Sheshi “Skënderbej” si plaçkë lufte
Por a është e vërtetë se qytetari do të ndihet zot në fund të pusit të krijuar prej grataçielave të Ramës që do të rrethojnë sheshin duke ia mbyllur krejtësisht pejsazhin, edhe ato pak copa qiell e mal Dajti që i kanë mbetur për të parë?
Nga Fatos Lubonja
Qe sheshi “Skënderbej” është i shëmtuar kjo nuk ka diskutim. Mjafton të shikosh fotografitë e tij të Tiranës së paraluftës e t’i krahasosh me pamjen e tij sot. I rrethuar në lindje nga kompleksi Xhami-Sahat, nga një ndërtesat që ndodheshin para pazarit të vjetër, e më në veri, nga ish-Kisha Ortodokse kurse në perëndim nga ish-Bashkia, ish-Kursali dhe selia e Bankës Kombëtare (pak më e tërhequr, ndërtesa e Parlamentit të parë shqiptar); me rrugën e Durrësit dhe të Kavajës të projektuara për të konverguar virtualisht në kompleksin Xhami-Sahat, të cilave në krahun lindor u përgjigjeshin rruga e Dibrës dhe ajo midis Xhami-Sahatit e Pazarit; me lulishten prapa monumentit të Skënderbeut në jug që vazhdonte me shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” dhe me Bulevardin “Zogu i Parë” në veri, sheshi ishte një gjë e mbyllur nga pikpamja urbanistike dhe arkitektonike. Ai ishte jo vetëm funksional por pajtonte në mënyrë mjaft harmonike traditën historike të Tiranës osmane në pjesën e lindore (ku spikat bashkjetesa e dy komuniteve kryesore të qytetit: myslimanëve me të krishterët ortodoksë nëpërmjet xhamisë dhe kishës) me modernitetin që po ngrihej në pjesën perëndimore.
Siç dihet kjo harmoni u shprish nga regjimi komunist që deshi t’i japë sheshit vulën e tij. Goditja e parë filloi me shkatërrimin e ndërtesës para pazarit dhe të vetë pazarit për ndërtimin e Pallatit të shëmtuar të Kulturës. Pasuan pastaj me rradhë prishja e Kishës Ortodokse dhe ndërtimi i 15-katëshit, prishja e ish-Bashkisë dhe Kursalit dhe ndërtimi i Muzeut Kombëtar. Sheshi u kthye në një simbol të ideologjisë së pushtetit të Hoxhës që e shpreh aq qartë mozaiku në ballë të Muzeut Kombëtar. Ky shpërndërrim ideologjk u kombinua me projektin komunist të modernizimit të vendit që e simbolizonte 15-katëshi. Kësisoj, sëbashku me historinë, sheshi humbi shpirtin e tij, jetën, intimitetin duke u kthyer në një pllakat të ftohtë e të dhunshëm nacional komunist.
Ngritja e monumentit të Hoxhës në vendin midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar ishte shpërfytyrimi i fundit ideologjk që i bëri regjimi sheshit. Me shembjen e tij ai u shfaq i shëmtuar në stërzmadhimin e tij pa formë dhe harmoni.
Në këtë gjendje ishte sheshi kur ra komunizmi dhe kështu, pak a shumë, është edhe sot, por gjithsesi i mbarsur me historinë e tij dhe me ndërtesa që për mirë apo për keq kanë zënë vendin e tyre.
Projektet e Bashkisë
E titullova “projektet e Bashkisë” (në shumës) këtë pjesë të shkrimit pasi protagonisti kryesor përsa i përket prekjes së sheshit, ish-ministri i Kulturës dhe më pas kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ka paraqitur më shumë se një projekt për sheshin, të cilët janë në kundërshtim me njeri-tjetrin. Projekti i parë ishte kthimi në identitet, i cili synoi të rivlerësonte ndërtesat e ministrive për t’u dhënë atyre dinjitetin e bjerrur. Për këtë u hartua edhe një vendim i Kryeministrisë i kthyer në ligj, i cili shpallte dy bulevardet, sheshin dhe rrethinat e tyre si monument kulture të klasit të parë.
