Radikalizmi “omeletë” nuk ngjall shpresë
Rinia duhet të mos harrojë se politika e tranzicionit është mjeshtre për të abuzuar me pasionin dhe adrenalinën politike të saj. E ka bërë historikisht duke filluar me abuzimin me Lëvizjen e Dhjetorit të 1990 dhe mesa duket po e bën sërish sikurse sërish lidershipi PD-ist po dëshmon.
Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA
Që stanjacioni politik i tranzicionit provokon radikalizim opozitar, kjo nuk surprizon kërkënd. Dhe nëse politika tradicionale nga të dyja krahët e ka shteruar vetveten dhe nuk ngjiz më shpresë pas 25 vitesh, stafeta duhet të kalojë gjetiu dhe rinia duhet të dëshmojë vitalitet politik si kudo në perëndim. Në fund të fundit, e ardhmja e tyre është në lojë.
E ndërsa skena politike ka nevojë për shkundje, lufta e “vezëve” nuk është fillimi i mbarë. Rinia duhet të ofrojë shumë me tepër se një radikalizëm vulgar, patetik dhe grotesk. Gjesti “hippi” nuk është në dinjitetin e shpresës që ajo bart, dinjitetin e protestës apo dinjitetin e profilit politik që protagonistët duan të përcjellin në publik. Hedhja e një veze, mielli, domate etj., ushqime apo objekte simbolike ndaj përfaqësuesve të politikës, sado të dështuar të jenë ata, është kundërproduktive dhe pse jo edhe precedent për shkelje të ligjit. Nëse një qytetar kushdo godet një tjetër qytetar me një objekt të tillë, qoftë ky komshiu, koleg apo dikush në rrugë, në mos bëhet shkas për ballafaqim konfliktual mes tyre, mundet edhe të kërkojë ndërhyrjen e policisë dhe penalizim të agresorit në gjykatë. Demokracia është përgjegjshmëri dhe përgjegjësi dhe sulmi fizik mbetet sulm fizik dhe ligji nuk mund të mos flasë. Sfidimi rinor radikal ndaj politikës së tranzicionit nuk fillohet me shkelje të ligjit apo me provokimin e situatave që degradojnë në shkelje të tij.
Flakja e vezëve, përveçse në vetvete sulm apo abuzim fizik, mund të lërë shteg për abuzim me mjete të tjera - gurë, shishe Molotov etj., dhe kjo do të krijonte precedentin e pasigurisë dhe ankthit mes nesh dhe kjo nuk është kthesa në politikë që dëshirojmë.
Rinia duhet të mos harrojë se politika e tranzicionit është mjeshtre për të abuzuar me pasionin dhe adrenalinën politike të saj. E ka bërë historikisht duke filluar me abuzimin me Lëvizjen e Dhjetorit të 1990 dhe mesa duket po e bën sërish sikurse sërish lidershipi PD-ist po dëshmon.
E para gjë që kjo rini duhet të bëjë, është të distancohet nga çdo grupim politik abuziv duke garantuar kësisoj pastërtinë e kauzës që përfaqëson. E nëse pretendon risi në politikë, rinia radikale duhet të tejkalojë interesat e saj të ngushtë – fjala vjen problematikën rreth ligjit të arsimit të lartë, dhe të angazhohet në protestë radikale së pari për gjëra themelore në demokraci - zbatimi i ligjit njëlloj për të gjithë, respektimi i pronës, vokacioni pro-perëndimor dhe përshpejtimi i reformave drejt BE etj dhe në këtë kontekst edhe ato që përbëjnë shqetësim direkt për të. Veza nuk duhet të jetë flamuri i radikalizimit të saj ndaj statukuosë politike në vend dhe ajo nuk duhet të lërë shkas të identifikohet apo reduktohet në opozitë “omeletë”. Dhe nëse u hanë duart për vezë, fare bukur mund të bëjnë “omeletë” pafund dhe në vijimësi me dordolecë të figurave politike në vend, bile dhe duke zgjedhur një vend për këtë (fjala vjen një mur diku që mund ta etiketojnë dhe “Muri i turpit” apo parada në bulevard) duke i shndërruar këto “linçime” në recital të radikalizimit rinor. Duke hedhur vezë, ata shndërrohen në “bully” të vegjël politik që njëherë bëjnë “heroin” dhe pastaj si dhjaksa bëjnë protesta për lirim nga dhomat e komisariateve. Nëse e bën një gjest, “face the music” thotë anglezi (dili ballas pasojave). Ndryshe nuk jeni rinia radikale që ngjall shpresë por qurravecët e rradhës që do ikin siç erdhën.
Edi Rama ka të tijat dhe protestat qytetare ndaj tij nuk kanë përse të jenë çudi. Kryedështimi i tij mbetet zbatimi i ligjit njëlloj për të gjithë sepse deri më sot “rrjeta” e ligjit ka kapur vetëm “cironkat”, ndërkohë që “peshqit” e mëdhenj notojnë të qetë. Preteksti i gjyqësorit të korruptuar sot tingëllon alibi sepse gjyqësori, pavarësisht dyshimeve ndaj tij, është vënë në provë përballë një apo dy dosjeve simbolike por jo ndaj një “treni” me vagonë pafund të dosjeve të abuzimit të tranzicionit. Edhe nëse gjyqësori mund të zhgënjejë sërish e sërish, më së paku publiku do shohë politikanë në dyer gjykatash, fytyra të ngrira të nxira në ankth, degradime qesharake në raporte mjekësore pafund për të mos qenë në seancë etj makthe mes atyre që konsiderohen të paprekshëm. Rama duhet të bëjë atë që ka në dorë dhe të nisë dosjet që janë të “vetëkopsitura” sepse abuzimi është bërë me arrogancë dhe ditën me diell. E ka bërë kur kanë shpifur për të dhe për gjërat e shtrenjta për të, duke i besuar gjykatës dinjitetin e tij si qytetar. Tani ta bëjë për dinjitetin e mbarë qytetarëve që i besuan karrigen e tij.
Veza si simbol i së resë, nuk është domosdoshmërisht rilindje e shpresës në politikë kur flaket tej si gjë pa vlerë. Rëndësi ka që politika e dështuar të demaskohet me protestë dinjitoze, në kauzë dhe në qasje. Shpresa duhet të rilindë me dinjitet.
Comments (0 posted)
Post your comment