Cikël Poetik nga Rudina Nano
Kthehem për të marrë lëndimin e radhës...
Nga Rudina Nano
Përplasem
Kthehem për të marrë lëndimin e radhës
Fuqinë e mbledhur të më zbrazësh,pres
Pamëshirshëm të më rrënosh vetëdijen
Të pranoj se ti e drejton lëvizjen e ajrit
Dhe ngjyrën avullit,ti ia jep
Përpiqem si një mëndafsh i zi të të ngjitem në trup
E të ta ledhatoj vrazhdësine e indeve të çakorduara
Por mblidhem në grushtin tënd per t’u përplasur në asgjënë që pak nga pak në ty u rrit
Nuk të njoh më
Nuk të njeh me as drita,as horizonti i tejmë…
Iki,pa dashur të iki
Aty nuk lashë atë që doja
As mora atë që dhashë
Më rëndon pesha jote
Lugina e kraharorit,më dhemb
Bëj të ndal hapat e tretur e ty dua të të shoh edhe njëherë,
që të më japësh goditjen e fundit
dhe pastaj të shkosh…
Në ç’trille kam rënë?
Më thuaj
Më fol
…sepse po të mos më flasësh ti,
zbres në honet më të thella
Dhimbja më bëhet
e vrazhdë,
e fortë,
vrastare…
Mos më tërhiq në ëndrra
të pabesa
rrugicave të përdala
më ngre nga një kurth
Ty të këlthas!
Mos ma ndrydh ajrin,
se ajri i mbytur m’i ngushton venat
e gjaku më ulërin pikëllim
M’i vendos këmbët në vend të gjerë
mbuluar me lule toke
e aromë dheu
Të ndiej si shpërndahet e lirë fryma,
si ngrihet lart,
si zhytet në kupën e përflakur
të qiellit,
si zbret sërish poshtë
një lulëkuqe e ndezur
T’i mbyll sytë
Lotët e blerta t’i kredh në mollëzat e petalëta,
në hullinë e tyre të mbjell gëzimet e pathëna,
pastaj t’i vjel ëndrrat,
siç vjel yjet hëna
Në c’trille kam rënë?
Më thuaj
Më fol
…sepse,po të mos më flasësh ti,
qenia më
frigohet,
rrudhet,
mpaket…
Nata e botës po zbret mbi mua
Mbi ta,nata e ligësisë…
Fajtore!
Gjyqin ma bënë në tokë të rreme
Dhe fajin ma ngjizën në turp të shterptë
O qiell e tokë!
Vulose ti shpirtin tim
Qëllomë o rrufe
Unë nuk kam eshtra
Jam mish i ftohtë,
gjak i zhveshur
nga padrejtësitë
Salla u mbars me qetësi
…
…
…
Por unë dua t’u flas
Dua t’u flas
për shpirtin tim të vjedhur natës
për rrugët terr të gjoksit tim
T’u them sa
peshon guri
Sa e rëndë është rëra
T’u tregoj se
Faji im i pafaj qenka më i rëndë se të dyja bashkë
T’u lëvdohem për dobēsitë e mia,
sepse unë jam i dobët
Kush nuk është që të mos jem
edhe unë?
T’u krenohem se fuqia ime përsoset ne dobësi
T’u kujtoj se fuqia e tyre
eshte e përkohshme
Rrënjët e saj kanë mbirë
mbi fuqinë e tjetërkujt…
Nata e botës po zbret mbi mua
(nesër do zbardhë sërish)
Mbi ta,nata e ligësisë…
Comments (0 posted)
Post your comment