Por, sikurse dihet, projekti i restaurimit të ministrive filloi keq sepse u mpleks me një histori korrupsioni që na paralajmëroi se projektet e Ramës për kthim në identitet do të ndryshonin katërcipërisht. Shumë shpejt u bë e qartë se kthimi i sheshit dhe i krejt zonës përreth bulevardit në monument kulture nuk ishte bërë me synim dashurinë për identitetin e qytetit, por për t’ia marrë nga duart, si plaçkë lufte e përfitimi, Kryetarit të Bashkisë, Albert Brojka, i cili ishte i PD-së. Për këtë u shfrytëzua fakti se pushtetin qendror e kishin në atë kohë socialistët me kryeministër Metën dhe ministër të kulturës, Ramën.
Pyetja që shtrohet është: pse ndodhi shpërndërrimi i Edi Ramës nga projekti i kthimit në identitet në projekte ndërtimesh që vetëm me identitetin s’mund të pajtohen e që janë kryer deri edhe mbi vetë ndërtesat e ministrive dhe atë të Bashkisë (në formë shtesash) në kundërshtim të plotë me ligjin që i shpallte këto monumente kulture? Disa ia dedikojnë këtë delirit të tij të madhështisë. Personalisht gjykoj se vendimtar nuk ka qenë ky, por presioni i grupeve të interesit që, ndërkaq, kishin blerë copa toke në shesh apo synonin t’i blinin ato dhe që u bënë gjithnjë e më të rëndësishëm për të mbajtur Ramën në pushtet. Pra kur Rama ka deklaruar, duke shpjeguar projektin francez, se kërkon t’i ngrerë grataçielat e larta për të imituar papët që ngrenë obeliske për t’u identifikuar me “diçka të madhe” (Kështu thotë Jane Kramer në shkrimin e botuar në Neë Yorker për Ramën) nuk duhet të gënjehemi e të mendojmë se këtu kemi të bëjmë me delirin e madhështisë së një personi. Futja e një kulle të lartë sa 15-katëshi brenda ndërtesës së Muzeut Kombëtar, ngritja e katër 25-katësheve në perëndim të sheshit dhe e katër të tjerëve në lindje të tij, që parashikon plani francez, nuk janë “obeliske” që Edi Rama kërkon t’ia ngrerë madhështisë së tij, por shërbime që ka dashur t’u bëjë atyre që e kanë mbajtur dhe mbajnë në pushtet. Dhe kjo është një nga dramat e Tiranës dhe të sheshit. Personalisht gjykoj se problemi ka ardhur nga martesa e etjes së shfrenuar për përfitim e një grushti njerëzish që e kanë parë qendrën dhe sheshin si plaçkë përfitimi me etjen e shfrenuar për pushtet dhe për para të këtij politikani, i cili ka luajtur rolin e instrumentit që do t’i legjitimonte interesat e këtyre grupeve. Edhe arkitektët francezë dhe belgë nuk janë thirrur për të arritur zgjidhjet optimale në krahasim me zgjidhjet që mund të jepnin urbanistët dhe arkitektët shqiptarë, por për ta legjitimuar sa më mirë këtë babëzi.
Kështu kryeqyteti është shqyer e kafshuar sipas interesave të klientëve të pushtetit duke bërë që, kudo ku është vënë dorë, po të bësh krahasimin me të kaluarën, do të gjesh një shëmtim gjithnjë e më të madh nga pikëpamja e pejsazhit urban dhe një funksionalitet gjithnjë e më të mbrapshtë nga pikpamja e cilësisë së jetë, të gjelbërimit, qarkullimit, hapësirave publike, kujtesës historike, ndotjes së ajrit dhe asaj akustike. Mjaft të kesh prasysh se çfarë shëmtie dhe çbalancimi ka krijuar vetëm njëra prej 25-katësheve se të tjerat s’kanë ngritur kokë ende, se çfarë katrahure ka ndodhur e po ndodh në zonën ku më parë ka qenë Kinema “17 Nëntori”, shëmtimin që ka sjellë prishja e lulishtes në fillim të rrugës së Elbasanit, ndërtimet rrotull stadiumit “Qemal Stafa”, shpërndërrimi i ministrive me shtesa gjithfarëshe dhe ndërkalljen e kishës së re ortodoke mes tyre, prishjet me ndërtime shumëkatëshe të zonës me vila prapa Piramidës (të gjitha këto të berendashkruara në zonën e paraqitur si monument kulture) për t’u bindur për këtë. Deri edhe lokali te Parku “Rinia” që u bë i ri është aq i shëmtuar jo thjesht e vetëm se e ka kryer një arkitekt i paaftë, por sepse është i stërmadh në raport me parkun pasi ka synuar të zaptojë sa më shumë hapësirë.
Sheshi dhe PD-ja
Ata që kanë ndjekur qëndrimet e PD-së ndaj planeve të Bashkisë për qendrën nuk mund të mos venë re një inkoherencë të rëndë. Në kohën kur PD ishte në opozitë ajo e ka akuzuar Ramën për prishjen e kujtesës historike, të kulturës materiale, për shkatërrimin e hapësirave të gjelbërta, për vënie në shërbim të industrisë së pastrimit të parave të drogës etj.. Në këtë kontekst ndaj planit francez Lulzim Basha në krye të herës formuloi edhe akuzën se ai nuk ishte i integruar me pjesën tjetër të qytetit dhe prandaj kërkoi rishikimin e tij në tërësi. Sot nuk flitet më për këto. Kjo sepse, pasi erdhi në pushtet PD-ja një pjesë e pasunarëve që kishin qenë të lidhur më parë me Ramën kaluan në krahun e saj ose ngase ndërtimet e filluara nga njerëzit e Ramës u blenë nga njerëz të lidhur me Berishën. Njerëzit i dinë tashmë me gisht ndërtimet që deri dje ishin të njerëzve të Ramës dhe pastaj i u shitën njerëzve të Berishës. Kështu PD, pa asnjë lloj pendese reale për fillimin e katrahurës urbane në Tiranë me dy kryetarët e parë të Bashkisë, dhe duke harruar opozitën që ka bërë, ka heshtur për dhunimin që i është bërë ligjit që e ka shpallur qendrën e Tiranës monument kulture paçka se tashmë në krye të këtyre institucioneve ka kaq kohë që janë përfaqësues të saj.
Lidhur me konfliktin e fundit mbi sheshin dhe projektin belg, gjykoj se nga pikpamja ligjore PD ka të drejtë kur thotë se Rama nuk i ka duart të lira për të vepruar në shesh sepse bash ai, për t’ia marrë Brojkës sheshin, ka hartuar ligjin sipas të cilit ndërhyrjet në shesh e rreth tij nuk mund të bëheshin pa lejet e institucioneve të varura nga Ministria e Kulturës apo Kryeministria. Por problemi është se shkelja e këtij ligji nuk është bërë vetëm tek sheshi, por edhe në hapësira të tjera rrotull sheshit e më gjerë, për të cilat PD-ja nuk flet sepse kështu cënon interesat e klientëve të saj.
Ja pse akuzat që bën sot PD-ja lidhur me sheshin e në emër të ligjit nuk kanë kredibilitetin e qëllimit të mirë, por janë një luftë e ngjashme me atë që u bë para dhjetë vjetësh kur Rama i rrëmbeu Brojkës qendrën e Tiranës për hesape përfitimi të njerëzve të tij. Dhe pikërisht për këtë fati i sheshit rrezikon të jetë po i njëjtë: shëmtimi që do t’i shtohet shëmtimit në emër të përfitimit që, tek e fundit, do të kthehet edhe kundër atyre që po e prodhojnë.
Projekti belg
Nuk është vështirë të kuptosh se e keqja e të këqijave që i ka ndodhur qytetit janë improvizimet e vazhdueshme që nuk kanë lënë të ndërtohet asgjë me koherencë dhe harmoni funksionale dhe estetike në qytet. Sepse, tek e fundit, mund të biesh dakort edhe që ta rrafshosh një hapësirë të caktuar të qytetit dhe të rindërtosh në të diçka të studiuar nga fillimi deri në fund; por të ndërkallësh ndërtime të reja midis ndërtimesh të vjetra duke varrosur me grataçiela ndërtesa historike, të bashkangjitësh njëra me tjetrën stile nga më të ndryshmet arkitektonike, të rritësh në këtë mënyrë katastrofike dendësinë e banorëve pa përfillur as më të keqen rregullore urbanistike, siç ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë tek ne, kjo është një shëmti, e cila nuk ka shpjegim tjetër përveç përfitimit të çastit të biznesit “kafsho dhe ik”. Edhe projekti belg është në këtë vazhdë shëmtimi. Ai guxon e prish edhe atë që Enver Hoxha nuk e ka prishur në historinë e sheshit: faktin që rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës janë projektuar për të parë kompleksin Xhamip-Sahat që është simboli i kryeqytetit. Por ai shprish edhe funksionin primar pse ka lindur sheshi: atë të lehtësimit të qarkullimit duke e kaluar atë në zona që me improvizime të reja do të sjellin shëmti të reja funksionale dhe urbane.
