Home | Life & Style | Vettingu dhe shqiptarët...

Vettingu dhe shqiptarët...

image
Shqiptarët kërkojnë qeverisje, sepse kemi ndërtuar në të gjitha fushat në modelin «keq», ku janë përfshirë në një sistem hierarkik ...

 

   

 

Nga Zaim Kuçi

 

 

 

Shpesh kemi ndjerë dhimbje për tragjeditë e ndodhura gjatë misionit me njerëzit e qiellit dhe i kemi përcjellë: ai ishte duke kryer detyrën dhe detyra i mori jetën, asgjë më tepër. Kësisoj rastesh janë të shumta nga ata që punojnë në uniformë të policisë dhe të forcave të armatosura. Si qytetar më lind e drejta për një reflektim, ndoshta me vlerë në lidhje me debatin e kohëve të fundit për rivlerësimin e atyre që do të drejtojnë vettingun. Për të kthjelluar atë që kërkohet të bëhet, le të sjellim disa copëza jete të fushës së luftimit të forcave të policisë dhe të ushtrisë, të atyre që luajnë përditë me rrezikun të pranuar si profesion, për t’i krahasuar me “vështirësitë” që hasin ata që kanë në duar drejtësinë tonë, kërkesën për buxhet ekstra për realizuesit e vettingut.

 

Normalisht, indekset që cënojnë sigurinë e qytetarit në detyrë janë të mirëpërcaktuara në misionin e realizimit të detyrës, ato janë në instruksionet e formimit të profesionit, kjo është e qartë. Matja e intensitetit të rriskut në një situatë të caktuar nuk është çështje e retorikës dhe rotacionit politik, ai është objekt i studimeve të kujdesshme mbi të cilat dalin strategji zhvillimi.

 

Në këtë kërkesë vlerësimi me të drejtë shtrohen pyetje, po pedagogët që përgatisin këta ta drejtësisë, po përkushtimi i mjekëve që kthejnë në jetë njerëzish janë më pak të rëndësishëm? A mos vallë fluturimi në misione të kërkim-shpëtimit në kohë të paparashikuar dhe në terrene të vështira, mbi dallgët e detit dhe bardhësisë së borës, është më i lehtë për tu realizuar? Ata marrin rrugën e qiellit me plot mister por pak të vlerësuar. Histori të shumta, rrënqethëse vijnë edhe nga efektivat e forcave speciale, të profesionit të xhenierit, të kimistit, të zjarrfikësit etj. Ata luajnë me rrezikun dhe ecin përditë në një fushë të minuar. Ata janë në terrene dhe në situata lufte, ata ndodhen të ekspozuar nga plumbat realë dhe rikoshetë të fushës së luftimit. Ky është profesioni i tyre, që duhet të ndalen shtetformuesit. Ka disa që futen në parlamentin e gallatave dhe disa si ata që na “mbrojnë” nga drejtësia duke u futur në zyrën e ngrohtë dhe luksoze, por të mirëpaguar. Disa realizojnë misionin me elementë rrezikshmërie të lartë dhe disa të tjerë zhyten në rregulloret, në librat dhe në kodet e mirëpërcaktuara ligjore. Ata futen në zyra dhe plotësojnë “pyetësorin e Proust-it” bazuar në kodin ligjor, pa përjashtuar edhe nga ata, që zhyten se si ta plotësojnë atë që të fitojnë sa më shumë. Është pak të thuash se sa keq është sjellja e tyre me ligjin në krahasim me atë çfarë realisht është bërë në këtë post demokracie. Formuesit dhe zbatuesit e ligjit e kanë dëmtuar këtë vend aq shumë sa do duhen vite e vite për t’u rikthyer në bazën e nisjes. Ata janë produkt i politikës dhe shoqërisë së deformuar shqiptare; deformim që për fat të keq është shtrirë nga ata të pabukët deri tek të kollarisurit e politikës shqiptare.

 

Për të ndalur ortekun e të këqijave kohët e fundit u fol shumë për termin “burg”, madje u kritikua edhe kryeministri për shpeshtimin e këtij termi duke kërkuar të vendosë raportin e drejtë të shoqërisë dhe të institucioneve me ligjin. Ai e di mirë se burgu nuk është zgjidhja, por aktualisht është formë e zgjidhjes për të shëruar sistemin e keqbërë në ndërtimin e shtetit. Por sa u prekën ata të ligjit nga ai aksion kaq i bujshëm i qeverisë? Le ta vlerësojnë këtë aksion të papërfunduar ata, viktimat e këtij sistemi drejtësie. Ata do të donin, më mirë një shtrëngim ligji për vetingasit se sa një pagesë të pamerituar.

 

Ne mbërritëm këtu, po kush e ka fajin? Rrogat e pamjaftueshme të atyre që na gjykojnë? Jo? Përditë përplasemi pa drejtim e pa kuptim kundër të gjithëve duke mbjelle kotësira, retorikë dhe marrëdhënie të debatueshme për një kahje aq të qartë sa s’ka nevojë për debat: Në ç’raport do të vihet ky vend me ligjin, duke përfshirë të gjitha strukturat e formimit të shtetit nga individi deri tek presidenti i Republikës. Në këtë sistem hierarkie nuk përjashtohen as prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe noterët. Ata janë lojtarë komplementarë në fushën e drejtësisë. Po sa bashkëpunues janë ata? Analiza dhe shqetësimi ynë duhet të jetë: a janë larguar shqiptarët nga respektimi i ligjit dhe a ka qenë e cënuar siguria e RSH nga keqqeverisja në këtë post demokracie? Cili është raporti i shoqërisë dhe institucioneve me ligjin dhe demokracinë e re dhe si janë perceptuar ato? A ka patur ligje dhe si janë zbatuar ato? A janë bërë reformat në sistemin e ndërtimit të shtetit? Në situata të krisura politike gjithnjë gjendet një ngjarje, një moment për të bërë lojën e radhës për mosbashkëpunim. Të gjithë e dinë mirë që ligjet ishin dhe janë aty por zbatimi i tyre ka qenë abuziv, por ajo që i ka munguar këtij vendi është modeli i duhur në qeverisje që sollën aktorët destruktivë të drejtësisë.

