Koncesionet në Energjitikë, pro dhe kundër
Kontrolli mbi koncensionet e dhëna në Energjitikë nuk duhet të bëhet vetëm në mënyrë sipërfaqësore por duhet hyrë deri në detajet më të vogla, për arsye se me rritjen në mënyrë artificiale të vlerës së investimit impakti mbi buxhetin e shtetit është shumë shumë i madh ...
Nga Ing. Olsi Karapici
Po lexoja në shtypin e përditshëm mbi iniciativën e re qeveritare për kontrollet e koncesioneve në fushën energjetike dhe në bazë të njohurive të mija në totalin prej 308 kontratave koncesionare të dhëna në Shqipëri më pak se 10 HEC janë ndërtuar. Po të marrësh në analizë shkaqet pse nuk janë ndërtuar pjesa tjetër, mund të renditim një sërë arsyesh dhe mënyrat për zhvillimin e këtij tregu, ku ndër kryesoret janë pikat në vijim:
1. Kriza ekonomike dhe efektet e saj të drejtpërdrejta në investimet energjitike.
2. Projektet e bëra shkel e shko vetëm për të marrë licensat pa studim e oponencë teknike.
3. Koncesione të dhëna pa marrë më parë aprovimin e lejes mjedisore në kundërshtim të plotë me çdo ligj ndërkombëtar.
4. Vlerësime qesharake të pronave me anë të vendimeve abuzive të Këshillit të Ministrave.
5. METE si partner i bizneseve private dhe shtytës i ekonomisë së vendit, u kthye në një institucion i cili vetëm mbante e përcillte shkresat dhe jo institucioni cili do të jepte ndihmesë në rritjen e ekonomisë së vendit.
6. Dhënia e koncesioneve në mënyrën e “Propozimeve të pakërkuara”, një sistem tjetër abuziv i cili nuk lejon konkurrencën e lirë.
Kryesori i sistemeve të tilla ish ministri 4 mujor i METE, z. Florion Mima së bashku me Drejtorinë e Lejeve dhe Sekretarin e Përgjithshëm që brenda 4 muajve në detyrë dhanë më shumë koncensione në fushën e Energjisë se sa në 4 vjet dha METE e drejtuar nga LSI.
Ndryshimi brenda 1 dite nga ardhja në krye të METE e ish ministrit në detyrë që nga Sekretari i Përgjithshëm deri tek punonjësi i protokollit çoi në shkatërrimin përfundimtar të kësaj ministrie dhe kthimin e saj në një institucion totalisht të korruptuar, pa nivel dhe pa asnjë vizion.
7. METE dhe tani Ministrie e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë duhet të ndryshojnë sistemin e dhënies së koncesioneve.
8. Ministria e Linjës në bashkëpunim me AKBN dhe KESH duhet të përgatisin vetë projektet dhe t'i paraqesin ato pranë investitorëve të huaj dhe/ose vendas në mënyrë të tillë që vetë ministria përkatëse të ketë një rol sa më të madh kontrollues në zbatimin e projekteve dhe pse jo mbase duke qenë dhe aksionere në këto vepra.
9. Kontrolli mbi koncensionet e dhëna në Energjitikë nuk duhet të bëhet vetëm në mënyrë sipërfaqësore por duhet hyrë deri në detajet më të vogla, për arsye se me rritjen në mënyrë artificiale të vlerës së investimit impakti mbi buxhetin e shtetit është shumë shumë i madh (TVSH e rimbursueshme), pa llogaritur këtu dhe pjesën korruptive në rritjen e vlerës së investimit. Ka hetim të ngritur nga Drejtoria e Hetimit në doganat shqiptare për një kompani të huaj e cila kishte importuar tubat e shkarkimit të ujit për një HEC me 400 fishin e vlerës së deklaruar në doganën italiane.
10. Kontrolli mbi nivelin e arsimit të drejtuesve të huaj që vijnë në Shqipëri ku me një kontroll të thjeshtë mund të gjesh drejtues kompanish me shkollë të mesme.
11. Ministria përkatëse e linjës duhet patjetër që të bëjë ndryshimet përkatëse në ligj, në mënyrë të tillë që të vendoset kusht për investitorët e huaj që minimalisht 30 deri në 40% të punimeve të kryhen nga kompani vendase, jo si në rastin e kompanive aktuale në Shqipëri ku kompanitë shqiptare bënin punimet dhe ishin nënkontraktore të kompanive të huaja dhe rasti më flagrant është i një kompanie malazeze e cila nënkontraktoi punimet në kompani shqiptare në një HEC në veri të vendit.
12. Dhënia e incentivave për HEC deri në 15 MË fuqi të instaluar me çmim të rregulluar nga ana e ERE, dhe mos detyrimin e KESH për blerjen e energjisë me çmim 40% më të lartë se sa është në treg. Çlirimi i tregut të Energjisë nga vendimet e njëanshme ku një kompani e caktuar trajtohet ndryshe dhe një kompani trajtohet ndryshe. (Rasti i mospagesave të disbalancave dhe parashikimit të prodhimit)
13. Kthimin e KESH jo vetëm në një kompani për shitje dhe blerje energjie por dhe të një kompanie investitore në fushën e Energjisë.
14. Ndarja e Operatorit të Shpërndarjes në tre kompani që të mbulojnë Shqipërinë në tre rajone, në mënyrë të tillë që të bëhet e mundur ulja e humbjeve në rrjet. Të krijohet sistemi “të paguajnë të gjithë që të kemi çmim më të ulët të energjisë elektrike”.
Këto sipas mendimit tim janë disa nga pikat kryesore ku duhet të mbështetet qeveria e re në mënyrë të tillë që të bëjë rregullimin e kësaj nyje të vërtetë nevralgjike për ekonominë shqiptare.
Comments (0 posted)
Post your comment