Po ashtu, duke patur parasysh se rrotull ndërtesave, me të cilat Rama synon të mbyllë sheshin nga të katër anët do të ngrihen edhe grataçielat e planit francez në lindje, dhe se projekti belg mbyll vazhdimësinë hapësinore që krijon sheshi me bulevardin “Zogu i I” në veri e me rrugën e Durrësit e të Kavajës në perëndim nuk është vështirë të përfytyrohet se ai shpërndërrohet kësisoj në një pus që nuk do ta rrihte më as drita e diellit, për të mos folur për ndërprerjen e rrymave të ajrit që sipas specialistëve janë edhe ato një element i rëndësishëm për jetën e një qyteti. Aq më tepër duke patur parasysh se në verë Tirana edhe kështu është bërë e pajetueshme.
Operacione të tilla ku krijohet një metër katror gjelbërim dhe merren katë metër katror për ndërtim që janë pjesë e shkatërrimit të gjelbërimit të Tiranës duket sheshit se janë edhe pjesë e projektit belg. Ja pse duhet të kthehet në gjelbërim zona midis Pallatit të Kulturës dhe Sahatit dhe të merret gjelbërimi tashmë ekzistues prapa Pallatit të Kulturës për të ngritur atje dy grataçiela 25-katëshe. Është e qartë: kjo nuk shpjegohet dot përveçse me llogaritë e klientëve të Ramës.
Kam lexuar se Rama ka deklaruar se belgët kanë projektuar një si piramidë në qendër të sheshit, në majë të së cilës qytetari i Tiranës do të ndihej zot. Por a është e vërtetë se qytetari do të ndihet zot në fund të pusit të krijuar prej grataçielave të Ramës që do të rrethojnë sheshin duke ia mbyllur krejtësisht pejsazhin, edhe ato pak copa qiell e mal Dajti që i kanë mbetur për të parë? Absolutisht jo. Por ka edhe një arsye tjetër pse qytetari nuk do të ndihet zot. Projekti, mu pse është ndërtuar për interesa të klientelës së pasunarëve të Ramës, i merr atij edhe hapësira të tjera publike për t’ia dhënë ato një grushti njerëzish e duke e kthyer qendrën rrotull sheshit në një ishull të të pasurve, të izoluar për shumicën e qytetarëve.
Një propozim
Çfarë mund të bëhej me sheshin që vërtet është i shëmtuar? Pa marrë përsipër të bëj specialistin po thjesht si qytetar që jeton problematikën e qytetit të përshkruar si në këtë shkrim edhe në të tjera një propozimi i vetëm që do të bëja është ky:
Sipas meje në hapësirën midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, d.m.th., atje ku ka qenë monumenti i diktatorit e prapa, ka nevojë të vihet dorë për të mbyllur stërmadhësinë e sheshit dhe shëmtinë që sheh syri në atë drejtim. Por nuk jam kurrsesi që kjo të bëhet me një ndërtesë supermarketi, siç parashikojnë belgët që përveçse do të shtonte mbyllje dhe çimento do tu merrte dritë e fushëpamje dy ndërtesave shumë më të rëndësihme siç janë Banka dhe Muzeu. Sipas meje atje fare mirë mund të ndërtohej një park me pemë të larta dhe gjelbërim ku të vendoseshin edhe stola edhe skulptura e ku herë pas here të vendoseshin baraka druri si në parkun para Bashkisë së Vjenës ku njerëzit të mblidheshin në ditë festash. Ky park/pyll i vogël në mes të qytetit nuk do të dhunonte ndërtesat gjithsesi të rëndësishme të Bankës dhe Muzeut, do të kishte një kosto minimale për një vend të zhytur në borxhe, do të ruante shumë më tepër identitetin e sheshit, do të ndihmonte sadopak për pastrimin e ajrit në këtë zonë super të ndotur dhe nuk do të mrrudhte edhe më hapësirën publike por do të vazhdonte ra ruante sheshin si një shesh të të gjithëve.
Është thjeshtë një propozim, të cilit mund t’i bëhen shumë vërejtje, por jo ajo se propozohet për t’i shërbyer interesave të pushtetparasë së një pakice, që ka shkaktuar masakrën urbane në Tiranë.
Comments (0 posted)
Post your comment