Home | Environment | Kërpudha e Djallit

Kërpudha e Djallit

image
Kërpudhë e Djallit ose vdekjeprurëse (lat. Amanita phalloides). 

 

 

 

“Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë”, e vendosur në kopshtin e Kryeministrisë është një vepër arti, dhuruar popullit shqiptar, nga autori Carsten Höller. Kolazhi tridimensional është forma e zmadhuar e një kërpudhe të vërtetë e që përbëhet nga tri kërpudha më të vogla ku secila nga të tri pjesët është unike.

 

Autori i veprës është artisti i njohur i artit bashkëkohor Carsten Höller, i cili ka qenë i pranishëm në sezonin e parë të COD. Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë e konceptuar posaçërisht Kryeministrinë që hap dyert për publikun me COD të krijon idenë e dijes që njerëzimi ka krijuar dhe e zhvillon në vijimësi. Në të njëjtën kohë, qeleposhja e kuqe është një simbol që duket se e ka humbur kuptimin e saj folklorik të zanafillës.

 

Për këtë arsye, kjo vepër i referohet mundësisë për ekzistencën e një kulture alternative ekzistuese apo të krijuar rishtazi, e cila arrin të përcjellë mundësi apo ndarje të pafundme. Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë duket si një kolazh tridimensional i përbërë nga tri kërpudha më të vogla: njëra nga gjysmat është në formën e qeleposhes së kuqe (haluçinogjene), gjysma tjetër përbëhet secila nga një çerek kërpudhe boshe kortinarius orelanike(helmuese) dhe një koral në formën e havanit (kërpudhë që mund të hahet).

 

Secila nga llojet e kërpudhave në skulpturë është thjesht forma e zmadhuar e një kërpudhe të vërtetë të mbledhur në natyrë. Secila nga të tri pjesët është unike dhe secila kërpudhë është një skulpturë e pashoqe dhe unike. Ngjyrat e secilës pjesë përbërëse të Kërpudhës mund të konsiderohen si një sinjal lidhur me trashëgiminë e politikës së ngjyrave të përdorur në Tiranë, ndërsa shkalla e tyre e përdorimit (ushqyese apo helmuese) mund të konceptohet si një koment mbi politikën shqiptare.

 

I lindur në Belgjikë nga prindër gjermanë, artisti me famë botërore Carsten Höller studioi për shkenca të natyrës e më pas mbrojti doktoraturën në biologji. Gjatë 20 viteve të fundit Höller ka realizuar instalacione eksperimentale, vepra artistike me pjesëmarrje dhe mjedise kredhëse, të cilat i vënë vizitorët përballë një sërë zgjedhjesh e objektesh të mistershme që nxisin simulime të thella ndijore e intelektuale.

 

Veprat e Höller frymëzohen nga eksperimente kërkimore dhe aspekte të botës që e rrethojnë, si për shembull, hapësira sociale, parqe argëtimi, kopshte zoologjike apo kënde lojërash, të cilave ai ua minon në një farë mënyre fuqinë, duke u shtuar diçka të ndryshme. Puna e tij shpesh paraqitet përmes një arkitekture çorientuese apo pajisjeve që ndryshojnë perceptimin, të cilat Holleri i konsideron si “gjymtyrë artificiale të trupit tuaj, që nuk e dini se i keni humbur”.

 

Me besimin se “njerëzit janë më të fuqishëm se veprat e artit”, Höller e konsideron veprën e tij si të paplotë nëse mungon bashkëveprimi i vizitorëve me të. Për pasojë, ai i koncepton ekspozitat e tij si vende ku spektatorët shndërrohen në performues. Höller e konsideron hapësirën e artit “si një hapësirë eksperimentimi për të testuar idetë dhe konceptet, të cilat mund të realizohen në një shkallë më të madhe jashtë muzeut”.

 

Motiv i përsëritur në veprën artistike të Carsten Höller-it është ndarja e zonave, e prezantuar në vepra arti dhe ekspozita të ndryshme si The Double Club (Klubi i Dyfishtë) në Londër, 2008/2009, Soma në Muzeun Hamburger Bahnhof në Berlin, 2010/2011 dhe Decision(Vendimi) në Galerinë “Hayward” në Londër, (ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 6 shtator 2015). Në të njëjtën mënyrë, vepra e Carsten Höller-it përshkohet edhe nga kërpudhat, veçanërisht qeleposhja e kuqe, e cila është identifikuar si përbërësi i shumëkërkuar i “përmbajtjes qelizore” që, sipas legjendës, ruan sekretin e diturisë, lumturisë, pasurisë dhe hyrjes në sferën hyjnore.

 

Edhe sot e kësaj dite kërpudhat janë një enigmë për shkencën. Larmia e formave, ngjyrave dhe përbërësve të tyre – disa shëruese e disa helmuese – nuk janë zbërthyer ende plotësisht nga shkenca. Carsten Höller jeton dhe punon në Stokholm dhe Biriva, Ganë. Veprat e tij janë ekspozuar anembanë botës. Ndër ekspozitat e tij vetjake përfshihen: Decision (Vendimi), Galeria “Hayward”, Londër, 2015; Golden Mirror Carousel (Karuseli me Pasqyrë të Artë), Galeria Kombëtare e Viktorias në Melburn, Australi, 2014; Experience (Përvoja) në Muzeun e Ri, Nju Jork, 2011; Carousel (Karuseli) në Galerinë e Artit “Bregenz”, Austri, 2008; Test Site (Vendi i Testimit) Salla “Turbine” në Muzeun Modern të Tejtit, Londër, 2006 dhe Half Fiction (Gjysmë e Stisur) në Institutin e Artit Bashkëkohor, Boston, 2003.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0