Home | Environment | Virusi i deglobalizimit

Virusi i deglobalizimit

image
Covid-19 vjen në një kohë kur qeveritë e botës kanë më pak mjete për të luftuar...

 

 

Nga Andres Ortega

 

 

Covid-19 vjen në një kohë kur qeveritë e botës kanë më pak mjete për të luftuar kundër pasojave të tij, sesa kishin dikur

 

Koronavirusi dhe mënyra e përpjekjes për të kontrolluar pasojat e tij, përfshirë mënyrën e të menduarit për të, po e sjell botën në një gjendje ndalimi total (ndalimi i konflikteve si Siria dhe refugjatët e saj, Libia, madje dhe Iraku) – një ndalesë që sjell rreziqe të jashtëzakonshme. Nuk është se koronavirusi ka nxiitur një proces të deglobalizimit. Kjo gjë lindi fillimisht, në reagimet ndaj krizës së vitit 2008 dhe asaj që erdhi më vonë. Covid-19, sëmundja infektive që ka qenë kaq e përhapur kryesisht për shkak të ndërlidhjeve të mëdha njerëzore, po e përshpejton në mënyrë dramatike procesin, me pasoja të thella në të tashmen dhe të ardhmen. Luftimi i virusit përfshin mbajtjen e njerëzve larg njëri-tjetrit, e kundërta e asaj që kemi përjetuar në dekadat e fundit dhe jo vetëm. Kufijtë – në tokë, në det dhe në ajër – po rikthehen, ndonjëherë edhe në mënyrë të njëanshme, madje edhe në Bashkimin Evropian.

 

Kriza Covid-19 është tronditja e tretë e madhe e shekullit, pas sulmeve të 11 shtatorit dhe procesit të nisur nga rënia e Lehman Brothers në Shtator 2008, e cila shkaktoi krizën ekonomike dhe financiare. Kjo është njëkohësisht një tronditje njerëzore, një tronditje nga ana e ofertës (që përfshin prodhimin) dhe një tronditje nga ana e kërkesës (që përfshin konsumin), me rrezikun e shtuar të shkaktimit të një krize të re financiare. Mund të jetë, siç sugjeron Holman Jenkins, që recesioni është një pjesë e pashmangshme e metodës jashtëzakonisht të ndjeshme që përdoret për të luftuar virusin – me fjalë të tjera, shtypja e kërkesës që vjen me mbylljen e njerëzve në shtëpitë e tyre. Por vjen kur qeveritë e botës kanë më pak mjete për të luftuar kundër pasojave të tij, dhe do të lërë pas pasoja të mëdha.

 

Një numër në rritje i zinxhirëve të furnizimit, shumë më kompleksë sesa ishin në vitin 2008, po hasin vështirësi ose po ngecin. Shumë fabrikave që prodhojnë makineri, makina, lodra dhe produkte të tjera u është dashur të ndërpresin prodhimin për mungesë të lëndëve të para me origjinë, për shembull, në Kinë, ku prodhimi është ndalur. Ajri dhe format e tjera të udhëtimit janë në vështirësi; e njëjta gjë vlen edhe për lëvizjen e kontejnerëve të transportit – ajo shpikje analoge, aq e rëndësishme për globalizimin. Turizmi global ka marrë një goditje masive, nga e cila do të duhet kohë për ta marrë veten. Pandemia ka nxjerrë zbuluar varësinë tonë të ndërsjellë, shkallën e ndërvarësisë mbi të cilën mbështetemi. Dhe nuk ka mungesë të njerëzve që mbrojnë tërheqjen.

 

Prandaj Bruno Le Maire, ministri francez i financave thotë se, “ne duhet të zvogëlojmë varësinë tonë nga fuqitë e mëdha siç është Kina” – diçka që nuk ndryshon aq shumë nga propozimet e Sekretarit të Tregtisë së SHBA, Uilbur Ross. Shumë ndërmarrje kanë kuptuar rreziqet e kësaj ndërvarësie të tepërt, dhe kanë ndërmend ta frenojnë atë. Një raport i fundit i Bankës së Amerikës thotë se 80 përqind e shumëkombësheve kanë shqyrtuar planet për riatdhesimin e një pjese të prodhimit të tyre, një tendencë që Covid-19 mund ta shndërrojë në një valë gjigande.

 

E gjithë kjo vjen në mesin e një procesi ekzistues të shkëputjes teknologjike të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që janë shtyrë nga administrata Trump. Megjithëse muret nuk ndalojnë përhapjen e tij – ndryshe nga distancimi shoqëror – virusi do të çojë në vënien e një theksi më të madh në nivel kombëtar, ose të paktën rajonal, kur flitet për prodhimin. Kjo përfshin fushën e furnizimeve mjekësore, ku kriza po zbulon, për shembull, varësinë e Evropës nga ilaçet e prodhuara në Kinë dhe Indi (gjë e cila ka zvogëluar eksportet e saj).

 

Reagimi i ministrit çek të shëndetësisë, Adam Vojtech, kur theksoi se evropianët varen nga këto vende për një të tretën e ilaçeve që përdorin (kryesisht gjenerike), dhe se prodhimi i tyre duhet të sillet në Evropë për të siguruar furnizimin, mund të rezultojë paradigmatike. Sikur të dojë t’i bëjë jehonë, Kina, me pandeminë e saj që siç duket e ka nën kontroll, po dërgon sasi të mëdha furnizimesh shëndetësore në Itali dhe Spanjë; ndërsa Trump ka pezulluar në mënyrë të njëanshme fluturimet midis Evropës dhe SHBA – në kundërshtim me këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, saktësisht për të mos prishur furnizimin e ndihmave  mjekësore – duke dëmtuar kështu edhe marrëdhëniet transatlantike.

