Home | Environment | Në kërkim të mjeteve të shpëtimit…

Në kërkim të mjeteve të shpëtimit…

image
 Vërtet njerëzit thonë shëndeti mbi të gjitha, por masat për ruajtjen e tij janë shumë të pakta... Këtë e kam, jo nga ana shëndetësore, as nga ana e të ushqyerit dhe e të veshurit, por nga ana e masave të shpëtimit. 

Nga Pandeli Bardhi

Në kohërat që kalojmë secili e ka për detyrë, është apo jo në punë, që si detyrë parësore të ketë ruajtjen e jetës së tij dhe të të tjerëve. Kjo është detyrë parësore edhe e shtetit, për qytetarët e vet. Kemi, shumë për të bërë në këtë drejtim, ku me punën e deritanishme, nuk mund të themi se kemi filluar nga masat fillestare,Në kushtet që jemi, secili e ka për detyrë ti bëjë “derman” kokës, por edhe shteti e ka për detyrë ti bëjë “derman” shoqërisë, ku deri tani, as që nuk e ka vënë “ujin në zjarr”. Dua ta filloj këtë qysh nga vetja e deri lart, në qeveri. Çdo njeri, sado fukara që të jetë, vendos diçka mënjanë nga kursimet e tij, si i thonë, për një ditë të “keqe”. Dita e keqe nuk varet nga ne, prandaj i lutemi zotit që të na ruajë nga të këqijat, Ka të këqija, që vijnë nga fatkeqësitë e natyrës, ka që vijnë nga indiferenca e shtetit, por ka që vijnë edhe “prej vetit”, thonë shkodranët. Atyre që vijnë nga natyra, nuk kemi ç’ti bëjmë, shteti dhe shoqëria, mund të bëjnë aq sa mund të bëjnë, atë e di shteti, por ja që ndodh, si i thonë “E gjen nga nuk e pandeh!... Këtë e thotë populli, i cili e ka nxjerrë nga eksperienca e tij, sikurse edhe tjetrën, “Atë që sjell minuti, nuk sjell viti”. Si i papunë që jam dhe që sillem vërdallë rrugëve të Metropolit, ku nuk më shkon mëndja.. Në çdo pëllëmbë dyqane, në çdo vend vetëm shesin e blejnë. Të gjithë shesin të gjithë blejnë. Dyqanet janë të mbushur plot e përplot. Çfarë nuk gjen në to. Me të drejtë, thotë populli se “Vetëm nënë e babë, nuk gjen në dyqane...”. Kjo është një gjë e mirë, mbasi nuk vuajmë më si dikur, që po të të duhej diçka, duhej të ecje me kilometra të tëra dhe e gjeje apo nuk e gjeje atë që kërkoje.

Megjithatë, kjo i përket një teme tjetër. Kësaj rradhe do të ndalem, në atë që ka të bëjë me atë çka është më kryesorja, me ruajtjen e jetës. Vërtet njerëzit thonë shëndeti mbi të gjitha, por masat për ruajtjen e tij janë shumë të pakta... Këtë e kam, jo nga ana shëndetësore, as nga ana e të ushqyerit dhe e të veshurit, por nga ana e masave të shpëtimit. Shkak për këtë, u bë komshiu i një mikut tim, i cili ka më se dy javë që ndodhet në spital, shyqyr që shpëtoi, si rezultat i një dërrase divani që u hodh kush e di se nga cili kat. Kujtdo, do ti ketë rënë rasti,që të kalojë pranë pallateve dhe të shohë se si “fluturojnë” qeset me plehra nga katet e larta. Jo një herë më ka rënë rasti, të jem dëshmitar i këtyre skenave dhe them me vehte shyqyr që kam shpëtuar. Por jetës nuk i dihet, dhe kjo është një gjë që ka “ilaçin” e shpëtimit. Kam vendosur që të blej një helmetë metalike, mbasi asnjë mjet tjetër shpëtimi nuk e përballon dot një goditje të tillë “shumëballëshe” që vjen nga “gradaçielat” tona të larta. Sikur autorët e këtyre hedhjeve, të jenë të arsyeshëm, e të hedhin vetëm plehra e shishe plastike, është gjysma e të keqes, por kur në brendësi, ka edhe copa tullash e betoni, nga punimet që bëjnë, puna ndryshon...

