Home | Environment | E vërteta ekologjike

E vërteta ekologjike

Nga Xhemal Mato
Kur shpërtheu centrali bërthamor i Cernobilit, qeveria e BS-së e atyre viteve, nuk i tregoi publikut të vërtetën e katastrofës mjedisore që po përhapej nga pluhuri radioaktiv në tërë territorin rus dhe më tej. Ndërkohë, gjithë bota që e kishte zbuluar atë nga pamjet satelitore, kërkonte të mësonte të vërtetën. Përgjatë 10 ditësh, kjo e vërtetë u fsheh për publikun.

Studimet e mëvonshme treguan se rastet me sëmundje vdekjeprurëse të pluhurit bërthamor, që ndërkohë kishte arritur deri në Evropë, u njëqindfishuan, nga që njerëzit nuk ishin mirinformuar. Kjo ngjarje ka ngelur tashmë një shembull klasik, që tregon se si fshehja e së vërtetës ekologjike vret njerëz ose shkakton katastrofa njerëzore.

Në Shqipëri, te vërtetën për mjedisin nuk ka dëshirë ta tregojë asnjë qeveri, gjë që të kujton familjet apo dhe hotelet në periudhën socialiste, që mundoheshin të fshihnin WC-të nga sytë e miqve.

Por, ndërkohë ndotja dhe degradimi mjedisor janë rrotull dhe brenda nesh dhe shpesh arrijnë të bëjnë kërdinë në shëndet, të dëmtojnë ekonominë, bile të ndikojnë dhe në politikat kombëtare. Edhe kur ndodh që një pjesë e së vërtetës ekologjike nxirret në publik, ajo bëhet thjesht për qëllime politike, jo për të ndihmuar shoqërinë.

Është për të qeshur dhe për të qarë, p.sh., e vërteta e ndotjes së ajrit të qytetit të Tiranës.

Ministria e Mjedisit gjithmonë përmend ndotjen nga pluhurat (Grimca PM10) që shkaktohen nga ndërtimet dhe mospastrimi i rrugëve (pra bashkia), ndërsa bashkia e sheh ndotjen vetëm te gazrat e makinave (CO, NOx, blozë dhe gazet e tjerë toksikë) pra, te politikat mjedisore të qeverisë.

Kështu del që PM10-a është në PS, ndërsa gazrat e automjeteve në PD, por që të dyja helmojnë publikun e Tiranës, bile bashkë me të, dhe vetë ata që bëjnë këtë politikë.

Por sa helmon apo vret në të vërtet ajri i ndotur i Tiranës? Kjo e vërtetë s'është thënë asnjëherë gjatë 17 vjetëve të "lirisë së informacionit". Janë bërë me dhjetëra projekte mjedisore të mbështetura nga organizmat ndërkombëtarë, por asnjëherë nuk është treguar se sa veta vdesin nga kanceri i shkaktuar nga ndotja e ajrit në Tiranë.

Para disa ditësh, drejtori i Onkologjikut deklaroi direkt në shtyp se të sëmurët me kancer në spitalin e tij shtohen çdo vit me 20%, një shifër alarmante që, si duket, nuk u kap nga publiku që ato ditë ishte trullosur nga problemi i dosjeve dhe s'e ndjeu vlerën e kësaj të vërtete mjedisore.

Shumë politikanë ndoshta mendojnë se ky 20%-ësh nuk është për ata, por deri tani kanceri ka marrë 7 deputetë dhe dihet se përqindja më e madhe e kancereve sot, shkaktohen nga mjedisi (OBSH).

Ka gati dy vjet që kanë ardhur aparaturat e reja nga BE-ja për monitorimin e ajrit në Shqipëri. Ministri i Mjedisit i ka dërguar pjesën më të rëndësishme të tyre, që do monitorojnë cilësinë e ajrit në Tirane e Elbasan, në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Por ato ende s'po vihen në punë për të zbuluar të vërtetën e ndotjes së ajrit. Publiku fle i qetë nga deklarimet politike se "ndotja e ajrit është përmirësuar 30%", ndonëse nuk referohet me asnjë shifër, asnjë monitorim të ajrit bërë nga ndonjë institut për këto dy qytete.