 

Për të ndalur hemoragjinë e shkaktuar nuk janë rrogat e majme milionëshe të atyre që e shkatërruan këtë vend por formulimi dhe zbatimi i një ligji ekstra për ta. Ata janë shqiptarë, janë njerëzit tanë, kanë sjelljen, edukatën, formimin njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë. Për këtë shpërblim ata aspak nuk janë të kërcënuar në punën e tyre. Terreni ku ata kryejnë detyrën funksionale është shumë herë më komod me ata për sa informuam më sipër. Ata u deformuan edhe nga politika keqbërëse, ata nuk janë veçse fytyra e vërtetë e shtetit. Ata janë vartësitë direkt të kësaj politike të pakuptimtë. Atyre kurrë nuk u kanë munguar të ardhurat, madje janë marramendëse dhe asnjëherë nuk kanë menduar: mjaft. Në shoqërinë tonë dominojnë interesa personale, të cilat nuk shkojnë përtej vetvetes, ndaj as 10 fishi shtesë nuk është zgjidhje. Të moralshmit duhen formuar dhe formimi vjen nga sistemi arsimor, aty duhet investuar. Në Japoni nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë mësohet një lëndë që quhet ''Rruga për tek Morali'', ku nxënësit mësojnë për sjelljet me njerëzit; këtu duhet filluar, tek kjo lëndë investimi për të ardhmen. Shitblerja e notës është bërë tashmë një rutinë për shtetasit shqiptarë, është akti më i shëmtuar, është vetasgjësim i kombit.

 

Diku Hygoi thotë se: ai që hap një derë shkolle mbyll një burg. A ka funksionuar tek ne kjo këshillë përgjatë këtyre dy dekadave, apo e kemi deformuar për përfitime? Sot, a duhet rifilluar kjo filozofi? Hierarkia e masave ndëshkimore, e "mësimit" përmes masave ndëshkimore, por edhe e mësimit të edukatës së ligjeve në shkolla, a duhet të jenë një tjetër alternativë? A jemi të interesuar se ç'vend zë në shkollat tona edukata ligjore, juridike? Sot presin në radhë për tu punësuar kaq shumë diploma të universiteteve, kaq shumë tituj shkencorë që plotësojnë CV moderne dhe në këtë rrumpallëhane CV-ish, zor se gjendet i vërteti, i dituri për ta përzgjedhur për të bërë punën dhe për të na drejtuar. Le të shpresojmë për një zgjidhje ndryshe.

 

Shtetarët tanë duhet të mirëpërcaktojnë nivelin e minimumit jetik, pagën bazë për të mbijetuar individët duke afruar strategji për papunësinë si një faktor destabilizues, këtu duhet bazuar logjika për pagën e vetingasve. A ka një studim paraprak për buxhetin e kërkuar për të realizuar të shumëkërkuarin-veting?

 

Zhvillimi i vendit bëhet në terma afatgjatë që fatkeqësisht gjatë trazicionit kaluam në zgjidhje afatshkurtër, duke bërë dhe zhbërë punë të pavlera dhe duke e kthyer shtetin “një fis”. Shqiptarët kërkojnë qeverisje, sepse kemi ndërtuar në të gjitha fushat në modelin «keq», ku janë përfshirë në një sistem hierarkik mashtruesit të favorizuar nga ata që privatizojnë ligjet për të përfituar. Në këtë vorbull pasigurie ndoshta ne shqiptarët kemi kuptuar se duhet të ndryshojmë, le të gjithpërfshihemi për të çpistosur të ligën nga harta e ligësisë. Më shkon dhe mbështes teorinë-shtet i vogël, duke patur keqardhje për ata të profesionit “luftë” që vlerësohen jo më shumë se 300-500 euro në muaj dhe nuk shqetësohem për pagesat e atyre që kryejnë një detyrë rutinë-vetingun.

 

Përflitet se ndërkombëtaret na e kërkojnë këtë rritje page. Po përse nuk përligjim vërtet normat ndërkombëtare të fluturimit, standardet e kërkuara nga NATO për vlerësimin e pilotëve sipas standardit “Pagesa e Dëmshmërisë së Shëndetit” dhe «Pagesa e Riskut te Menjëhershëm» (fluturuesit në avionët supersonikë marrin 200 euro ne muaj pensioni). Përse shqetësimi është për sigurimin e fëmijëve të vetingbërësve me vlerësime të pabesueshme; po fëmijët e shtetasve që nisen përditë në luftë? Ndërkombëtarët me dy standarde...!!! në se, ata tallen.

 

Po le të kthehemi për mirënjohje dhe respekt edhe një herë tek ata që kryejnë detyrën përditë në risk, pavarësisht pagave të ulëta, ata qëndrojnë me ndershmëri brenda uniformës dhe, ata kurrë nuk kanë dhe do të kenë fatin për t’u bërë të pasur siç mund të jenë homologët në NATO. Kështu, përtej detyrës normale asgjë nuk vështirëson misionin e vettingasve, veçse janë moralisht të respektuar dhe të privilegjuar më nivel kombëtar.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00