 

Thënë kjo, ndërsa Covid-19 dhe mënyra e adresimit të tij po ngadalësojnë globalizimin fizik, ai gjithashtu po promovon një formë gjithnjë e më dixhitale, online të globalizmit. Puna në distancë ka fituar shumë njerëz, ashtu si edhe shërbimet në internet. Por, edhe këto përfundimisht bazohen në realitete tërësisht fizike, mbi të gjitha shpërndarja e porosive. Kompanitë e dërgesave, që operojnë me kamioinë dhe biçikleta, po punojnë edhe më shumë, dhe sistemet që përdorin drone dhe sisteme të tjera autonome kanë bërë përparime në Kinë, gjatë kësaj krize. E njëjta gjë vlen për shërbimet digjitale për zbulimin e sëmundjeve që përdorin inteligjencë artificiale, dhe robotët për të gjitha llojet e shërbimeve.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe multilateralizmi që përfaqëson, ka rigjetur centralitetin e vet. Por kriza ka përfshirë gjithashtu rikthimin e shtetit, megjithëse kërkon menaxhim shumë-nivelësh, diçka që mund të cilësohet si qeverisje induktive, në të cilën marrin pjesë jo vetëm organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë, por edhe ndërmarrjet dhe anëtarët e publikut. Këto janë kohë që kërkojnë udhëheqje individuale, sigurisht, por mbi të gjitha udhëheqje kolektive, diçka që ende nuk po ndodh në Evropë. Ato gjithashtu kërkojnë rehabilitimin e idesë së një komuniteti global, përballë atij që është pa dyshim një kërcënim global.

 

Duke u përballur me epideminë e Ebolës që buroi në Afrikë në 2014-2016, SHBA – me Barack Obamën në Shtëpinë e Bardhë – u vendosën në pararojë të luftës. Përballë koronavirusit, Trump ka mbjellë konfuzion. Edhe populizmi ka rënë pre e kësaj pandemie, megjithëse po e e përkeqësuar situatën, veçanërisht në një vend si SHBA, me 28 milion njerëz që nuk kanë asnjë mbulim shëndetësor dhe shumë miliona të tjerë me mbulim jo të mjaftueshëm. Trump, pasi fillimisht ishte mohues, ka reaguar me vonesë. Boris Johnson dhe këshilltarët e tij fillimisht u duk e propozuan që sa më shumë njerëzit të infektohen aq më mirë, sepse kështu gjenerohet imuniteti. Shumë qytetarë dhe profesionistë kanë ngritur zërin dhe e detyruan atë të ndryshojë kurs. Virusi, siç kanë argumentuar Thomas Uright dhe Kurt Campbell, ka zbuluar kufijtë e populizmit, një populizëm që është në thelb deglobalizues.

 

Por ajo gjë të cilës nuk po i vë dot kapakun, janë diskriminimi ose narrativat nacionaliste, të cilat janë rikthyer me forcë të përtërirë, pikërisht në një moment kur është i domosdoshëm është bashkëpunimi ndërkombëtar. Kur të kapërcehet pandemia, globalizimi do të rifillojë, por më pak intensiv dhe i ndryshëm nga ajo që kemi njohur deri më tani. Kjo ndalesë globale do të ketë pasoja afatgjata dhe jo domosdoshmërisht pozitive. / Elcano Royal Institute – Bota.al

 

 

 17 shtete të prekur nga koronavirusi

 

Pandemia botërore e koronavirusit nuk ka prekur 17 shtete në të gjithë botën. Sipas hartave të mediave ndërkombëtare, ku raportohen në kohë reale rastet e infektimit me COVID-19, rezultojnë ende disa shtete ‘të pastra’.

 

Bëhet fjalë kryesisht për shtete në Afrikë apo Azi ku shumica e tyre janë zona luftimesh apo disa prej zonave më të varfra të planetit.

Ndonëse ndodhet në kufi me Evropën e pushtuar nga COVID-19, Libia nuk ka raportuar ende asnjë rast të infektimit, kjo me shumë mundësi për shkak të mungesës së funksionimit të strukturave shtetërore dhe udhëtimeve nga jashtë. Vendi i madh i Afrikës së Veriut ndodhet prej vitesh në luftë civile.

E njëjtë është situata edhe në Siri dhe Jemen, dy zona ku zhvillohen prej vitesh luftra të ashpra.

Koreja e Veriut, karantina më e madhe e botës, sigurisht që i ka shpëtuar makthit të koronavirusit.

Në Amerikë janë vetëm Belize dhe ishulli i Grenadës që nuk kanë raportuar asnjë rast të infektimit me COVID-19. Edhe në shtete të tjera të Amerikës Qendrore, ashtu si edhe në Afrikën Qendrore, janë raportuar kryesisht nga 1 deri në 10 raste të infektimit me koronavirus.

Shtetet e paprekura nga COVID-19:

 

1. Amerika

 

Belize

Grenada

 

2.Azia

 

Jemen

Siria

Turkmenistan

Taxhikistan

Koreja e Veriut

 

3. Afrika

 

Bostvana

Mozambiku

Lesotho

Burundi

Uganda

Sierra Leone

Guinea Bisau

Mali

Sudani Jugut

Libia

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00