Bashkia e Tiranës, nga ana tjetër, e përkrah këtë "informacion", ndërkohë që s'tregon që lulishtet janë pakësuar dhe makinat janë shtuar. Përsëri vetëm politikë në vend të se vërtetës mjedisore. Ndërkohë që, fshehja e këtij informacioni shkakton sëmundje dhe vdekje.

Kjo politike është kriminale, sepse vret me përqindje vjetore, si politika e Enverit që thuhet se kishte plan të internonte çdo vit një përqindje të popullsisë, veçse ndotja nuk bën dallime shtresore (klasore) apo politike. Ajo sëmur dhe vret qorrazi politikanë, të pasur, të varfër, njësoj, boll të plotësojnë përqindjen vjetore, e cila është në rritje çdo vit me 20%.

Tek ne shteti ka monopolin e monitorimeve mjedisore. Të gjitha institutet shkencore financohen dhe programohen nga shteti. Deri tani nuk ka asnjë institucion të pavarur që bën monitorim të cilësisë së mjedisit në Shqipëri.

Dhe kur ndodh që ndonjë shoqatë apo institucion jo qeveritar gjen ndonjë fond që të bëjë një monitorim apo anketim, menjëherë ajo sulmohet nga disa qeveritarë si mashtruese, antikombëtare, antiglobaliste, marksiste leniniste dhe shpesh i janë bërë presione për t'i mbyllur gojën apo dhe për t'i "blerë" studimin. E vërteta mjedisore është në dorë të qeverisë dhe politika shpesh nuk e lë atë t'i shërbejë shoqërisë.

E vërteta ekonomike e mjedisit / Para pak kohësh, ministri Ruli deklaroi se, me ndërtimin e hidrocentraleve të Devollit, do të rritet GDP-ja me 1%. Por dhe hidrocentralet, ndonëse janë mjaft të pastër, nuk ndotin, përsëri kanë një ndikim në mjedis. Ato përmbytin toka dhe vendbanime, pra kanë një kosto mjedisore.

Kjo ka qenë një nga shkaqet kryesore përse Hidrocentrali i Banjës nuk vazhdoi të ndërtohej. Ndoshta këtë kosto do ta paguajë investitori, por përsëri qeveria do jetë në borxhe ndaj popullsisë. Ajo s'do t'ua plotësojë kurrë koston e plotë të tokës, punësimin e tyre, traditën, etj. Kjo kosto nuk paguhet.

Vitet e fundit, fshatrat në brigjet e Semanit dhe Vjosës po përmbyten nga vërshimet e lumenjve. Bile, ndonjë politikan mundohet ta fshehë, duke e quajtur "fatkeqësi natyrore".
Shkencëtarët e ujërave e dinë se në brigjet e Vjosës s'ka pasur kurrë në histori ndonjëherë përmbytje.

Ato filluan që kur politika mjedisore e qeverive pas '90-s, lejoi të merreshin inerte në shtratin e lumit. Lumi me taban të pastruar filloi t'i zhvendosë inertet në pjesën fushore, duke ngritur nivelin e shtratit, shto këtu dhe prerjen e gjithë pyjeve dhe gëmushave përgjatë lumit dhe, tani, Vjosa është kthyer në një lumë që përmbyt pothuajse në çdo 2-3 vjet.

Sa është kostoja që duhet ta paguajë shteti për ta sjellë lumin si ishte dhe të kompensoje dëmet që u shkakton shtëpive të fshatarëve, të cilët s'kanë asnjë faj? Më e vogël apo më e madhe se fitimet që pati shteti dhe zona nga industria e inerteve?

Këtë, Ministria e Mjedisit nuk e analizon, Ministria e Punëve Publike nuk ka interes ta zbulojë, ndërsa Ministria e Ekonomisë e injoron. Ndërkohë, të tri ministritë flasin për "Zhvillim të Qëndrueshëm të Shqipërisë" dhe rritje të GDP-së.

