Atleti dhe Klubi
Njerëzit i adhurojnë atletët. Ata ofrojnë imazhin e një shkëlqimi që asgjë s’e ndalon.
«... Miku im Cavanaugh – një burrë i pashëm me një fizik mbresëlënës – kishte karizmën e një heroi. Kishte qenë basketbollist profesionist. Tani drejtonte programet e posaçme për studentë në master, trajtonte çështje të politikës universitare dhe financimeve. Një punë zyrtari, kostum kollare. Të dhimbte në shpirt kur kujtoje veprimtarinë e tij të dikurshme – supet e gjera lakuriq dhe këmbët që ngriheshin në ajër. Nëpër restorante, aeroporte, kishte ende njerëz që i kërkonin autografe.
Me këtë gjigand në dhomë, gjithçka shkonte më mirë, gjithçka ishte më e natyrshme, më e shëndoshë. Krameri iu bashkua para meje. U rrahën shpatullash, qeshën, të lumtur për atë ç’ndjenin tek tjetri. Të fuqishëm. Të vërtetë. I vëzhgoja duke thënë me vete se Cavanaughun e shihja shpesh. Dhe në fakt, kjo që nga fakulteti, në kohën kur ishte bërë i njohur. Mënyra e tij për ta shtypur kundërshtarin dhe bërë një kosh, ngjante me një akt drejtësie hyjnore. Në civil, ishte disi turbullues. Sidomos për shkak të orës, me një zinxhir ari tejet të punuar. Pranga simbolike. Nënshtrimi i Cavanaugh në jetën e përditshme. Nuk shtypte më askënd. Njëherë kishte thënë : « Nuk dua që fëmijët e mi të bëhen si unë, me një qafë më të trashë se koka. » Donte që fëmijët e vet të mbanin orë dhe kostum.
Njerëzit i adhurojnë atletët. E kush e mishëron më mirë mitin në ditët tona ? Ata ofrojnë imazhin e një shkëlqimi që asgjë s’e ndalon. I infektuar nga hareja e Kramerit, isha trullosur nga pamja e Cavanaugh. Kur Krameri u largua për t’i sjellë një birrë, shtrënguam duart. « S’mendoja se do të të shihja sonte », më tha. Kishte një buzëqeshje tallëse.
« S’qe e lehtë të dilja nga shtëpia. Vetëm ti mund të më sjellësh në kësilloj mbrëmjesh.
– Ti veç hap derën dhe ja, je jashtë.
– Lëre mos e nga.
– Jam i kënaqur që ke ardhur. Kam humbur ndonjë gjë ? Jam ca me vonesë sepse, sipas Sarës, ka diçka që çalon në këtë ide klubi. Edhe tek unë, gjithashtu. Jemi grindur gjatë bukës. » Mërmëriti : « Mbase s’është kaq e thjeshtë », pastaj vështroi orën, vetullngrysur, a thua se po shtrydhte trurin. Krameri u kthye me birrë në dorë, pikërisht në çastin kur telefoni filloi të cingërinte.
« Erdha për një minutë », tha ai dhe u drejtua për nga vinte zilja.
Kurse unë, më duket se ishte folja « çalon » që çalonte. Nëse kishte diçka që çalonte tek Cavanaughët, atëherë ishte i gjithë universi që çalonte. Këtë, burrat e kuptonin. Kur Cavanaugh ka pasur nevojë për një kredi për të blerë shtëpinë, banka s’i ka futur shkopinj nën rrota. Shihej qartë se ai gëzonte një besim të madh tek njerëzit ; ishte dy metër zero gjashtë dhe njëqind metërshin e bënte për dhjetë sekonda. Bankieri, një burrë pra, e ka njohur Cavanaughun dhe as s’e ka pyetur mbi divorcin e vonshëm apo çfarë i duhet të paguante si pension ushqimor.
Klube ku mblidhen burrat. Grupe ku mblidhen gratë. E tërë kjo nënkupton ca turbullime të pashërueshme. Më sillte ndërmend Sokratin – i adhuruar nga çunat, por jo nga e shoqja. Dhe Karl Marxin që e kalonte kohën me Engelsin, ndërkohë që Jenny rrinte në shtëpi duke u marrë me fëmijët. Mbase burrat luanin më shumë se gratë. Një klub, krahasuar me një grup, ishte lojë. E përciptë ; pothuaj fyese. I përjashtonte gratë. Por, po lodhesha kot. Një klub s’i përjashtonte gratë. As kangurët. Ai përfshinte vetëm burra. E shihja veten duke ia shpjeguar këto hollësira Sarës. « Ti e di, burrave iu pëlqen të luajnë. » Jo aq bindëse. Kishte opinione kokëforta dhe karakter të keq. Kur Cavanaugh e ka lënë basketbollin, ishte një vendim i tij, por me vete thosha se ishte ajo përgjegjësja. E donte në shtëpi. Mbreti është bërë dekan.
...
U ulëm në formë rrethi, disa mbi jastëkët përtokë. Krameri zuri të flasë me një zë të ngadaltë e të shtruar. Sytë e zinj ia errësonin fytyrën. Ia bënin fjalët më të errëta, iu jepnin peshë.
« Çfarë qëllimi ka ky klub ? »
Mendova : T’i bëjë gratë për të qarë. Hyrja e Kramerit s’ishte e shkëlqyer, por dukej aq i thelluar sa u përmbajta për të mos bërë asnjë gjykim.
« Disa prej nesh – Solly Berliner, Paul, Cavanaugh – kanë diskutuar për këtë një ditë. Kemi thënë me vete se do të ishte një ide e mirë… »
© Dea J Klosi, në Shqip
© Leonard Michaels
Comments (0 posted)
Post your comment