 Një jetë e kam mbajtur helmetën në kokë, që të mbroheshim nga “armiqtë e jashtëm”, por një “armik” nuk e pamë se si ishte. Ja ku i erdhi dita sot që helmeta, merr një rëndësi të veçantë për t’u ruajtur nga “armiqtë” që i kemi midis nesh! Më lart e thashë. që shyqyr demokracia na i solli të gjitha, por helmetë, nuk po gjej dot në dyqanet tona, që janë me dhjetra mijëra! Por, helmeta nuk vlen vetëm për të përballuar goditjet nga lart, por edhe për t’u ruajtur nga telat e korentit, të cilat varen kudo, e na rrinë mbi kokë si “shpata e Demokleut”. Shumë herë janë bërë problem këto, shumë ankesa janë bërë nga qytetarët por të gjitha bien në vesh të shurdhër. Jo të pakta kanë qenë rastet, që njerëzit, kanë humbur jetën, sidomos fëmijët, nga telat e korrentit, që rrinë varur si në Kandahar... Ngado që të shkosh, një pleksje telash të të gjitha funksioneve, të telefonave, të dritave, të ligjshme e të paligjshme, të lidhura e të varura, varen mbi kokat e njerëzve... Askush, atyre nuk mund t’ia gjejë anën, përveç specialistëve tanë… Helmeta, nuk mund të ta shpëtojë jetën njëqind për qind. E themi këtë, mbasi ajo nuk të siguron, në rast se të bie transformatori në kokë. Në rrugën që shkon për në ish kombinati, në të djathtë është asfaltuar një rrugicë. Ajo ndahet në dysh me shtyllat e tensionit të lartë në mes dhe transformatorët që rrinë varur! Ajo, nuk është rrugë dykalimëshe dhe aty shkojnë edhe njerëzit edhe makinat... Për këto, është e domosdoshme njëra nga mjetet e shpëtimit, siç është helmeta.

Por ajo, nuk mund të kuptohet edhe pa mjetin tjetër kundragazin!. Edhe ky, për kushtet e sotme, merr një rëndësi të veçantë. Erra mbytëse e hedhurinave, që flaken sa andej këtej, dhe këto jo vetëm nga fëmijët e moshës njëqind muajshe por edhe nga ata të moshës katërqind e tetëdhjetë, e gjashtëqind muajsh, burra apo gra qofshin. Hedhurinat, bile, hidhen si pa gjë të keq, edhe nga ata që mbajnë, këpucë me majë e nga një tabelë në qafë, edhe nga ata që rrinë me “gishtin në këmbëz” të automatikëve, pranë llotove, kazinove e Bankave. Për më tepër, rëndësi të veçantë këtij mjeti shpëtues, i japin edhe qeset me plehra, që disa të “kulturuar” e sidomos gratë i lenë si pa të keq, ku të mundin. Qentë rrugaçë, të cilët mezi e presin këtë gjah, menjëherë fillojnë të operojnë. Këta të fundit, jo vetëm që janë shtuar shumë në numër, por e dinë akoma kohën si dikur kur kishte bollëk. Këta kujtojnë se qeset janë mbushur me kocka e mbeturina mishi por shumë shpejt zhgënjehen. Megjithatë, ata, qeset i hapin dhe i derdhin rrugës, duke i tërhequr për në “banesën” e tyre, kazanët e plehrave! Qentë e mjerë, edhe ata nuk e besojnë që krizën ne nuk e ndjejmë. Ata e besojnë se e heqin në kurriz që janë bërë kockë e lëkurë dhe mezi mbijetojnë nën kazanët e plehrave! Edhe jeta e tyre varet nga fuqia blerëse e njerëzve... Me çfarë të blenë mish njerëzit, që edhe ata të hanë kocka?.Sa më në qendër të Metropolit të shkosh, aq më shumë rëndësi merr kundragazi, mbasi grumbujt e njerëzve, bëhen më të dendur... Mbaj mënd, dikur që Bashkinë e Tiranës, e kritikuan ashpër për prishjen e të vetmes banjo publike që ishte diku aty tek ish Kinema Partizani... Nuk them se nuk kishin plotësisht të drejtë. Por rëndësi ka që të zgjidhet problemi.