Sot GDP-ja është e verbër ndaj kostos mjedisore. GDP-ja nuk na jep të dhëna për mirëqenien, sepse ajo nuk fut në llogari zhdukjen e sistemeve natyrore, rrallimin e pyjeve, apo të ujerave nëntokësorë, shkatërrimet e sjella nga katastrofat natyrore.

Gjithashtu, GDP-ja nuk regjistron koston e ndotjes. Dhe ndodh që GDP-ja rritet kur mirëqenia e jetës ulet. Sekreti qëndron pikërisht te kostot mjedisore.

Para disa vjetësh, ish-Presidenti i Norvegjisë, Fystein Dable, thoshte: "Socializmi ra në kolaps, sepse ai nuk lejoi çmimet të tregonin të vërtetën ekonomike. Kapitalizmi mund të bjerë gjithashtu në kolaps kur ai nuk lejon çmimet të tregojnë të vërtetën ekologjike".

E vërteta ekologjike e investimeve industriale / Gjatë debatit për termocentralin me naftë në gjirin e Vlorës, biznesmenët e Vlorës bënë një analizë ekologjike-ekonomike të zonës ku do të ndërtohej TEC-i, studim që ishte një sfidë për ekonomistët qeveritarë.

Ata argumentuan se po ta rikthenin dhe përdornin zonën ku do të ndërtohej TEC-i, për turizëm, të ardhurat për Vlorën do të ishin rreth 40 milionë dollarë në vit dhe punësimi do të ishte dhjetëra herë më i lartë. (Dihet se në turizëm, për një krevat punësohen rreth 4 vetë).

Ndërkohë, shteti, me projektin e TEC-it, nuk arriti të kundërvihej me një argument (vizibilitet) të tillë me shifra. Bile, një ministër shkoi më tej, duke i sulmuar kundërshtarët me një argument OJQ-je: "Ne s'do ta kthejmë Vlorën në një vend baritor".

Po nëse "vendi baritor" sjell më shumë lekë se sa TEC-i (dhe raste të tilla sot ka plot në botë) dhe me këto lekë punësohen më shumë njerëz, blen dhe energji më shumë dhe ndërkohë ruan dhe mjedisin natyror, pra, dhe cilësinë e jetës, çfarë të keqeje ka? Ky studim ekologjiko-ekonomik nuk u bë.

Kjo është akuza e ekologjistëve të sotëm, të cilët politikën mjedisore e shohin të mishëruar në ekonominë e tregut dhe jo si "shfaqje e fundit e marksizëm-leninizmit", si e emëron kryeministri, ndërkohë që vetë qeveria jonë, edhe taksën e mjedisit e fut në shumën globale të Ministrisë së Financave dhe nuk e kthen përsëri në mjedis.

Taksa e makinave që ndotin ajrin nuk kthehet prapë për ta pastruar atë (me lulishte, parqe dhe rrugë të reja), tarifa që u merret nga VNM-ja industrive nuk kthehet në përmirësimin e mjedisit. Kështu, kjo politikë financiare ia vjedh lekët mjedisit dhe i përdor në drejtime të tjera.

Te gjithë vjedhin kostot mjedisore, që nga qytetari i thjeshtë, që hedh plehrat kudo, por jo në kazan, bashkia që i hedh në lumë dhe jo në gropën e grumbullimit, qeveritari që nuk e gjobit ndotësin dhe leket t'i kthejë prapë në mjedis dhe së fundi politikani, që s'e quan problem të rëndësishëm ekonomik dhe politik mjedisin.

Pasoja: qeveria s'ka lekë për të mbjellë pyje, për të rregulluar shtratin e një lumi, për të menaxhuar dhe rehabilituar një Park Kombëtar (Sa lekë kërkon Parku i Lurës?), apo për të pastruar detin dhe bregdetin të mbushur me plastika. Borxhi i krijuar në "bankën" e mjedisit shqiptar është miliarda EURO dhe, ç'është më e keqja, ky borxh vjen duke u rritur.

