Beteja për ajrin
Ndotja e ajrit përbën një nga problemet kryesore mjedisore në vend, e sidomos në Tetovë. Beteja për ajrin është sfidë dhe parakusht njerëzor për ekzistencën tonë të përditshme, ndaj dhe beteja për mbrojtjen e ajrit paraqet një akt të qenësishëm e mjaft substancial për çdo shoqëri.
Nga Bujar Plloshtani
Ndotja e ajrit përbën një nga problemet kryesore mjedisore në vend, e sidomos në Tetovë. Beteja për ajrin është sfidë dhe parakusht njerëzor për ekzistencën tonë të përditshme, ndaj dhe beteja për mbrojtjen e ajrit paraqet një akt të qenësishëm e mjaft substancial për çdo shoqëri. Supozohet se shkaqet për ndotjen e ajrit vijnë si pasojë e shtimit të makinave që nuk kanë standardet ekologjike, pakësimit të gjelbërimit urban nëpër qytet dhe kombinati metalurgjik "Jugohrom", i cili paramendohet si ndotësi më potencial i ajrit, krejt kjo ndotje enorme e ajrit vin si pasojë e mos instalimit të filtrave në oxhaqet e kombinatit. Përqendrimi i grimcave PM10 dhe NO2 nga ndotja e ajrit në Tetovë ka bërë që ndotja të tejkalojë disa herë nga normalja nga standardet kombëtare dhe ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndaj ndotjes së ajrit shumë herë është reaguar përmes sensibilizimit dhe protestave nga aktivist socialë, mjekë, intelektualë dhe qytetarë të ndryshëm, por ende pa një zgjidhje konkrete nga autoritetet qeveritare!
Gjithsesi se aktivistët socialë janë përpjekur në sensibilizimin e qytetarëve për rëndësinë që ka ajri, ndaj në tëtilla raste si ndotja janë bërë mjaft përpjekje për të vetëdijësuar qytetarët që ta ngrisin zërin e tyre e t'i thonë ndal ndotjes me format e tyre të ndryshme, ndërkaq në anën tjetër i është drejtuar gishti autoriteteve qeveritare për ndotjen e ajrit, të cilët nuk po reagojnë me mekanizma adekuate për ta mbrojtur aq sa duhet ajrin nga ndotja!
"Ndotja e ajrit në Tetovë është sfida kryesore me të cilën aktualisht qytetarët e Tetovës po përballen. Në mungesë edhe të ujit të pijshëm, rreziku që i kanoset ajrit tonë është një nga çështjet që ka nxitur reagime të papara deri sot nga qytetarët. Këto probleme nuk duhen parë vetëm si tema ekologjike, sepse ajri është e drejtë njerëzore e garantuar me kartën e të drejtave të njeriut të OKB-së, por dhe e drejtë elementare njerëzore, prandaj qasja e autoriteteve ndaj këtij problemi nuk duhet parë nga prizmi i ekologjisë, për të cilën autoritetet tona (qeveria dhe komunat) ndajnë shumë pak, e pothuajse fare hiç mjete. Është me rëndësi që qytetarët të dallojnë se kush është shkaktari i ndotjes, por dhe kush është fajtori që lejon këtë ndotje, dhe në bazë të asaj reagimi të bëhet aty ku duhet. Politika është e rëndësishme në këtë çështje për shkakun se me aminin e politikanëve po ushtrohet gjenocid mbi banorët e fushës së Pollogut...", tha Arianit Xhaferi, drejtues i Lëvizjes qytetare "Eco Guerilla"
Ndotja e ajrit përbën mjaft rrezik për shëndetin e njeriut, dhe mjekë të ndryshëm kanë bërë vërejtjet e tyre se ndotja e ajrit në këto përmasa ndikon mjaftueshëm në shëndetin e njeriut, duke rritur mundësitë për t'u prekur nga sëmundjet kancerogjene, abortet spontane, sëmundjet e mushkërive apo atakimi i sistemit nervor tek njeriu.
"Ndotja e ajrit paraqet një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin e njeriut, dhe sigurisht që kjo ndikon në shumë aspekte shëndetësore në shëndetin e njeriut. As që diskutohet secili i gjashti apo i shtati banor është pothuaj i prekur nga sëmundjet kancerogjene, dhe kjo gjendje alarmante flet më shumë se gjithçka", tha mjeku Dr. sci. Rexhep Emurllai, gastrohepatolog në Spitalin Klinik të Tetovës.
Republika e Maqedonisë në një raport të Bankës Qendrore thuhet se e ka ajrin gati më të ndotur në Evropë, dhe si pasojë e ndotjes, Maqedonia renditet në vendin e pestë sipas rasteve të vdekjes që shkaktohen kryesisht nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit. Ky raport e bën edhe më të frikshëm betejën për ta mbrojtur me çdo kusht ajrin në Tetovë!
Comments (0 posted)
Post your comment