rinjtë dhe prindërit
Që në shkrimet e lashta latine haset ideja se prindërit duan më të mirën për fëmijët. Prandaj, pas viteve ’90, “Plani A“ ishte ai, që prindërit të dërgonin fëmijën në një universitet. Vetë fëmijëve iu kushtua shumë pak vëmendje. Pothuajse nuk u morën fare parasysh talentet dhe dëshirat e tyre, mjaftonte që ata kishin filluar shkollën e lartë. Në këtë mënyrë filloi kalvari drejt një rruge pa krye. Kjo pasi nuk u tregua interes ndaj kurrikulave dhe objektivave të studimeve, por vetëm ndaj diplomave.
Në Gjermani ka më shumë se mbi 300 profesione jo-akademike. Kjo për shkak se këto profesione nevojiten në një ekonomi të zhvilluar. Nëse ekonomia e Shqipërisë synon integrimin në BE, atëherë nevojitet një gamë shumë më e gjerë kualifikimesh të mira.
“Plani B“, një arsim profesional, është për prindërit dhe fëmijët e tyre në Shqipëri pothuajse i panjohur dhe deri tani përpjekjet e politikës dhe të ekonomisë për ta ofruar “Planin B“ në publik dhe për ta promovuar atë si një alternativë të vërtetë të së ardhmes janë shumë të pakta. Pothuajse askush nuk dëshiron që fëmija i tij të ketë “vetëm“ një zanat të mirë – edhe pse kështu ai do të kishte premisat më të mira. Kush mund ta përballojë financiarisht, e dërgon fëmijën e tij në universitet. Përndryshe, prindi e konsideron veten si dështak, pasi e ka lënë fëmijën e tij në varfëri. Akademikët e rinj janë në masë të papunë! Ca më keq: mijëra akademike konkurrojnë për vende pune me jo-akademikë në tregun e kufizuar, qoftë në call center, si sekretare, si kamerierë ose në degë të tjera profesioni tërësisht jo-akademike. Të vetmit humbës janë ata që nuk kanë një diplomë universitare, megjithë vlerën e ulët që ajo ka. Shpesh këta janë të rinj nga zonat rurale ose në përgjithësi të rinj nga shtresat më të varfra.
Një anketim i fondacionit “Friedrich Ebert“ dhe i Shërbimit Kombëtar të Punësimit tregon që kompanitë do të preferonin të punësonin të rinj që kanë mbaruar shkollën profesionale. Kjo, pavarësisht arsimit profesional aktual, me përjashtim të pak anëve shumë të mira, ka ende deficite të mëdha. Por një gjë është e sigurt: sa më tepër praktikë të ketë gjatë kohës së arsimit, aq më të mëdha janë shanset për të gjetur një punë. Fatkeqësisht, për këtë ende nuk flitet as nga politikanët që merren me arsimin, as nga prindërit dhe fëmijët e tyre!
Këtu bëhet fjalë jo vetëm për shkollën profesionale, por edhe për të gjitha institucionet e tjera të edukimit, nga kopshti deri në universitet. Në Shqipëri, përcjellja e dijes më së shumti orientohet ende në modele të vjetruara dhe hierarkike. Ende shumë fakte mësohen përmendësh – shumë më tepër sesa në sistemet moderne të edukimit. Duke pasur parasysh që, pothuajse çdo ditë volumi i informacioneve dhe fakteve rritet, të mësuarit e fakteve ka mbetur mbrapa dhe është vjetruar. Gjatë të mësuarit i duhet kushtuar më tepër rëndësi vazhdimësisë së këtij procesi në mënyrë të pavarur. Kjo do të thotë që duhet të dish se ku mund të marrësh informacionet e nevojshme në të ardhmen dhe, për më tepër, t‘i ndërthurësh ato siç duhet dhe t‘i përdorësh në mënyrë të pavarur për detyra të reja që shtrohen.
Por proceset nuk mësohen vetëm nga librat, ato duhet t‘i ndërtojmë dhe provojmë vetë gjatë të mësuarit. Vetëm në praktikë mund të mësosh nga gabimet
Është e qartë që arsimi profesional duhet të bashkëpunojë ngushtë me politikën e tregut të punës, në mënyrë që të mos shohim atë që po shohim sot. Kujt i hyjnë në punë mijëra avokatë, ndërkohë që nevojiten inxhinierë, specialistë planifikimi, zanatçinj etj? Politika e tregut të punës nuk përcaktohet vetëm nga zyrat e punës, por kryesisht nga kompanitë dhe investitorët. Kjo do të thotë që punëdhënësit duhet të luajnë një rol thelbësor në formësimin e arsimit profesional, nëse ata duan që në të ardhmen të kenë një personel të kualifikuar. Pra, bëhet fjalë që fillimisht të njihen nevojat e tregut të punës dhe, më pas, të nxirren konkluzionet për kualifikimet e domosdoshme dhe kompetencat profesionale, të cilat duhet t‘u përcillen institucioneve arsimore. Por kjo nuk mjafton, pasi edhe punëdhënësit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në hartimin e kurrikulave. Punëdhënësit janë ata, të cilët e dinë më mirë se kushdo tjetër se çfarë nevojitet. Punëdhënësit duhet të marrin një pjesë të përgjegjësisë në certifikimin, në mënyrë që diplomat të njihen në mbarë vendin dhe, më vonë, edhe ndërkombëtarisht. Në këtë mënyrë, punëdhënësit dhe politika do të përpiqeshin në të ardhmen që “blerësit“ në “tregun e punës“ të gjenin ofertat e duhura. Kjo krijon vende pune dhe suksese të reja ekonomike.
Reforma e vërtetë kërkon planifikim strategjik, bashkëpunim dhe durim.
Në përgjithësi, reformat kërkojnë kohë për të dhënë rezultate. Kush kujton se reformat afatshkurtra të anonçuara me shumë zhurmë do të ndryshonin diçka, le të shohë në historinë e larmishme të reformave të Shqipërisë. Shumë gjëra hyjnë shumë shpejt dhe, madje po aq shpejt janë hedhur poshtë ose janë ndryshuar. Në letër janë bërë shumë më tepër nga ana sasiore sesa është bërë nga ana cilësore në realitet. Reformat kanë efekt vetëm nëse ato i përshtaten vendit dhe kushteve fillestare. Ato nuk mund të kopjohen nga vendet e tjera, por nga shembujt e mirë mund të mësohet shumë. Reformat do të bëhen realitet vetëm nëse ato do të zbatohen për vendin dhe shtetasit e tij dhe jo sa për “spektakël politik“.
Nga më shumë se 400 shkolla profesionale dikur, sot kanë mbetur vetëm 40 të tilla. Arsyet qëndrojnë në neglizhencën e politikës arsimore në dekadat e shkuara.
Ndryshe nga shumica e vendeve të Evropës, të cilat ofrojnë përvojat e tyre të arsimit profesional në Shqipëri, ekonomia shqiptare është qartësisht e përbërë nga ndërmarrje të vogla dhe mikro. Për të ofruar një arsim të mirë dhe cilësor dhe për të përfshirë ndërmarrjet përkatëse, janë të rëndësishme bashkëpunimet e ndërmarrjeve dhe të degëve (pothuajse askush nuk mund të ofrojë i vetëm një arsim praktik të mirë. Madje, pikërisht këtu, modeli shqiptar i së ardhmes do të dallojë qartësisht nga shumë modele të Evropës Perëndimore), por ky model mund të mësojë shumë nga këto përvoja dhe t‘i përshtatë ato. Një tjetër veçori janë dallimet aktuale në nevojat rajonale. Ka zona rurale në të cilat kanë prioritet kualifikime të tjera për zhvillimin e ekonomisë, sesa p.sh, në qytetet e mëdha me sfera të punës administrative në rritje. Një analizë e plotë e tregut të punës si dhe një planifikim strategjik i ekonomisë për secilin rajon do të duhet të jenë pjesë përbërëse thelbësore për zhvillimin e profileve kualifikuese përkatëse./MAPO
* Autori është drejtor i Zyrës së Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë
Comments (0 posted)
Post your comment