Latest News
Ndërtimet e reja në Shqipëri...
Breza të tillë në vendin tonë janë: Brezi Adriatik-Jonian, që përfshin pjesën perëndimore të Shqipërisë, që quhet edhe si brezi perëndimor. Ky brez përfshin gjithë Ultësirën Perëndimore, deri në Konispol. Një brez tjetër, është edhe brezi lindor Peshkopi-Pogradec-Korçë, si edhe një brez tërthor, që përfshin brezin Vlorë-Elbasan-Dibër.
Nga Aurora Koromani
Pozita gjeografike, në të cilën ndodhet Shqipëria, e bën atë shumë të ekspozuar ndaj tërmeteve. Këtë fakt e pohon Specialisti në Fushën Sizmotektonike, Rexhep Koçi. Sipas tij, vendi ynë është i vendosur në buzën perëndimore të njësive të mëdha tektonike, që njihen me emrin Pllaka Euroaziatike dhe mikropllakës së Adrias, të cilat janë zona aktive dhe ndikojnë në rritjen e aktivitetit sizmik në Shqipëri. Kjo, sipas specialistit Koçi, e bën Shqipërinë si një ndër zonat më të predispozuara ndaj tërmeteve, ku në Rajon renditet pas Turqisë dhe Greqisë. Gjatë kësaj interviste, Prof. Koçi flet edhe për zonat e Shqipërisë, që janë më të predispozuara ndaj tërmeteve. Sipas, tij Shqipëria është e ndarë në breza sizmikë, ku vlen të përmendim brezin Adriatik-Jonian, brezin lindor Peshkopi-Pogradec-Korçë, si edhe një brez tërthor, që përfshin brezin Vlorë-Elbasan-Dibër. Gjithashtu, Prof. Koçi flet edhe për aktivitetin sizmik që karakterizon Tiranën, duke e cilësuar kryeqytetin e vendit si zonën e tërmeteve të pritshme me 7 deri në 8 ballë. Madje, Prof, Koçi u bën thirrje edhe të gjithë ndërtuesve për masat që duhet të ndërmarrin ata, para se të kryejnë ndërtime.
Profesor Koçi, sa e rrezikuar është Shqipëria nga tërmetet?
Pozita gjeografike dhe ndërtimi tektonik i Shqipërisë e bën atë, një vend të prekshëm nga tërmetet, për arsye se pozita gjeografike e vendit tonë është e vendosur përballë njësive tektonike. Vlen të përmendim se, Shqipëria është e vendosur në buzën perëndimore të njësive të mëdha tektonike, që njihen me emrin pllaka Euroaziatike dhe mikropllakës së Adrias. Këto njësi tektonike janë aktive dhe si çdo pjesë e globit tokësor pllakat tektonike lëvizin. Lëvizja e tyre shoqërohet me lindjen e sforcimeve në masat shkëmbore, që ndërtojnë koren e tokës. Madje, kur këto sforcime arrijnë vlerat maksimale, masat shkëmbore thyhen dhe këto shoqërohen me tërmete ose siç i njohim ne, ngjarje sizmike. Fatkeqësisht, Shqipëria është territor që ndodhet në konturin, ku këto njësi tektonike përplasen dhe si i tillë, territori ynë është një vend sizmiogjen, që në Ballkan renditet pas Turqisë dhe Greqisë, për nga aktiviteti sizmik.
Cilat janë zonat në Shqipëri, në të cilat aktiviteti sizmik, është më i predispozuar që të shfaqet më shpesh?
Disa zona që janë shquar dhe bazuar në shpërndarjen e ngjarjeve sizmike dhe në madhësinë e tyre janë identifikuar, si zonat më sizmogjene. Madje, këto zona njihen edhe me emrin breza sizmogjenë. Breza të tillë në vendin tonë janë: Brezi Adriatik-Jonian, që përfshin pjesën perëndimore të Shqipërisë, që quhet edhe si brezi perëndimor. Ky brez përfshin gjithë Ultësirën Perëndimore, deri në Konispol. Një brez tjetër, është edhe brezi lindor Peshkopi-Pogradec-Korçë, si edhe një brez tërthor, që përfshin brezin Vlorë-Elbasan-Dibër. Ky brez shtrihet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, duke arritur deri në Shkup të Maqedonisë.
Po Tirana, sa e rrezikuar është nga tërmetet?
Duhet të përmendim se Ish-instituti i Sizmiologjisë, sot Instituti i Gjeoshkencave, Ujit, Energjisë dhe Mjedisit, ka disa rrjete të monitorimit të ngjarjeve sizmike. Madje, pas viteve 2000, duhet theksuar se këto rrjete janë pajisur edhe me aparate dixhitale, të cilat mundësojnë transmetimin e sinjaleve të ngjarjeve sizmike në kohë reale. Mbi bazën e këtyre të dhënave, janë ndërtuar harta të zoonimit sizmik të territorit të Shqipërisë dhe për një pjesë të mirë të qyteteve ka studime të detajuara për mikrozonimin sizmik. Këto mikrozonime janë bërë për qendra të rëndësishme urbane. Tirana, edhe në të kaluarën, edhe sot është një nga qendrat më urbane të Shqipërisë. Duhet përmendur se i gjithë territori është i mbuluar me studim mikrozonimi, ku për zona të veçuara edhe intensiteti sizmik është i veçantë. Madje, ky u fundit duhet theksuar se është i varur nga ndërtimi gjeologjik i truallit. Bazuar në hartën e mikrozonimit sizmik, Tirana përfshihet në zonën e tërmeteve të pritshme me 7 deri në 8 ballë.
Meqë jemi tek aktiviteti sizmik i kryeqytetit, sa rrezikojnë ndërtimet që janë bërë kohët e fundit?
Bazuar në ligjin e urbanistikës, të ndryshuar një vit më parë, Instituti i Gjeoshkencës, Ujit, Energjisë dhe Mjedisit kryen studime për sheshet, për godinat mbi 8 kate dhe për objekte me rëndësi të veçantë. Ndërsa, për godinat më të ulëta se 8 kate, instituti ynë jep vetëm intensitetin e truallit, ku do të ndërtohen objekte. Por, se sa të rrezikuara janë godinat ekzistuese, por edhe ato të rejat, që ndërtohen sot në Tiranë, instituti ynë nuk mund të japë një vlerësim, për arsye se ky institut kryen vetëm studime të truallit, por nuk është e drejta e Institutit të Gjeoshkencave, që të ndjekë zbatimin e tyre. Nuk është detyra jonë, që të ndjekim se sa ndërtuesit i marrin masat për të ndërtuar pallatet apo godinat e tyre. Duhet të jenë vetë ndërtuesit, ata që duhet të zbatojnë të gjitha vendimet që dalin nga studimi që instituti ynë i bën truallit, ku do të ngrihet godina.
Meqë jemi tek problemi i ndërtimeve dhe ndërtuesve, sipas jush, sa merren parasysh prej ndërtuesve, studimet që instituti juaj i bën truallit?
Nëse dikush do që të ndërtojë një objekt të caktuar, duhet që të interesohet edhe për aktivitetin dhe për rrezikun sizmik që ka zona, ku ai do të ndërtojë. Por, duhet theksuar se jo të gjitha zonat kanë intensitet të njëjtë sizmik. Zonat që kanë truall, të përbërë nga balta apo material i butë, janë më të predispozuara ndaj tërmeteve. Ndërsa, në ato zona, ku trualli është i fortë dhe me përbërje shkëmbore, aktiviteti sizmik nuk është i njëjtë me atë të zonave, të lartpërmendura. Ndaj, përfitoj nga rasti që t’ju bëj thirrje çdo individi, enti apo kompanie, që merren me aktivitete ndërtimore, duhet që të marrin në konsideratë gjatë bërjes së konstruksionit të godinës dhe zbatimit të projektit, edhe të dhënat mbi aktivitetin sizmik të rajonit. Madje, nuk duhen anashkaluar as të dhënat sizmike të truallit, ku do të bëhet ndërtimi. Dhe e gjithë kjo bëhet me synimin e vetëm, që nëse territori preket nga një ngjarje sizmike e fuqishme, objekti i ndërtuar duhet t’i rezistojë maksimalisht lëkundjeve sizmike.
Nëse kthehemi mbrapa në kohë, cilat janë tërmetet më të fuqishme, që janë regjistruar në Shqipëri?
Të njohura deri tani për vendin tonë, tërmetet janë të datuara që disa shekuj para erës sonë, e deri në ditët tona. Deri në fillim të shekullit të kaluar njihen rreth 50 ngjarje të mëdha, të rendit 8 deri në 9 ballë, të Shkallës MSK-64. Por, duhet theksuar se ndër vite kanë ndodhur më shumë se 50 ngjarje, por brenda një periudhe shumë të gjatë, kanë humbur shumë ngjarje për shkak të mungesës së dokumenteve. Ndërsa, vetëm shekullin e kaluar kanë qenë vetëm 5 ose 6 ngjarje të mëdha. Nëse do të specifikonim shembuj konkretë, duhet të përmendim një ndër tërmetet më të spikatura, siç ishte tërmeti i Shkodrës, në vitin 1905. Ky tërmet u shënua me dëme të mëdha materiale, si dhe në viktima, ku janë shënuar rreth 200 të vrarë dhe mbi 500 të plagosur. Madje, gjatë këtij tërmeti u shkatërruan rreth 1500 shtëpi. Mendohet se intensiteti maksimal mund të ketë qenë 9 ballë. Duhet të përmendim edhe tërmetin e vitit 1967 në Peshkopi. Gjatë këtij tërmeti, u shënuan 12 të vdekur dhe 174 të plagosur. Gjithashtu, pati edhe mjaft dëme materiale, ku u dëmtuan 6336 godina, nga të cilat 5664 shtëpi banimi dhe 156 objekte të reja. Këtu, nuk duhet të harrojmë as tërmetin e Shkodrës, në 1979, i cili është edhe tërmeti i fundit më i fortë në territorin shqiptar, por që fatmirësisht u shoqërua me pak viktima, vetëm për efekt të kohës kur ka rënë, sepse njerëzit kishin dalë për punë vullnetare.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment