“Rrethimi i tretë” i Shkodrës!
Drini plak, me volumin e vrullin e pazakontë, pasi “përlau” me vehte edhe Bunën, iu lëshua me tërbim fushave të Nënshkodrës...
Nga Gjon BRUÇI
Dy rrethimet e para të Shkodrës, ai i kohës së pas vdekjes së Skënderbeut dhe rrethimi i dytë gjatë Luftës së Parë Botërore, ishin rrethime të ushtrive të huaja pushtuese. Historinë e këtyre rrethimeve e kanë përshkruar kronikanët e kohës dhe e kanë studiuar e komentuar historianët e mëvonshëm. Ndërsa “rrethimi i tretë” i pllakosi Shkodrës këto ditë të para të 2010-tës, kronikën e së cilës po e përjetojnë jo vetëm shkodranët, por gjithë shqiptarët.
Kësaj here, rrethimi nuk u bë prej të huajve dhe me armët konvencionale si ushtat, shpatat, topat apo mitralozat, por u bë prej barbarëve vendas dhe me armën e Ujit. Po, po, rrethim me ujë!
Në realitet Shkodra, që në zanafillën e saj tremijë e ca vjeçare, e pati zgjedhur vetë pozicionin midis ujërave. Të parët që e themeluan këtë qytet, u vendosën me vetëdije e me dëshirë bri liqenit më të madh e më të bukur të rajonit. Për fatin e tyre të mirë, në pjesën jugperëndimore e juglindore të qytetit, kalonin e kalojnë dy lumenj të hatashëm, Buna e Drini, të cilët, dukje u bashkuar krijojnë një deltë të mrekullueshme bash në portat e qytetit.
Si për t’ua zbukuruar më tej shkodranëve këtë pozicion të favorshëm, por edhe për t’ua balancuar peshën e volumin e ujrave të ëmbla të liqenit e lumenjve me ujra të kripura, në jo më shumë se 30 kilometra distancë prej qytetit, natyra bujare u blatoi edhe ujrat e Detit Adriatik me plazhin e famshëm të Velipojës. Të gjitha këto ujra e patën rrethuar Shkodrën jo me dallgë e valë kërcënuese, por me ujra të begatshëm për gjelbërim, për lundrim e për peshkim. Edhe një lumë kapriçioz malor si Kiri, që zbriste rrufeshëm nga Alpet Shqiptare, shkodranët duarartë e disiplinuan dhe e futën qetë, qetë në “familjen” e ujrave freskuese e gjelbëruese, që i rrinë Shkodrës përreth si një gjerdan kaltërosh ku reflektohen gjithë ngjyrat e ylberit.
Zemërimi i ujrave
Sapo kapërcyem pragun e vitit të ri, kur ende nuk e kishim “sosur” gjysmagjelin e qeverisë, e pamë vehten të rrethuar prej ujit. Drini plak, me volumin e vrullin e pazakontë, pasi “përlau” me vehte edhe Bunën, iu lëshua me tërbim fushave të Nënshkodrës, për t’a ndalur hovin në ujrat e Adriatikut. Nga ana tjetër, deti, që nuk i parapëlqen ngacmimet e të vegjëlve, kërleshi qimen dhe ia ktheu kundërshtarit me baticë. Liqeni i Shkodrës, kur pa se i zunë grykë-daljen, u fry dhe kapërceu sinoret e vjetra duke ia behur në qytet. Në jo më tepër se 5-6 orë, ujrat jo vetëm rrethuan qytetin e Shkodrës, por pushtuan e mbuluan gjithë ultësirën perëndimore të Nënshkodrës që nga Mjeda e Guri i Zi e gjer në derdhje të Bunës në Adriatik. Komunat Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Bërdicë, Bushat, dhe ajo e Gurit të Zi si dhe katër lagje të qytetit Shkodër si Baçallëku, Ajasma, Livadhe, Shiroka dhe së fundi edhe Xhabije, u mbuluan me ujë. Nga raportimet zyrtare thuhet se janë përmbytur rreth 10 mijë hektarë tokë dhe 2400 shtëpi. Në këtë zonë të përmbytur prej rreth 20 mijë banorësh, gjer në ditën e nëntë të përmbytjes janë evakuuar vetëm rreth 4500 vetë (gjithnjë sipas raportimit të zyrtarëve), ndërsa nuk dihet se sa të tjerë gjenden të ngujuar midis ujrave. Pa llogaritur këtu mijëra gjedhe, bagëti të imta, shpendë shtëpiakë, dhe gjithë katandia e fshatarëve e cila po shkon drejt asgjësimit. Në zonat e bllokuara nga uji ka mundur të arrijë ndonjë telekronist i televizioneve lokalë e qendrore, të cilët na japin pamje të trishtueshme, pamje që paraqesin banorët duke u rrekur me mjete rrethanore si dërrasa e kamerdare makinash në përpjekje për të shpëtuar pasurinë e tyre të vënë me mund e me djersë.
