Latest News
Histori me Daimler-Benz
Një polici gjerman në Prishtinë i bie në sy një veturë, kërkon verifikimin e regjistrimit dhe e zbulon se është e vjedhur. Policia e Kosovës, e cila është edhe më shumë e pranishme në rrugët e vendit se policët e EULEX-it, këtë veturë nuk e ka parë ose s’ka dashur ta shohë.
Enver Robelli
Që nga nëntori 2011 në Kosovë, në kuadër të EULEX-it, punon komisari kryesor i Inspektoratit Policor nga Dega e Hetimeve në Lindau, qytet gjerman në kufi me Zvicrën dhe Austrinë. Një ditë dhjetori këtij polici në një trotuar të Prishtinës i ra në sy kjo veturë: Daimler-Benz CLS 350 CDI, me targa të Gjermanisë. Polici kërkoi nga kolegët në Lindau të provojnë vërtetësinë e targave. Verifikimi tregoi se targat ishin të lëshuara për një motoçikletë të markës Honda. Edhe vula në targa ishte e falsifikuar. Pasoi një lajmërim në EULEX-Security-Center, në qendrën e sigurisë të EULEX-it.
Pas pak një shqiptar 35-vjeçar u kthye te vetura “e tij”, te Daimler-Benz CLS 350 CDI, me gjasë dëshironte të bënte një xhiro nëpër Prishtinë apo të kthehej në shtëpi, nëse ka qenë me banim jashtë kryeqytetit. Pas kërkesës së policisë (ndërkohë kolegut gjerman iu kishin bashkuar edhe policët kosovarë) shoferi prezantoi një librezë gjermane të veturës. Ishte e falsifikuar! Një shikim nën kapakun e motorit, verifikimi i numrit të shasisë (numrit identifikues të veturës) dhe një telefonatë me policinë në Lindau treguan se Daimler-Benz CLS 350 CDI, me vlerë prej 80 mijë euro, ishte regjistruar në shkurt 2011 në Hamburg dhe disa javë më vonë ishte vjedhur po në Hamburg për të përfunduar në Kosovë! Daimler-Benzi i parkuar në trotuarin e Prishtinës u konfiskua, shoferi u shoqërua në stacionin e Policisë së Kosovës, hetimet vazhdojnë. Komisari me emrin Uwe Konhäuser ka treguar se edhe paraardhësi i tij në Prishtinë Dietmar Hochrein gjatë punës së tij po ashtu kishte arritur të konfiskojë një veturë të shtrenjtë dhe me regjistrim të falsifikuar.
Ky rast përshkruhej të mërkurën, më 25 janar, në një portal interneti të trevës Allgäu në Gjermani. Ky delikt flet për shumë gjëra:
1.
Një polici gjerman në Prishtinë i bie në sy një veturë, kërkon verifikimin e regjistrimit dhe e zbulon se është e vjedhur. Policia e Kosovës, e cila është edhe më shumë e pranishme në rrugët e vendit se policët e EULEX-it, këtë veturë nuk e ka parë ose s’ka dashur ta shohë.
2.
Kjo veturë e vjedhur është shembull i imazhit të keq të Kosovës. Këtë imazh s’e ndreqin as milionat dhënë kot së koti agjencisë Saatchi & Saatchi. Ky tenderi për imazh ka qenë ndër ato vjedhjet që i bëhen miletit para syve dhe askush nuk hetohet. Përkundrazi: plaçkitësit zgërdhihen dhe në prapaskenë ndajnë pazarin në stilin e mafiozëve. Natyrisht copa më e madhe e tortës i takon “këshilltarëve të jashtëm”, ata, fundja, me do balona të lëshuar në ajrin e ndotur të Kosovës e përsosën imazhin.
3.
Daimler-Benzi i vjedhur tregon se Kosova është larg plotësimit të standardeve të sigurisë. Ky është perceptimi perëndimor. Perceptimi i njerëzve të zakonshëm, atyre që e kanë fuqinë e votës dhe për të cilët kanë respekt politikanët perëndimorë. Politikanët e Kosovës takohen zakonisht me zyrtarë perëndimorë, mendimet e të cilëve nuk janë reprezentative. Jo pak prej tyre llomotitin ca gjepura diplomatike për integrimet evropiane e rajonale dhe ndjekin agjendën e tyre minimale, e cila nuk synon zgjidhjen e problemeve, ta zëmë, mes Kosovës dhe Serbisë, por vetëm kamuflimin e tyre. Diplomati i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, në rolin e lehtësuesit të muhabetit mes Stefanoviqit dhe Tahirit së fundi ishte tallur para gazetarëve të Kosovës duke thënë se marrëveshjet gojore me Serbinë mund t’i ndihmojnë Kosovës të eksportojë lule. - Imazhi i Kosovës vërehet kur bisedoni me njerëz të rëndomtë në Evropën perëndimore. Kosova nuk ndërlidhet me pizza dhe pasta, por vetëm me pisllëqe, për të përdorur këtu një fjalë shumë të butë. Në këtë kuadër hyn frika e njerëzve në Evropë se vetura mund të të vidhet para derës. Kjo frikë nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarë. Para disa vitesh një bandë serbe kishte vjedhur dhjetëra motoçikleta në Zvicër dhe i kishte çuar në Serbi për shitje. Një diplomat zviceran fliste me tone lavdëruese për punën e policisë serbe, e cila, sipas tij, kishte bashkëpunuar ngushtë në zbulimin e vjedhësve. “Me policinë e Kosovës duhet të ndërtojmë ende raporte mirëbesimi”, thoshte ai. Serbia ka arritur që me ish-zëdhënësin e Millosheviqit në postin e ministrit të brendshëm të krijojë imazh më të mirë se Kosova, se policia e Kosovës, të cilës i vidhen shumë kilogramë drogë në dhomën e dëshmive dhe askush deri më sot nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë ngjarje, askush nuk është arrestuar. Këtu arrijmë te standardi i paplotësuar i sigurisë.
4.
Po ashtu vetura e vjedhur na shpjegon pse vendet e Schengenit ngurrojnë të heqin vizat për qytetarët e Kosovës. Argumenti që dëgjohet shpesh nga pala kosovare është: kriminelët arrijnë në Evropë edhe pa viza! E saktë, por ideja për heqjen e vizave e shton frikën se mund të vijnë edhe më shumë vjedhës, jo vetëm të veturave. Ky është disponimi i njerëzve në Allgäu dhe në treva të tjera në Evropë. Ata e lexojnë gazetën lokale, prej saj mësojnë se si një gjermani në Hamburg i është vjedhur vetura, e cila është gjetur në Kosovë – jo nga policia vendore, por falë vigjilencës së një polici ndërkombëtar, në këtë rast gjerman.
5.
Politika në Kosovë ushqen shpresa se vizat do të hiqen sivjet. “Brenda vitit (2012)”, u tha këto ditë. Një mike e Kosovës para pak ditësh në telefon thoshte: “Mirë që filloi ky debati për vizat, por do të jetë një debat i gjatë, dy deri trevjeçar”. Kujt t’i besojmë? Po të ishte Kosova shtet normal qytetari me qejf do t’i besonte politikanëve të vendit të vet, pasi – nisur nga premisa se janë zgjedhur me vota të pastra – ata janë këtu për të punuar për interesat e shoqërisë. Meqë janë zgjedhur me vota të vjedhura rrjedhimisht ne e kemi vështirë t’u besojmë këtyre të tanëve dhe duhet t’i besojmë më shumë një politikaneje që punon në Bruksel dhe Strassburg dhe e cila është zgjedhur me vota të pastra të vendit të saj – dhe nuk e gënjen as popullin e vet, por as neve, sepse është e përgjegjshme.
6.
Që nga viti 1999 mijëra policë e ushtarë të vendeve evropiane kanë shërbyer në Kosovë. Janë kthyer në atdhe me mendime, përshtypje, përvoja – të mira e të këqija. Është në natyrën e njeriut që më shumë t’i tregojë të këqijat që i ka përjetuar gjatë një udhëtimi apo qëndrimi në vende të huaja se sa anët e bukura. E bukura konsiderohet si diçka private, si diçka që nuk ndahet me shumë njerëz. Të keqen, aq më tepër kur je polic a ushtar, e ndan me rrethin tënd. Është afërmendshëm që edhe policët gjermanë që ashtu pahiri, duke ecur rrugëve të Prishtinës, zbulojnë vetura të vjedhura, kur të kthehen në atdhe, madje në poste të rëndësishme të sigurisë, për Kosovën zor se do të gjejnë fjalë të mira.
7.
Tash disa fjalë për Daimler-Benz CLS 350 CDI: Revista e specializuar gjermane “Autobild” e përshkruan këtë veturë si muskulore, me pamje monumentale, me teneqe që bie në sy me hijeshinë e saj, në brendi me plastikë të shtrenjtë, sipërfaqe të shndritshme metalike dhe listela të bukura druri, me një fjalë në këtë veturë dominon atmosfera elegante. Për shoferët shqiptarë me rëndësi: vetura me 6 cilindra i ka 265 kuaj fuqi, për 6.3 sekonda mbërrin shpejtësinë 100 në orë, motori me naftë harxhon 7.4 litra në 100 kilometra.
8.
Në stilin “diçka për Mitrovicën, a?” njerëzit në Kosovë mund të pyesin tash dhe sërish: kur do të hiqen vizat? Sigurisht jo derisa regjimi aktual rrenën e ka devizë të komunikimit me publikun. Dhe derisa regjimi me qytetarët, votuesit, shoqërinë, quajeni si të doni, komunikon përmes llupashëve dhe dallkaukëve, të cilët në cockpit-in e pushtetit nuk i solli vota, por gjunjët, gatishmëria për të shërbyer me (sh)krime dhe batërdisur çdo debat publik.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment