Home | Life & Style | Jeta pas vdekjes

Jeta pas vdekjes

image
Autorja  Mary Roach, shprehet se: “Për më shumë se dy mijë vjet, kufomat njerëzore, disa me pëlqimin e tyre, disa kundër dëshirës së tyre janë përfshirë në realizimin e arritjeve shkencore më të guximshme, apo të kërkimeve më të çuditshme”.

 

      

 

Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi 

 

 

Të vdesësh, nuk është aq e tmerrshme sa ç’mendohet.  Sipas studiuesit francez Chamford: “jeta është një sëmundje, të cilën e lehtëson gjumi çdo 16 orë, ndërsa vdekja është ilaçi i saj”. Gjumi, në të vërtetë, i cili për çdo njeri zë rreth 1/3 e jetës, është shumë i ngjashëm me një vdekje të përkohshme, ku truri nuk ka asnjë aktivitet, muskujt janë të lëshuar dhe asgjë nuk ndodh zakonisht. Por, në qoftë se ke vdekur me të vërtetë, gjë që kuptohet në radhë të parë me ndalimin e punës së zemrës dhe mushkërive dhe vdekja jote është shpallur në ambientin social ku jeton, menjëherë pas saj ndodhin disa ndryshime të trupit të njeriut, që janë të ngjashme me disa aktivitete jetësore. Kështu, ngurtësimi apo shtangimi i kufomës që ndodh në të gjithë muskujt e trupit gradualisht në orët e para pas vdekjes, përbën atë që quhet “lëvizja aktive e muskujve pas vdekjes” që shfaqet me shtrëngimin e nofullave, mbledhjen e gishtave të duarve, mbylljen e kapakëve të syve; ose do të ndodhë e ashtuquajtura “lëvizje false e kufomës”, sepse në gjymtyrët e sipërme ndodh ngurtësimi i muskujve mbledhës, duke i afruar ato mbi gjoks dhe në ato të poshtme – i muskujve shtrirës, e ngjashme kjo me tkurrjen e këtyre muskujve gjatë ecjes së njeriut.                                       

 

Gjithashtu, ngurtësimi te meshkujt shtrihet në muskujt e qeskave të spermës (vezikulave seminale), gjë që bën që të dalë sperma përjashta, fenomen ky që quhet “ejakulacioni pas vdekjes”. Po kështu, rritja e qimeve të mjekrës pas vdekjes, shpjegohet me fenomenin e tharjes së lëkurës dhe tkurrjes nga ngurtësimi i muskujve të qimeve, duke i bërë ato më të dala, gjë që të krijohet përshtypja e gabuar, se rritja e tyre ka vazhduar edhe pas vdekjes. Më pas, kur nga veprimi i mikrobeve gazformuese, kufoma e njeriut të vdekur fryhet, fenomen ky që quhet “gjigandizmi kufomor”, ndodh lëvizja e gjakut nga presioni i madh i gazrave të kalbëzimit, që quhet ndryshe “qarkullimi i gjakut pas vdekjes”, që mund të shoqërohet me daljen e tij nga plagët që mund të ketë pasur që më parë ky njeri. Gjithashtu nga presioni i madh i gazrave brenda barkut, te gratë shtatzëna, mund të ndodhë dalja jashtë e fetusit (ekspulsion i fetusit pas vdekjes). Të gjitha këto si dhe shumë fenomene të tjera që ndodhin pas vdekjes, studiohen me hollësi nga shkenca e mjekësisë ligjore.                                   

 

Gjatë aktivitetit tim të gjatë si mjek ligjor, unë kam vëzhguar dhe ekzaminuar disa mijra kufoma njerëzore, po kështu kam parë edhe shumë kufoma të tjera gjatë ceremonive mortore të të afërmve, miqve, kolegëve dhe të njohurve të mi.    Një nga vdekjet e para që unë mbaj mend, ka qenë ajo e gjyshes sime, kur unë isha ende në moshën 10-vjeçare. Përveç hidhërimit që shkaktoi vdekja e saj te prindërit e mij dhe të afërmit e tjerë, më kujtohet kur trupi i saj u vendos i shtrirë mbi një lloj podiumi në mes të dhomës kryesore të shtëpisë, dhe ju lidh një rrip fashoje që kalonte nga nofullat e poshtme në dy pjesët anshme të fytyrës dhe pjesën e sipërme dhe të përparme të kokës, që ju hoq pas disa orësh. Ky veprim, siç e mësova më vonë, ka si qëllim që goja e kufomës të qëndrojë e mbyllur që në fillim kur muskujt e nofullave janë të lëshuar, dhe më pas, ngurtësimi kufomor ta ruajë këtë pozicion të gojës së mbyllur gjatë periudhës së parë pas vdekjes, kur do zhvillohet ceremonia mortore. Në të vërtetë, vdekja, e pasuar me varrimin e kufomës do të konsiderohet si diçka e keqe.            

 

Për shumicën e njerëzve, shkrimet mbi vdekjen do të ishin një mungesë respekti për të vdekurin. Nuk është aspak argëtuese të vdesësh. Kjo është diçka absurde, ku ti do t’i kesh gjymtyrët të lëshuara, gojën gjysmë të hapur etj. Pra të jesh i vdekur është një gjë e shëmtuar, e vështirë dhe që nuk ja vlen të merresh me të. Nga ana tjetër, vdekja e një njeriu do të sjellë një hidhërim të madh për të gjithë të afërmit dhe të njohurit e tij.

 

Por ndryshon puna, kur flitet për vdekjen jo si proces, por për kufomat e vdekjeve të mëparshme, të mbetura të panjohura. Këto kufoma mund të paraqiten me pamje të hijshme, herë të tjera të trishtuar, nganjëherë argëtuese, kufoma monstra, kufoma të veshura me tesha, apo pa veshje, të ndara në pjesë apo trupa të plotë. Në fakt, jeta e një kufome pas vdekjes mund të shoqërohet me ngjarje interesante, shpesh herë të dobishme. Autorja amerikane Mary Roach, në lidhje me këto probleme shprehet se: “Për më shumë se dy mijë vjet, kufomat njerëzore, disa me pëlqimin e tyre, disa kundër dëshirës së tyre janë përfshirë në realizimin e arritjeve shkencore më të guximshme, apo të kërkimeve më të çuditshme”.

 

“Kështu, ato janë përdorur në Francë për provat e gijotinës, kur ajo do aplikohej për herë të parë si një metodë e re e ekzekutimit, duke zëvendësuar dënimin me vdekje me anën e varjes”.                                                                         

 

“Në laboratorët që merreshin me ballsamimin e trupit të Leninit, kufomat njerëzore kanë ndihmuar në futjen në përdorim të teknikave më të reja të ballsamimit”.            “Ato, ose pjesë të kufomave kanë udhëtuar në hapësirë me anijet kozmike”.

 

“Ato kanë ndihmuar një student në shqyrtimin e djegieve spontane të trupit të njeriut. Kufomat janë ndarë në pjesë dhe më pas janë ribashkuar. Kufomat janë superheronjtë tanë. Ato i kanë përballuar zjarrit pa u zmbrapsur; i kanë rezistuar rënies nga ndërtesat e larta, apo përplasjes së kokës gjatë një aksidenti automobilistik. Ju mund ta qëlloni një kufomë me armë zjarri, ose të përplasni një motoskaf që po ecën me shpejtësi në këmbët e një kufome, pa i trembur ato. Koka e një kufome mund të hiqet pa asnjë efekt dëmtues. Pra ato do të konsiderohen si supermenë. Nuk do të përbënte asnjë turp që këto veti të kufomave humane të përdoreshin në dobi të njerëzimit. Shumë njerëz të harruar prej kohësh për kontributin e tyre kur kanë qenë gjallë, janë bërë të pavdekshëm me veprimet kërkimore që janë kryer me trupat e tyre”.                 “Kështu mësuesit e nderuar të Anatomisë në periudhën e Rilindjes, në Padova dhe Bolonja të Italisë, kur vdekja po u afrohej, zgjidhnin studentin më të mirë dhe i kërkonin që të përgatiste me kafkën e tyre pas vdekjes, një preparat anatomik për t’u ekspozuar. Në universitetin mjekësor të Padovës gjenden edhe sot disa kafka të tilla”. “Pra vdekja nuk duhet të jetë diçka e mërzitshme, sepse mund të bëhen shumë gjëra me kufomën tënde; ka shumë mënyra të ndryshme për të kaluar kohën si kufomë, siç mund të jetë edhe përfshirja në kërkime shkencore etj.”.                                           

 

Në vazhdim paraqiten disa nga përdorimet ku janë përfshirë kufomat njerëzore.   