Pushtetarët aktualë, vendorë e qendrorë, me gjithë Komitetin Ndërministror që e ngritën si kofini pas të vjelit, arrijnë të çapiten gjer tek Harku i Bërdicës dhe me njërën këmbë në asfalt e tjetrën afër makinës, rreken para mikrofonëve të gazetarëve të na mbushin mendjen ne që gjendemi përpara televizorit se “gjithçka e kanë nën kontroll”. Po çfarë kontrolli? Kontroll nën ujë?
Ku t’i kërkoj shkaqet e tua “Katastrofë”?
Të mësuar me praninë e ujrave, qytetarët shkodranë dhe banorët e fshatrave në fjalë, në fillim nuk u alarmuan, por u gatitën si zakonisht të merrnin masat e zakonshme për kësi rastesh. Por pas disa minutash kur uji mori vrull, pyetën e morën vesh se nuk ishin reshjet e papritura, nuk ishte as “kuçedra” që kishte hapur derën e shpellës së ujit, por paskësh qenë bash Kryeministri i cili kishte urdhëruar hapjen e portave të Hidrocentraleve mbi Drin.
Siç po thonë (dhe kjo duket një thashetheme i vërtetë), Kryeministri kishte marrë vetë në dorë atributet e specialistit e të drejtorit të KESH-it dhe kishte dhënë urdhër që basenet e hidrocentraleve të mbusheshin gjer në grykë. Sa më shumë ujë, sa më shumë energji. Për popull? Jo, jo, energji që të kthehej në euro e dollarë për arkën e boshatisur të qeverisë, që kryetari i saj e pat hovarda gjatë fushatës dhe në mitingjet madhështore si ai i 8 dhjetorit. Mirëpo, kur uji po arrinte buzët e sipërme të digave në hidrocentrale, e kuptoi gafën dhe urdhëroi hapjen e portave. Të nesërmen kur pa se kjo “hapje e menjëhershme e portave të H/C bëri hatanë, lëshoi piskamën: “O popull, jemi para katastrofës natyrore... Shirat e paparë ndonjëherë...ngrohja globale...eklipsi i fundit i hënës...na kanë vënë në shënjestër...Prandaj: O burrani, largohuni prej vendbanimeve, lini shtëpitë e katanditë se ua kompenson qindarkë për qindarkë qeveria ime (sigurisht me paret e tyre e jo të Kryeministrit), se ju mori...uji”.
Shkurt hesapi, ikni të ikim. Të ikim, po ku të vemi? Si mund të ikë fshatari i Dajçit, i Velipojës, i Anës Malit etj., pa asnjë paralajmërim e pa asnjë mjet shpëtimi? Si mund të ikë fshatari e të lërë prapa pasurinë e tij, që e ka vënë me djersë e me mundë të pashoq? Ai nuk ka rrogë milionëshe si Kryeministri e shokët e tij, me të cilët të mund të jetojë hoteleve me pesë yje të Europës. Me pasurinë që ka krijuar aty ku lindi e trashëgoi, ai ka lidhur të tashmen e të ardhmen. Dhe këtë të tashme e këtë të ardhme po ia shkatërron Kryeministri dhe qeveria e tij gjynahqare.
Katastrofë natyrore? A është vërtetë e tillë përmbytja e Shkodrës?
Vetëm naivët mund t’a besojnë këtë gënjeshtër të trashë.