Vitet e fundit qeveria po jeton euforinë e "investimeve" gjigante në fushën e energjisë dhe të çimentos. Në fakt, ato janë 100% investime të kompanive të huaja, me fondet e tyre, me qëllim për të plotësuar tregun e tyre dhe shpesh me kushtet e tyre imponuese ekonomike në shkëmbim të mbështetjes së tyre politike (e cila asnjëherë s'ka qenë e qartë dhe e sigurt).

Qeveria jonë investon vetëm tokën, ajrin, ujin dhe skllevërit, me një pagë sa për të ekzistuar. Pra, qeveria, në këtë rast, është thjesht një qiraxheshë e një toke që s'është e saja, e ajrit, ujit dhe pyjeve që s'ka të drejtë t'i shesë apo degradojë, sepse janë pronë e brezave që do të vijnë.

Por, pikërisht këtu është fitimi i madh i palëve, dhe që kamuflohet në media me idenë e zhvillimit të shpejtë.

Konkretisht: Një ton CO2 e lëshuar në ajër, sot, në Komunitetin Evropian, kushton (taksohet) 24-26 EUR. Pra, për çdo ton CO2, ata që e krijojnë dhe e shkarkojnë në ajër, duhet të paguajnë 24-26 EUR.

Në Suedi qeveria e vendit e takson çdo ton CO2 me 150 EUR. Këto të ardhura financiare, qeveria është e detyruar t'i investojë në energji të pastra, që nuk çlirojnë CO2, në mënyrë që të zbutet efekti serë dhe ndryshimi klimatik në rang botëror.

Shqipëria nuk ka detyrime, meqenëse nuk është në BE, ndonëse ka pranuar protokollin e Kiotos. Italia lëshon shumë më tepër CO2 (+ 6 ) se kriteret e pranuara nga Kioto. Por tani Italia i investon këto industri me qymyr, që lëshojnë sasinë më të larte të CO2-shit në TEC-e në Shqipëri dhe energjinë e merr prapë për vete.

TEC-et do çlirojnë 6-7 milionë tonë CO2 në vit , që është dyfishi i dyoksidit të karbonit që çliron Shqipëria sot (sipas Institutit të Studimeve Ambientale në Tiranë). Pra, ajo sasi CO2-shi që do të çlirohet nga TEC-et dhe fabrikat e çimentos, kushton dhjetëra miliona EUR taksa të pambledhura.

Vetëm një fabrikë çimentoje çliron rreth 1 milion ton CO2 në vit, që janë baras me rreth 25 milionë EUR taksë që duhej të merrte shteti shqiptar!! Në total, kjo taksë nga këto investime do luhatej nga 250-300 milionë EUR/vit....

Me këto vendime "të zhvillimit të vrullshëm" dhe me këtë mënyrë të vepruari, pa respektuar strategjitë e miratuara, pa informuar publikun dhe pa vlerësuar institucionet shkencore, pa respektuar politikat botërore dhe rajonale të zhvillimit të qëndrueshëm, pra me të gjitha këto mangësi të procesit të zhvillimit, ne po paracaktojmë përsëri fatalitetin e së ardhmes sonë.

Intelektualët shqiptarë të brezave të ardhshëm, nesër do të shtrojnë përsëri pyetjen shekullore të shqiptarëve: "Përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat, përse të tjerët ecin dhe ajo ngec"?? Përse-ja ka filluar sot. Një debat i hapur publik mund ta frenojë këtë makutëri barbare ndaj mjedisit dhe këtë zhvillim të paqëndrueshëm.

Dhe, së fundi, dua të përmend William Safire (gazetar i njohur i "New York Times") që thotë: "Shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, artikulli i një opinionisti ka arritur të shkaktojë ndryshime të menjëhershme, por jo rrallë ama kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në rastet kur bashkimi i zërave të opinionistëve ka arritur atë nivel që, në statistikë, quhet niveli i masës kritike.

"Para se të "mbjellim ullinjtë në media" kemi nevojë të mbjellim shpresën për një zhvillim të sigurt, i cili sot nuk ka rrugë tjetër përveçse nëpërmjet vlerësimit të mjedisit si një problem ekonomik, politik dhe jetësor.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
3.67