 

-Në procedurat mjekësore dhe kirurgjikale

 

Në shumë raste, kufomat njerëzore, para ballsamimit të tyre në laboratorët e anatomisë të vendeve të ndryshme, janë përdorur për të kryer intubacionet trakeale (futja e tubave në trake) dhe kateterizimeve nga ana e studentëve dhe mjekëve specializantë të mjekësisë, për t’u stërvitur në kryerjen e këtyre veprimeve mjekësore. Në vendin tonë, vite më parë, në lëndën e anatomisë topografike, kirurgët e rinj dhe specializantë, përpara se të merrnin pjesë në kryerjen e operacioneve të ndryshme të pacientëve, i bënin ato më parë në kufomat njerëzore që do përdoreshin për studimin e anatomisë humane.

 

Në një muzeum të kolegjit të mjekëve të Filadelfias gjendet një copë lëkure njeriu, ku ishin bërë dy prerje: njëra gjatësore me buzë të rregullta dhe tjetra transversale me buzë të grisura, kjo për të demonstruar se një mjek kirurg, prerjen e lëkurës, duhet ta bëjë sipas drejtimit gjatësor të saj dhe jo atij transversal.                                            

 

-Në eksperimente të ndryshme

 

Një nga këto lloje eksperimentesh janë ato të industrisë së automobilave, për të studiuar kufijtë e tolerancës së kafkës, gjoksit, organeve të brendshme dhe pjesëve të tjera të trupit të njeriut, ndaj forcave të përplasjes, ngjeshjes etj. që veprojnë në këto aksidente. Në këtë mënyrë, duke përcaktuar këto forca që përballon kafka, trupi dhe organet e brendshme, prodhuesit e industrisë së automobilave, përpiqen që ta realizojnë projektin e automjetit që do prodhojnë, në mënyrë të tillë që të mos tejkalohen këto forca në rastet e aksidenteve të këtyre automjeteve. Para disa vitesh, në një nga institutet qendrore anatomike të Parisit, unë kam asistuar në autopsinë e një kufome njerëzore, të cilën pas injektimit në enët e gjakut të një lëngu me ngjyrë të kuqe që imitonte gjakun, e kishin vendosur të ulur në sediljen e përparme të kapur me rripin e sigurimit të një automjeti. Pas kësaj autovetura u lëshua me një farë shpejtësie derisa u përplas me një objekt të fortë. Në autopsi u zbuluan zonat e dëmtuara të trupit si pasojë e kësaj përplasjeje. Kjo kryesisht nëpërmjet vënies në dukje të vendeve ku kishte dalë lëngu i kuq nga çarja e enëve të gjakut. Këto rezultate do të përdoreshin nga inxhinierët që kishin projektuar ndërtimin e këtyre automobilave për të përmirësuar rripat e sigurimit të tyre.      

 

-Në diseksionet (prerjet) anatomike                                                     

 

Përdorimi i kufomave njerëzore në diseksionet anatomike është kryer që në kohët e mëparshme. Në të vërtetë, për të kuptuar respektin që tregohet sot për kufomën njerëzore në katedrat dhe laboratorët e anatomisë normale të njeriut të fakulteteve të mjekësisë kudo në botë, duhet kujtuar periudha kur anatomia humane ka qenë konsideruar si një shkencë ku ishin rrënjosur turpi dhe poshtërsia. Për diseksionet anatomike janë përdorur kufomat e personave që kishin kryer krime dhe ishin dënuar me vdekje, sepse gjetja e kufomave për këtë qëllim me anën e dhurimit të trupit, ishte pothuajse e pamundur. Kjo, sepse në periudhën e mesjetës, sipas fesë së krishterë, trupi i njeriut pas vdekjes do të ringjallet dhe do të dalë nga varri për të shkuar në parajsë. Kryerja e diseksioneve anatomike, do ta pengonte ringjalljen e trupit të njeriut pas vdekjes. Në atë kohë, profesorët e anatomisë barazoheshin me ekzekutuesit e të dënuarve me vdekje, sepse diseksioni i kufomës konsiderohej si një dënim tjetër edhe më i rëndë se dënimi me vdekje.                                                                                