Më të moshuarit tregojnë se përmbytja e fundit në ultësirën e Shkodrës, por kurrsesi në shkallën e tanishme, ka ndodhur në vitin 1963. Pas këtij viti e gjer në fund të viteve ‘90, liqeni, Buna, Drini dhe gjithë ujrat që “rrethonin” Shkodrën u vunë në “rresht” dhe nga ky “pozicion” ata sillnin për qytetin dhe gjithë zonën vetëm freski, gjelbërim e begati. Qindra e mijëra kilometra kanalizime përshkonin tejembanë fushën e Nënshkodrës; dhjetra e qindra prita e argjinatura disiplinonin në çdo kohë lumenjtë; dhjetra pompa e hidrovorë përcillnin ujin në det, pa shkaktuar “batica” kundërvepruese të tij. Me masat që mori pushteti i Popullit e i Socializmit i atyre viteve, fusha e Nënshkodrës, gjer atëherë një moçalishte e plot ferra, u kthye në një fushë të begatë, në një fushë të qëndisur si nga dora e piktorit. Dhe jo vetëm kaq. Mbi Drinin plak që çante furishëm malet e larta, ai sistem ngriti tre Hidrocentrale madhështorë të kalibrit Europian me të cilët jo vetëm disiplinoi e vuri në “zap” gërryesin e maleve, por edhe e ktheu atë në një gjerdan drite për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, që ky “disiplinim” të ishte i shkallës absolute, krahas digave madhështore, të fuqishme e të rralla në Europë e më tej, në gjithë basenin ujëmbledhës të H/C, ashtu si në gjithë terrenet malore tej e mbanë Shqipërisë, u ngritën e mbaheshin në gatishmëri pritat malore, u ruajt e u shtue fondi pyjor, u administrua me rigorozitet gjithë pasuria që natyra na ka dhuruar bujarisht.
Po sot ? Njëzet vjet të “mbretërimit” me djallëzi e poshtërsi të borgjezisë së vjetër e të re shqiptare, kanë qenë njëzet vjet shkatërrim e grabitje jo vetëm të asaj që patën ndërtuar njerëzit, por edhe pasuritë natyrale të tokës. Pangopësia e pushtetarëve të këtyre viteve, ashtu si në gjithë Shqipërinë, edhe në Shkodër gërreu pa mëshirë brigjet e lumenjve, shkatërroi e la në harresë kanalet kulluese e vaditëse të tokës bujqësore, prishi e shembi pritat e argjinaturat e lumenjve, pompat e hidrovorët, pyjet dhe kullotat malore; gjithçka të bukur e të domosdoshme për natyrën dhe për jetesën e njeriut. Dhe përse? Për fitim maksimal, për pasurim të shpejtë të një klani që e kanë shitur vehten dhe vendin te i huaji dhe te vetë djalli.. Pas Gërdecit, pas tunelit të Kalimashit dhe pas përmbytjes së Shkodrës, kush e ka radhën? Cila katastrofë na pret nga këta drejtues katastrofalë?
Ja, këto janë shkaqet e vërteta të përmbytjes së tanishme e jo ato natyrore. Natyra na mban në gjirin e saj me kushtin që ta ruajmë e ta mirëmbajmë. Dhe këtë e bëjnë njerëzit normalë. Por ata që në vend të idealeve, në vend të shpirtit kanë vetëm fitimin dhe pushtetin, nuk janë normalë
A duhen lënë akoma të na drejtojnë këta anormalë?
Kur demagogjia dhe mashtrimi fundosen në ujë!
Viti 2009, si vit elektoral, ishte një vit me ngjyra fosforeshente. Mitingje, manifestime e përurime të pashoqe mbizotëruan gjatë gjithë vitit, veçanërisht gjatë fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Për të vijuar me mitingun e madh të opozitës për votat e vjedhura, e për t’u mbyllur me mitingun festiv 500 mijë njerëzish, por edhe disa miliona eurosh të 8 dhjetorit “demokratikas”, i cili shënoi edhe kulmin e festimeve, por dhe kulmin e mashtrimeve. Festat e fundvitit, me gjallërinë e gëzimin që ato sjellin, e sfumuan paksa “gjysmagjelin” qesharak që na dhuroi Kryeministri. Por siç thamë edhe në krye, në ditën e dytë të fillim vitit, ende pa e “sosur” atë gjysmagjel të shkretë, ia behu uji i cili, nuk përmbyti vetëm tokën e Nënshkodrës e disa lagje të qytetit, por përmbyti e llangosi edhe propagandën mashtruese të pushtetarëve e qeveritarëve tanë për “rezultatet” që kanë arritur e po arrijnë drejt integrimit europian. Tullumbacja e propagandës së tyre plasi kaq keq sa nuk i mbeti as “rrëfanga” (pjesa e fundit ku fëmijët lidhin spangon për ta mbajtur tullumbacen në dorë).