Sot që flasim, janë “ngritur” me dhjetra të tilla, dhe prapë problemi nuk është zgjidhur. Si për ironi të fatit objektet më të mëdha të Kulturës, janë kthyer në objektet më të “frekuentuara” të njerëzve antikulturë. Shamia që mbajnë njerëzit e kulturuar, kur kalojnë mbrapa Pallatit të Madh të Kulturës, apo prapa Muzeut Historik Kombëtar, është e pamjaftueshme dhe nuk e kryen plotësisht funksionin, pa patur të veshur kundragazin, i cili nuk duhet hequr nga koka gjatë gjithë kohës që do të shëtitësh nëpër rrugët e Metropolit. Sa më larg qendrës që të shkosh, aq më shumë zbehet ky problem. Zbehet, mbasi shfrytëzohen pallatet nga mbrapa, apo objektet e vjetërsira që janë të shumta dhe nuk bien shumë në sy. Në të gjitha mbikalimet e Lanës, që nga Brryli e deri tek Unaza e madhe, përveç kundragazit që duhet mbajtur veshur, duhet ecur edhe me shumë shpejtësi, sepse edhe kundragazi ka një kohë të caktuar për mbrojtjen nga “lëndët helmuese”. Pranë mbikalimeve, janë të vendosur edhe tezgat që shesin fruta perime, të cilët e kanë të zgjidhur problemin e nevojave personale në rast nevoje, që edhe atë, ta kryejnë, por të kenë edhe mendjen se mos i vjedhin…

Tash, kohët e fundit, kur bashkia ka filluar kontrollet e “rrepta”për ata që shesin me tezga, mbikalimet, shërbejnë edhe si strehime për tu futur atje bashkë me rrushin, mollët e domatet, për të ridalë përsëri sapo të iki polici! Më mirë që nuk i shohim çfarë hamë, e çfarë pimë!.. Askush të mos mendojë se “zona të rrezikshme” janë vetëm mbikalimet, por janë edhe ato midis dy mbikalimeve. Çdo kush e ka parë këtë, sidomos kur bie shi, se çfarë sjell lumi i Lanës, dhe çfarë hedhin njerëzit “e pastër” aty, që mezi e presin këtë ditë!. Për shumë shitës fruta perimesh, Lana shërben gjithashtu edhe për ti mbajtur sa më të freskëta perimet, duke i spërkatur ato vazhdimisht, sidomos barishtet, si spinaqin, sallatën, rrukullat, bardallakun etj, nga dielli “grabitqar”!.Do të kompletohej më mirë figura e një “luftëtari” që ecën nëpër rrugët e Metropolit, me punë, apo si i papunë, sikur të kishte edhe një palë çorape kundërkimike, Edhe këto, janë shumë të domosdoshme. Gropave të thella, të mbushura me ujë,sidomos tani që dimri po troket, nuk mund ti bëjnë ballë, jo vetëm këpucët por as çizmet e llastikut!. Mbi të gjitha, këto të shpëtojnë edhe nga “stërklat” e ujit të makinave që hedhin kur shkojnë me shpejtësi nëpër gropa. Mos kujto, i dashur qytetar se je i sigurt kur shkon në ata të paktë trotuare që ka, mbasi, shumëkush e ka provuar, kur shkel në ndonjë cep të pllakave të shumta,që poshtë janë të mbushura me ujë. Edhe me këtë “komplet” mjetesh për sigurimin e jetës, unë përsëri nuk kam besim se jam i siguruar. Ka akoma edhe shumë “gropa” të tjera zbuluar të cilat më imponojnë mua e gjithë të tjerët, për marrjen e masave sa më efektive, që të ecim të sigurt…Vijon...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00