Home | Education | Intervistë me Profesorin, Pëllumb Kurti

Intervistë me Profesorin, Pëllumb Kurti

image
Vetëm një brez i arsimuar dhe edukuar në mënyrë dinjitoze do ta begatojë Shqipërinë.

 

 

Nga Dea J Klosi

 

Klosi NewsProfesor , Ju keni punuar në shumë shkolla të ndryshme, si mësues, drejtues e deri pozicionet më të larta në Arsim, me një përvojë dhe eksperiencë shumëvjecare. Çfarë do t'mund të na thonit në lidhje me këtë ?

 

P. Kurti:  E vërtetë. Për një periudhë mbi 30 - vjeçare kam punuar në arsim në funksione të ndryshme: mësues dhe drejtues në shkolla 9- vjeçare dhe të mesme, inspektor dhe drejtor i Drejtorisë Arsimore Librazhd. Kënaqësinë më të madhe e kam patur në punën si mësues  drejtpërdrejt, në shkollën e mesme Karkavec, për një periudhë 9- vjeçare. Më rrëmbente entuziazmi i nxënësve dhe i përkushtohesha maksimalisht përgatitjes për t'u transmetuar atyre dije të nivelit bashkëkohor si nga letërsia shqipe dhe ajo botërore. Nxënësit e tri maturave: të vitit 2010, 2013 dhe 2015, jo vetëm që kaluan 100% në provime, por edhe me notë mesatare të lartë. Sigurisht, kjo më ka dhënë kënaqësi të veçantë.

Megjithëse unë i përkas kategorisë së mësuesve autoritarë, nxënësit i respektoja dhe ata më donin e respektonin shumë.

 

Klosi News A mund t'na  sillni disa kujtime që ju i keni përjetuar gjatë kesaj periudhe të gjate si mësimdhënës? A mendoni se një pjesë e mirë e ish-nxënësve tuaj, vërtet, kanë shkëlqyer në jetë?

 

P. Kurti: Ju falenderoj, pasi më zgjuat kujtime të bukura. Unë, megjithëse vij nga një familje e varfër, në formimin tim si mësues kam patur privilegjin të frekuentoj shkollat më solide të kohës:

Shkollën e mesme pedagogjike "Petro Nini Luarasi" në Korçë, Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi si dhe specializimin pasuniversitar për Gjuhë Shqipe. Duke lënë mënjanë për një moment modestinë, dëshiroj të vë në dukje se kam synuar gjithnjë rezultate maksimale.

UT e mbarova me mesatare 9,8 po kështu edhe specializimin postuniversitar. U mbetem përjetësisht mirënjohës profesorëve të mëdhenj Shaban Demiraj, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Ali Xhiku, Muzafer Xhaxhiu, të cilët jo vetëm transmetuan tek ne nivelin më të lartë shkencor të dijeve, por na edukuan me dashurinë e madhe për gjuhën shqipe, për letërsinë dhe ajo që është më e rëndësishmja na mësuan ta duam profesionin tonë, t'i duam nxënësit, të jemi njerëz dinjitozë e të ndershëm.

Këta profesorë të shkëlqyer etj. kanë rolin parësor në formimin tonë profesional.

MIRËNJOHJE PA FUND PËR TA!

 Kudo ku kam punuar mësues, drejtues shkolle në Stranik, Stravaj, Përrenjës, Karkavec, inspektor dhe Drejtor i Drejtorisë Arsimore Librazhd për 3 vite jam përpjekur të ndërtoj marrëdhënie të drejta bashkëpunimi e ndihme me kolegët si dhe marrëdhënie korrekte e dashamirëse me nxënësit.

Çelësi i suksesit ka qënë përgatitja e vazhdueshme për nivele të larta mësimdhënie dhe komunikimi i ngrohtë me nxënësit. Motivimi i nxënësve zinte një vend të veçantë. Unë u thosha atyre: 

Ju do të jeni mësuesit, mjekët, inxhinierët, agronomët, oficerët e së nesërmes. Vërtet sot i shikoj me krenari se si janë rritur dhe janë bërë mjekë, mësues, inxhinierë, agronomë, infermierë, oficerë të talentuar. Madje i kam parë edhe kryetarë bashkie e komune.

Më vinë në mendje shumë emra nxënësish e sidomos nxënësesh të talentuara.

 

Klosi News:   Profesor, gjatë 30 viteve punë si mësues, ka ndodhur ndonjëherë që, për shkak të vështirësive, të mendoni se do të donit më mirë të kishit ushtruar ndonjë profesion tjetër?

Pas tri dekadash pune, Ju  keni arritur të jeni i suksesshëm në këtë profesion?  Kujt  i jeni mirënjohës për suksesin tuaj?

  

P. Kurti: Gjatë gjithë periudhës puna si mësues e drejtues në arsim më ka dhënë kënaqësi të veçantë. Lumturohesha kur shikoja përparimin e nxënësve, nga një ese e bukur e tyre, nga përgjigjet inteligjente, nga një koment i bukur, një recitim virtuoz, nga pyetjet që u lindnin gjatë leximit të veprave të lexuara. Shndërroheshin në orë të magjishme poezitë e Lasgush Poradecit, A. Pushkinit, I. Kadaresë, Migjenit. Profesioni i mësuesit më bëhej gjithnjë e më i dashur.

Asnjëherë nuk jam penduar që kam zgjedhur këtë profesion. Në mendje kisha modelet e mësuesve të shkëlqyer që më kishin dhënë mësim që nga cikli fillor e deri në Universitet si:

Violeta Leka, Genc Leka, Jani Frashëri ( Korçë), Vasilika Kapedani e Petrika Thëngjilli ( Korçë), Pr. Shaban Demiraj e Nexhip Gami ( Universiteti i Tiranës).

Nderim pa fund për ta!

 

Klosi NewsA mendoni se ndryshon  mësimdhënia e sotme nga ajo e viteve më herët? Po nxënësit, ndryshimet tek brezat? A mendoni se në shoqërinë tonë, sot mësuesi ndjehet vërtet i vlerësuar?

 

P. Kurti : Duke punuar si inspektor arsimi për rreth 8 vjet më është dhënë rasti të ndihmoj e kontrolloj në punën e qindra mësuesve. Unë nuk bëj pjesë tek nostalgjikët që fetishizojnë punën e një brezi mësuesish dhe nuk vlerësojnë si duhet një brez tjetër. Çdo gjeneratë ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Unë do të përmend mësues ekselentë nga një brez më i hershëm si: Veronika Cfarku, Eleni Lamçe, Haziz Lushi, Stefan Petko, Vladimir Diko, Hajdar Hana, Ilmi Leka, Anife Gjorga, Skënder Karriqi, Gerta Bajrami.

Gjithashtu mund të përmend një brez të ri mësuesish në rrethin e Librazhdit që i bëjnë nder arsimit me përgatitjen e lartë shkencore, përkushtimin në punë e dashurinë ndaj nxënësve si:

Violeta Poda, Rajmonda Radiçi ( Sina), Alida Roçi (Kasa), Blerina Kryeziu, Silvana Radiçi, Luiza Poçi ,  etj, etj.

Mësuesit e rinj kanë disa avantazhe, sidomos në përdorimimin e teknologjive të reja, veçse vëmendje më të madhe duhet t'i kushtojnë motivimit të nxënësve, pasi në këtë aspekt vërehen edhe dobësi.

Është e nevojshme që puna dhe roli i mësuesit të jenë më  te  vlerësuara si nga shteti dhe shoqëria. Lipset një klimë më favorizuese e dashamirëse në komunitet si dhe një pagë më dinjitoze për ta.

 

Klosi News:   Çfarë do ta konsideronit si dhuratën më të bukur Mësues - Nxënës- Student?

 

P. Kurti : Dhuratat më të bukura të nxënësve kam konsideruar rezultatet e tyre të larta në provimet e Maturës Shtetërore, ku ata ballafaqoheshin me maturantët e gjithë shkollave të mesme të vendit.

Gjithashtu, ruaj me dashuri librat që ata më kanë falur me rastin e 7  Marsit, Ditës së Mësuesit.

 

Klosi News:   Dhe së fundi, Profesor, cili është mesazhi juaj për dashamirët dhe lexuesit?

 

P. Kurti : Si mesazh për nxënësit e mësuesit dua të përcjell thënien lapidare të Naim Frashërit:

" Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë! "

Pavarësisht vështirësive që hasen sot në arsim, drita e dijes do të ndriçojë mendjet  e brezave të rinj, e ardhmja e vendit tonë të dashur, Shqipërisë.

Vetëm një brez i arsimuar dhe edukuar në mënyrë dinjitoze do ta begatojë Shqipërinë.

 

Klosi News: Ju falemnderit!

 

* * *

 

Biografi e shkurtër.

Pëllumb Qamil Kurti lindi më 30.7.1949 në fshatin Stranik të rrethit Librazhd.

Arsimi:

Shkolla 7- vjeçare në Farret Librazhd.

Shkolla e mesme pedagogjike Korçë.

Universiteti i Tiranës, dega Gjuhë Shqipe, Letërsi.

Kursi pasuniversitar i gjuhës shqipe, Universiteti i Tiranës.

Përvoja pune:

Mësues dhe drejtues në shkollat 8-vjeçare Stranik, Farret, Stravaj. Mësues në shkollën e mesme Përrenjës, mësues e drejtues në shkollën e mesme KARKAVEC.

Inspektor dhe Drejtor i Drejtorisë Arsimore Librazhd.

Kryetar i këshillit të rrethit Librazhd.

 

Botime:

1. Të folmet e fshatrave Stranik dhe Farret të rrethit Librazhd.

2. Veshjet popullore të rrethit Librazhd, parë dhe në këngë.

3. Profile.

4. FJALURTA.

5. REFLEKTIME.

Disa shkrime në organe të shtypit, si gazeta të ndryshme e revista.

Vlerësime:

Dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.

Qytetar Nderi i Komunës Stravaj.

Çertifikata Mirënjohjeje nga Bashkia Librazhd, Bashkia Përrenjës, Zyra Arsimore Librazhd.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
4.00