Disa pushtetarë qendrorë, madje sot (datë 11 janar) së bashku me Kryetarin e tyre, kanë mbërritur në Shkodër, në përpjekje për të menaxhuar situatën të cilën e “krijuan” vetë. Por asnjeri prej tyre nuk e ka kaluar Harkun e Bërdicës, apo cepin e asfaltit dhe që nga ky “pozicion” menaxhojnë me fjalë e me propagandë boshe situatën. Asnjeri nga këta pushtetarë qendrorë, por dhe të tjerë si ata e më poshtë, ndonëse prononcohen nëpër televizione, nuk thonë asgjë të saktë, sepse të dhënat ata i kanë me rrumbullakosje, ashtu siç i marrin nga ushtarët, ose nga ndonjë gazetar “ i krisur” që kuturis të shkojë me gomone apo syla (varka) metalike gjer tek të ngujuarit. Të vetmit që po punojnë me përkushtim maksimal në këtë situatë janë ushtarët. Por ata janë të paktë dhe për më tepër me mjete të pakta operacionale. Mjetet moderne për evakuim e shpëtim ende nuk u kanë ardhur nga NATO, ndonëse janë anëtar të devotshëm të saj. Krahas ushtarëve gjenden edhe mjaft gazetarë, sidomos ata që nuk ia përtojnë qeverisë, duke na dhënë pamje e intervista reale nga vendet dhe njerëzit e ngujuar, të cilët po kullandrisen me mjetet e tyre rrethanore, në pritje të ndihmës së Komitetit të famshëm Ndërministerial, që vetëm emrin ka në letër.
Nga kronikat e gazetarëve marrim vesh se në shumë pika të bllokuara në Obot, në Dajç apo dhe në Bërdicë, gjer tani (dita e nëntë) nuk ka mbërritur askush nga autoritetet vendore apo qendrore, qoftë dhe për t’i përshëndetur e për t’u dhënë një gotë ujë, burimet e të cilëve janë nakatosur me ujët e përbaltur të përmbytjes. Pyetjes së gazetarëve se përse hezitojnë të evakuohen, të ngujuarit pranë shtëpive të tyre u përgjigjen:
- Kujt t’ia lëmë shtëpitë dhe bagëtitë? Apo të na i vjedhin?!
Kjo përgjigje e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë i nxjerr kallajin “menaxhimit perfekt” që qeveritarët reklamojnë se po realizojnë. Mjafton të kujtojmë se jemi në ditën e nëntë të përmbytjes dhe deri tani është realizuar vetëm evakuimi i gjysmës së popullsisë që duhet të evakuohet (gjithnjë sipas shifrave zyrtare).
Po bagëtia, po pasuria, po orenditë shtëpiake, po mjetet e punës, po baza ushqimore etj., për të mos folur pastaj për të mbjellat që kanë shkuar e po shkojnë në det. Atëherë, për çfarë menaxhimi bëhet fjalë? Për menaxhim në fund të ujit?
Një gjë po e realizojnë pushtetarët dhe opozitarët: gjoja luftën “pa kompromis” kundër njeri-tjetrit. Kjo luftë ka dalë tani në terren, madje ka ardhur këtu afër vendit të përmbytjes, ku të dy palët kanë ngritur shtabet e tyre paralele të emergjencës, për të vijuar...debatin parlamentar. Dhe në vend të veprimeve praktike për përballjen e situatës, të ngujuarit, të përmbyturit detyrohen të dëgjojnë replikat e politikanëve. Dhe kjo nëse kanë drita dhe u ka mbetur ndonjë televizor pa u kredhur në ujë.
Ku po shkojmë?!
Një gazetar analist, në një nga debatet televizive të këtyre ditëve, pyeti ministrat Basha e Ruli: “Si shpjegohet që qeverisë tuaj në një hark kohor jo të gjatë i ndodhin tri skandale:
I shpërthen Gërdeci, i shembet tuneli dhe i përmbytet Shkodra”?! Ministrat në fjalë e kapërcyen pyetjen duke e konsideruar tendecioze. Por e vërteta është se ata, edhe po të duan, nuk mund t’i japin përgjigje asaj pyetje. Përgjigja e saj mund e duhet të jepet atje, në bangën ku të pyesin për emrin e mbiemrin. Por ajo bangë është larg për politikano-pushtetarët tanë. Ndonëse jo e paarritshme. Por përgjigja e pyetjes së mësipërme dihet. Siç kemi përmendur edhe më parë në këtë gazetë, në krye të punëve, në krye të pushtetit e të politikës sonë ka ardhur një klan, një klasë, apo një superklasë e cila, siç thotë sociologu amerikan Christofer Lasch: “....është një komunitet bashkëkohorësh, kredoja e të cilëve është konsumi i menjëhershëm i kohës, i natyrës, i kursimeve, i pasurisë sociale. Është një klasë e cila horizont të vetëm të papërgjegjshmërisë së saj ka vetëvrasjen”. (SUPERKLAN, Kush e komandon ekonominë botërore, faqe 33 ).