 

Në literaturë përmendet punimi i piktorit të famshëm hollandez Rembrandt, i bërë në Amsterdam,në vitin 1631, i titulluar “The Anatomy Lesson of Doctor Tulp” (Mësimi i Anatomisë të Dr.Tulp). Në këtë pikturë paraqitet Dr.Tulp, i rrethuar nga një grup prej pesë specialistësh të mjekësisë, ku dy prej tyre janë kirurgë, duke demonstruar në kufomën e shtrirë para tyre formacionet anatomike të një prej gjymtyrëve të sipërme që ishte preparuar. Kufoma e disekuar i përkiste shtetasit hollandez Adrien Adrienzoon, kriminel, i dënuar me vdekje, e cila duhej të pasohej dhe me prerje anatomike të trupit të tij pas vdekjes, dënim ky që jepej për krime të rënda; kjo në mënyrë që familja e tij të mos shpresonte në ringjalljen pas vdekjes, sipas besimit fetar të krishterë. Në këtë pikturë, sikurse shihet, për ne dhe për Rembrandtin, subjekti i vërtetë i saj, është njeriu i vdekur në tavolinën e diseksionit dhe jo Dr. Tulp dhe kolegët kirurgë përreth tij.                                                                                         

 

Në kohën e sotme, kufomat e diseksioneve anatomike sigurohen nëpërmjet dhurimit të trupave të tyre që për së gjalli. Vihet re një rritje e këtyre dhurimeve, që shpjegohet me faktin që shpenzimet për kryerjen e funeraleve, sa vjen dhe bëhen më të mëdha, ndërsa në rastet e trupave të diseksioneve anatomike, varrimin e tyre e organizon institucioni anatomik që ka kryer disekimin. Përveç kësaj, sot në opinionin publik, që nga vitet 1960, me kryerjen e transplantit të parë të zemrës, të pasuar me daljen e legjislacionit përkatës, është theksuar më shumë nevoja e sigurimit të organeve për operacionet e transplantimeve dhe të dhurimit të kufomave. Kjo ka bërë që dhurimi i trupit të konsiderohet si një alternativë tjetër, më e pranueshme sesa varrimi, për shkak të qëllimit të tij altruist, duke i shërbyer në radhë të parë mësimdhënies së disiplinës së Anatomisë, apo për qëllime të tjera shkencore. Një veçori tjetër e studimit të Anatomisë humane sot në botë, ka të bëjë me faktin, sepse nëpërmjet saj studenti do të ndeshet për herë të parë me trupin e njeriut të vdekur. Për këtë arsye , sot ka një tendencë që në kurset e anatomisë humane, krahas preparimit apo disekimit të kufomave, t’i kushtohet një vëmendje e madhe edhe studimit të problemeve të vdekjeve.

 

Në vendin tonë, mungojnë plotësisht kufomat njerëzore që duhet të përdoren për studimin e anatomisë në shkollat e larta mjekësore të vendit tonë. Megjithatë në fakultetin e mjekësisë të universitetit të mjekësisë në Tiranë, mungesën e tyre e plotëson deri diku këqyrja nga ana e studentëve të vitit të parë të mjekësisë, të kufomave të vdekjeve mjekoligjore, që zhvillohet në programin e Lëndës së Etikës Mjekësore, së bashku me çështjet e ndryshme teorike të vdekjes. Nga ana tjetër, kohët e fundit është propozuar që në ligjin për autopsitë, të përfshihen edhe disa nene, që kanë të bëjnë me dhurimin e trupit, për të krijuar mundësinë që edhe në vendin tonë për studimin e anatomisë humane të përdoren kufomat njerëzore.

 

 

 

***

 

Këto janë disa nga çështjet e vdekjes si dhe disa nga përdorimet kryesore të kufomave njerëzore, të cilat duhet të njihen edhe nga publiku i vendit tonë.    

 

  

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
4.00