Vetëvrasja e kësaj klase drejtuese, kopjen e së cilës e kemi midis nesh, është e pashmangshme në perspektivë. Por sot për sot, me veprimet e mosveprimet e tyre po na vrasin ne qytetarëve të thjeshtë. Për hir të fitimit maksimal dhe pasurimit të shpejtë, kjo superklasë e jona, e vënë edhe në shërbim të superklasës “veterane” të Europës e më gjerë, është gati të na pjekë e të na djegë, të na mbytë e të na përmbytë me gjithçka, jo vetëm ne qytetarëve, por edhe vetë vatanin ku jetojmë e trashëgojmë me mijëra vjet.
Fatkeqësisht sot shumë shqiptarë, me sytë e mbyllur e veshët e taposur rendin pas liderëve karizmatikë si Berisha, Nano, Rama etj., me bindjen e verbër se ata janë njerëz të zot, se janë njerëz të aftë, se janë patriotë të devotshëm etj. Në aparencë kështu duket hesapi. Nëse marrim për bazë përbetimet për popullin dhe vendin, ata dalin automatikisht në majë të piramidës shoqërore e shtetërore. Por në gjykofshim nga “veprat”, që kanë realizuar në këto dy dekada, vendi i tyre nuk mund të jetë as në fundin e kësaj piramide. Dhe jo vetëm këta liderë kryesorë, por gjithë klani, klasa, apo superklasa politiko-shtetërore e sotme në vendin tonë, superklasë që me dredhi e poshtërsi ka mbërthyer në mënyrë mafioze gjithë frenat e vendit, karrocën e të cilit po e çojnë drejt humnerës. Nëse ka akoma qytetarë të ndershëm, që besojnë e mendojnë ndryshe nga këto që thamë, atëherë po e mbyll me një përrallë të vogël :
“Një budalla i mençur, (krahinën nga ishte nuk po ia them ), u ul të flinte në mes të pyllit. Një ujk i uritur, që kaloi aty pranë, e pa njeriun tek flinte dhe pasi lëpiu buzët, nisi ta hante nga prapa. Budallait të mençur doemos i doli gjumi, e pa se ujku po e hante, por ngushëlloi vehten me fjalët: “Bane zot andërr”. Morali i përrallës nuk don koment.
Përfundimi: A nuk na mjaftojnë tre skandale, tre krime qeveritare të shkallës sipërore si: Gërdeci i Vorës, Tuneli i Kalimashit dhe Përmbytja e Shkodrës, skandale e krime që rrodhën nga pangopësia për fitim e superklasës sonë drejtuese? Çfarë duhet të presim të ndodhë tjetër që të kuptojmë se ne qytetarët shqiptarë nuk kemi instaluar demokracinë, por me duart tona, me votën tonë, me qëndrimin tonë pasiv e në mjaft raste edhe mbështetës, kemi instaluar një shtet e pushtet mafioz i cili na ka vënë në pikëpyetje jetën dhe prosperitetin tonë si vend, si popull e si komb?
E vetmja mënyrë e mundësi për të dalë nga ky udhëkryq ku na kanë futur, fatkeqësisht edhe me ndihmën tonë, është mobilizimi i qytetarisë së ndershme e patriote për t’i dalë ballas e thënë ndal së keqes, të cilën po e lamë të “lulëzojë” edhe më tej, do të na zhbëjë si popull e si komb.
Duke imituar Rilindasin tonë të madh, A. Z. Çajupi, përkundrejt situatës që po përjetojmë sot, do mund të shkruanim:
“Shqiptar, mos rri i heshtur, shqipëtar/ Nuk është koha për të fjetur, mor qyqar/ Fare hapur po të tallin, si jesmen / Pas kurrizit po t’a kallin, derdimen.../ Jetës tënde dili zot, me guxim/ Nga të tjerët mos prit kot, miku im/ Mos lejo me ty të tallen, të kam xhan/ Kush të tall, martoja Hallën, JE SOVRAN....”.
(Reportazh i shkruar mbi gomonet e shpëtimit)
Comments (0 posted)
Post your comment